Fjala nė Kuvend e deputetes Mimi Kodheli

Postuar më: 27/10/2011

Të nderuar kolegë deputetë,
Më lejoni që fillimisht të falenderoj qeverinë italiane, e cila, megjithëse në kushte të vështira financiare, kthen në projekte zhvillimi  20 milionë euro borxh të marra nga qeveritë tona të mëparshme, kryesisht për blerje të energjisë elektrike. Qeveria italiane ka qenë më aktivja ndër qeveritë perëndimore, në politikat e shkëmbimit të borxhit, në projekte për zhvillim. Ata kanë financuar marrëveshje të tillë të ngjashme në disa vende në zhvillim.
Me këtë marrëveshje ne do shkëmbejmë 20 milionë euro në fonde për financimin e projekteve të reja. Kjo marrëveshje është në mënyrë indirekte një falje e borxhit.
Më lejoni të them që në fillim se ky konvertim për qeverinë italiane ka qenë gati-gati i detyrueshëm për shkak të paaftësisë që qeveria jonë në mënyrë të vazhdueshme ka demonstruar, për ta shlyer këtë borxh.
Kushti i vetëm që qeveria italiane vë është që këto para të investohen. Shpresoj që të paktën nga ana e qeverisë italiane të mund të ketë një monitorim me qëllim shfrytëzimin e këtyre parave në fusha ku vendi dhe ekonomia shqiptare kanë vërtet nevojë dhe ku dora e qeverisë ndihet shumë pak ose aspak, si psh në arsim e shëndetësi.
Fakti që qeveria italiane na ka vënë kushte për investime në fusha strategjike, duhet marrë seriozisht dhe fondi nuk duhet parë si psh ai fondi qeveritar i OJF-ve që shkon i gjithi, abuzivisht, për t’i bërë qeverisë makijazhin e radhës. Dhe kjo e bën akoma më të vështirë përdorimin e këtyre parave.
Por frika jonë është edhe fakti se fragmentimi në shumë projekte do bëjë që këto para  të përkthehen në një masë të madhe projektesh të vogla të cilat nuk do të kishin një impakt të matshëm dhe me përfitim për vendin tonë.
Problemi tjetër që ne shikojmë është se procedura e konvertimit thotë se ka 11 këste nga 1,95 milionë euro, kurse kësti i parë është 500 mijë euro, po ndërkaq  thuhet se, nëse paratë nuk do të jenë përdorur për 2 vjet, automatikisht kjo shumë riquhet borxh dhe do të detyrohemi t’ia shlyejmë qeverisë italiane.
Shqetësim tjetër, kjo sidomos nga përvoja me projekte të ngjashme, është se këto lloj procedurash kanë shumë burokraci, kanë kostot e tyre dhe një shkallë të lartë zvarritjesh.
Një propozim që erdhi nga anëtarët socialistë të komisionit të ekonomisë ishte se, në kushtet kur ky borxh  kthehet në një ndihmë mund fare mirë të  bëhej pjesë e buxhetit afatmesëm dhe të mos presim që me një strukturë të veçantë me një përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe asaj italiane të bëjmë përzgjedhje projektesh.
Qeveria shqiptare në fushën e arsimit e të shëndetësisë ka strategji sektoriale të përgatitura nga ministritë, ka buxhetin afatmesëm si edhe investimet prioritare. Pavarësisht se sa janë zbatuar këto strategji dhe se si është abuzuar me fondet e destinuara sidomos në arsim e shëndetësi, në këtë rast do të shkurtohej kohë dhe kosto të panevojshme që do të shoqërojnë përzgjedhjen e projekteve.
Problem tjetër që ne shikojmë është sipas relacionit të Ministrisë së Financave, garancia e vetme për të mund t’i realizuar këto projekte është vullneti i të dy qeverive, për të mos lejuar që të ndodhë që projektet të mos realizohen. Nuk jam unë personi që vlerëson apo vë në diskutim garancitë e një shteti si Italia, por sigurisht që vë në diskutim garancitë e qeverisë shqiptare, pasi është gjëja e fundit për të cilën do mund të besoj, tek garancitë që jep ajo.
Disa kolegë demokratë ngritën pretendimin se qeveria i ka shlyer të gjitha borxhet. Po, por problemi është me çfarë parash? Është shumë e thjeshtë të marrësh borxh për të shlyer borxh. Ju kujtoj këtu Eurobondin i cili u emetua vetëm për të shlyer borxhet e kredisë sindikale.
Gjithsesi në mbyllje të diskutimit tim dua të them se do të ishte e udhës që këto projekte të monitorohen edhe nga parlamenti, pasi vetëm kështu mund të krijojmë bindjen se paratë e falura nuk shkojnë dëm, se paratë e falura nuk shkojnë vetëm për projekte fantazmë apo për projekte që çojnë para tek oborri, por përfituesit e vërtetë janë njerëzit e thjeshtë që kanë aq shumë nevojë për shumë më tepër shkolla e spitale e për shumë më tepër shërbime në to.
Faleminderit



Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy