Postuar më: 25/11/2011
Në thelb të këtij buxheti nuk është rritja e punësimit, as reduktimi i informalitetit dhe aq më pak reduktimi i varfërisë.
Ashtu si edhe organizmat ndërkombëtarë theksojnë, në Shqipëri ka pasur rritje ekonomike, pa hapje vendesh reja pune. Por një rritje ekonomike e tillë, që nuk përkthehet në vende të reja pune, nuk përkthehet as në përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve. Përsa i përket Programit të Mbrojtjes Sociale, shikojmë se në vitin 2011 ishin planifikuar që në skemën e ndihmës ekonomike të trajtoheshin 90.000 familje dhe realisht janë trajtuar rreth 104.000 familje, nga 98000 që u trajtuan në fund të vitit 2010.
Edhe një herë provohet se varfëria është rritur, sepse është rritur numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike. Në të njëjtën kohë, fondet për këtë program nuk kanë ndryshuar gjatë vitit 2011, pra pagesa mesatare që ishte planifikuar të ishte 3.900 lekë në muaj, rezulton të jetë 3.500 lekë. Të gjitha këto familje jetojnë me më pak se 1 USD në ditë. Veç kësaj ndikimi i programit të ndihmës ekonomike mbi varfërinë është i kufizuar, sepse edhe masa e ndihmës sipas strukturës së familjes nuk ka ndryshuar që nga viti 2005. Vërtet është rritur fondi për ndihmën ekonomike në vitin 2012, por është rritur sepse është rritur numri i familjeve që marrin ndihmë ekonomike, jo sepse është rritur masa e ndihmës ekonomike për familje.
Në buxhetin e parashikuar për vitin 2012 parashikohet zbutja e varfërisë nëpërmjet rritjes së masës së ndihmës ekonomike për familje në shumën 8508 lekë. Si ka mundësi që parashikohet kjo shifër si masë mesatare, kur aktualisht me VKM, masa maksimale e ndihmës ekonomike është 7500 lekë ? Në qoftë se do të ishte realisht kështu, i bie që fondi i parashikuar për ndihmën ekonomike të ishte shumë më i lartë. Në programin e saj të miratuar në Kuvend më 2009, qeveria është angazhuar se brenda vitit 2013 çdo shtetas në nevojë do të ketë ndihmë ekonomike mbi 2 dollarë në ditë. Nuk do të ishte keq sikur të paktën të arrihej standardi prej 1 usd për person në ditë, pasi kështu një familje me katër anëtarë do të merrte 120 usd në muaj nga 40 usd që marrin sot rreth 100 mijë familje shqiptare. Megjithë optimizmin e qeverisë, kjo duket e paarritshme.
Ky buxhet jo vetëm qe nuk e parandalon edhe e trajton varfërinë, por edhe e riciklon atë përmes politikave pasive, përmes shpërpjesëtimit në investime, duke synuar mbajtjen gjallë të njerëzve me lëmoshë, pa ndihmuar të fuqizohen edhe të dalin nga cikli i varfërisë. Shqipëria ka një varfëri 3 herë më të madhe se Europa ku dëshiron të integrohet, por harxhon 3 herë më pak para kundër mjerimit. Edhe premtimi në programin qeverisës për hapjen e 160 mijë vendeve pune, duket jo vetëm ireal edhe i paarritshëm, por edhe vetë shifrat zyrtare të papunësisë të humbasin shpresën për një rritje të punësimit. Për më tepër që nga viti 1995 nga shteti është krijuar “Fondi i nxitjes së punësimit”, fond i cili thuajse ka mbetur virtual pasi fondet e tij përdoren për zëra të tjerë buxheti. Në mënyrë paradoksale ky fond ka ardhur në ulje, jo vetëm duke mosplotësuar nevojat e qytetarëve shqiptarë për një punë, por edhe duke ngjallur pesimizëm edhe mungesë shpresë për një jetë më të mirë edhe një të ardhme më të sigurt. Besoj që ky është faji më i madh që ka keqqeverisja.
Varfëria duhet parë përtej shifrave krimi në familje apo krimi urban në Shqipëri po lulëzojnë. Përmasat që kanë marrë këto probleme sociale që lidhen me varfërinë, duhet të jenë një këmbanë alarmi për të ndryshuar përqasjen duke synuar parandalim dhe trajtimin e tyre. Përfitoj nga rasti sot që është Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas dhe në vazhdimësi 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, të bëj apel tek të gjithë kolegët parlamentarë të mbështesin nismën për rishikimin e Kodit penal, duke e konsideruar dhunën në familje si krim. Diskriminimi, dhuna edhe krimi për shkak të gjinisë nuk duhen toleruar më. Patjetër dua të përmend sot këtu edhe fëmijët. Ky buxhet nuk parashikon fonde të veçanta për fëmijët shqiptarë. Nuk ka të parashikuar fonde për zbatimin e Ligjit për të drejtat e fëmijëve që është miratuar nga ne në parlament, nuk ka fonde që të krijojnë institucione për fëmijët, për zhvillimin e tyre. Nuk ka hapësira për zhvillimin e fëmijëve të talentuar, nuk kanë ku të shkojnë në kohën e lirë, ka shumë pak spartakiada dhe olimpiada. Nga studimet e fundit rezulton se 1 në 4 fëmijë në Shqipëri janë të varfër, 1/3 e fëmijëve janë mbipeshë edhe një e treta janë të kequshqyer.
Për të gjitha këto arsye dhe të tjera si këto, shteti duhet ta përcaktojë minimumin jetik, sepse deri tani nuk është përcaktuar. Ky tregues duhet të përcaktohet nga grup ekspertësh dhe duhet pranuar, duhet shpallur, duhet njohur nga qeveria dhe nga parlamenti dhe më pas duhet bërë një program pune për uljen graduale të varfërisë. Qeverisë do t’i duhet të rishikojë politikat sociale që mbështesin shtresat në nevojë dhe një nga to mund të jetë lehtësimi i taksave të rritura mbi pagat. Opozita e ka shpalosur vizionin e saj përmes programit që ka prezantuar. Prioriteti i politikave të punësimit, përmbi politikat e tjera sociale, pra punësimi mbi të gjitha. Vetëm politikat efektive të punësimit mund të ndihmojnë në sigurimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe që garanton të drejtat e individit në një shoqëri demokratike.







