Regullore

Regullore

Partia Socialiste e Shqipërisë (këtu e më poshtë referuar ‘PSSH’ ose ‘ne’) është një organizatë politike e pavarur dhe e hapur që bashkon mbi baza vullnetare shtetas shqiptarë brenda e jashtë atdheut, si dhe shtetas të huaj me banim në Shqipëri të cilët shprehin vullnetin për të aderuar në rradhët e saj.

PSSH ndjek objektiva politikë në përputhje me Programin dhe Statutin e saj përmes të cilëve synon:

  • Mbrojtjen dhe promovimin e vlerave e të interesave kombëtare, të parimeve të socialdemokracisë moderne dhe të konsolidimit të shtetit të së drejtës;
  • Mbështetjen dhe zhvillimin e pronës private si bazë e ekonomisë së tregut, shprehje e iniciativës së lirë të çdo individi, faktor kryesor për progresin ekonomik të vendit dhe të mirëqënies individuale;
  • Mbështetjen e modernizimit të ekonomisë kombëtare, krijimin e një administrate publike qendrore dhe vendore të efektshme në shërbim të qytetarëve dhe konkretizimin e rolit të shtetit si forcë ekuilibruese në shoqëri;
  • Përgatitjen dhe mbështetjen e programeve të cilat sigurojnë realizimin e reformës ekonomike dhe sociale, të barazisë sociale të shprehur përmes barazisë së shanseve për të gjithë shtetasit dhe promovimit e afirmimit të vlerave njerëzore;
  • Përgatitjen dhe mbështetjen e programeve të mbrojtjes sociale për kategoritë shoqërore të pambrojtura dhe promovimin e solidaritetit njerëzor;
  • Promovimin e zhvillimit të arsimit, shkencës, kulturës, sporteve dhe të lirisë e harmonisë së besimeve fetare e të traditave të tyre, si kushte për progresin e përgjithshëm të vendit dhe pasurimin e vlerave shpirtërore të individit dhe të shoqërisë;
  • Promovimin e programeve dhe të aktiviteteve që formojnë dhe afirmojnë vlerat dhe potencialet e të rinjve dhe të rejave;
  • Promovimin e programeve dhe aktiviteteve që afirmojnë vlerat e gruas dhe krijimin e shanseve të barabarta për përfaqësimin e tyre ;
  • Mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të individit, respektimin e të drejtave themelore të individëve që u përkasin pakicave kombëtare apo grupeve të ndryshme shoqërore larg çdo lloj ekstremizmi, racizmi apo diskriminimi;
  • Mbështetjen e strategjisë së integrimit të plotë e përfundimtar të Shqipërisë në strukturat euroatlantike;

PSSH e konsideron mbrojtjen e privatësisë dhe të të dhënave tuaja personale si çështje të një rëndësie të veçantë, ndaj është e përkushtuar të zbatojë rigorozisht të gjithë kuadrin ligjor në mbrojtje dhe respektim të tyre, ashtu siç edhe përcaktohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Ligji Nr 9887 datë 10.03.2008 ‘Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale’, Ligji nr 9918 datë 19.05.2008 ‘Për Komunikimet Elektronike dhe Postare’, si dhe aktet e tjera nënligjore në plotësim.

Njëkohësisht, PSSH është e ndërgjegjëshme që përkrahësit e saj kanë nevojë të kenë informacion se si trajtohen të dhënat e tyre personale. Ndaj dhe objekti i kësaj deklarate është për t’ju informuar se si Partia Socialiste e Shqipërisë administron të dhënat tuaja personale.

ÇFARË TË DHËNASH PËRPUNON PSSH?

PSSH përpunon të dhënat personale të mbështetësve, përkrahësve si dhe anëtarëve të saj, që përfshijnë emër, mbiemër, adresë e-mail-i, vendlindje, datëlindje, gjini, numër telefoni fiks, numër celulari dhe çfarëdo lloj të dhëne tjetër kontakti.

QËLLIMI DHE MËNYRA E PËRDORIMIT TË INFORMACIONEVE TUAJA

PSSH i mbledh këto të dhëna me qëllim mbështetjen e PSSH, dhënien e kontributit vullnetar, si dhe për të kontaktuar me PSSH.

Këto të dhëna na japin mundësinë që të komunikojmë dhe të zhvillojmë më tej qëllimet dhe objektivat tona.

Ndaje me miqtë: