Postuar më: 25/11/2010
Debati për buxhetin është më i rëndësishmi në jetën parlamentare të një vendi,sepse në të projektohen politikat e zhvillimit, por edhe mënyra e zhvillimit të tij në parlament së fundi qe më shumë se zhgënjyese. Jo vetëm nga mungesa e prezencës pothuajse totale të qeverisë në këtë debat, por dhe e përmbajtjes së diskutimeve të maxhorancës qe krejtësisht e zbrazët propagandistike.
Maxhoranca edhe në këtë debat në vend të argumentave mbi arsyet e këtij rishikimi të vonuar të buxhetit, vazhdoi gati në panik traditën e sulmit mbi opozitën duke bërë si zakonisht rolin e opozitës së opozitës në vend të shfaqte me qetësi e argumenta si do përballojë drejtimin e vendit në këtë situatë të vështirë të krizës politiko-ekonomike.
Analiza që shoqëron buxhetin e këtij viti është e paqartë dhe e dyshimtë. Prandaj më është dashur shumë punë mbi shifrat e tij për të kuptuar se cpo ndodh, për shkak të mungesës së statistikave të besueshme dhe analizës së qartë që na afroi relacioni i buxhetit 2011. Ndërkaq, nga një analizë profesionale, del se buxheti i këtij viti mbështetet mbi të njëjtën logjikë të piramidës të së kaluarës dhe piramidës së buxheteve pararendëse. Kjo logjikë, siç kemi argumentuar edhe më parë, po kërcënon seriozisht stabilitetit makroekonomik
Një muaj më parë në debatin për buxhetin faktik kryeministri na premtoi se do sillte për rishikim buxhetin e vitit 2010, sepse sipas tij të ardhurat qenkeshin rritur si asnjëherë në turizëm dhe se shpenzimet e shtrenjta të infrastrukturës rrugore po sillnin bumin ekonomik,
Ndërkohë nuk kam asnjë iluzion për këtë premtim krejtësisht të pamundur për tu realizuar, sepse ritmet e zhvillimit ekonomik siç do analizoj më poshtë nuk ja mundësojnë këtë premtim.
Zhvillimi ekonomik jep impaktin e vet në rritjen e të ardhurave buxhetore. Në fakt ato si 10 mujor shtohen sa gjysma e nivelit të programuar për vitin 2010 .Ndërkohë duhet theksuar, se në këtë shtesë 40%, vjen nga zëri të ardhura të tjera jo tatimore (të cilën qeveria nuk e sqaroi se çfarë përfaqëson) por që gjithsesi nuk vijnë prej rritjes ekonomike.
Rritja ekonomike shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë rritjen e treguesit të të ardhurave nga tatimet dhe doganat, si zëri kryesor i të ardhurave të buxhetit.
Nga analiza e këtij treguesi del se shtesa e të ardhurave nga tatimet dhe doganat si për 9 mujorin ashtu dhe për 10 mujorin ka qenë e njëjtë rreth 10 miliard lekë (respektivisht 9875 dhe 9857 milion lekë apo për skrupulozitet me një rënie 18 milion lekë si 10mujor ).
Kjo tregon se në muajin tetor nuk ka pasur asnjë ndryshim kundrejt shtatorit, dhe se tetori është karakterizuar nga stanjacioni ekonomik. Ndërsa me tendencën që shfaqet nga rritja e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, (edhe në këtë tregues në 10 muajt e vitit 2010 rritja është gati sa gjysma e asaj vjetore të programuar), qeveria nuk mund të realizojë të ardhurat në periudhën që vjen, sepse është e pamundur që në dy muajt që mbeten, të realizohen po aq të ardhura nga tatime doganat që u realizuan në 10 muaj.
Ky realitet i shifrave e kthen në flluskë premtimin e kryeministrit për rishikim të buxhetit 2010 me synim rritjen e të ardhurave, mbasi nuk rezultoi asnjë bum ekonomik i premtuar. Përkundrazi siç e kam thënë parashikuar qysh në korrik do të ndodhë e kundërta .
Në fund të vitit si ka ndodhur edhe vitet e kaluara, qeveria do të na sjellë një akt normativ për uljen e të ardhurave buxhetore. Pasojat e këtij veprimi tashmë dihen, ato shoqërohen ose me ulje investimesh ose me rritje deficiti, secila shumë negative për ekonominë.
Por në vend të një reflektimi serioz mbi buxhetin 2011, besueshmëria e të cilit duhej të mbështetej në realizimin e pritshëm të 2010, ju vazhdoni retorikën se për 2011 na keni sjellë një buxhet të ri që sipas jush është më i madhi në historinë e tranzicionit.
Por a nuk ka qenë gjithnjë në historinë e tranzicionit buxheti i një viti nominalisht më i madh se i një viti më parë, dhe për pasojë më i madhi historik për atë kohë? Çdo të thotë pra buxheti historik më i madh ?
Nuk ka buxhet historik, as të madh, as të vogël. Buxheti është i kushtëzuar nga mundësitë materiale dhe financiare të vendit. Parimi kryesor duhet të jetë “shtrirja e këmbëve sa ke jorganin”. Ky parim gjen zbatim që nga familja, deri tek shteti me i fuqishëm sepse askush nuk të jep borxh pa fituar. Prandaj qeveria në vend të këtij qëndrimi amatoresk dhe mburracak duhet të zbresë me këmbët në tokë. Buxhetet kanë qenë vazhdimisht defiçitarë, mezi kanë përballuar pagat dhe pensionet në nivel minimal, me pak mundësi për investime në infrastrukturë, edhe pse stoku i borxhit publik po rritet çdo ditë.
Prandaj nuk kemi të bëjmë aspak me një buxhet historik, në të kundërtën kemi një buxhet që si në nivelin e të ardhurave dhe atë të shpenzimeve është sa buxheti fillestar i 2010, që vjet në këtë kohë u diskutua me eufori në këtë kuvend nga kolegë të maxhorancës që si dhe sot anatemuan pa argumenta opozitën për çdo kritikë që ajo shfaqi edhe vjet. Koha tregoi se e drejta ishte në anën tonë dhe ju e korrigjuat buxhetin për 2010 por pa asnjë reflektim për këtë. Prandaj sot në vend të flisni për buxhet historik duhet të pranoni se jeni me 1 vit vonesë, nga që përsëri nuk vlerësoni me realizëm të tashmen në mënyrë që të shmangni euforinë dhe pasojat e saj në të ardhmen.
Por qeveria përsëri nuk tërhiqet nga premtimet euforike, që nuk do i realizojë dot brenda vitit 2010 si vit i çudirave kur turistët erdhën lumë dhe të ardhurat nga turizmi dhe aktiviteti ekonomik na rendisin të parët në klasifikimin europian e përtej siç dëgjuam përsëri nga maxhoranca në debatin për buxhetin.
Duke u thelluar në analizën për performancën ekonomike të 2010, përdora shifrat zyrtare tuaja megjithëse të vonuara (vetëm dje mezi sigurova të dhënat fiskale 10mujore dhe ato doganore për 9 mujorin) dhe jo të plota, duke humbur orë të vyera për ti zbërthyer si duhet shifrat për këtë analizë me qëllim që opinioni publik që na ndjek të kuptojë se kush bën politikën e megafonit dhe kujt i mungon vizioni. Nga kjo rezulton se shtesa e të ardhurave nga tatime e doganat prej 10 miliard lekë ka ardhur vetëm nga doganat ndërsa rritja nga tatimet është ose 0 ose negative. Ky rezultat jo vetëm që nuk flet për bum ekonomik po përkundrazi për rrudhje dhe pasiguri në aktivitetin privat të biznesit, prandaj të ardhurat tatimore nuk rriten në 10 muaj kundrejt 2009.
Kush flet për rritje të aktivitetit ekonomik në këto kushte, mbetet të kënaqet me rrobat e bukura të mbretit në përrallën e Andersenit. Në se keni të dhëna të tjera më përgënjeshtroni duke na i prezantuar në këtë parlament .
Detyra jonë është të bëjmë prezent me argumenta këtë realitet buxhetor pastaj le të na gjykojnë shqiptarët. Në se ju besojnë bizneset, të ardhurat e shumicës të së cilëve që prej dy vitesh nuk rriten kjo është puna e tyre, por edhe juaja që si politikanë po shisni si sukses edhe këtë performancë fiskale që dëshmon qartazi dështimin. Më tej le të na gjykojë edhe media, apo njerëzit e thjeshtë se sa e kanë ndjerë këtë rritje që pretendoni në punësim më të mirë apo të ardhura më të mira.
Ndërsa tatimet nuk rriten, le të analizojmë faktorët që sjellin rritjen në dogana. Pra si ka ndikuar tendenca e importeve dhe kursi i këmbimit ?
Për këtë ju referova të dhënave të botuara dje në tabelën 16 të ëeb site të DPD për statistikat fiskale në dogana ku gjeta disa xhevaire statistikash (pasaktësish) për çdoganimet e karburantit si 9 mujor, ku falë përdorimit të kontrollit logjik statistikor që të ofron shkenca e statistikës kupton pasaktësitë, (shtesë vetëm si nëntë mujor 125 mijë ton kur totali vjet qe 432 mijë ton, sivjet si nëntë mujor për vitin 2009 shifra duhet jo 236 421 por 335 411 kurse 9 mujori 2010 362 mijë ton)
Këto pasaktësi i quaj gabim njerëzor dhe nuk merrem me to, vetëm dua t’ju them se ju nuk keni guxim të korrektoni as gabime njerëzore kur ato shkojnë në favor të koplimentit pro rrobave të bukura të mbretit, për ti bërë ato edhe më të bukura, megjithëse askush nuk i sheh.
Duke ju kthyer analizës së doganave le të shohim si ka qenë ndikimi në to i aktivitetit ekonomik duke ilustruar këtë me ecurinë e importeve.
Për këtë i jam referuar ecurisë së importit për 9 mujorin e 2010 kundrejt 9 mujorit të 2008 periudhë akoma të paprekur nga kriza globale, si dhe kursit të këmbimit të lekut në euro e dollarë për këtë periudhë. Nga kjo rezulton se rritja e importit të taksuar për këtë periudhë qe vetëm 107%, ndërsa kursi këmbimit të lekut në dollarë dhe euro rritet përkatësisht 129% dhe 112%.
Kjo do të thotë se niveli real i importeve në 2010 nuk ka arritur as nivelin e asaj të para krizës së vitit 2008. Dhe se shtesa e importit në lekë është vetëm rezultat i (kursit të këmbimit të lekut) zhvlerësimit të tij. Këtë situatë, megjithëse me ndrojtje që mos të prishë qetësinë e qeverisë, e shprehu edhe Banka e Shqipërisë.
Edhe indeksi i shitjes me pakicë për tremujorin e tretë të këtij viti, ka rënie nga viti i kaluar.
Kjo do të thotë se ndërsa pritej të kishte shtesë reale si rezultat i faktorit hapje e Tunelit të Kalimashit, pa çka se me një vit vonesë, efekti i saj nuk ka bërë të mundur që shitjet me pakicë, (që flasin për shkallën e konsumit të popullatës) të jenë të paktën në nivelin e vitit të kaluar.
Prandaj situatën ekonomike të vendit ta gjykojmë me logjikë të ftohtë jashtë pasioneve e çdo euforie.
Unë i përmbahem idesë se nuk është ndonjë fatkeqësi që efekti i krizës ekonomike botërore u ndje me stancjacion apo qoftë me rënie ekonomike. Fatkeqësia e këtij vendi është qëndrimi paranojak nga mosnjohja dhe pranimi i kësaj situate që mund ta çojë më keq këtë vend. E kam thënë edhe një herë se fatkeqësia e Titanikut nuk erdhi thjesht nga ajsbergu i madh por nga qëndrimi megaloman dhe paranojak i kapitenit.
Prandaj këmbëngulim në nevojën për statististika të sakta, ku të bazohej analiza e realitetit të 2010 nga niset parashikimi për buxhetin e 2011. Në mungesë të sa më sipër, ky buxhet nuk është as i matur si kërkon edhe BSH dhe as i besueshëm. Performanca e të ardhurave buxhetore për vitin 2010 nuk garanton realizimin e treguesve të parashikuar për vitin 2011, që do shpien në zhvlerësim të lekut e për pasojë në rënien e nivelit të jetesës së popullsisë.
Qeveria e sotme ka një raport të dyshimtë me shifrat dhe statistikat. Ky është shkaku që - siç shprehet raporti i progresit të KE –“ pavarësia profesionale e INSTAT nuk garantohet sa duhet në ligj. Raporti i KE vëren se në fushën e statistikave, dobësitë vazhdojnë, sidomos në statistikat bujqësore, sociale, të biznesit dhe ato makro-ekonomike. Përmirësimet janë të nevojshme në metodologjinë dhe burimet e llogarive kombëtare, në statistikat e deficitit buxhetor dhe borxhit, statistikat e IHD dhe statistikat e sektorit monetar e fiskal. prandaj duhen burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për të përmirësuar këtë sektor".
Edhe më parë si opozitë jemi shprehur kritikë se statistikat janë të pasakta dhe të pa plota, dhe nuk ka as përpjekje për të rregulluar as gabimet njerëzore në to. Të gjitha këto për të fshehur se ekonomia ose është në stanjacion ose ka rritje rastësore jo të qëndrueshme për arsye natyrore si psh prodhimi i energjisë elektrike vitin 2009-2010; arsye konjukturale si psh rritja e eksportit të mineraleve, apo për inerci siç qe vënia në punë e fabrikave të çimentos.
Në përfundim kujtoj se megjithëse kryeministri premtoi se Raporti i BE do kthehet në një axhendë pune për qeverinë nuk pati asnjë reflektim në terma buxhetore të dimensionit të integrimit europian të paktën ndaj statistikave.







