Fjala nė Kuvend e kryetarit tė grupit parlamentar socialist Gramoz Ruēi

Postuar më: 25/11/2011

Kryeministri e ka marrë fjalën fiks 12 herë, nga mëngjesi e deri tani dhe ka folur fiks 144 minuta. Është e drejta e tij. Por unë e ngrita këtu jo për të konkurruar kohën e kryeministrit, por për të respektuar ata që na dëgjojnë, por edhe për të respektuar ftesën e kryeministrit që tha, ju ftojmë të diskutojmë, ju ftojmë ta votoni.
Ata që na kanë dëgjuar tërë ditën sot, natyrshëm presin të marrin përgjigje. Ata presin të dinë nëse ky buxhet e forcon, e konsolidon demokracinë e vendit të tyre apo e dobëson. Ata presin që të dëgjojnë nëse ky buxhet e rrit ekonominë e tyre apo e dobëson. Ata presin që të dëgjojnë nëse ky buxhet korrupsionin, e zvogëlon apo e zmadhon në parashikimet e shifrave që bën. Ata që na dëgjojnë presin që ne të zgjedhurit e tyre nëpërmjet këtij buxheti ti japim përgjigje pyetjes; Papunësinë ky buxhet e zvogëlon apo e zmadhon? Ata që na dëgjojnë dhe që na kanë zgjedhur ne presin përgjigje sot nga ne; Varfërinë ky buxhet e zvogëlon apo e zmadhon? Ata që na ndjekin ne sonte presin përgjigje nga ne; Jetesa e tyre nga ky moment, ky buxhet, e shtrenjton apo e pakëson? Ata presin nga ne, e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre, e ardhmja e vendit të tyre, ky buxhet, jua siguron apo rrezikon? Kështu unë mund të vazhdoja gjatë pambarimisht për një tog pyetjesh që kanë ata që na kanë zgjedhur ne.

Nga këndvështrimi jonë dhe jo nga këndvështrimi jonë thjeshtë për të bërë opozitë për opozitën, meqë jemi në opozitë ta kundërshtojmë, ky është gjykimi dhe vlerësimi që ne kemi nga shifrat që paraqet ky buxhet.
Së pari, ky buxhet nuk ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit, në kushte kur rritja ekonomike sipas shifrave ka ndaluar.
Së dyti, ky buxhet nuk kontribuon në zbutjen e efekteve të krizës ekonomike, në buxhetet e tyre familjare, në kushtet kur barra fiskale në familjet e tyre në këto 6 vjet ka shkuar nga 32 në 38%.
Së treti, ky buxhet nuk shoqërohet me ulje të borxhit publik. Në kushtet kur çdo familje shqiptare do paguajë çdo muaj fiks 65 dollarë vetëm për shërbimin e borxhit.
Së katërti, ky buxhet nuk zbut varfërinë, në kushtet ku ajo shtohet nga 2008 deri sot në 2011, 11.4%.
Së pesti, ky buxhet nuk ul papunësinë.
Së gjashti, ky buxhet nuk ka politika të reja fiskale për rishpërndarjen e të ardhurave dhe nuk është hera e parë që kjo maxhorancë sjell buxhet pa paketë fiskale.
Së shtati, ky buxhet nuk mbështet shëndetësinë që është “ku thërret qameti”.
Së teti, ky buxhet nuk mbështet arsimin shqiptar, që megjithëse themi që kemi rritur në mënyrë galoponte numrin e studentëve në shkollat larta, por nuk kemi shtuar paratë.
Së nënti, ky buxhet  nuk nxjerr bujqësinë shqiptare nga feudalizmi i sotëm.
Së dhjeti, ky buxhet nuk shpëton dot nga plehrat, nuk përmirëson mjedisin, nuk ndal shkatërrimin e lumenjve, të pyjeve.
Së njëmbëdhjeti, ky buxhet nuk merr përsipër dhe nuk i jep përgjigje merakut të sipërmarrësve, që nuk kanë marrë pagat për punën e bërë për shiritat që ju keni prerë.
Së dymbëdhjeti, ky buxhet jo vetëm që nuk shëndosh, por dobëson buxhetin e pushtetit vendor.
Së trembëdhjeti, nuk merr përsipër të luftojë korrupsionin ky buxhet.
Së katërmbëdhjeti, nuk jep asnjë shpresë të venitur për ish të përndjekurit politikë. Nuk jep asnjë shpresë për pronarët.
Së fundi, ky buxhet me të dhënat që ka nuk adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë asnjë nga 12 prioritetet e Bashkimit Europian.

E pra ata që na ndjekin thonë, këta baballarët tanë që kemi zgjedhur atje në sallën e Kuvendit, për kë fjalosin. Unë në 2005 e merrja kilen e vajit 90 lekë/litri sot e marrë 250 lekë/litri. Në 2005 e merrja orizin 47 lekë, sot e marr 170 lekë. E merrja kilen e makaronave 80 lekë sot e marr 160 lekë. Unë e merrja bukën 40 lekë në 2005, sot e marr 100 lekë. Unë energjinë elektrike e paguaja 5.5 lekë, sot e paguaj 10.2 lekë. Unë e merrja naftën në 2005 90 lekë, sot e marr me 180 lekë.

Unë mund t’ju them me shifrat tuaja zoti kryeministër. Rritja e pensioneve mesatarisht nga 2001 deri në 2005, mesatarja ka qenë 8.8%. Mblidhi përqindjet e tua nga 2006 deri sot më 2011 janë 7.7% në qytet. Në fshat me qeverisjen tonë në 5 vitet e fundit ka qenë 21%. Mblidhini përqindjet tuaja janë 14%. Megjithatë ata nuk hanë as përqindjet tona dhe as përqindjet e tua. Xhepi i tyre dhe jetesa e tyre është “ku thërret qameti”.

Të gjithë po flasin se jemi midis Italisë dhe midis Greqisë. Të gjithë po flasin se jemi në Europë dhe aspirant. Të gjithë po flasin se tregtinë e kemi me këto vende. Të gjithë po flasim se një pjesë e mirë e popullatës sonë, që është bërë shpëtimtare për ekonominë tonë, vëllezërit, motrat, emigrantët shqiptarë janë në këto vende ku janë në krizë. Dhe ne borxhin tonë bëjmë sikur se shikojmë. Flasim për 59.4%, po harrojmë që fatura e papaguar për punët publike sipas deklarimeve të shoqatës së ndërtuesve e kalojnë 100 milionëshin. Harrojnë që borxhet e sistemit bankar, borxhet e këqija të sistemit bankar janë rritur. Harrojmë, ose i fshehim të dhënat fundit që flasin se borxhi i keq është 950 milion dollarë. Harrojnë që borxhet ndaj kompanive të shërbimeve jetike janë rritur. Harrojnë ose i fshehin që borxhet ndaj administratës tatimore dhe asaj doganore janë rritur. E pra po ti mbledhin të gjitha këto, bashkë me 59.4% borxhi faktikisht është 80%. Po ti shtojmë këtij borxhi edhe detyrimet ligjore që kemi për të përndjekurit dhe për pronarët, borxhi faktik shqiptar është 100%.

Çdo të thotë kjo?! Që ju si kryeministër, unë si deputetë, edhe kur shkojmë tek berberi për tu qethur paguajmë me lekë borxh. Edhe kur lahemi në dush paguajmë me lekë borxh. Edhe kur vishemi me lekë borxh. Edhe kur mbathemi me lekë borxh. Edhe kur ushqehemi me lekë borxh. Edhe kur kurohemi me lekë borxh. Pra të gjithë jemi në borxh. I pari kryeministri i vendit. Nëqoftëse do të krahasojmë borxhin ne që e quajmë veten ekonomia më e zhvilluar e Europës, edhe po të vijmë në vendet e Europës qendrore dhe lindore Shqipëria zë vend të parë. 43.6% është mesatarja e vendeve të Europës qendrore dhe lindore. 60% e ka Shqipëria, 39.6 e ka Bosnja, 17 e ka Bullgaria, 39 e ka Rumania, 26 Maqedonia, 43 Mali i Zi, 44 Serbia, 40 Turqia, 39 Lituania e kështu me radhë. Kurse ne jemi në vend të parë. Ku po vemi?!

E pra për të ardhur tek pjesa e dytë e problemit. Votojeni thotë kryeministri. Po, ne jemi gati ta votojmë. Por si?! Ne kemi propozime konkrete. Nga mëngjesi deri tani deputetët e opozitës të kanë bërë disa prej tyre. Më lejo që 8 prej tyre ti përsëris këtu dhe unë marr përsipër si kryetar i grupit të opozitës që buxhetin ta votoj.
Së pari, në vitin 2005 një mësues, një mjek, një infermier, një polic paguante 450 lekë nga TVSH-ja mbi pagë. Sot paguan 4500 lekë. Ju si kryeministër paguani 27 mijë, sot paguani 22 mijë. Unë si deputet paguaja 17 mijë, sot paguaj 16 mijë. Ja ku jemi ne deputetët e opozitës. Pranojeni propozimin tonë që të paguajmë ne më shumë TVSH për pagën. Dhe hiqja mësuesit, hiqja policit, hiqja infermierit, hiqja mjekut. Ndryshojë dhe ne jemi gati ta votojmë. Ky është propozimi i parë.
Propozimi dytë. Sot shqiptarët paguajnë dy herë më shumë taksa, siç thashë për një kilogram sheqer, miell, oriz, vaj, qumësht, faturë të energjisë elektrike. Ne socialistët nuk e pranojmë këtë padrejtësi. Prandaj ne kemi bërë një propozim që e keni mbi tavolinë. Sot është dita që ju të deklaroni, jeni apo nuk jemi dakord që TVSH e bukës, TVSH e miellit, e qumështit, e vezëve të kushtojë 70% më pak siç ju kemi propozuar dhe ju s’na keni kthyer përgjigje. Vendoseni, miratojeni dhe na do ta votojmë.
Së treti, sot shqiptarët paguajnë 10% TVSH për barnat dhe për shërbimet shëndetësore, kurse ti si kryeministër paguan 3 herë më pak dhe unë si deputet 2 herë më pak. Deklaro sot që ti dhe unë dhe kushdo që paguhet si ti dhe unë të paguajë më shumë. Dhe mësuesi, infermieri, administrata e ulët të paguajnë pak. Deklaroi sot, sot është buxheti.
Së katërti, sot një litër naftë për fermerët shqiptarë siç u thashë më lartë blihet 1700 deri 1800 lekë. 800 lekë është vetëm TVSH jote. Një kile ure është e barabartë me çmimin e një kile sheqeri. Deklarohu, hiq TVSH për fermerët dhe për inputet e bujqësisë. Dhe ne jemi gati ta votojmë.
Së pesti, sot popullata paguan 20% TVSH të energjisë elektrike. Jua kemi depozituar propozimin tonë dhe u themi që ule atë në 6%. Parashikoje në buxhet dhe ne do ta votojmë.
Së gjashti, sot të gjithë fëmijët në shkollë paguajnë TVSH e librit. Hiq TVSH e librit dhe ne votojmë buxhetin.
Së shtati, vazhdoni vit pas viti të tregoheni hileqarë për pronarët. Sot është dita të deklaroni hapur, jeni apo nuk jeni dakord për ngritjen e një komiteti të përbashkët për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjes e pronës në Shqipëri. Ne jemi gati, vendose në buxhet. Ne do ta votojmë.
Dhe e fundit, por jo e fundit, se edhe të tjera propozime patën kolegët, është që përsëri hileqarë dhe mashtrues tregoheni buxhet pas buxheti për të përndjekurit politikë. Ne jua kemi bërë publikisht propozimin dhe po jua bëjmë edhe sot në sallën e Kuvendit. Jeni apo nuk jeni dakord që kush nga të përndjekurit politikë ka mbushur moshën 75 vjeç t’i bëhet dëmshpërblimi i menjëhershëm. Ne jemi plotësisht dakord, vendoseni në buxhet dhe ne e votojmë atë. Kështu mund të vazhdoja por shumë nga këto që unë thashë dhe të tjera që nuk thashë kolegët e mi deputetë i kanë bërë. Kjo është ajo që unë kisha lidhur me ftesën tënde për debat. Lidhur me ftesën tënde për të votuar buxhetin.



Arkiva

Programi @ PS
Shprehe mendimin apo sugjerimin tënd!
Shkruaji Edi Ramës!
Drejtpërdrejt me Edi Ramën
Dialogu me Shqipërinë
Idetë për të ardhmen!

PER NJE RILINDJE SHQIPTARE

Shqipërisë i duhet një ndryshim rrënjësor. Ju e doni këtë ndryshim dhe ne jemi ga...

PSSH ėshtė organizatė politike e pavarur dhe e hapur qė bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarė brėnda e jashtė atdheut si dhe shtetas tė huaj me banim nė Shqipėri, tė cilėt...

© Partia Socialiste. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Prova Teknike
Ndërtuar nga Ogilvy