Fjala nė Kuvend e deputetes Shega Ligori

Postuar më: 29/09/2011

Të nderuar zotërinj deputetë,
Akti normativ nr.3, datë 07/09/2011 “Për heqjen e mjeteve motorike, rimorkiove si dhe pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, që ndodhen pranë rrugëve kombëtare” është një akt i nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 101 të saj e, që në fillim ju ftoj të mos e miratoni atë.
Ky akt nuk është i diktuar as nga nevoja e as nga urgjenca për të zgjidhur të ashtuquajturën situatë emergjente të krijuar nga gjendja e rënduar dhe problematike e vendgrumbullimeve të mjeteve motorike të dala jashtë përdorimit, pranë rrugëve kombëtare të cilat na paskan ndikuar në ndotjen e mjedisit dhe përkeqësimin e sigurisë rrugore.
Emergjente në fakt është etja e pakufi për fitim e kësaj qeverie, për të grabitur gjithçka e gjithkënd në këtë vend, është babëzia e saj e pamatë.
Situata, të cilën merr përsipër ta zgjidhë ky akt është një situatë e krijuar në vite.
Tonelata masash metalike nuk gdhinë një ditë të bukur pranë rrugëve kombëtare.
Nëse sot sipas relacionit që shoqëron aktin, kemi rreth 290 vendgrumbullime të tilla në gjithë territorin, kjo nuk ka ndodhur në një ditë e as nuk mund të zhbëhet në një ditë apo një muaj.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë me një vendim të sajin të vitit 2006 ka bërë interpretimin e nenit 101 të Kushtetutës.
Në kuptim të interpretimit të këtij neni të Kushtetutës ajo arsyeton:
“Nevoja dhe urgjenca duhen kuptuar si parakushte të domosdoshme me pasojë pavlefshmërinë e aktit normativ me fuqinë e ligjit. Mungesa e tyre shndërrohet në ves të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe në vijim, në ves të ligjit që e ka miratuar atë.”
Kjo qeveri ka qenë e paaftë që për vite të tëra të qeverisjes së saj ta disiplinojë këtë biznes, të zbatojë ligjet ekzistuese apo të hartojë paketa ligjore që zgjidhin këtë situatë. E atë që nuk e ka bërë dot për gjashtë vjet po kërkon ta bëjë apo më saktë të bëjë sikur do ta bëjë në 1 muaj.
Në të vërtetë prapa këtij akti normativ nuk është dëshira e mirë, qoftë edhe e trajtuar në rrugën e gabuar ligjore dhe kushtetuese për ta zgjidhur këtë situatë.
Kjo pasi asgjë nuk mund të zgjidhet brenda një muaji nga pronarët e këtyre vendgrumbullimeve, së paku për pamundësi kohore, asgjë nuk mund të zgjidhet as më pas nga Ministria e Mbrojtjes që dreqi e di se përse është përfshirë në këtë histori a biznes të familjes në pushtet.
Është paradoksal fakti që ndërsa pronarëve i lihet 1 muaj kohë për të lëvizur tonelata të tëra hekurash nga vendi, në këtë akt nuk përcaktohet asnjë afat kohor brenda të cilit Ministria e Mbrojtjes duhet të bëjë transportin e këtyre mjeteve motorike nga vendgrumbullimet ekzistuese në ato të rejat, për të zgjidhur gjoja këtë situatë emergjente.
Nga ky akt nuk marrin zgjidhje reale as problemet mjedisore të cilat gjoja kanë përbërë motivin bazë të nxjerrjes së këtij akti. Kështu që jo vetëm që nuk ka një studim për shkallën e ndikimit në ndotjen e mjedisit të këtyre vendgrumbullimeve, por nuk shpjegohet se si zhduket ndotja mjedisore kur pronaret e tyre në rastin më fatlum do t’i zhvendosin 1 km larg rrugëve kombëtare këto vendgrumbullime.
Por nuk ka si të të ndodhë ndryshe me një qeveri që jo më larg se një javë më parë i hapi rrugë biznesit mafioz të plehrave, duke e shndërruar tashmë Shqipërinë në një kosh të madh plehrash të botës, a thua se nuk na mjaftojnë plehrat tona që dukshëm i kemi me shumicë.
Nga akti e as nga specialistët e fushës që mbrojtën atë pranë Komisionit të ligjeve nuk iu dha as përgjigje pyetjes se perse ndaj këtyre bizneseve që na ndotkan mjedisin të merret si masë ekstreme konfiskimi nga ana e shtetit e këtyre mjeteve motorike dhe ndaj bizneseve të tjera që mund të kryejnë të njëjtat shkelje ligjore e nuk janë pajisur me leje mjedisore për ushtrimin e aktivitetit të tyre, masat të jenë më të buta.
Thënë ndryshe, për të njëjtat shkelje të ligjit përse duhet të diskriminohen këto biznese me masa më të rënda ndëshkimore?!
Akti normativ që sot trajtojmë shkakton edhe një sërë problemesh sociale. Kështu në këtë kohë krize së paku 290 familje, pa llogaritur këtu të punësuarit, do të duhet të mbyllin biznesin e tyre të vështirë e të mbeten pa asnjë të ardhur. Jo vetëm kaq, por edhe u konfiskohen mjetet të cilat pa dyshim i kanë blerë.
Për të gjitha këto perse të mbetura pa zgjidhje nga ky akt normativ unë e kam përgjigjen time, madje edhe ky akt normativ e ka të qartë këtë përgjigje fshehur pas rreshtave të tij.
Është një veprimtari e pastër korruptive e kësaj qeverie, e biznesmenëve dhe sekserëve të radhës të lidhur me familjen në pushtet e që me biznesin e skrapit, tashmë shumë në modë, mbajnë e përpiqen të riciklojnë pushtetin.
Është shumë e qartë, si drita e diellit!
Pronarët e këtyre vendgrumbullimeve nuk do të kenë mundësi të bëjnë transportin e këtyre mjeteve motorike për një muaj.
Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit do t’ua marrë këto mjete, pasuri që në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë vlejnë miliona në euro, djersë e njerëzve të zakonshëm që mbajnë familjet me bukë me këtë biznes.
Po qeveria nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes do t’ua transportojë këto pasuri kur t’i dojë qejfi e ku t’i dojë qejfi për në të tjera vendgrumbullime.
Akoma më pas, qeveria, tani nëpërmjet një udhëzimi e jo ligji, të hartuar nga Ministri i Mjedisit, Ministri i Financave, Ministri i Punëve Publike dhe Ministri i Mbrojtjes, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes do t’ia japë djersën e mundin tuaj o njerëz, biznesmenit të radhës pranë familjes në pushtet ta çojë për skrap në Elbasan e të nxjerrë miliona në euro nga ky biznes.
Kaq e thjeshtë është!          
Në krye të punëve të këtij vendi është një qeveri që funksionon si organizatë e mirëfilltë kriminale e cila me anë të presionit, shantazhit, kësaj here në një veshje formale antikushtetuese, synon të zhvatë dhe të shtjerë në dorë pjesë të ekonomisë private të ngritur me shumë mund e sakrifica.
Nuk ka asgjë për t’u çuditur, një qeveri që vret popullin e saj faqe gjithë botës dhe në mes të ditës, nuk e ka për turp të vjedhë pasurinë e tij!
     



Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy