Postuar më: 17/03/2011
Të nderuar kolegë
Diskutimin tim të sotëm në këtë 5 minutësh dua ta fokusoj, te interesimi i madh që ka qeveria e pushtetit të vjedhur, për turizmin. Si banor i qytetit më të madh me resurse turistike të pallogaritura, nuk mund të rri pa treguar kujdesin e madh të Saliut për këtë sektor. Dëgjuam para pak kohësh, të fliste kryeministri i votimeve të vjedhura, se ky vit, do të jetë viti i turizmit, ku qeveria e tij , do të kishte prioritet të prioriteteve sektorin e turizmit. Tani fillon fushata e zgjedhjeve për pushtetin vendor, prandaj dhe thesi i gënjeshtrave filloi të hapet. Pasi Saliu na ngopi me bukë, na rriti nivelin e jetesës, na i mbushi tryezat plot, plotësoi çdo standard demokratik, ashtu si edhe Gadafi në Libi, po gjen një slogan të bukur për turizmin, “katalizator i ekonomisë shqiptare“ .
Nga viti 2005, në Bashkinë e Vlorës nga Saliu dhe Ridvani, janë bërë 0 investime turistike. Duke treguar se mbretëresha e turizmit nuk është në axhendën e tij, nuk do të ishte as vendi më turistik po të kishte mundësi. Për këtë është fajtor po ai, Saliu.
U bë viti i gjashtë, që as edhe një ministër i këtij sektori nuk ka ardhur në çeljen e sezonit turistik të këtij qyteti. Kuptohet se ministrat e shikojnë me dylbi këtë prioritet dhe kujtohen kur mbyllet sezoni të na japin shifra imagjinare turistësh, që kaluan në vendin tonë. Nuk mund të flasësh për shifra të tilla në një vend ku akoma nuk ka një landfill për djegien e mbeturinave. Ujërat e zeza zgjaten si metastaza nëpër detet shqiptare. Në një vend ku 80% e shërbimit hotelier është i paliçensuar nga ana e qeverisë.
Në kushtet kur të gjitha burimet financiare dhe të gjitha burimet njerëzore të pushtetit vendor, janë fokusuar në këtë sektor asnjë vëmendje e Saliut dhe e ministrave të tij për këtë qytet.
Saliu dhe Luli, ka kohë që po trumbetojnë me të madhe suksesin e liberalizimit të vizave. Akoma në lirinë e këtij vendi, është një gardh, i cili mbahet nga Saliu dhe Luli, për veten dhe interesat e klanit të tyre .
Moratoriumi i skafeve dhe mjeteve motorike ujore, lë pa zhvilluar aktivitetin e tyre turistik dhe tregtar mbi 7 mijë frymë, të cilat prej kohësh bashkë me të gjithë qytetarët e Vlorës, e shijojnë detin vetëm e vetëm me not. Dhe për këtë fajin përsëri e ka Saliu.
Tre javë asnjë anije pasagjeresh nuk ankorohej në kalatat e portit të Vlorës. Tre javë bizneset e Vlorës të bllokuara nga zhdukja e këtyre trageteve. Pas tre javëve përfaqësuesi i qeverisë në Vlorë i kërkonte llogari vetes së tij se pse u zhdukën në mënyrë mafioze nga kalatat e portit këto tragete. Dhe për këtë fajin e ka Saliu.
Nuk mund të flasi për turizëm, një qeveri që nga njëra anë e reklamon, nga ana tjetër me tregtinë mafioze dhe kriminale të karburanteve, u bën gropën qytetarëve duke u shkaktuar dëme financiare, duke u shkaktuar sëmundje të mushkërive, duke ndotur ajrin. Dhe në të njëjtën kohë, duke ndotur imazhin e Shqipërisë në Evropë.
Lekët e fituara në mënyrë kriminale, nga qeveria e Saliut, Ridvanit dhe Lulit, nuk mund të shkojnë në interesat e qytetareve, por vetëm në interesat e klanit të tyre, i cili na ka zënë frymën në mes të Evropës. Dhe për këtë fajin po Saliu e ka.
Ku janë premtimet e tua të mëdha, për investime dhe mbështetje të qytetareve, ku janë përpjekjet e tua për turizmin, për zhdukjen e varfërisë dhe të papunësisë.
Që të bëhen të gjith këto, duhej që qeveria jote të punonte jo me bllok në dorë, por me projekte e përkushtim, duhej që korrupsionin ta luftonin duart e tua të pastra, duhej që Shqipëria të ishte vendi ku njerëzit protestojnë e nuk vriten, punojnë e nuk skllavërohen, ku drejtësia respektohet e nuk përdhoset.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, për qytetarin e Vlorës, do duhej që Ridvani i financave të Saliut, korrupsionin e qeverisë së tij ta shtrinte edhe aty, ku njeriu nuk njeh politike, në sportin e futbollit.
FSHF tani e tëra është nën pushtetin e njeriut që paratë e qytetarëve i kalon në bastet e korrupsionit të futbollit, hob i kohëve të fundit. Hob i cili do ti mbetet në sirtar, se nuk ka për tja toleruar as edhe një sportdashës vlonjat.
Bashkia socialiste, e tanishme dhe pas zgjedhjeve të ardhshme, e ka e do ta këtë prioritet turizmin. Ajo nuk kujtohet në kohë fushatash, nuk kujtohet me parulla, nuk punon me sezone, nuk i vë moratoriume biznesit, ajo vazhdon me të njëjtat parime me të cilat ka fituar besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, në punën e saj, Vlora ka qenë e para, me kontributin e saj ajo ka shtuar fluksin e turistëve, me punën e saj ka fituar atë emër që na bën krenar.
E meqë të gjitha këto, ju nuk i arrini dot, sepse ju ka mbuluar Gërdeci, vrasjet e korrupsioni, prandaj dhe ne do t’ju largojmë ju bashkë me parullat tuaja të dala boje.







