Postuar më: 11/11/2010
Do e nis me dy gjëra për kryeministrin, i cili tha ju po shani. Z. kryeministër mos prisni nga opozita që t’ju lavdërojë. Opozita në çdo vend demokratik është të korrigjojë shënjestrën edhe në ato vende, edhe në ato qeveri që vërtet ka qeverisje dhe vërtet ka rezultate. Së dyti, ju z. kryeministër disa herë në sallë keni anatemuar deputetët e opozitës se ata s’pyesin për qytetarët se kanë viza diplomatike. Po ju po qani me mall, për ato nëna, për ato motra, për ato djem, për ata baballarë që takojnë fëmijët e tyre, se ju se kini të drejtë. Në këtë sallë që nga unë i pari dhe më i vjetri dhe deri tek më i riu, ka vetëm një njeri që edhe kur Shqipëria kishte murin e Berlinit ti “bridhje” lirshëm në të gjithë Europën, prandaj mos qaj shumë.
Sot jemi në një seancë ku kemi tre ngjarje të mëdha. Të treja njëra më e dhimbshme se tjetra. Nëntë nëna, fëmijë, të rinj, humbën jetën në një aksident, ku politika dhe politikanët duhet të reflektojnë, ku politika dhe politikanët duhet të ulin kokën, ku për fat të keq si asnjëherë tjetër, në rastet analoge, të ndodhura këto vitet e fundit, qeveria e ka shpallur ditë zie, një ditë zie e munguar nga qeverisja dhe s’ka asnjë shpjegim se pse. Sot vijmë në këtë seancë dhe ky parlament ka përkujtuar me një minutë heshtje qoftë dhe kur ka ndodhur në një rast, jo në një rast kaq tragjik, një heshtje e munguar. Pse? Së dyti, përsëri shumë e dhimbshme, është hera e parë në 5 vjeçarin e fundit që Komisioni Europian i thotë jo një vendi për statusin e vendit kandidat. Nuk ka vend për eufori, nuk ka vend për lëvdata, nuk ka vend për ngërdheshje. Ka nevojë për reflektim majtas dhe djathtas qofshim ne. Së treti sot qytetarët shqiptarë janë të përmbytur në gjithë Shqipërinë. E pra z. kryeministër, sot nuk është dita juaj që të gëzoni, sot është dita juaj që të reflektoni.
Sot është dita juaj që të reflektoni dhe të thoni shqiptarëve, pse Europa i tha po shqiptarëve dhe jo pushtetarëve. U tha po qytetarëve shqiptarë dhe jo politikanëve. Pse dështoi qeveria juaj në këtë çështje? Pse është hera e parë që refuzohet në të gjitha rastet e vendeve të rajonit për dekada me radhë? Përse është hera e parë që shkaktar për këtë refuzim bëhemi ne parlamentarët e vendit. Ju duhet të jepni shpjegime, ne të gjithë duhet të reflektojmë. Për se na la jashtë Europa, kur na thotë se pozicioni i kryetarit të kuvendit është keqpërdorur. Nga kush, nga opozita, apo nga maxhoranca. Nga ju z. kryeministër. Kjo është jo vërejta e opozitës, është vërejtja e raportit. Ju duhet të jepni përgjigje. Përse parlamenti nuk është një institucion i pavarur siç thotë raporti dhe nga kush është i varur? Nga opozita apo nga ju? Është nga ju. Ju duhet të jepni shpjegime, pse një numër i madh ligjesh, siç thotë raporti, është me cilësi të dobët. Kush i përgatit këto projekt - ligje? Opozita apo ju si kryeministër. Përse thotë raporti përsëri, kuvendi punon nën presion? Nga kush, nga ju apo nga opozita?
Pra refuzimi vazhdon me vërejtjet përkatëse. Përse nuk ftohen, përse nuk dëgjohen grupet e interesit në komisionet e parlamentit dhe në seancat parlamentare? Nga kush nga opozita, apo nga mazhoranca? Edhe sot kemi një ligj që opozita këmbëngul me të madhe që të dëgjohen grupet e interesit, ndërsa mazhoranca i refuzon ato. Kjo është kundërvënia. Ky është mosreflektimi ndaj raportit.
Stafi administrativ është i cunguar, është i politizuar dhe lëviz shpejt. Kush i lëviz këto, opozita apo ju pushtetarët. Vazhdon raporti, rastet e mos respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mbi 30. Kush i ka shkelur ato opozita apo mazhoranca. Kush po na lë jashtë, opozita apo mazhoranca? Më tej raporti vazhdon, politizimi i votës për emërimet e presidentit për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Kush e politizon këtë votë, ne apo ju? Le të vazhdojmë më tej. Kapaciteti për përgatitjen e legjislacionit të ministrave të linjës janë të dobëta. Kush i krijon këto kapacitete minoranca apo mazhoranca? Dalin ministrat këtu njëri pas tjetrit dhe trumbetojnë me të madhe. Një nga dobësitë specifike, thotë raporti, është vëmendja e pa mjaftueshme që i jepet ligjit dhe krimit. Kush duhet ta bëjë këtë, ne apo ju?
Vazhdon më tej raporti me moszbatimin e legjislacionit. Sa herë e kemi ngritur në këtë sallë që ky vend nuk vuan nga ligjet. Por vuan nga moszbatimi i ligjeve. Kush duhet ti zbatojë këto, opozita apo maxhoranca. Për të vazhduar më poshtë që ju e trumbetuat me aq të madhe z. kryeministër, korrupsioni. Korrupsioni në Shqipëri, fjalë për fjalë thotë raporti, është i përhapur dhe është veçanërisht një problem serioz. Prandaj pikërisht për këtë pikë, që jo vetëm nuk duhet ti bini gjoksit, por duhet të mbani kokën ulur që opozita ua ka ngritur dhe ka folur për ngjarjet konkrete dhe për qeveritarë konkretë. Po juve, midis luftës ndaj korrupsionit dhe mbrojtjes së korrupsionit zgjodhët këtë të dytën, u bëtë palë me korrupsionin. E pra këto janë arsyet që ne na lenë jashtë Europës.
Erdhi përfaqësuesi i Europës këtu dhe të tha, kjo është zgjidhja për klasën politike shqiptare, zgjohuni. E ne flasim këtu që të zgjoheni z. kryeministër. Kjo është zgjidhja që ndihmës zv. Sekretari Amerikan thotë, raporti është objektiv dhe kërkohet reflektim. Prandaj dhe ne si opozitë themi, nuk është koha për saze z. kryeministër, as për daulle, as për koncerte, as për vetë lavdërime. Është koha dhe momenti për reflektim dhe reflektimi fillon nga e para, nga kambana, nga zgjidhja e krizës politike. Ofertën e opozitës e ke mbi tavolinë, reflekto. Opozita të ka njehsuar propozimin e saj me rezolutën e Parlamentit Europian, reflekto. Opozita ra dakord me përfaqësuesit e Komisionit Europian që erdhën në Shqipëri, me amendamentin e znj.Pack, që është një përfaqësuese e djathtë e PE, jo e majtë. Por është e djathtë Europiane, jo e djathtë shqiptare, që erdhi këtu për të implementuar rezolutën e PE dhe ju e kontestuat atë. Prandaj dhe kjo është e vërtetë, kërkoni të lexoni, të kuptoni, duhet të reflektoni. Reflektimi fillon nga zgjidhja e krizës politike.
Nëqoftëse flasim për organet e tjera, opozita ka dy vjet, që u ka venë në tryezën tuaj të maxhorancës, në tryezën tuaj si kryeministër një pakt për një reformë të gjithëanëshme, të plotë, të thellë të sistemit të drejtësisë. Urdhëroni ta bëjmë, por kjo fillon nga zgjidhja e krizës politike. E pra z. kryeministër, harrojeni se opozita do të lodhet, që do mërzitet, që do tërhiqet. Populli shqiptar ka një fjalë: kur më gënjyen për herë të parë nuk është faji im që të besoj, është faji jot që më gënjen. Kur më gënjyen për herë të dytë, ke faj edhe ti që më gënjen edhe unë që të besoj. Kur më gënjen për herë të tretë, nuk ke më faj ti që më gënjen, kam faj unë që të besoj. Ne nuk të besojmë ty z. kryeministër për zgjedhje të lira dhe demokratike, duam garanci të plotë që fillon nga hetimi i zgjedhjeve.







