Mirëqeverisja dhe Shërbimet ndaj qytetarit

Ku ishim:

Administratë e nëpërkëmbur, e politizuar, e paaftë për të përmbushur detyrimet e saj, me mungesë të plotë kapacitetesh për t’i shërbyer qytetarëve. Institucionet e drejtësisë renditeshin në shkallën më të ulët të besueshmërisë të opinionit publik. Copëtimi i njësive administrative me 373 bashki dhe komuna, përveçse i kushtonte shtrenjtë buxhetit të shtetit, solli shkatërrime të mëdha në territor dhe humbje të aseteve dhe të pasurisë kombëtare të popullit shqiptar.

Ku jemi sot:

Shqipëria në rrugën e bashkimit me familjen e madhe europiane. Brenda vitit të parë të qeverisjes, Shqipëria fitoi statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Reforma në drejtësi, e cila ndodhet tashmë për opinion në Komisionin e Vencias, do të jetë kryereforma e kësaj qeverie, duke rikthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe sundimi i ligjit. Realizimi i suksesshëm i kësaj reforme ka një rëndësi të dyfishtë, pasi në të njëjtën kohë do t’i hapë rrugën edhe çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Në më pak se dy vjet u realizua për herë të parë reforma që i jep drejtim problemit 25-vjeçar të pronave në vendin tonë. Për herë të parë u bë transparenca në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Reforma sjell një formulë të re e realiste. Ajo ka për objektiv trajtimin e pronës, si dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, e cila bazuar në ekspertizën e Këshillit të Europës, krijon një sistem të qëndrueshëm për realizimin 100% të kompensimit të pronarëve. Kjo reformë siguron edhe përfundimin e trajtimit me vendimarrje të rreth 11,000 dosjeve, nëpërmjet një procesi inovativ dhe të shpejtë. Përmes saj pronarët do të mund të përfitojnë për herë të parë një shpërblim të drejtë, brenda një afati të arsyeshëm 10-vjeçar, për çdo zë kadastral toke të vendosur për kompensim.

U krye reforma administrative territoriale, që i dha fund fragmentimit të territorit. Reforma administrative ishte reforma e munguar shtetformuese në 23 vite demokraci. Ajo mori mbështetjen e gjerë të komuniteteve lokale dhe të politikës, si dhe mbështetjen absolute të partnerëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Struktura e re administrative – territoriale shërben si themel për ofrimin e shërbimeve publike vendore cilësore.

Falë reformës administrative territoriale, u sigurua përfaqësimi 50 me 50 përqind i grave dhe vajzave në Këshillat Bashkiakë.

U reformua rrënjësisht shërbimi civil i administratës publike, duke mundësuar rekrutimin në bazë të meritës, ku kandidatët fitues kanë të drejtë të përzgjedhin institucionin ku do të shërbejnë. Për të rritur kapacitetet në Administratën Civile, u krye për herë të parë çertifikimi i 6,370 punonjësve dhe trajnimi i rreth 5,000 nëpunësve në qeverisjen qendrore dhe vendore. Procesi transparent dhe meritokratik i rekrutimit në administratën publike, u evidentua ndër arritjet kryesore në Raportin e Komisionit Europian në Nëntor 2015.

Reformë modernizuese në shërbime. Qendra e ofrimit të shërbimeve publike të integruara (ADISA), do të ofrojë të gjitha shërbimet publike në një sportel të vetëm për shërbim të shpejtë dhe efikas ndaj qytetarëve. 1,300 shërbime janë standardizuar dhe modernizuar, duke u ofruar sipas standardeve të BE nga ADISA. Ky model i ri ka transformuar shërbimin në Hipotekën e Tiranës, dhe brenda vitit që vjen do të shtrihet në 130 sportele të reja. Ndarja e sporteleve, ku ofrohet shërbimi nga institucionet që e prodhojnë shërbimin, këput fijet e korrupsionit dhe i jep fund zvarritjeve burokratike. Falë kësaj reforme do të arrihet shpejt që çdo shkresë, që qytetarit i duhet dhe që e lëshon shteti, vetë shteti ta bëjë gati për qytetarin, duke i kursyer atij kohë në sorrollatjet nga një zyrë në tjetrën.

Brenda vitit 2020, qytetarët do të marrin të gjitha shërbimet publike përmes aplikacioneve në telefonat e tyre celularë.

U krijua modeli i “Zyrës me një ndalesë” (One Stop Shop) për shërbimet në nivel lokal , i cili po aplikohet si projekt pilot në bashkinë e re të Durrësit dhe Elbasanit. Duke filluar nga viti 2016, ky model do të aplikohet në të gjitha bashkitë.

Procesi i dixhitalizimit në televizionin publik garanton transmetimin pa pagesë për publikun.

U miratua ligji nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”, me qëllim rritjen e transparencës së veprimtarisë administrative ndaj qytetarëve, duke rregulluar të drejtën e njohjes me informacionin e mbajtur nga autoritetet publike, duke nxitur kështu integritet, transparencë dhe përgjegjshmëri tek autoriteteve publike.