Fjala nė Kuvend e deputetes Vasilika Hysi

Postuar më: 24/02/2011

Jo më larg se 1 muaj nga vrasja e 4 qytetarëve të pafajshëm, plagosjes me armë zjarri të disa të tjerë, keqtrajtimeve dhe dhunimeve të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, opozitarëve të qeverisë Berisha, hidhen në tryezë 2 nisma të ashtuquajtura ligjore, por që janë jokushtetuese.

Sot po ndryshoni rregulloren e Kuvendit, për të mbyllur gojën dhe asgjësuar të vetëm të drejtë që i ka mbetur opozitës në Kuvend, të drejtën e fjalës.  

Ju   harroni se pa opozitë, në vend ka diktaturë.

Kemi dëgjuar shumë se ndryshimet e rregullores e bëjnë parlamentin me funksional. Në fakt, ky parlament nuk është funksional, jo për shkak të opozitës, por për shkak  të drejtueses së  Kuvendit, që rregulloren e  zbaton sipas dëshirës, që ministrave dhe kryeministrit ja jep fjalën sa herë dhe sa kohë që ata duan, për çështje që nuk janë objekt diskutimi ose i punës së Ministrisë që mbulojnë.

Ju, pasi vratë, fyet dhe keqtrajtuat shqiptarë që guxuan të protestonin kundër korrupsionit, papunësisë, vjedhjes dhe abuzimeve me pronën dhe djersën e shqiptarëve në shesh, doni t’i mbyllni gojën përfaqësuesve të më shumë ½ të votuesve shqiptarëve dhe çdo shqiptari që, pavarësisht bindjes së tij politike, është në opozitë me këtë qeveri të korruptuar, të kësaj qeverie që pasi vodha votat, po vjedh me makutëri jetën dhe pronat e shqiptarëve;

Ju nuk doni të lejoni që zëri i shqiptarëve të ndershëm kundër kësaj qeverie që drejton në mungesë të transparencës, me shumë afera korruptive, që ka rrëmbyer dhe vazhdon të rrëmbejë pronat e popullit të dëgjohet këtu në Kuvend.

Pasi nuk latë gjë pa thënë për protestuesit dhe viktimat, për opozitën, për Presidentin dhe Prokuroren e Përgjithshme, çdo ditë vazhdoni dhe bëni presion dhe shpalosni një fjalor që  nuk është i denjë te përdoret as në kafene.

Arsyeja më e madhe që ju ndryshoni këtë rregullore është se keni frikë nga përballja me problemet që ka sot çdo shqiptar, me papunësinë, varfërinë. Nuk keni kurajo që të përballeni jo vetëm me drejtësinë, por edhe në sytë e shqiptarëve që ju kanë votuar ose jo.

Nga ana tjetër, ju doni të paralizoni edhe organit që kushtetuta e ngarkon me hetimin. Frika e përballjes me prokurorinë, bën që ju në rregullore të bëni edhe një ndryshim tjetër, pa vlerë, demagogjik, një lojë të cilën në një hark kohor prej 5 vjetësh e keni bërë 3 herë: deklaroni se hiqni dorë nga imuniteti dhe jeni të gatshëm në çdo rast të hetoheni për veprat penale të korrupsionit.

Qëllimi është i qartë, presion për prokurorinë, për të mos hetuar ata që qëlluan mbi protestues, por edhe dosjet e shumta dhe aferat korruptive të ministrave ose drejtues të lartë të kësaj mazhorance.  

Pra, nga një anë, synoni t’i mbyllni gojën opozitës, pasi i keni hequr mjetet e tjera të luftës politike në Kuvend, nga ana tjetër bëni demagogji se jeni për të luftuar korrupsionin.  

Kjo nismë demagogjike është në vazhdim të ndryshimit që i bëtë rregullores për të kontrolluar mënyrën e votimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese

Sot, mazhoranca po luan tragjikomedinë më të shëmtuar në sytë e shqiptarëve.

Duke qenë se erdhët në qeveri në 2005 me moton “e duarve të pastra” dhe duart tuaja u ndotën pa kaluar disa muaj të qeverisjes suaj, për të treguar në sytë e botës dhe të partnerëve ndërkombëtar se nuk vidhni, por transformoni pasuritë publike në pronarë private, shumica e të cilëve shkon në duar të qeveritarëve ose familjarëve, deklaroni se jeni të gatshëm për të hequr dorë nga imuniteti

Demagogjia juaj për të tretën herë në një hark kohor 5 vjeçar tregon se ju doni të luani me imunitetin, dhe bëni sikur nuk e dini se imuniteti i deputetit nuk është një garanci personale e tij, por një mjet kushtetues për të siguruar funksionimin normal të Kuvendit si institucion.

Dorëheqja personale e juaja nga imuniteti, është konstitucionalisht pa vlerë juridike dhe nuk mund të merret parasysh nga prokuroria dhe gjykata. Nëse nuk e dini ose e keni harruar, mësoheni duke lexuar Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës së Lartë në çështjen Mediu.

Kolegë të mazhorancës

Ju mund të mbani vetën si njerëz që nuk keni frikë nga hetimi, por në thelb sot me nismën tuaj tregohet se keni frikë nga hetimi i aferave korruptive të disa ministrave në qeverinë tuaj dhe shumë drejtuesve të institucioneve.

Ju betoheni dhe përbetoheni për pavarësinë e institucioneve kushtetuese, por në fakt, ju po përgatisni një betejë të re mes Prokurorisë dhe Kuvendit, duke pretenduar se jeni të hapur të hetoni për korrupsion, dhe nga ana tjetër, juridikisht nuk mund të hetoni.

Ndaj sot, kur ky popull ka nevojë të qeveriset dhe të mos merret nëpërkëmbë, sot kur duhet të bëhet një betejë e vërtetë kundër korrupsionit, kërkoj të reflektoni dhe të mos miratoni ndryshimet në rregullore, kërkoj të hiqni dorë nga mohimi i të drejtës së opozitës në Kuvend.

Nëse realisht jeni për të luftuar korrupsionin lejoheni prokurorinë të hetojë dosjet e shumta të korrupsionit, të bëjmë një paketë ndryshimesh kushtetuese që mundësojnë kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe të ministrave jo deputetë, të gjyqtarëve dhe të personave të tjerë me imunitet, të hapet një diskutim profesional dhe jo politik rreth këtyre problemeve dhe ndryshime të tilla të shoqërohen me garancitë se gjyqtarët në sistemin e drejtësisë dhe përfaqësuesit e popullit në këtë Kuvend do të jenë të garantuar të ushtrojnë funksionet e tyre, pa presionin e kësaj pozite.






Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy