Kultura

Dokumenti i plotë në: Kultura.pdf 

Ku ishim:

214 milionë lekë borxhe. Asnjë inventar i monumenteve të kulturës dhe objekteve të trashëgimisë kulturore. Kryeveprat e trashëgimisë sonë historike dhe kulturore si fototeka Marubi, Muzeu Arkeologjik i Durrësit, kishat dhe ikonat mesjetare, ishin të lëna në harresë dhe degradim.

Ku jemi sot:

U krye inventarizimi i plotë i monumenteve dhe u krijua për herë të parë Lista Kombëtare e Monumenteve të Kulturës.

U restauruan monumente të rëndësishme kulturore si: Banjot Romake në Durrës, hyrja në Kalanë e Gjirokastrës, Kompleksi i sheshit Nënë Tereza, Ura e Goricës, Ura e Velabishtit, Amfiteatri i Durrësit, Kalaja e Lezhës, Varrezat e Rrmajit, etj. U restauruan objekte të kultit si: Kisha e Ristozit në Mborje, Muralja në Kishën e Shën Mërisë, Kisha e Shën Pjetrit në Vithkuq, Kisha e Shën Thanasit në Karavasta, Kisha e Shën Spiridhonit në Dhërmi. U ndërtuan: Muzeu i ri Marubi në Shkodër, Muzeu i ri i Artit Mesjetar në Korçë dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës, si dhe ka filluar ndërtimi i Muzeut të përgjimeve sekrete te Shtëpia e Gjethit. Ndërkohë, po rehabilitohen Parku Arkeologjik i Orikumit dhe Parku Arkeologjik i Amantias.

U hartua për herë të parë kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, me itinerare artistike në art dhe trashëgimi, me institucione publike dhe të pavarura.

4 milionë dollarë investime nga donatorë të ndryshëm për projektimin dhe restaurimin e: Manastirit të Shën Mërisë në Apolloni, Qendrës historike të Gjirokastrës, Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, Xhamisë Mbret në Berat, Xhamisë së Plumbit në Shkodër, si dhe pazareve tradicionale të Krujës, Korçës dhe Tiranës.

Shqipëria u bë për herë të parë pjesëmarrëse e projektit “Creative Europe”, që ka si fokus nxitjen e kreativitetit tek të rinjtë dhe u anëtarësua në rrjetin europian të librit “Traduki”.

250 projekte ku u punësuan 1300 të rinj, u mbështetën financiarisht nga Ministria e Kulturës për projektet artistike të pavarura, kryer për herë të parë me thirrje të hapur.

Rigjallërim i jetës kulturore. U dyfishua numri i shfaqjeve dhe eventeve kulturore; u trefishua numri i spektatorëve dhe vizitorëve në këto aktivitete; u dyfishua numri i vizitorëve në zonat e trashëgimisë kulturore; u rritën me 80% të ardhurat nga biletat e shërbimet.

U dhjetëfishua ritmi i dixhitalizimit të Bibliotekës Kombëtare, falë investimit prej 35 milionë lekë.

U projektuan dhe u hapën kantieret më të mëdha që janë bërë ndonjëherë në art:

  • Restaurimi i Teatrit Migjeni–Shkodër;
  • Rindërtimi i Teatrit A. Z. Çajupi–Korçë;
  • Rindërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit;
  • Ndërtimi i Teatrit të ri në Qendrën Multifunksionale në Tiranë;
  • Projektimi për rijetëzimin e 4 ndërtesave historike në Tiranë (Pallati i Brigadave, Lidhja e Shkrimtarëve, Muzeu Historik, Vila 31);
  • Rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në Tiranë.