Fjala nė Kuvend e deputetit Ilir Gjoni

Postuar më: 03/03/2011


Marrëveshja që paraqitet sot është shumë e rëndësishme pasi kjo e fut vendin tonë në hullitë e aplikimit të standardeve të nivelit ndërkombëtar të përshtatshme për një vend të NATO. Ky projekt është i treti i realizuar nga NAMSA në vendin tonë duke pasuar atë të eliminimit të 1.6 milion minave dhe 11 mijë e 500 toneve të municioneve me rrezikshmëri të lartë.
Kontaminim me municione ushtarake është një problem që shtrihet në tërë territorin e vendit. Po të kihet parasysh edhe sasia e madhe e municioneve të tepërta në depot tona ushtarake dhe rreziqet që ato paraqesin për popullsinë atëherë, kjo ndihmë që na ofrohet me gjenerozitet nga NATO, me konkretisht nga SHBA dhe disa partnerë të tjerë ndërkombëtarë, është mëse e mirëpritur dhe përfitoj nga ky rast për të shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për këtë ndihmë të vyer.
Praktikat e mangëta të magazinimit e ruajtjes të municioneve të tepërta, siç jemi dëshmitarë të gjithë, kanë rezultuar në aksidente vdekjeprurëse si të ushtarakëve ashtu dhe të civileve në mbarë territorin e vendit, përfshirë Tepelenën, Laçin, Burrelin e së fundi dhe Gërdecin ku si rezultat i zbatimit të praktikave jashtë çdo standardi dhe dëshirës për fitime maksimale u vranë 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, pa përmendur dëmet materiale e ambjentale në një perimetër të konsiderueshëm.
Në emër të Grupit të PS përfitoj nga rasti të shpreh një falenderim të veçantë për të gjitha ata ushtarake e specialiste tanë të cilët në kushte jashtëzakonisht të vështira ,me mund, sakrifica e profesionalizëm kanë punuar me përkushtim për të çuar më tej këtë proces kaq të domosdoshëm që mbart rrisqe serioze për qytetarët shqiptare.
Dëshiroj gjithashtu që të shfrytëzoj këtë rast që të shpreh tërë solidaritetin tonë për viktimat civile e ushtarake të shkaktuara nga shpërthimi i pakontrolluar i municioneve ushtarake si pasojë e aplikimit të standardeve të papërshtatshme, kushteve të sigurisë por dhe grykësisë e korrupsionit në mjaft raste.
Marrëveshja me NAMSA dhe fondi prej 10 milion USD i akorduar nga qeveria Amerikane për shkatërrimin e municioneve të tepërta, jo vetëm që zgjidh një problem serioz për sigurinë e qytetarëve shqiptare, por dhe vendos disa standarde që fatkeqësisht ende sot nuk merren parasysh nga qeveria.
Kjo marrëveshje përveç përfitimit praktik të asgjesimit të municioneve na  ofron një përvojë të çmuar se si funksionon një organizëm me standarde të larta në respekt të ambientit, në marrjen në konsideratë të pasojave ligjore që mund të rezultojnë për shkak të veprimtarisë demontuese dhe, çfarë është më e rëndësishmja në aplikimin e një standard unik në procesin e demontimit.
Duke qenë se jemi në fushën e demontimit nuk mund të mos përmendin faktin se, siç jeni në dijeni, një pjesë e konsiderueshme e asgjesimit të municioneve në vendin tonë kryhet në poligone të hapura dhe kjo me qëllim që të përmbushet afati i vendosur nga qeveria për vitin 2013, por ama duke paraqitur një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve.
Marrëveshja që miratojmë sot është shembulli më i mirë se si bashkëpunimi me partnere serioze është premisë për të shmangur korrupsionin dhe rrezikimin e jetëve të njerëzve ashtu siç ndodhi në Gërdec. Nëse bashkëpunimi me NAMSA do të kishte vijuar edhe pas përfundimit të dy projekteve të para, jam mëse i sigurt se nuk do të ishin dhe viktimat e Gërdecit të tre viteve më parë. Prandaj ne e përshëndesim këtë marrëveshje dhe falënderojmë strukturat e NATO-s që kanë bërë të mundur arritjen e saj.
Gjithsesi nuk mund të mos shpreh një fare skepticizmi të justifikuar sa i përket seriozitetit të qeverisë sonë në menaxhimin e tërë procesit të demontimit. Ky skepticizëm buron nga fakti se ashtu siç është parashikuar në marrëveshje kosto totale e këtij projekti (për shkatërrimin e 63 mijë ton municione të tepërta) është afërsisht 36 milion  EURO deri në  vitin 2014. Nga këto deri tani janë premtuar vetëm 10 milion USD nga qeveria Amerikane. Ndërkohë Qeveria shqiptare, nga ana e saj, ka paraqitur një strategji për eliminimin e municioneve të tepërta që  zgjat deri në vitin 2013. Këtu vihet qartë re një  mospërputhje mes afateve të marrëveshjes së NMASA që është viti 2014 dhe planveprimit të qeverisë që është 2013. Këtu shtrohet pyetja, a mos vallë Qeveria planin e saj e ka pasur të pamenduar dhe pastudiuar mirë. Edhe pretendimi i Ministrit të Mbrojtjes në Komisionin e sigurisë së  “kur flasim për 36 milionë, është një vlerësim tjetër që është bërë nga standarde të tjera për të gjithë procesin” duket se e shton më shumë të kuptuarit e logjikës së qeverisë.
Po ashtu në marrëveshje parashikohet se pala shqiptare do të  mbulojë të gjitha pagesat e TVSH dhe pagesat e tjera që janë parashikuar në këtë kontratë. Ndërkohë, mësohet se kontributi i palës shqiptare në projektin 36 milion eurosh do të jetë afërsisht 8.5 milion euro ( 8,488,158). Por, po ashtu Ministri i Mbrojtjes thotë se është në proces të negocimit me ministrin e financave për të arritur një marrëveshje që nënproduktet e procesit të demontimit të shiten e rialokohen për demontim të mëtejshëm, duke krijuar një “fond të veçantë”, në një kohë kur dihet se tërë procesi i demontimit nuk është aspak fitimprurës pasi kosto e demontimit është më e madhe se ajo që buron nga shitja. Këtë mëdyshje e ka dhe një organizatë ndërkombëtare me kontribute të paçmuara në ndihmë të këtij procesi e cila në një raport të saj thekson se: citoj ”Ky mekanizëm financiar ende nuk e ka provuar vlefshmërinë e tij, ndërkohë që ka mangësi serioze në mobilizimin e kontributeve financiare për realizimin e Planit ( Kombëtar të Demilitarizimit).”
Duke qenë se kjo marrëveshje është negociuar që në 2009 le ti hedhim një vështrim të shpejtë buxhetit të miratuar. Nga analiza e buxhetit të 2011 rezulton se shuma e alokuar për “pajisje për Demontimin është 8000 ( 300 milion lekë).
Megjithatë  hendeku financiar nuk është problem i vetëm për realizimin e planit të demilitarizimit.
Përveç sa më sipër Planveprimi i Qeverisë për demontimin e municioneve të tepërta ka një koncept shumë të ngushtë duke e konsideruar këtë proces thjesht në aspektin ushtarak. Bordi i Asgjesimit të Municioneve të Tepërta (BAMT), i ngritur enkas nga Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e Planit përbëhet tërësisht, me përjashtim të Koordinatorit të demilitarizimit, nga personel ushtarak apo nëpunës të uzinave ushtarake. Në këtë kuadër nuk shfrytëzohen mundësitë e përftimeve që mund të ketë një angazhim më i gjerë e aktiv i ministrive të tjera civile apo përfaqësuesve të qeverisjes lokale të zonave ku kryhet demilitarizimi, çështje që opozita e ka ngritur me të madhe në disa raste kur është diskutuar për problemin e demontimit të municioneve.
Ky Plan, po ashtu nuk parashikon dhe nuk përfshin asnjë mekanizëm për ndërgjegjësimin e komuniteteve lokale në zonat e demontimit apo zonat e kontaminuara me municione të paplasura. Kjo ndodh në një kohë kur veprimtaria për ndërgjegjësimin e banorëve të zonave të rrezikshme është mëse kritike dhe e nevojshme, për të parandaluar apo të paktën të minimizuar ekspozimin ndaj rrisqeve të civilëve që merren me grumbullimin e skrapit në zonat ku kryhet demontimi apo në zona të tjera të nxehta.
Opozita e ka kërkuar mëse një herë që në zonat e poligoneve të asgjesimit të municionit apo zona të tjera të nxehta, kërkohet angazhim total i komuniteteve lokale në mënyrë që nevojat dhe prioritetet e tyre të jenë vendimmarrëse apo konsultuese në procesin e planifikimit, zbatimit dhe monitorimit të procesit të demontimit.
Në gjykimin tonë, po ashtu, për realizimin e objektivit të përcaktuar në Planveprim janë angazhuar edhe kontraktues private të cilët  kryejnë funksione që kryesisht janë kryer nga  ushtaraket. Në këtë rast, ne gjykojmë se është i nevojshëm krijimi i një organizmi i cili do të siguronte dhe garantonte një nivel standard cilësie, i autorizuar për të akredituar këta kontraktor private.
Një problem tjetër është se ekipet e demontimit të MM aktualisht kryejnë funksionet e tyre në përputhje me standardet e përcaktuara nga kjo Ministri, ndërkohë që mungojnë mekanizmat e garantimit të cilësisë që do te siguronin  respektimin e cilësisë së zbatimit të këtyre standardeve. Një mësim të madh në këtë drejtim Ministria e Mbrojtjes duhet ta kish nxjerrë nga ngjarja e Gërdecit, e cila bën të domosdoshme hartimin e një rregulloreje strikte të përcaktohen standarde sigurie kombëtare të cilat do të ishin të detyrueshme si për kontraktorët ashtu dhe për ekipet ushtarake. Për më tepër, nga çka është bërë e ditur sot, edhe rregullat që ishin në fuqi para tragjedisë së Gërdecit ose ishin të mangëta ose nuk zbatoheshin në masën e kërkuar për të garantuar sigurinë e punonjësve në fabrike ashtu dhe të banorëve përreth. Prandaj ne gjykojmë së është e domosdoshme që të rishqyrtohen e përforcohen standardet e sigurisë të miratuara nga Qeveria, duke minimizuar kështu rreziqet që burojnë nga aktiviteti i demontimit të municioneve. Edhe për këtë arsye Marrëveshja e sotme dhe sidomos zbatimi i saj prej NAMSA do të përbënte një shembull shumë të mirë të adoptimit pikërisht të këtyre standardeve të aplikuara prej saj.
Së fundi edhe diçka tjetër. Planveprimi i Qeverisë për demontimin e municioneve nuk parashikon asnjë lloj asistencë apo mbështetje për viktimat dhe të mbijetuarit e aksidenteve që kanë rrjedhur nga shpërthimi mi minave apo municioneve të tjera, ndonëse sipas disa të dhënave nga 1995 deri në  2010 në Shqipëri ka pasur 958 viktima. Është detyrë  e çdo Qeverie të përgjegjshme që të kujdeset për shtetasit e vet sidomos kur shkaktare e  tragjedive është vetë ajo.



Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy