Postuar më: 25/11/2010
Të nderuar kolegë,
Në pesë vjet qeverisje të PD-së u provua katercipërisht dështimi spektakolar në menaxhimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit ekonomik. Nga njëri diskutim i buxhetit në tjetrin kemi mundur të dëshmojmë paaftësinë e plotë të këtij ekipi qeverisës, që vishet nga propaganda butaforike e një mentaliteti të shkuar që rreket ta cilësoi vendin si shembulli i rritjes ekonomike. Të gjithë e dimë se kryeministri nuk ka asnjë lidhje me argumentin për çështjen e buxhetit, por vetëm se mundohet të kamuflojë pas mandatit politik të vjedhur e demagogjisë, për të cilën padyshim është kampion. Shqipëria e vitit 2010 nuk ka nevojë për demagogji, por për realizëm, përgjegjshmëri, aftësi dhe kompetencë. Aq më pak ajo ka nevojë për demagogjinë e re apo të vjetër të të ricikluarit historik. Ky ekzekutiv, as ka patur dhe as ka, kapacitet dhe vullnet politik për të parë qartë prioritetet ekonomike dhe financiare të këtij vendi.
Përrallat me ujë të pijshëm dhe drita në 24 orë dhe internet në cdo cep të Shqipërisë nuk duhet të kushtëzojnë debatin dhe momentet kur diskutohet buxheti i shtetit. Është e vërtetë që buxheti ka veshjen e një dokumenti teknik, i cili hartohet dhe zbatohet përmes vullnetit politik. Nëse ky vullnet është i deformuar edhe aspekti teknik i buxhetit do të jetë i tillë.
Zotërinj ministra,
Ju kujtoj që fushata elektorale ka kohë që ka mbaruar, madje pa lavdi sepse keni grabitur zgjedhjet dhe keni krijuar krizën më të thellë politike në vitet e demokracisë duke mbajtur vendin në kolaps të funksionimit të institucioneve pikërisht në vitin kur Shqipëria bëri aplikimin për statusin e vendit kandidat. Ka pesë vjet që njerëzit presin që ju t’i qeverisni, po ju vetëm i manipuloni. Në mandatin tuaj të dytë politik, nuk keni mundur ende të kuptoni dhe të lexoni qartë se cilat janë prioritetet reale të këtij vendi, nevojat e tij dhe drejtimi i zhvillimit perspektiv.
Ky projekt-buxhet nuk i ka shpëtuar orientimit politik të fondeve dhe pa dyshim mund të konsiderohet si buxheti i një viti elektoral për investime dhe lumë shiritash në komunat e bashkitë e drejtuara nga maxhoranca qeverisëse, ndërkohë që shkurtimi i fondeve cenon rëndë funksionimin dhe autonominë veçanërisht të bashkive të mëdha, që në 90% drejtohen nga socialistët.
Propoganda e shfrenuar për turizmin kulturor ç’bëhet në mënyrë spkektakolare në ato site muzeale e arkeologjike si për shembull, qarku i Gjirokastrës, i cili edhe në këtë buxhet rezulton të jetë i harruar. Kjo qeveri nuk përmbush detyrimin që Shqipëria ka për këto monumente që prej vitesh kanë statusin e monumenteve trashigimi kulturore botërorë në mbrotje të UNESCO-s.
Mënyra arrogante e paraqitjes së buxhetit është koncepti dhe vizioni që vetë kjo qeveri ka për shtetin dhe për parlamentin. Ministra që flasin pa fund dhe merren me opozitën në vend që të dëgjojnë dhe të marrin në konsideratë amendamentet dhe sugjerimet e saj, përveçse vetëdiskreditohen në sytë e opinionit publik, konsolidojnë bindjen se kanë qenë pjesë e këtij kabineti për t’u thelluar në afera korruptive dhe për të garuar në mënyrë të ethshme kush të pasurohet më shumë në mënyrë të paligjshme. Mjafton të dëgjosh argumentet dhe tonet me të cilat kërkojnë t’i imponohen Kuvendit. Ky vit buxhetor mbyllet duke shënuar thellimin e varfërisë, rritjen e papunësisë, rritjen e çmimeve të shportës, paqëndrueshmërinë e monedhës vendase, mungesën e sigurisë së jetesës së përditshme të familjeve shqiptare.
Strategjia e fshehjes së të vërtetës është e dukshme edhe në këtë draft që diskutojmë sot. Rritja ekonomike jo reale nuk mund të mashtrojë më shqiptarët, të cilët përjetojnë çdo ditë stresin e varfërisë. Shifrat fiktive të rritjes ekonomike pa asnjë mëdyshje do të sjellin si pasojë rritjen e shpenzimeve buxhetore. Gjithashtu, shifrat fiktive të rritjes ekonomike fshehin nivelin real të deficitit dhe të borxhit, të cilin do ta paguajmë brez pas brezi në dhe fëmijët tanë. Nga një lexim i kujdesshëm i opinionit të Komisionit Europian vihet re se statistikat shqiptare nuk përputhen me standardet e Bashkimit Europian. INSTAT nuk është i pavarur profesionalisht dhe indeksi i çmimeve të konsumit, të llogaritura prej tij, nuk përputhet me indeksin e harmonizuar të çmimeve të Bashkimit Europian.
Pra, keqllogaritja e instrumentalizuar e inflacionit çon në mashtrim të shqiptarëve lidhur me peshën e përbërësve të shportës apo shpenzimeve për energjinë, si një nga zërat më të domosdoshëm të konsumit. Si rrjedhojë, çdo konsumator i energjisë mund të shohë fare mirë faturat për të kuptuar se sa larg të vërtetës janë shifrat e publikuara dhe rezulton se familjet paguajnë minimalisht 30% më shumë se shifrat e përdorura për llogaritjen e inflacionit.
Qeveria manipulon inflacionin për të deklamuar rritjen e pagave në administratën publike më shumë sesa rriten çmimet. Manipulohet me të dhënat sepse mungon vullneti politik për të shpenzuar në kompensimin real të shtresave të varfra për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pagesën e papunësisë, ndihmën ekonomike.
Në këtë buxhet, lehtësisht vihet re rritja artificiale e investimeve për efektet elektorale të zgjedhjeve të pushtetit vendor. Vetëm në buxhetet që paraqet kjo qeveri mund të ketë nonsense si ai i rritjes ekonomike pa punësim, madje dhe me thellim të frikshëm të papunësisë. Gjithashtu, buxheti që na është vënë në dispozicion prej dy javësh, pra dhe me shkelje të afateve të paraqitjes sipas ligjit organik të buxhetit, shënon përkeqësim të mëtejshëm të mbrojtjes sociale.
Nuk është surprizë që kjo qeveri në paraqitjen e këtij buxheti nuk është treguar bashkëpunuese me FMN duke injoruar sugjerimet e këtij organizmi prestigjoz për deficitet dhe borxhet e larta. Opozita prej kohësh ka paralajmëruar për përkeqësim të stabilitetit të financave publike dhe i ka rënë këmbanave të alarmit që vendi është drejt krizës së borxheve të larta. Ky buxhet diskutohet rreth dy javë pas opinionit lidhur me aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.
Është për të ardhur keq që në vend që të ketë reflektim për çështje serioze që lidhen edhe me diskutimin për buxhetin siç është rasti i luftës kundër korrupsionit, qeveria mburret dhe harxhon energji dhe kohë të çmuar për të bërë oponencën e asaj çka Komisioneri Fule dhe përfaqësues të rëndësishëm të SHBA-së bëjnë thirrje për përgjegjshmëri dhe punë serioze për plotësimin e standardeve. Këtë qeveri nuk e shpëtuan dot as ambasadat e reja të hapura pa kriter e pa studim me argumentimin se do të jenë në funksion të procesit të integrimit, i cili në këtë fundviti u dëmtua rëndë si pasojë e papërgjegjshmërisë dhe e paaftësisë së maxhorancës, e cila e ka shpallur përparësi të përparësive. Pra, kjo maxhorancë dështoi ekzaktësisht në këtë përparësi.
Po aq mjeran është dhe justifikimi se disa ambasada janë hapur në vendet, të cilësuara si fuqi botërore ekonomike. Për fat të keq, njëherazi shprehet dhe mendësia diletanteske sepse thithja e investimeve jo domosdoshmërisht lidhet me një prezencë të caktuar diplomatike, por kushtëzohet apo inkurajohet nga një sërë faktorësh të rëndësishëm brenda vendit dhe mbi të gjitha problemet me sundimin e ligjit dhe korrupsionin e frikshëm me pronat, përsëri duke ju referuar opinionit dhe progres raportit të Komisionit Europian.
Mendësia e cunguar për burimet njerëzore në fushën e politikës së jashtme, militantizimi i trupit diplomatik, praktikat nepotike dhe klienteliste të emërimeve si monopol i maxhorancës dhe jo në zbatim të ligjit dikton edhe problematikën në alokimin e fondeve të parashikuara për vitin e ardhshëm, të cilat nuk japin ndonjë shpresë se do të kemi diplomaci efektive e dinamike në shërbim të interesave të vendit dhe kombit.
Problematika e mprehtë në sigurinë e ambasadave, investimet e munguara, zbatimi i çalë i projektit të imazhi, mungesa e koordinimit me institucionet e tjera që kanë përfaqësuesit e tyre në prezencat tona diplomatike nuk lënë vend për një vlerësim pozitiv për parashikimet e buxhetit në lëmin e politikës së jashtme.
Fytyra e vendit është diplomacia, e cila edhe për shkak të pamjaftueshmërisë së burimeve financiare dhe paaftësisë në efikasitetin e përdorimit të tyre, për fat të keq reflekton me besnikëri amullinë dhe realitetin dëshpërues brenda vendit.
Megjithë rritjen 12.5 % krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar projektet që Ministria e Punëve të Jashtme parasheh të realizojë, si projekti për imazhin, që pretendohet të ketë rritje cilësore, diplomacia kulturore, diplomacia ekonomike, realizimi i detyrimeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, prezenca diplomatike në territor më të gjerë, lobimi për njohje ndërkombëtare të Kosovës, përveç shpenzimeve të tjera, tejkalojnë dukshëm burimet financiare që ky institucion duhet të ketë në dispozicion. Pra, vetë hartimi dhe mbrojtja e buxhetit është një ushtrim mashtrues. Që në fillesën e vet aktorët që do ta zbatojnë janë të ndërgjegjshëm, që nuk mund të realizojnë atë që vetë i paraqesin këtij Kuvendi.
Nuk keni ç’ti ofroni më shqiptarëve përveç mashtrimit, grabitjes, korrupsionit, shkeljes së të drejtave, zhvatjes së pronës private, kulturës së pandëshkueshmërisë së anëtarëve të kabinetit, shkatërrimin e biznesit privat, varfërisë, papunësisë, politizimit të çdo qelize të shoqërisë, kontrollit të institucioneve të pavarura, kontrollit të medias. Buxheti që paraqisni sot është në këtë funksion. Si konkulzion, do të kalojmë orë të tëra në këtë sallë ku maxhoranca e Sali Berisha i ofrojnë shqiptarëve shoun e radhës, që shqiptarët dhe unë bashkë me ta shpresojmë të jetë i fundit i këtij lloji.







