Postuar më: 22/12/2011
Të nderuar kolegë,
Propozimet e opozitës për ndryshimin e tatimit të vlerës së shtuar për një grup prodhimesh ushqimore që janë baza e jetës për të gjitha familjet me të ardhura të pakta financiare, duhen parë dhe trajtuar me vëmendje. Kur ne i depozituam ato si iniciativë ligjore para pak kohësh, prisnim një qëndrim dhe reagim të vëmendshëm nga qeveria dhe veçanërisht nga Kryeministri.
Vlerësimet tona, të cilat na shtynë për t’i bërë këto propozime konkrete vinin nga një realitet i rëndë ekonomik që kalojnë pjesa më e madhe e familjeve shqiptare varfëria e së cilave sa vjen e shtohet dhe pamundësia për të plotësuar nevojat ushqimore të jetës së përditshme sa vjen dhe rritet.
Papunësia e lartë dhe kriza ekonomike, që po shoqërohet me mbylljen “de facto” të shumë bizneseve të vogla dhe të mesme kudo, ka sjellë që të ardhurat për shumë familje të ulen. Paralelisht me uljen e të ardhurave financiare për ekonomitë familjare, po vazhdon në mënyrë galopante rritja e klientëve borxhlinj në dyqanet ushqimore, sa në qytet e sa në fshat. Kjo është kaq e vërtetë, sa sot nuk ka dyqan ushqimor që të mos ketë fletore me lista borxhesh, ashtu siç është po aq i vërtetë premtimi që bëri Kryeministri para gjashtë vitesh se do t’i zhdukte ato nga faqja e dheut. Sot kjo tingëllon paradoks me realitetin në të cilin ndodhemi.
Nëse ke vullnetin të shkosh dhe t’i kërkosh këto lista borxhesh për t’i parë në shitoren më të parë që të del në rrugë, do të vëresh se artikujt më të shumtë të huazuar janë mielli, sheqeri, orizi, vaj ushqimor, qumështi e buka. Nuk besoj se ndokush mendon se këto janë artikuj luksi, përkundrazi kjo është thuajse krejt baza ushqimore e familjeve të varfra.
Por nëse përpara pak vitesh kishim vetëm dyqanet e ushqimeve me lista borxhlinjsh, sot kemi një realitet të ri ku krahas dyqaneve ushqimore, fletoret me listat e borxhlinjve kanë mbushur edhe farmacitë. Nëse sërisht ke vullnetin dhe shkon për t’i parë këto lista do të vëresh se borxhlinjtë më të mëdhenj janë të sëmurët kronike dhe ata të moshës së tretë, pra pensionistët. Nuk mendoj se ndokush beson se ata që shkojnë të blejnë ilaçe veresie me listë e kane këtë gjë nga qejfi. Jo. Kjo kategori është edhe më e pambrojtur se ata që kanë borxhe vetëm në dyqanet ushqimore, se këta të fundit kanë borxhe edhe tek farmacitë edhe tek ushqimoret.
Çfarë propozuam ne për këtë rast. Të bëjmë zero TVSH për ilaçet ashtu siç edhe ishte përpara datës 16 dhjetor 2010, kur kjo qeveri dhe kjo mazhorancë vendosi që t’i taksonte me 10% të gjitha barnat. Besoj se ju kujtohet të gjithëve. Nëse ndokush e ka harruar të lexojë procesverbalin e datës 16 dhjetor 2010. Arsyetimi zyrtar asokohe ishte se taksimi me 10% për çdo bar dhe shërbim spitalor do të stabilizonte tregun nga abuzimet. Koha tregoi që ky ishte një bllof qeveritar, për arsye se çmimet e të gjitha barnave nga janari i vitit 2011 e në vazhdim janë rritur minimumi me nga 20%, që nga depot farmaceutike e deri tek konsumatorët, që është ajo kategori shoqërore që ju përmenda pak më sipër. Atëherë për ta mbrojtur këtë kategori shoqërore pra të sëmurët, kryesisht kronike e pensionistët, ne ju propozojmë që të rikthehemi atje ku ishim para datës 16 dhjetor 2010 për ta ribërë zero TVSH për ilaçet.
Po kështu propozuam që për sheqerin, vajin vegjetal dhe orizin TVSH nga 20% të bëhet 10%. Sot të varfrit e këtij vendi, për një 1kg sheqer që kushton 145 lekë, paguajnë 24 lekë taksë, për 1 litër vaj që kushton 235 lekë, paguajnë 39 lekë taksë dhe për 1 kg oriz që kushton 166 lekë, paguajnë 27 lekë taksë. Për të tria bashkë paguajnë 90 lekë taksë. Kjo vleftë takse ka ardhur duke u rritur kohë pas kohe, nëse mbajmë parasysh që çmimet bazë të këtyre produkteve janë rritur me rreth 40% në këto dy-tre vitet e fundit. Pra sa më i lartë çmimi i orizit, vajit e sheqerit në treg aq më e lartë dhe vlefta e taksës që shteti ju merr fukarenjve. Sapo ne e propozuam uljen e TVSH për këto produkte, ende pa e zyrtarizuar si iniciativë ligjore, propaganda zyrtare e qeverisë na akuzoi se po ta bëjmë një gjë të tillë, do të dëmtojmë prodhimin vendas.
Ky arsyetim sa foshnjarak, aq edhe i pakuptimtë të bën për të qeshur e qarë bashkë. Nuk di nëse nga qeveria duke filluar nga Ministri i Bujqësisë e të tjerë me radhë, është ndokush i aftë që të më tregoje se ku janë fushat e mbjella me panxhar apo kallam sheqeri nga fermerët tanë dhe ku është industria përpunuese e sheqerit në vend, që ne do ta dëmtojmë po të ulim TVSH e sheqerit. Ku janë, në çfarë vendi të Shqipërisë, plantacionet e orizoreve që ne nuk i shohim dot, po që japin prodhimin që ne opozita do ta dëmtojmë po të miratohet propozimi ynë. Ku janë fushat e pamata me luledielli që po lulëzojnë anekënd vendit e që po mbajnë në këmbë industrinë përpunuese të vajit vegjetal. Asgjë nuk prodhohet tek ne nga këto artikuj. Tek ne vetëm importohen rifuxho dhe paketohen. Arsyetimet se dëmtohet prodhimi vendas janë justifikime në formë përralle, për t’i ikur të vërtetës. Se e vërteta e madhe është kjo, që kjo qeveri takson dhe varfërinë.
Çfarë ju kemi propozuar ne. Të bëjmë zero TVSH për miellin, bukën masive, qumështin dhe vezët. Përgjigja zyrtare që na erdhi ne nga qeveria e vete kryeministri ishte se po ktheni marksizmin, po luftoni tregun, po mbroni monopolet e të tjera broçkulla të këtij lloji. Se kush i mbron monopolet e se kush e ka tundur shumë atë kartën e marksizmit kjo nuk ka nevojë për shumë hamendësim sot. Ajo qe ne ju propozojmë është një masë për të ulur sadopak varfërinë dhe se ndryshimi i këtyre taksave do ta bënte këtë.
Po ju kërkojmë që të bëjmë 6% TVSH për energjinë elektrike për konsumatorët familjare. Prej 20 vitesh në këtë vend ju rritet barra për pagesën e energjisë vetëm atyre familjeve që e paguajnë rregullisht atë. Më sakte ata që paguajnë, paguajnë edhe për ata që nuk paguajnë. Kjo është e padrejtë. Besoj se ju kujtohet pa vështirësi premtimi i Kryeministrit tonë, kur ishte drejtues i opozitës se përsa ditë do të ishte ai në krye të punëve të këtij vendi, nuk do të kishte rritje të çmimit të energjisë elektrike. Sesa i vërtetë ishte ky premtim e ilustrojnë shifrat. Në vitin 2005 çmimi i 1Kwh energji ishte 5.71 lekë, në vitin 2006 u bë 6.47 lekë, në vitin 2007 u bë 7 lekë, në vitin 2008 u bë 7.75 lekë, në vitin 2009 u bë 8.1 lekë dhe në vitin 2010 u bë 9.3 lekë. Kjo besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment. Porse bashkë me rritjen e çmimit është rritur progresivisht taksa e energjisë që është 20%. Nëse në vitin 2005 për çdo 1 Kwh energji paguanim 1 lek TVSH, sot paguajmë 1.86 lekë. Më e thjeshtuar nëse në vitin 2005 një abonent familjar për 500 kwh energji të konsumuar paguante vetëm 510 lekë, sot paguan 930 lekë, pra thuajse dyfishin. Para këto të cilat i merren në mënyrë të padrejtë vetëm atyre abonentëve që paguajnë, e theksoj vetëm atyre që paguajnë. Pa llogaritur që në faturën e energjisë paguhet taksë për 100 lekë në muaj për TVSH, jo për tatimin e energjisë, por për tv publik që nuk e sheh askush, pra paguajnë edhe 1200 lekë të tjera në vit.
Atëherë nëse, në këto rrethana kur çmimi i energjisë është dyfishuar nga viti 2005 deri më sot, nuk do të thotë se domosdoshmërish duhen dyfishuar edhe taksat. Për ta balancuar këtë gjë besoj, se ulja ne 6% e TVSH për energjinë do të ishte shumë më optimale dhe e arsyeshme. Aq më tepër që në programin e qeverisë 2005-2009, miratuar në shtator 2005 është thënë shprehimisht se: tatimi mbi vlerën e shtuar do të ulet nga 20% që është sot në 17%. Do të adaptohet një shkallë e dytë tatimore prej vetëm 6% për furnizimet me energji elektrike, si dhe do të zgjerohet shporta e TVSH 0% për furnizimet e shërbimeve të edukimit, barnat dhe shërbimet mjekësor; furnizimet për mediat dhe furnizimi i gazit të lëngshëm.
Kësisoj me këtë propozim ne po japim mundësinë qeverisë që të bëjë të mundur mbajtjen e premtimit të saj, megjithëse kanë kaluar mbi gjashtë vjet. Në të gjithë këto ndryshime ne nuk kemi mbajtur parasysh ndryshimin me rritje drastike që kanë pësuar çmimet e karburanteve nga viti 2005 në vitin 2011. Nëse shqiptarët e blinin në vitin 2005 një litër naftë 65 lekë, sot e blejnë 175 lekë litrin. Po kaq drastikisht është rritur progresivisht edhe TVSH. Nëse për 10 litra karburant në vitin 2005 një shqiptar paguante 130 lekë TVSH, sot paguajnë 350 lekë, pra është trefishuar taksa. Kështu me uljen e TVSH për energjinë, ne përpiqemi të ulim sadopak barrën e taksave, duke i dhënë mundësi që të çlirojmë sadopak ekonomitë familjare të qytetarëve të thjeshtë nga barra e taksave që ka ardhur duke ju rënduar vit pas viti.
Dhe së fundi të gjithë ne e dimë se ndryshimet e propozuara nga ne për uljen e TVSH për një grup prodhimesh ushqimore të domosdoshme për mbijetesën e familjeve të varfra në vend nuk e zhduk mjerimin e 100 000 familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike me rreth 4 mijë lekë në muaj, as edhe të 10 000 familjeve që përfitojnë pagesë papunësie me rreth 7 000 lekë në muaj, as edhe 540 000 pensionistë të zakonshëm, invaliditeti etj. Jo kjo nuk e zhduk mjerimin e tyre, por e zbut sadopak varfërinë. Le ta quajmë miratimin e kësaj pakete, si një dhuratë modeste në këtë fund viti për këtë kategori, mqs qeveria nuk gjeti mundësinë që t’ju jepte qoftë edhe një shpërblim minimal për të kaluar natën e fundit të vitit, një praktike që është realizuar në vitet e fundit. Qeveria e bollëkut këtë vit nuk ju a dha, të paktën t’i ulim taksën për bukën e gojës.







