Postuar më: 24/03/2011
Projekti për administrimin e mbetjeve të ngurta në Juglindje të Shqipërisë, me financimin e Bankës së njohur Gjermane për Zhvillim (KFW të Frankfurtit mbi Main) na bën të sjellim edhe një herë në vëmendje problemin e madh të ndotjeve të të gjitha llojeve dhe formave në vendin tonë, si dhe punën e paktë, pa asnjë strategji e perspektivë, pa asnjë prioritet nga ana e qeverive shqiptare gjatë këtyre 20 vjetëve, sidomos në 5-vjeçarin e fundit, kur alarmi për ndotjen mjedisore ka qenë më i madh se kurrë. Fakti që në relacionin e paraqitur bashkëlidhur këtij projektligji të rëndësishëm nuk është e përfshirë dhe as që përmendet Ministria e Mjedisit, dikasteri që menaxhon politika, që ka specialistë, ekspertë e këshilltarë të fushës tregon për mungesën e vëmendjes dhe rëndësinë e pakët që i jep qeveria e sotme këtij problemi. Këtë e përforcon edhe më shumë fakti që Shqipëria nuk ka kontribute financiare në këtë projekt, ose kontributet e saj janë të pandjeshme e simbolike, duke treguar qartazi se kjo qeveri nuk ka prioritet në këtë sektor kaq jetik, të rëndësishëm e problematik dhe që kërkon ndërhyrje emergjente për 1001 arsye.
Duke përshëndetur këtë bashkëpunim të tyre me palën shqiptare, por edhe për projekte të tjera ndër vite në fusha të ndryshme, nuk mund të lë pa përmendur rolin tonë si partner, që në shumë raste nuk ka qenë serioz dhe nuk kemi ditur t’i adresojmë dhe përdorim me efiçencë e korrektesë fondet e tyre. Problematika e mbetjeve urbane është mjaft shqetësuese në Shqipëri, pasi akoma edhe sot pas 20 vjetësh ende nuk kemi në dorë një plan kombëtar të mirëfilltë, edhe pse thuhet se ekziston një projekt i përgatitur nga Ministria e Mjedisit, i cili përcakton edhe vendndodhjen e landfield-eve për të 12 qarqet e vendit. Në një kohë që plehrat kanë mbytur vendin, edhe për shkak të mungesës së kulturës sonë qytetare dhe indiferentizmit në masë, duke sjellë pasoja jo vetëm estetike, por edhe shëndetësore, ekonomike dhe frenim të turizmit. Ende sot në Shqipëri nuk kemi një landfield të mirëfilltë me standardet e BE. Plehrat digjen kudo, duke sjellë pasoja shumë të rënda për shëndetin.
Edhe në Vlorë ku qeveria nuk ka asnjë përkujdesje për financimin dhe ndërtimin e një venddepozitimi me standarde, ato digjen në mes të Pyllit të Sodës, fare pranë detit, duke helmuar ujin dhe ajrin dhe duke sjellë një impakt të rrezikshëm për banorët. Çlirimi i gazrave jashtëzakonisht toksikë, si dioksinat, përbën shqetësim të madh, pasi ato edhe në përqendrime shumë të vogla janë mjaft të rrezikshme. Qyteti i Vlorës me mbi 130.000 banorë prodhon rreth 140 ton mbetje urbane në ditë. Fusha aktuale e depozitimit të mbetjeve urbane, e krijuar në vitin 1970 dhe me sipërfaqe 6 ha, ndodhet vetëm 2 km nga qendra e qytetit. Para viteve 90 kjo zonë quhej periferike, ndërsa sot ajo është e populluar me banorë të migruar nga zona të ndryshme të vendit, banesat e të cilëve janë ndërtuar deri në 10 metra nga mbetjet urbane.
Bashkia e Vlorës disponon një studim fizibiliteti të kryer në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit që në vitin 2004 për ndërtimin e një vendi të ri të depozitimit të mbetjeve urbane për qytetin. Kopje të këtij projekti mund të gjendet në Ministrinë e Transporteve dhe të Mjedisit. Ajo ka kërkuar vazhdimisht miratimin e këtij projekti. Në vitin 2005 është arritur miratimi nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Qarkut për pikën Bestrova 1. Me ndryshimet politike në vend kjo pikë u anulua nga Kryetari i komunës Qendër dhe Kryetari i Qarkut. D.m.th. interesat e një njeriu të veshur me pushtet dolën mbi interesat e banorëve të një qyteti të tërë si Vlora. Edhe një projekt tjetër për një pikë në Sherrishtë nuk është miratuar dhe fondet e akorduara 2 herë nga 10 milion lekë janë anuluar me urdhër të kryeministrit sepse nuk ka qenka bërë tenderimi në afat (!).
Një rast tjetër tipik është edhe ai i ngrehinave të kthyera në gërmadhë të ish-fabrikës së Sodës, në brendësi të pyllit me të njëjtin emër, të cilat së fundi janë përshtatur për banesa nga të ardhur të pastrehë nga zona të ndryshme të vendit. Këto mbeturina që duhej të ishin shembur e pastruar me kohë për shkak të rrezikshmërisë së lartë që sjellin si pasojë e depozitimit në to të Mërkurit, janë një kërcënim real për jetën e njerëzve. Ky fakt, i njohur prej 20 vjetësh, që kur fabrika pushoi së qeni, komprometon retorikën e kryeministrit të vendit për dhënien prioritet të gjoja aspekteve mjedisore dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme, për të shpëtuar jetën e dhjetëra shqiptarëve të dëshpëruar që bashkëjetojnë me helmin, por edhe të qindra pushuesve që të painformuar zgjedhin plazhin aty pranë për të kaluar pushimet në stinën e verës.
Qeveria, në fakt, jo vetëm nuk ka ndërhyrë në këto sektorë, në menaxhimin dhe infrastrukturën e mbetjeve, trajtimin e ujërave të zeza që duhet t’i përfundonte që në mandatin e parë për zonën bregdetare, por përkundrazi, po mendon si të shkatërrojë dhe ato vlera që natyra ia ka dhënë me bollëk Vlorës apo qyteteve të tjera bregdetare. E kemi fjalën këtu për planet për të masakruar 500 hektarë të Pyllit të Sodës, që nën rrogoz, pa transparencë e tinëzisht po bëhen përpjekje ta kthejë atë në platformë betoni në emër të një porti kontenierësh të dhënë me koncesion, edhe pse kjo bie ndesh me mjaft protokolle e konventa që ne jemi bërë pjesë për sa i përket transparencës dhe marrjes së mendimit të publikut.
Një port kontenierësh, gjigand për nga përmasat, 2 herë më i madh se ai i Pireut në Greqi, 200 herë më i madh se ai i Durrësit, ku do të përpunohen 3 milion kontenierë, d.m.th. rreth 10.000 kontenierë në ditë, dhe do të punësohen 2.000 – 10.000 aziatikë që paguhen pak, duke e ndotur Gjirin e bukur të Vlorës, dhe kthyer atë në një kënetë të vdekur, por edhe duke mbingarkuar rrugët që lidhin Vlorën me pjesët e tjera të vendit në autokolona pambarim kamionësh e trajlerash. Por Berisha e paska harruar se Vlora banohet nga vlonjatët, të cilët nuk kanë asgjë më të shtrenjtë se vendin e tyre. Që ndër shekuj janë sakrifikuar e vetmohuar për të.
Sot të gjithë po e shohin qartë se si kjo qeveri po kërkon të mbushë Shqipërinë me fabrika çimentoje e TEC-e, me naftë e me qymyr, si në Vlorë e Durrës, apo të ndërtojë impiante të prodhimit të energjisë atomike etj. Përpara se të flitet për reaktorët atomike, për superfuqinë energjitike, apo për zhvillime industriale të pastudiuara në zonat turistike, zoti Berisha duhet të investohet në menaxhimin e plehrave në qytetet e mëdha të Shqipërisë, pasi ato janë kthyer në burim sëmundjesh dhe intoksikimi të banorëve; duhen ngritur impiantet e pastrimit të ujërave të zeza që në Shqipëri të vijnë sa më shumë pushues e turistë të tërhequr nga bukuritë e pazakonta natyrore që ofron Vlora dhe i gjithë Bregdeti shqiptar.
Në të kundërt do të kemi reduktimin e numrit të pushuesve drejt bregdetit shqiptar dhe rrezikun që tërë ato investime të bëra nga biznesi privat të mos jenë rentabël. Tashmë shqiptarët janë mësuar me qëndrimet demagogjike të kësaj qeverie, pasi qëkur ata kanë ardhur në pushtet, mjedisi në Shqipëri është degraduar gjithnjë e më shumë. Shihni ç’po ndodh me Krujën, me Lurën, Qafë-Shtamën, Steblevën, pyjet e Kurveleshit dhe në të gjithë Shqipërinë, me lumenjtë, liqenet dhe gjithë vijën bregdetare ku ka pranë qendra të banuara. Jemi ne ata që do i japim prioritet kësaj problematike, jo me fjalë por me zëra të fortë në buxhetin e shtetit.
Në programet tona problemet e mjedisit janë parësore dhe nuk do të lejojmë ndotjen dhe degradimin e natyrës për interesa të klaneve të papërgjegjshëm, që para interesave dhe pangopësisë së tyre nuk po shohin se po helmojnë jetën e njerëzve të kësaj toke, po helmojnë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe po e kthejnë gjithë vendin në një tokë gjithnjë e më të pabanueshme. Përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin, keqqeverisjen, kapjen e shtetit dhe krimin shtetëror në interes të mbajtjes së këtij pushteti do të jenë të pandashme nga lufta për pastrimin nga mbeturinat dhe plehrat që kanë mbuluar vendin. Dhe këtu e kam fjalën për të gjitha llojet e plehrave që po i zënë frymën shqiptarëve!







