Postuar më: 25/11/2011
“Ne nuk kemi mundësi t’i përgjigjemi kërkesës së popullatës për shkollim”. “Ne nuk kemi mundësi t’i përgjigjemi kërkesës së popullatës për shkollim”!!!
Këto nuk janë fjalët e mija, as fjalët e opozitës shqiptare. Ky është pohimi i anëtarit të kësaj qeverie, zotit Tafa, kur prezantoi buxhetin në komision të Arsimit.
“E pranoj që jemi shumë larg premtimit tonë elektoral për buxhetin e Arsimit” - edhe ky është po ashtu pohimi i Ministrit të Arsimit. Sa premtoi e sa po i jep arsimit kjo qeveri? Premtoi që arsimi do të zinte 6% të GDP, po a e dini sa zë në këtë buxhet? Vetëm 2.8% - as sa gjysma e premtimit! Vetëm 2.8%!
Sali Berisha, nëqoftëse ti do sot votën time, rrit buxhetin e arsimit! Rrite tani Sali, bëje 5%, aq sa është në programin tonë. Bëje tani ose përndryshe ik se e bëjmë ne!
Po si vjen këtu dhe i paraqet këto kacidhe si buxhet për shqiptarët?! Shikoni pak sa janë parashikuar për vitin e ardhshëm investimet në arsim: Ato do të zënë vetëm 10.5 përqind të këtyre pak parave që po lihen për shkollat tona. 10.5 përqind në 2012, kurse në 2005 investimet ishin 17%. Ku po e çon Shqipërinë kjo qeveri?
Ka edhe më: zoti Tafa deklaroi se edhe tek ky 10 përqindësh, vetëm gjysmat e lekëve vë qeveria, se gjysma tjetër është kredi (dmth borxh) i dhënë nga Banka Botërore. Me një fjalë, ti Sali tek investimet në arsim po vë buxhet tani sa për të blerë shkumësa. Pra shkollat do të mbeten po ato, dhe kur them po ato, e kam fjalën për rrënoja si kjo që gjendet në Lejcan, andej nga vjen Ministri i Arsimit. Këtu i ke detyruar të shkojnë bashkëfshatarët e tu, zoti Tafa! Nuk ka për të votuar opozita këto rrënoja që kjo qeveri i shet për shkolla, ndaj të thashë më parë, rriteni tani buxhetin e arsimit, ose ikni që ta rimëkëmbim sa më parë atë që shkatërruat.
Bërtet lart e poshtë, Sali se do ju rritësh rrogat mësuesve! Fjalë boshe! Ne e pyetëm ministrin tënd, dhe ai sajoi aty për aty se do të rriteshin me 3%. Por sot vetëm inflacioni është 3.5%! Kështu që për 40 mijë punonjës të arsimit do të ketë në fakt ulje rrogash!
Ndaj ejani të ngremë taksat për ne, dhe të ulim taksat për mësuesit e këtij vendi. Po po, se nuk mund të taksohet disa fish më shumë një mësues nga ç’taksohet vetë Ministri i Arsimit. Ne jemi gati t’i ngremë taksat për veten tonë, duke i ulur për 95% të popullatës. Ju a jeni gati?
Ne kemi një program të qartë sesi përballet kjo krizë shumëplanëshe, ndaj propozimeve tona për heqjen e TVSH-së së ushqimit dhe uljen e TVSH-së së Energjisë, i shtojmë sot edhe kërkesën e Partisë Socialiste për heqjen e TVSH-së së librit. Heqja e TVSH-së së librit do ndikojë drejtpërdrejt si në kosto e si në cilësi, ndaj ju ftojmë ta inseroni këtë masë lehtësuese në buxhet, dhe ejani ta votojmë. Sali, të kujtoj se para pak kohësh ti hoqe deri edhe akcizën e parfumeve. Hiq pra sot taksën e librit, se po shtohet frikshëm numri i analfabetëve që janë të tillë se nuk kanë mundësi, jo se nuk kanë dëshirë.
Universitetet publike po i shkatërroni me dashje, duke mos u dhënë punonjësve as hakun që u takon për punën që e bëjnë në kushte fabrike e jo auditorësh. Para pak ditësh ishte sërish në protestë Filologjiku. E po ashtu, a e di qeveria se ky është i dyti vit që pedagogët e jashtëm të Universitetit të Shkodrës nuk marrin para për mundin që bëjnë?
Kush mund ta mohojë në këtë sallë se buxheti për arsimin është ulur nga viti në vit, sikurse kush nuk e di në këtë sallë se qytetërimi rrotull nesh e ka përherë punë të parë arsimin?! 8% të buxhetit zë arsimi në vendet skandinave! 2.8 Shqipëria sot. Ne, populli më analfabet në Europë – kemi më të voglin buxhet për shkollim! Me vetëm 2.8% vëmendje për dijen, edhe më shumë shkolla do katandisen si kjo gërmadha e nahijes së Ministrit, edhe më shumë mësues do të dalin të papunë - se gërmadhat ju nuk i ndreqni.
Sali, thirri mendjes, eja të ulemi e të ulim taksat për shqiptarët, eja të votojmë për të rritur buxhetin e arsimit, të votojmë një buxhet ndryshe, që ia frenon Shqipërisë rrokullimën. Përndryshe, ik Sali se ke shkatërruar mjaft!







