Postuar më: 29/09/2011
Pozita e sotme edhe pse përbetohet se është për konsensus e se e fton opozitën për dialog, në finale përdor forcën e kartonit dhe mosarsyes. Bile në raste të veçanta duke ndjekur një politikë antikombëtare. Kjo u vu re qartë edhe për problematikën më konsensuale që ekziston në vendet demokratike, sikurse është ajo e mjedisit.
Këto kohë kemi dëgjuar për orekset për të bërë pasuri të Oborrit të Berishës, për hektarë tokë të gllabëruara në bregdet, për vila, për koncesione hidrocentralesh e puse nafte, ndërtime pallatesh mbi det, për falsifikime dokumentesh hipoteke, për tendera korruptive. Sidoqoftë unë mendoj se nga tërë ky mozaik plaçkitje, 2 janë krimet që ndoshta edhe vjedhësit e vendeve normale Europiane do të hezitonin e që janë të dënueshme në çdo sistem shoqëror ekonomik e politik, janë dënuar para 1000 vjetësh e do dënohen edhe pas 2000 vjetësh. Krimi i parë është shitja e trojeve të vendit qoftë kjo në këmbim të futjes në NATO apo në BE, apo nesër në ndonjë aleancë tjetër. Territorin Shqiptar nuk mund ta negocioje asnjë individ apo subjekt politik.
Krimi i dytë ka të bëjë me shkatërrimin dhe ndotjen e mjedisit. Të dy këto krime lidhen me të ardhmen e brezave dhe çfarë do u lemë trashëgimi atyre. Askush nuk ka të drejtë të shkatërrojë shtretërit e lumenjve, të ndërtojë aktivitete industriale pranë zonave të mbrojtura si Karaburun apo Nartë, të shkatërrojë peizazhin e të ndotë mjedisin si në Krujë me fabrikat e çimentos, të tentojë të mbushë minierat e braktisura me plehra, të shkatërrojë bregdetin e të presë pyjet si është vepruar në këto 20 vjet e veçanërisht në 7 vitet e fundit.
Në këtë kontekst është i pajustifikuar qëndrimi i disave dhe kryesisht pozitës lidhur me problematikën qoftë atë të bërjes vegël për territorin e Shqipërisë, qoftë për krijimin e premisave ligjore që ky vend të shkatërrohet nga pikëpamja mjedisore. Jam i bindur se kur mos të jemi anëtarë të këtij parlamenti do të na skuqet faqja e do të na vijë turp, por do të jetë shumë vonë. Kështu, pa arsye e pa argument u veprua me miratimin e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve ku ju hap dritë jeshile importimit dhe u varros shpresa që të riciklohen mbetjet e vendit. Në këtë kuadër edhe në vendet fqinjë kanë filluar zërat entuziaste për eksportet e para të plehrave. Tashmë nëpunës të bashkisë së Napolit kanë filluar të pohojnë se kostoja e largimit të plehrave është shumë më e vogël se ajo e shpenzuar duke i mbajtur në vend. Aludohet për dërgim në vendet Ballkanike, ku përmendet Shqipëria pasi ka kërkuar “të përpunojë plehrat”.
Kjo që po ndodh është një turp i qeverisë Berisha, veprim të cilin nuk e kreu as një qeveri, por është turp edhe i qytetarisë, shoqërisë civile dhe klasës politike shqiptare në pushtet që për fat të keq nuk del mbi partitizmin moçalor. Sot në rend të ditës kemi diskutimin e një Akti Normativ që ka të bëjë me zhvendosjen e mbetjeve apo varrezave të makinave. Pa dyshim kjo problematikë ka nevojë për ndërhyrje rregullim të aspekteve juridike, miratim të rregulloreve për disiplinimin, kontrollin e menaxhimin e tyre, por akti në fjalë na lë disi me gojë hapur pasi na duket i ngutur, i pa elaboruar.
Le të ndalemi më konkretisht.
1. Duket qartë se edhe pse prek interesa ekonomike jo të vogla, ky akt nuk është konsultuar me grupet e interesit, përsa i përket afateve dhe mundësive për të bërë të mundur realizimin praktik të tij. Edhe kur bëmë pyetje në komision lidhur me këtë çështje, nuk morëm përgjigje.
2. Ky akt dukshëm të krijon përshtypjen se bëhet për të penalizuar një pjesë e për të favorizuar një pjesë tjetër, pra do jetë tërësisht klientelist. Ka të ngjarë që po mendohet për monopolizimin e këtij tregu. Për të penguar këtë do duhesh të ngrihej një mekanizëm monitorues (tip komisioni) i miratuar nga ky parlament, ndaj dhe e hedhim si propozim.
3. Edhe pse është bërë me propozim të Ministrisë së Mjedisit, nga leximi i tij vetëm problematika mjedisore nuk del në plan të parë e nuk është prioritet. Lexuesi mendon se problemi qëndron në shkelje afatesh dhe penalizime, etj. Fare mirë një ligj të tillë mund ta bënte Ministria e Brendshme, ku ka shumë policë, megjithë respektin e madh të punës që ata bëjnë, po jo ajo e Mjedisit. Në këtë fokus mendoj se ky akt duhet plotësuar, lidhur me aspektet e problemet mjedisore, sikurse janë jo vetëm ato të peizazhit por edhe të vajit apo karburantit që këto makina mund të bartin, mbetjet e baterive që janë gjithashtu burim mbetjesh të rrezikshme. Sa kohe u gjet vend te ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të flitet për industrinë e Titanit që nuk ekziston në Shqipëri, e pse të mos flitet këtu për vajrat e bateritë e plumbit.
4. Ky ligj duhet të ishte i plotë, të jepte dhe kriteret e zonës ku do vendosen mbetjet e makinave, veçanërisht lidhur me distancat jo vetëm nga rruga nacionale por edhe larg burimeve ujore sipërfaqësore e nëntokësore, larg zonave të mbrojtura etj. Formulime të tilla të ligjeve tregon se ne jemi të sipërfaqshëm, i bëjmë gjerat sa për të kaluar radhën, nuk na intereson thelbi por fasada. E kjo konfirmohet qartë në faktin se ndërsa shqetësohemi me të drejtë për peizazhin e varrezave të makinave, nuk shqetësohemi edhe për aspekte të tjera. Nuk beson njeri se është peizazhi që i shqetëson qeveritarët pasi nuk do të lejohesh deformimi kriminal i peizazheve të kodrave e të maleve të shkaktuara nga aktivitetet e fabrikave të çimentos, që janë pranë rrugëve nacionale e që dallohen jo vetëm kur je pranë por edhe kur je 10000 m lart në ajër. E çfarë është bërë për rehabilitimin e këtyre peizazheve? Përkundrazi, si kuçedra këto aktivitete vazhdojnë të hanë e deformojnë peizazhet e bukura si ato të Krujës etj. Mënyra ku janë vendosur ato është shembulli që do merrte çmim të parë se si mund të ndërtohet keq një aktivitet me impakt mjedisor negativ.
5. Po interesat e këtyre bizneseve a janë marrë parasysh? Toka ku ato operojnë është private dhe nëse problem na qenka vetëm peizazh, ata mund të kërkojnë të bëjnë mure, bile të bukur që të mbulojnë pamjet e karkasave të makinave. Vetëm duke u ulur me ta mund të gjendet një zgjidhje optimale.
6. Si përfundim unë mendoj se lepuri në këtë akt normativ fle diku tjetër, kërkohet të bëhet ky aktivitet monopol i një grushti njerëzish pranë pushtetit dhe të nxirret fitim nga skrapi ekzistues si dhe të mbushet arka e shtetit me ca gjoba. Për arsyet e mësipërme, mendoj se ky ligj nuk duhet të kalojë në parlament në formën ekzistuese e duhet të konsultohet me grupet e interesit.







