Postuar më: 25/11/2011
Duhet të kesh kurajon dhe pa përgjegjshmërinë e kësaj qeverie që të mbrosh këtë buxhet. Ky është buxheti më i zymtë, i miratuar në këto vite, është pasqyra e krizës së thellë dhe varfërisë së skajshme, pasqyra e paaftësisë dhe klientelizmit në menaxhimin e financave dhe pasurive publike. Natyrisht, që me shifrat mund të luhet, mund t’i bësh dhe optimiste siç bëni ju. Mund ta matësh veten me Gjermaninë, apo me vendet e BRIC-ut, siç bën Berisha. Shqiptarët prekin e jetojnë një Shqipëri tjetër. Jetojnë Shqipërinë anemike, ku 19% e popullsisë vuan nga anemia dhe kushdo e kupton se kjo është shenjë varfërie. Shqipëria është sot anemike sepse është e papunë, sepse investimet janë në rënie, sepse po zhytet në borxhe.
Kryeministri foli këtu për faturën sociale.
E dini kush është fatura sociale e këtij buxheti? Është borxhi. Sepse fatura e borxhit është më e madhe se shpenzimet për arsim, shëndetësi e mbrojtje sociale.
Fytyra e buxhetit tuja është fytyra e borxhit. Shqipëria është sot anemike sepse të varfrit taksohen më shumë e të pasurit më pak, se çmimet e ushqimeve janë rritur me tre herë, se tarifat e shërbimeve jan 4-5 herë më të larta. UNICEF-i, raporton se të paktën 25% e fëmijëve ushqehen keq e 11% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme.
Shqipëria është anemike sepse fshati ku jeton 58% e popullsisë, është i braktisuri edhe i këtij buxheti. Si ka kurajo kryeministri ta përmend sot fshatin i cili edhe pse jep sot 20% të PBB, merr nga ky buxhet vetëm 0.49%.
Fermerët që quhen të vetëpunësuar janë të papunë se mbjellja e tokës ka kosto të lartë. Naftën që e kishin me 65 lek litrin e çuat 170 lekë. Për çdo litër u merrni 80 lekë, më shumë se sa në vitin 2005. Çmimet e imputeve bujqësore janë shtrenjtuar e me subvencionet keni dështuar. Ndihma ekonomike në fshat varion nga 800 deri në 3000 lek në muaj me to as energjinë nuk paguan dot.
Kryeministri u mor me Elbasanin. Mirë bëri, po a e di zotëria se varfëria në Elbasan është 10% më e lartë se mesatarja e Republikës?
A e di se papunësia është 23% më e lartë se mesatarja e republikës. A e di se sa vdesin nga kanceri. A e di se metalurgët e Elbasanit e kanë jetën mesatare 59 vjeç.
Nëse e keni seriozisht ne kemi sot një mundësi t’ua lehtësojmë sadopak jetën e tyre duke bërë disa ndryshime: Hiqni TVSH për ushqimet dhe ulni TVSH-në energjinë sipas propozimit, që ka bërë PS.
Janë të gjitha mundësit për ta bërë në se ju jeni të gatshëm t’u lehtësoni njerëzve barrën e taksave. Ky buxhet ka dhe një anë tjetër të errët. Arsimin qeveria e quan ende prioritet, madje Berisha prioritet të prioriteteve. Sot duhet të keni kurajon e t’u thoni shqiptarëve se arsimin e keni hequr nga lista e prioriteteve. E keni hequr sa kohë që buxheti për arsimin është larg nevojave që ka vendi për arsim,
- është më i ulët se rritja ekonomike që ju parashikoni,
- është më i ulët se mesatarja e shpenzimeve të buxhetit,
- më i ulët në raport me PBB,
Këtë e thonë shifrat tuaja. Ndërkohë që shpenzimet totale rriten me 5.4%, arsimi vetëm 1.6%. Është absurde që prioriteti të jetë katër herë më pak se rritja mesatare e shpenzimeve. Dy vjet më parë na thatë se arsimi do zërë 6% të PBB, ky buxhet e zbret në 2.8% .
Në fakt prej tre vjetësh prioriteti po shkon poshtë. Në vitin 2008 arsimi zinte 3.25 % të PBB, në 2009 e zbritët në 3.13%, në 2010 e zbritët në 3.11% sot në 2,8 % duke na lënë të fundit në rajon. E vërteta është se investimet gjithashtu shkojnë poshtë. Ndryshe nga sa ka ndodhur në vendet e tjera, të prekura nga kriza, investimet për arsimin ju i keni prekur të parat. I keni sot sa gjysma e vitit 2009 nga 21.5%, sot janë 10.5%. Për këtë vit nuk është parashikuar asnjë shkolle e re. Buxheti për arsimin bazë është në stanjacion, ai për arsimin e mesëm në stanjacion. Për pagat e mësuesve, që i taksoni tre herë më shumë se paga juaj, keni planifikuar vetëm 2% rritje kur inflacioni, është 4%, s’ka rritje.
Me arsimin e lartë, keni larë duart se ja keni lënë privatëve, të njëjtin fat kanë fondet për shkencën. Fondet për të janë sot 10 herë më të ulëta se mesatarja e Europës, fondi i ekselencës ka ulje, ndërsa kampusi universitar askush nuk di se kur fillon e kur mbaron.
Ky është raporti juaj me arsimin, ndërkohë që raporti i Bankës Botërore paralajmëron se cilësia e dobët e arsimit kërcënon rritjen e ekonomike, se Shqipëria i ka ezauruar burimet e lehta të rritjes ekonomike ndaj arsimi do të jetë kritik.
BB thotë se Shqipërinë e ndan një hendek i madh jo vetëm me vendet e zhvilluara po dhe me ato të rajonit. Kjo ndodh sepse qeveria shpenzon dukshëm më pak se rajoni, i cili shpenzon për arsimin 4.6 lek në 100 lek, ne harxhojmë 2.8 lek, kur ne duhet të harxhonim dyfishin, që të kapim nivelet mesatare të rajonit.
Berisha flet për internet në çdo shkollë, mirë bën. Po a e di zotëria se fëmijët e fshatit Shirgjan, fëmijët fshatrave Jatesh, Papër Sallak, ata të Godoleshit apo Gjonmes në Elbasan, bëjnë mësim në shtëpi të vjetra private se i zë catia apo u mungojnë dyer, dritare madje dhe bankat. Këto nuk janë shkollat e interenetit po të analfabetëve.
Me buxhetin që na keni sjellë këta fëmijë nuk do t’i kenë shkollat edhe këtë vit. Për fat të keq nuk janë të vetmit. Janë mijëra nxënës në të gjithë vendin që e bëjnë mësimin në këto kushte. Në fakt ka një mundësi për t’i ndihmuar këta fëmijë: hiqni nga buxheti shpenzimet që keni për vilat qeveritare në Velipojë, Durrës e Vlorë e përdorini për shkollat, të paktën për ato më në nevojë.
Ka edhe një mundësi tjetër, hiqni klientelizmin që keni vendosur në pajisjen e bibliotekave të shkollave, të cilat sot pastrojnë magazinat e klientëve tuaj, që fitojnë miliona në kurriz të fëmijëve të varfër, duke u shitur libra me vampirë. Përdorini ato para për shkollat e rrënuara në fshat. Unë jam gati ta votoj këtë buxhet në se buxheti për arsimin rritet në 5% të PBB, që fëmijët tanë të mos mbeten të fundit në rajon.
Jam gati ta votoj, në se ulni tatimin mbi pagat e mësuesve, të cilin që nga viti 2005, e keni rritur 10 herë. Le të vendosim sot të rritim taksat tona e të ulim ato të pagave të ulëta.
Hiqni TVSH e ushqimeve, ulni TVSH-në e energjisë dhe hiqni TVSH-në të librit sipas propozimit që ne kemi bërë dhe na keni këtu për të votuar.







