Postuar më: 10/06/2010
Të nderuar kolegë!
Sot vendi ndodhet në një situatë të vështirë. Shqipëria po përjeton krizën më të madhe të demokracisë që prej rënies së institucioneve në vitin 1997. Kjo krizë e rëndë, e cila si rrallëherë i ka ndarë shqiptarët nga njëri-tjetri duke cënuar rëndë paqen sociale, është e njohur tashmë edhe në rrafshin ndërkombëtar. Miqtë e sinqertë të këtij vendi po e humbasin durimin duke bërë thirrje të përsëritura për zgjidhjen e krizës. Thirrje që po bien në veshët e shurdhuar qeveritarë që nuk duan ta dëgjojnë zërin e arsyes.
E kemi thënë dhe nuk do të lodhemi ta përsëritim se zanafilla është tek 28 qershori i vitit që shkoi. Kriza fillon tek grabitja e shëmtuar, më shumë se kriminale, përmes dhunës, presionit psikologjik, frikësimit të zgjedhësve dhe më keq akoma, përdorimit të parave të vjedhura nga xhepat e shqiptarëve për të financuar një skemë kriminale manipulimi. Është detyrë e opozitës të luftojë për të vërtetën që mbahet e mbyllur me pahir në kutitë e Lundrës, duke e nxjerrë atë lakuriq faqe gjithë shqiptarëve dhe opinionit publik ndërkombëtar.
Zotërinj deputetë,
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme në këtë vend kanë rënë duke prodhuar një shumicë që ka numrat formalë, por jo numrat moralë që burojnë nga vullneti i popullit sovran. Është kjo arsyeja që kriza themelore e demokracisë, pasqyrohet e shumëfishuar, në peshë dhe në përmasa, në të gjitha qelizat e sistemit të qeverisjes: krizë e institucioneve demokratike, krizë e ekonomisë, krizë e moralit qeverisës. Kuptohet: një pushtet i grabitur, nuk mund të prodhoje qeverisje në interes të gjithë qytetarëve dhe as paqe shoqërore, qëndrueshmëri demokratike dhe prosperitet.
Ndaluni pak e shihni si e keni katandisur sistemin e drejtësisë. Trysnia e pushtetit dhe pas saj ajo që e ndjek pas (pra, trysnia e parasë), bëjnë që nga vendimet e gjykatave të mos burojë e drejta, por gënjeshtra. Emërimet partizane në gjykatat supreme produkt i këtij pushteti, po zbulojnë një shëmti gjyqësore që nuk ishte parë prej vitesh. Shihni si zbythen gjyqtarët e lartë kur detyra i thërret të marrin vendime që mund të cënojnë qeverinë ose qeveritarët!
E ju, sërish në kundërshtim me parime themelore të shtetit, doni që për motive tash të ditura mirë të ndryshoni rregulloren e kuvendit për të emëruar me votim të hapur të tjera kandidatura partizane.
Dhe kjo është vetëm një pjesë, një pjesë e vogël, ndonëse shume e rëndësishme e krizës së gjithanshme të mbarë shoqërisë.
Le të shohim pak të nderuar kolegë, si po e interpreton qeveria e votave të vjedhura krizën që e prodhoi vetë. Para së gjithash, përpiqet të pengojë hetimin parlamentar, duke hedhur në eter sebepe nga më qesharakët. Duke e lexuar ligjin themeltar të shtetit, që vetë e kanë shkelur njëzet e kusur herë, ashtu siç ua do qejfi dhe siç ua kërkojnë interesat e çastit. Pretendojnë pa iu skuqur faqja se Kushtetuta e ligjet e vendit pengojnë transparencën, se dokumentet shtetërore nuk mund të administrohen nga Komisioni parlamentar, se kutitë e materialeve zgjedhore nuk mund të hapen pa u djegur fletët e votimit. Që bashkë me to ta bëjnë shkrumb e hi edhe ëndrrën evropiane të shqiptarëve. E keni të kotë, nuk do t’ju lejojmë t’i bini harpës, duke bërë sehir se si shkrumbohet e vërteta.
Pastaj, vini re si vetë Z. Kryeministër kërkon të largojë vëmendjen nga problemi i problemeve: transparenca e zgjedhjeve. Dramës së parimeve të demokracisë dëshiron t’i vidhet me “parodinë e gërshërëve”, duke prerë e mbushur xhepat me rreckat e fundit të pushtetit të vet. Përpara se të merrni rrugët në mbarë Shqipërinë, shkoni ne Elbasan e mbushni gropat e hapura në rrugët që inauguruat në pragfushatën e 28 qershorit. Gropat e rrugëve dhe gropat në buxhetin e firmave të ndërtimit janë pasojë e gropës së zeze që i keni shkaktuar me shpenzime pa mend buxhetit të shtetit, vete ju zoti kryeministër.
Nuk nxitoni të hetoni zgjedhjet siç ju këshillojnë miqtë euroatlantikë dhe siç e do e mira e vendit, por bëni sikur doni të hetoni masakrën e Tivarit. Më falni t’ju pyes zoti kryeministër: pse nuk e bëtë këtë në mandatin tuaj të parë? Po në të dytin pse nuk e bëtë? Masakra e Tivarit nuk ju shpëton dot nga hetimi i masakrës së vjedhjeve në Shkodër dhe në gjithë Malësinë.
Hidhni sytë të nderuar kolegë dhe shihni se si Qeveria nuk qeveris, por harxhon energji pambarim për të luftuar opozitën. Problemi i kësaj qeverie nuk është qeverisja e vendit, qenka opozita! Dhe këtu pushteti po shfaq hapur fytyrën e tij hipokrite. Hiqen se opozitën e respektojnë shumë, por pastaj thonë që është “e kuqe”, “pasardhëse e Bllokut”, “punisto-mafioze”, e plot dokrra të tjera. Por na japin një provë të qartë: ky pushtet, i ngritur mbi vjedhjen dhe që mbahet më këmbë falë metodave tipike puniste, nuk punon dot kur ka opozitë. Ndaj e fyen dhe e denigron pareshtur, nuk e do në Kuvend, e do jashtë tij, nuk do opozitën natyrore të dalë nga vullneti i popullit, do marionetat e emëruara nga pushteti.
Në cilin Parlament demokratik të Evropës e më gjerë është parë e dëgjuar që, me vendime antikushtetuese, të frymëzuara nga një mendësi puniste, të poshtërohet opozita duke i ndalur rrogën, e duke gënjyer paturpësisht se gjoja i qenkan mbajtur dietat? Ne i respektojmë shumë ata që kanë vuajtur në të shkuarën, por nuk mund t’i lejojmë të shkarkojnë mbi dinjitetin e funksionit që ne kryejmë komplekset e inferioritetit, të ngjizura në të shkuarën dhe të mbajtura gjallë nga kujtimet e pakëndshme. Jemi deputetë të popullit opozitar, nuk jemi punëtorë me mëditje nën varësinë e brigadieres së Mexhlisit. Krahas protestës sonë, më shumë se legjitime, ne do të ndjekim rrugën institucionale; dhe ju sigurojmë se nuk do të jetë e largët dita kur shpërdoruesit e pushtetit dhe të parave të shtetit do të përballen me ligjin.
Opozita ka gjithë të drejtën e botës të kritikojë Qeverinë. Por, është një punë pa shumë mend që Qeveria, në vend që të qeverisë, të kritikojë opozitën. Dje kryeministri tha që opozita thotë se “dielli nuk ndriçon në këtë vend”. Në fakt, nuk kemi thënë krejt ashtu: kemi thënë që “dielli nuk ndriçon për të gjithë”, janë lënë në hije dhe persekutohen pa mëshirë ata që nuk janë pjesë e klanit, pjesë e oborrit të qeverisë. Prandaj, që dielli të ndriçojë për të gjithë, edhe për ju, hapni kutitë zotërinj dhe nxirrni në dritën e tij të vërtetën që kërkon populli!







