Postuar më: 24/02/2011
Kolegë të nderuar,
Kjo është një tjetër seancë turpi. Kjo është një tjetër ditë e zezë për Kuvendin e Shqipërisë, për parlamentarizmin. Ky është një tjetër akt i diktaturës së shumicës të kartonëve që kërkon të godasë pikërisht parlamentarizmin dhe opozitarizmin në Shqipëri.
Në pamje të parë, regjizori që qesh i kësaj farse, ende kryeministër i vendit ka bërë ca llogari të shpejta. Në dukje, është një nismë për të kufizuar imunitetin e deputetëve, si një mënyrë për të krijuar hapësirë për ndëshkimin e korrupsionit. Në thelb është krejt e kundërta. E dëshmon një hipokrizi të tillë edhe kujtesa e shkurtër e parlamentarizmit të këtyre viteve kur drejton kryeministri që shan, kryeministri që qesh.
Një iniciativë e ngjashme është marrë nga ju në vitin 2006. Atëherë u tërhoqët, sepse Komisioni i Venecias solli në Tiranë një përgjigje negative për mënyrën sesi kërkonit të bënit kufizimin e imunitetit. Një vit më pas, e ripërsëritët të njëjtën histori dhe rezultati ishte i njëjtë : OPDAT-i dhe EURALIUS-i, domethënë për ata që nuk e dinë, misionet që asistojnë drejtësinë në Shqipëri nga SHBA dhe BE, i nxorën karton të kuq kësaj nisme. Për një arsye të thjeshtë në të dy rastet, nisma ishte antikushtetuese, e pazbatueshme dhe madje edhe e rrezikshme. Ju kujtoj se një vit më pas, në 2008, kur u realizua një paketë ndryshimesh kushtetuese, ju as nuk u kujtuat fare ta bënit pjesë të asaj pakete të iniciuar po nga ju kufizimin e imunitetit megjithëse kjo u kërkua nga deputetë socialistë në këtë sallë.
Katër vjet më pas dhe pothuaj një muaj mbas masakrës që qeveria kreu në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ju risillni të njëjtën nismë. Pse? Të zënë në kurth nga zemërata në rritje e qytetarëve për korrupsionin e qeverisjes suaj, të mbërthyer në çarkun e grabitjes, ju kërkoni që të bërtisni se doni të luftoni pikërisht korrupsionin, mbiemrin e qeverisë tuaj.
Ka një pyetje elementare që duhet të marrë detyrimisht një përgjigje. Është kushtetuese kjo nismë ? Për këdo që njeh kushtetutën si ligj suprem dhe jo rregulloret që shpik Saliu dhe salinjtë e tij qesharak, nuk ka asnjë dyshim: është nismë antikushtetuese.
Ta themi në mënyrë më të thjeshtë. A shtrihet ky vendim mbi të gjithë funksionarët e lartë shtetërorë ? JO ! Ministrat pa mandat deputeti, gjyqtarët dhe cilido funksionar tjetër që gëzon këtë mbrojtje ligjore, është jashtë fushës së veprimit të kësaj nisme.
Një prokuror që duhet të nisë një çështje penale ndaj një deputeti cilido, të pozitës dhe të opozitës po të doni ju, do të ndalet direkt në veprimet e tij. Ai do të detyrohet ti drejtohet deputetit nën akuzë dhe kryetarit të kuvendit dhe pas kësaj i duhet të veprojë. Për një akt të tillë nevojiten të paktën 24 orë dhe po nuk mundi, nevojiten edhe 48 orë të tjera pas kësaj. Në këto kushte, çfarë ju pengon ta jepni këtë kohë të nevojshme brenda rregullimit kushtetues. Mjafton një nen në rregullore që do të thoshte se kërkesa e prokurorit kalon në seancë brenda 72 orëve. Gjithshka është kaq e thjeshtë paçka se si duan ta shesin për ju dhe për publikun.
Dhe ky është vetëm fillimi. Pyetja tjetër është : a lejon kushtetuta hapësirë që deputeti të disponojë personalisht mbi imunitetin ? Imuniteti nuk kërkohet nga deputeti, por i jepet për shkak të funksionit. Për këtë arsye, deputeti nuk mund të disponojë lirisht dhe nëpërmjet refuzimit me këtë të drejtë kushtetuese.
Dhe pyetja në vazhdim shtrohet : A i lejohet prokurorisë që të ndjekë penalisht një ministër-deputet që ka deklaruar heqjen dorë nga mandati, sipas rregullores suaj, pa respektuar në mënyrë strikte procedurën e parashikuar nga pikat 2 dhe 4 të nenit 73 Kushtetutës? Jo dhe kjo është një “JO” absolute. Pse? Sepse kushtetuta nuk lejon procedurë tjetër për ndjekjen penale të deputetit pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi dhe përmes një votimi të fshehtë.
E kundërta do të ishte shkelje e rëndë e kushtetutës nga vetë prokurori. Prokurori nuk niset nga vullneti i ministrit-deputet për ta marrë atë të pandehur. Por çfarë do që të thotë rregullorja juaj, çfarë do që të firmosë vetë deputeti, ajo nuk ka asnjë vlerë përpara epërsisë së nenit 73 të Kushtetutës.
Akoma më thjeshtë për ta kuptuar kushdo që ka vullnet për të kuptuar këtë të vërtetë elementare juridike.
Supozojmë se në Kuvend vjen një kërkesë për një ministër-deputet që duhet të hetohet. Në bazë të rregullores, Kuvendi i kthen përgjigje se nuk është i nevojshëm autorizimi sepse vetë ministri-deputet ka hequr dorë nga imuniteti dhe se vendimi i Saliut ka vlerën e autorizimit kushtetues.
Prokurori që i di mirë këto pengesa të pakapërcyeshme kushtetuese, do të insistojë sërish në kërkesën e tij. Ju do t´i përcillni edhe njëherë rregulloren e Saliut. Shkelja e kushtetutës nuk është nga ato vepra të thjeshta penale, si vjedhja e xhepave që amnistohen një ditë. Prokurori do të insistojë në kërkesën e tij edhe pse ju pastaj do ta sulmoni organin e akuzës në bllok duke thënë : ja ku është vullneti ynë jeni të lirë të hetoni, ja kjo është prokuroria e majtë që nuk do të hetojë krimin!
Shkojmë më tej. Supozojmë se gjendet një prokuror që i merr perëndia mendtë dhe e fillon çështjen penale. Heton dhe e dërgon dosjen në gjykatë. I pari veprim që do të bëjë avokati mbrojtës i ministrit-deputet do të jetë kërkesa për të shpallur nul e të pavlefshme të gjitha aktet e dosjes penale. Dhe do të ketë të drejtë, sepse ato janë siguruar në kundërshtim me rrugën që urdhëron Kushtetuta. Përfundimi është i qartë. Çështja penale do të mbyllet sepse nuk ka gjyqtar që do të guxonte të kryente një akt të tillë. Dhe ministri-deputet mund të largohej në drejtim të paditur njëlloj si një grabitës celularësh apo një hajdut xhepash që nuk e kap dot policia, edhe kur portretin e tij e kanë kapur dhjetëra kamera televizive. Çështja mbyllet për shkak të procedurës. E për shembuj të tillë nuk keni pse shkoni fare larg. Gjyqi i tragjedisë së Gërdecit është i freskët. Po ashtu ish-ministri i transporteve Lulëzim Basha, i shpëtoj gjykimit nga drejtësia për korrupsion në ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës vetëm për procedurë.
Por edhe nëse supozojmë se gjykatat shqiptare çmenden deri në majë të piramidës, siç kërkon Saliu juaj, avokati i ministrit-deputet të ndëshkuar prej tyre do të ankohet deri në Strasburg, në gjykatën evropiane të të drejtave të njeriut. Dhe deri aty, dora e Kryeministrit që mund të korruptojë edhe ndonjë diplomat të huaj, mund të blejë edhe ndonjë europarlamentar, nuk mbërrin dot. Përfundimi. Rrofshin procedurat. Rroftë rregullorja e Saliut.
Kaq e thjeshtë është historia. Ju po kërkoni të hiqni litarin e korrupsionit që e keni në fyt, që po ju merr juve dhe vetë qytetarit frymën dhe po kërkoni t´ja faturoni e shtrëngoni drejtësisë këtë litar.
Juve ju duhet kjo seancë vetëm për një arsye : të tregoni se gjoja keni vullnet për të luftuar korrupsionin duke kufizuar imunitetin. E vërteta është krejt ndryshe.
Ju që kërkoni një gjë të tillë, veshët me imunitet politik, ekzekutuesit vrasës të katër qytetarëve shqiptarë të pafajshëm më 21 janar.
Ju që kërkoni një gjë të tillë, edhe kur e lini vullnetarisht imunitetin, siç keni bërë rëndom sulmoni direkt politikisht, edhe nga tribunat e partive, prokurorinë dhe gjykatën. Dërgoni në dyert e saj presionin me lajmësa që të ketë kujdes se politika e ka dorën e gjatë.
Ligjërisht, nisma juaj është nonsens juridik. Moralisht është veçse një hipokrizi politike. Ajo as nuk zgjidh problemin, as nuk është një mjet në luftë kundër korrupsionit, as nuk korrigjon kulturën e pandëshkueshmërisë së tij në nivele të larta.
Ju nuk keni vullnet real të luftoni korrupsionin sepse kësaj i thonë të luftoni Kryeministrin e qeverinë tuaj të korruptuar. Ka vetëm një rrugë të drejtë e të ndershme për të kufizuar imunitetet e të gjithë funksionarëve të lartë që e gëzojnë këtë privilegj. Përmes një amendimi kushtetues që përfundimisht do të kufizonte jo gjasme, por realisht dhe në mënyrë të pakthyeshme për deputetin, për gjyqtarin po se po, por para së gjithash për qeveritarët dhe të gjithë ata që lëvizin milionat në duart e tyre të veshura me dorashka profesionisti imunitare dhe të legalizuara me vendime kolegjiale.
Dhe mbi të gjitha ka vetëm një alternativ për të luftuar realisht korrupsionin e për të vendosur barazinë para ligjit. Jepini pavarësi reale dhe përgjegjshmëri funksionale sistemit të drejtësisë. Këtu fillon beteja e vërtetë për korrupsionin.
Këtë nuk mund ta bëjnë qeveritarët tuaj dhe disa prej jush që nga njëra anë mes kamerave dhe buzëqeshjeve cinike qeveritare vetfirmosin ca deklarata hipokrizie dhe nga ana tjetër i skërmisin dhëmbët e hakmarrjes politike gjyqtarit dhe prokurorit që guxon të zbatoj kushtetutën dhe ligjin. Kjo është e vërteta, ajo e vërteta që ju tremb, ajo e vërtetë që ju mban peng edhe me armë zjarri brenda kullës kryeministrore.
Kolegë,
Rregullorja e Kuvendit është një instrument që garanton kushtet e lojës parlamentare. I prishët këto rregulla në mënyrë të njëanshme në 2005, kur deri në atë vit, shumicat e majta çdo ndryshim e kanë kaluar me konsensus. Me ndryshimet e njëpasnjëshme që ka iniciuar çifti politik Berisha-Topalli, ajo copë letër siç e keni katandisur rregulloren, është noterizimi i trishtuar dhe përfundimtar i krizës parlamentare në vend dhe i krizës së institucioneve të tjera kushtetuese.
Ju po kërkoni të zhbëni opozitën. Një akt qesharak dhe i marrë, i destinuar të dështojë sepse është i pamundur. Kërkoni dhe gjeni shembull tjetër të ngjashëm me ju në këtë pikë. Mos u lodhni me Evropën dhe aksin euroatlantik të aleatëve tanë. Asnjë model të tillë nuk do të gjeni në rregulloret e çdo lloj republike parlamentare të planetit.
E keni ndryshuar pesë herë rregulloren në mënyrë të njëanshme në pesë vjet. Më parë i hoqët Kuvendit edhe votën e fshehtë mbasi i vodhët qytetarit lirinë e votës. Tashmë jeni duke e përdorur edhe si kamzhik për ndëshkime dhe ekzekutime të njëanshme dhe të njëpasnjëshme për deputetët e opozitës.
Ju po kërkoni t’ju hiqni fjalën e lirë deputetëve të opozitës, sepse kërkoni ti mbyllni gojën popullit opozitar të përfaqësohet në këtë sallë.
Ju po kërkoni të përjashtoni deputetët e opozitës nga e drejta e protestës, sepse kërkoni ta vrisni popullin protestues për lirinë e votës, për lirinë e fjalës, për lirinë e jetës, për lirinë e shpresës.
Ju gjoja qenkeni të shqetësuar nga mungesa e etikës së deputetëve të opozitës. Jeni të shqetësuar për etikë parlamentare, për moral njerëzor ju që keni për kryeministër, kryeministrin më gojështhurur në planet, urdhëruesin e vrasësve të jetëve njerëzore, dhunuesin e fjalës së lirë opozitare.
Miratojeni këtë rregullore kamzhik të qeverisë mbi opozitën ! Pastaj nisni të na ndëshkoni të gjithë ne deputetët socialistë sepse do të qëndrojmë më shumë se dy minuta në podium. Na përjashtoni të gjithëve. Mbyllini dyert e kësaj salle për të gjithë ne. Pastaj në podium do të qëndrojë si një zog qyqeje Kryetarja Jozefin që duartroket veç me qesh dhe Kryeministri juaj që qesh kur duhet të qaj dhe që shan kur duhet të hesht !
Sot, me votën tuaj po i hiqni tullën e fundit të legjitimitetit kësaj salle. Kjo është një ditë e zezë për parlamentarizmin dhe demokracinë. Ky turpi juaj !







