Fjala nė kuvend e deputetit tė PS, Armando Subashi

Postuar më: 10/06/2010

Fjala në kuvend e deputetit të PS, Armando Subashi:


Të nderuar kolegë!

U bë afro një vit që opozita shqiptare me ne krye Partinë Socialiste po kërkon me mjete dhe rrugë tejet demokratike transparencën e zgjedhjeve  të 28 qershorit. Ne kemi argumentuar me dhjetëra e qindra herë se kërkesa jonë është legjitime, kushtetuese dhe në përputhje të plotë me një parim shumë të rëndësishëm  që prej dekadash është sanksionuar në ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike në europën ku dëshirojmë të shkojmë sa më parë. Ky parim i rëndësishëm që ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve, të funksionimit të institucioneve  e vendimmarrjes së tyre është një kusht themelor në marrëdhëniet e besimit jo vetëm midis politikës dhe qytetarit por edhe midis vetë forcave politike.

U bë afro një vit që ju po refuzoni me çdo mënyrë dhe mjet duke shfrytëzuar forcën e kartonit në kuvend këtë kërkesë të opozitës. Arsyet e pretenduara prej jush, fillimisht për antikushtetutshmëri dhe tani duke u kapur  pas një neni fundor të kodit zgjedhor për gjoja detyrimin për djegien e fletëve të votimit, në fakt jo vetëm që nuk ju ka bërë të besueshëm në sytë e të gjithë shqiptarëve për predikimet tuaja si rojtare fanatike të kushtetutës e ligjit, por përkundrazi, sot nuk ka asnjë shqiptar që të dyshojë në vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve të qershorit. Shqiptarët sot nuk kërkojnë dhe presin hapjen e kutive për të mësuar nëse zgjedhjet janë vjedhur apo jo, por sot ata kanë një kuriozitet shumë më të madh, sa është shkalla e kësaj vjedhje, deri ku ka shkuar guximi, babëzia dhe pabesia juaj dhe e Sali Berishës në këtë vjedhje. Çdo dite që kalon me mohimin apo indiferencën tuaj  të jeni të sigurt që nuk shpëtoni nga gjykimi i drejtë i qytetarëve shqiptarë dhe nga fakti që në sytë e tyre ju jeni vjedhësit e mëdhenj të votës, ju jeni vrasësit e mëdhenj të shpresës dhe dinjitetit të tyre, ashtu sikundër përditë e më shumë shqiptarët po e kuptojnë se kriza e qeverisjes i ka rrënjët tek ato kuti të mbyllura të zgjedhjeve. Shqiptarët e kanë kuptuar se frika e transparencës nuk bie ndesh me interesat politike, ekonomike e integruese të tyre, por vetëm të  një pakice të kthyer në oborrtarë, klientë e shërbëtorë.

Neni 178 i Kodit Zgjedhor të cilin ju e keni cituar mjaft kohët e fundit është një nen i cili ka rregulluar mënyrën e ruajtjes së dokumentacionit zgjedhor pas përfundimit të procesit të ankimimeve dhe ka parashikuar djegien e fletëve të votimit. Situata për të cilën po flasim prej muajsh nuk është një situate normale. Është e vërtetë se nga pikëpamja ligjore procesi quhet i përfunduar, por kërkesa jonë nuk mund të mohohet me këtë pretendim. Çdo dispozitë që rregullon një marrëdhënie të caktuar nënkupton ose shpreh pasojën e moszbatimit të saj. A mund të më thoni të nderuar kolegë se cila do të ishte pasoja në këtë rast?

Parashikimi në ligj i djegies së fletëve nuk ka pasur për qëllim fshehjen e tyre një orë e më parë dhe mos daljen në dritë të së vërtetës kur ajo kërkohet por thjesht është parashikuar për të liruar kutitë e votimit për zgjedhjet e radhës. Nëse është ky problemi për të cilin shqetësohemi sot, kjo do të ishte qesharake.

Ndërkohë ne ju kujtojmë dhe ju përsërisim, se është momenti për të zgjidhur krizën e gjithanshme, për të mos bërë më inaugurime  për të disatën herë të disa investimeve qesharake e për të mos menduar se kryeministri tërheq vëmendjen e shqiptarëve me histori si ajo e Tivarit apo shpikje të tjera pa vlerë e pa bukë për hallet e përditshme të tyre.

Është koha për të dëgjuar kërkesën e të gjithë komunitetit ndërkombëtar të cilët të lodhur nga pretendimet tuaja boshe për mohimin e transparencës jua kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për zgjidhjen e krizës duke ju kujtuar me shumë elegance dhe shpesh në mënyrë të drejtpërdrejtë  pasojat e moszgjidhjes së krizës për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Do të jetë faji juaj dhe i Sali Berishës nëse do sakrifikoni vizat dhe integrimin europian për të mbajtur të fshehur të vërtetën e kutive, dhe që sigurisht shqiptarët nuk kanë për t'jua falë kollaj kësaj here.

Zotërinj! Pranoni kompromisin që tashmë ne e kemi pranuar dhe bashkërisht t'i hapim rrugë reformave të mëdha.




Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy