Fjala nė Kuvend e deputetit Arben Ahmetaj

Postuar më: 24/02/2011

Nuk besoj se është habitur kush nga zelli i spikeres për të kufizuar hapësirën e opozitës dhe të drejtat kushtetuese për të bërë opozitë parlamentare dhe mbi të gjitha për të ushtruar të drejtën e saj të demaskimit të këtij pushteti i cili sot nuk përfaqëson vullnetin e popullit shqiptar, por interesat shumë të ngushta të një grushti njerëzish brenda kësaj mazhorance.

Spikerja mendoi që do duhet të bënte akoma më shumë për të merituar paragrafët shumë domethënës në adresë të saj në raportin e Bashkimit Europian, ditën që këtij pushteti ju refuzua statusi i vendit kandidat.

Këtu nuk mund të flitet me për rregullore së parlamentit tashmë dihet nga i madh e i vogël, dihet nga të gjithë monitorët vendas dhe të huaj se ka humbur funksionin e tij dhe është kthyer në paradhomë e zyrës se Sali Berishës.

Refuzimi i statusit kandidat u mendua nga të gjithë se do të ishte një pikë nisje dhe pikë reflektimi për këdo shkaktar, po sidomos për Sali Berishën. Në kujtesën e Europës së vlerave një kryeministër në Sllovaki, jo kaq i keq sa ky i yni dha dorëheqjen kur ju mohua vendit të vet statusi i vendit kandidat. Do duhet të ishte një pikë nisje dhe reflektimi, duke pranuar që me vota të vjedhura nuk mund do të qeverisesh, nuk mund dot të menaxhosh ekonominë në krizë, nuk mund dot të krijosh kohezion social. E vetmja gjë që mund të bësh me votat e vjedhura është të vazhdosh të vjedhësh.

Po në vend të reflektimit, pushteti i dha përgjigje një populli të tërë duke vrarë në 21 janar katër qytetarë, të pafajshëm, të paarmatosur, të papunë, demonstrues kundër korrupsionit dhe padrejtësisë që ky pushtet e ka kthyer në stil qeverisje, ne favor të klientëve dhe familjes.

Po, po, të vrisje katër të pafajshëm në bulevard ishte pjese e rregullores se bulevardit, pjesë e rregullores së korrupsionit.

Ky ishte reflektimi i këtij pushteti për refuzimin e statusit të vendit kandidat. Jo vetëm vjedhin votat, jo vetëm vjedhin shqiptarët po tani dhe i vrasin.

Më thoni të nderuar kolegë,
Një qeveri, një kryeministër, një Ministër i Brendshëm që pasi kanë urdhëruar vrasjen e qytetarëve të vet, vazhdon të rrijë në karrigen e vet, vazhdon të tallet me popullin e vet, madje del dhe këndon me Çiljetën pikërisht 30 ditë pasi 4 të pafajshëm, të papunë, të paarmatosur, janë vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ditë më parë u publikua raporti i Komisionerit të të drejtave të njeriut Tomas Hamardoff. Raport që konfirmon atë masakër që ka ndodhur në 21 janar.  Sot kjo qeveri është e regjistruar në këtë raport si pushtet që ka shkelur të drejtat e njeriut, ka vrarë të pafajshëm dhe të paarmatosur, ka rrahur dhe keqtrajtuar demonstrues dhe jo demonstrues.  

Ky pushtet sot nuk qeveris po sundon mbi popullin e vet, me hije të vrarësh në bulevard. Jam i bindur që Saliu ka një arsye që shmang bulevardin. I duket sikur hijet e atyre katër njerëzve të pafajshëm i qeshin me ironi dhe i kujtojnë se e ka filluar karrierën e tij me vrasje dhe e përfundon po me vrasje.

Çfarë ndodh në këtë sallë sot me këtë rregullore është thjesht një vazhdim i asaj që ka ndodhur në këtë vend këto dy vitet e fundit.  Këto ndryshime nuk janë thjesht ndryshime teknike, janë një mentalitet i tërë, janë vazhdim i asaj që ndodhi në 21 janar. Janë vazhdim i vokabularit të ç’thurur që buroi në ditën në vazhdim nga goja e kryeministrit në adresë të gjithë institucioneve të shtetit. Janë vazhdim i grushtit të shtetit që Sali Berisha ndërmori pas 21 janarit, ku një grusht të fajshmish brenda maxhorancës tentuan dhe tentojnë të këpusin zinxhirin kushtetues për ti shpëtuar një hetimi të plotë dhe të paanshëm dhe mbi të gjitha për të penguar një popull të tërë të kërkojë të drejtën e mohuar të zgjedhjeve të lira.

Kjo qeveri ka rënë zoti kryeministër. Kjo qeveri ka rënë pa kthim ditën qe pushteti juaj vrau katër të pafajshëm. Mund të dalësh dhe të thuash se do vrasësh këdo që të kundërshton në bulevard. Po dhe këtë e ke thënë, po kjo nuk tremb askënd shqiptar, vetëm i bën të nënqeshin si ato hije që ti ke frike ti shohësh në rrugën tënde.

Pushteti jot ka rënë pa kthim, bëj çfarë të duash zoti kryeministër, bëj çfarë të duash është vetëm çështje kohe. Ke vrarë njerëz dhe je i vetmi kryeministër në europë që vazhdon të qeverisësh mbi të vrarë nga populli yt.

Pushteti yt ka rënë zoti kryeministër dhe megjithë përpjekjen tënde për të ndryshuar vendin tënd në histori, prapë dështove. Ti do të mbahesh mend si presidenti që dogji vendin dhe vrau në ’97. Ti do të mbahesh mend si kryeministri që vrau në 21 janar.

Vendit i ke borxh shumë. I ke borxh mungesën e qetësisë, i ke borxh varfërinë, i ke borxh imazhin e rënë të këtij vendi.

Kriza që ti i ke dhuruar këtij vendi ka vetëm një zgjidhje, largimin e qeverisë tende dhe zgjedhjet e parakohshme, ku shqiptarët do të mund të votojnë si europian pa simfoninë tënde të vjedhjes së votave.



Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy