Rendi dhe Siguria

Dokumenti i plote ne : Rendi dhe Siguria.pdf

Ku ishim:

Në vitin 2013, Policia Shqiptare renditej një ndër tre institucionet më të korruptuara. Ky institucion kishte punonjësit me pagën më të ulët dhe moshën më të lartë në rajon; ishte policia më e paarsimuar e rajonit. Shefat politikë dekonspironin aksionet dhe policët ndjeheshin të tradhëtuar. “Republika e Lazaratit” lulëzonte nga kultivimi i drogës, nën mbrojtjen politike të Kryeministrit Berisha. Shqipëria renditej në “Listën e zezë” të Departamentit Amerikan të Shtetit. Magazinat e emergjencave civile ishin të boshatisura për rastet e fatkeqësive natyrore. Kur Lulzim Basha ishte Ministër i Punëve të Brendshme, niveli i kriminalitetit arriti rekordet negative historike.

Ku jemi sot:

Në 8 vitet e qeverisjes së kaluar, pagat e policisë ishin ulur dy herë dhe për më shumë se dy vite punonjësit nuk merrnin shpërblimet për orët jashtë orarit. Forcat speciale shkonin në aksione kundër kriminelëve, të pasiguruar për jetën. Në dy vjet rritëm me 25% pagat e të gjithë policëve të nivelit bazë, shlyem të gjitha detyrimet e prapambetura financiare dhe ofruam shërbim shëndetësor, si dhe siguracion falas për jetën e punonjësve të forcave speciale. Çdo polici i garantohet marrja e kredisë së butë për strehim, shpërblimet, pensioni suplementar dhe kompensimi për privacionet e shkaktuara gjatë detyrës.

Ndërkohë që deri në vitin 2013 policia arrinte të asgjësonte vetëm 7.5% të sipërfaqes së mbjellë me kanabis, gjatë dy viteve të fundit janë shkatërruar 99.2% e kësaj sipërfaqeje. Vetëm në 2015 u asgjësuan 46% më shumë rrënjë bimësh narkotike sesa në 8 vitet e qeverisjes Berisha të marra së bashku. Lazarati u hoq nga harta e narkotrafikut. Gjatë këtyre dy viteve janë sekuestruar më shumë heroinë dhe kokainë se kurrë më parë në këto 25 vite.

Në dy vjet u përgjysmua numri i vrasjeve dhe u arrestuan 46% më shumë keqbërës në flagrancë.

Janë sekuestruar mbi 55 milionë dollarë pasuri kriminale, ose 50 herë më shumë sesa 8 vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike të marra së bashku.

Deri në vitin 2013, mesatarisht çdo ditë shënohej një jetë e humbur si pasojë e aksidenteve rrugore. Në dy vjet ulëm numrin e aksidenteve në minimumin historik të 20 viteve të fundit.

Në 2014-ën, Shqipëria doli nga “Lista e zezë” e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore. U hartua Strategjia Kombëtare antitrafik. Për herë të parë po mundësohet rehabilitimi real i viktimave të trafikut njerëzor nëpërmjet punësimit, shërbimit shëndetësor e kartave shëndetësore falas.

Nga një prej institucioneve më të korruptuara, sipas “Transparency International”.

Në dy vjet hapëm zyrat e shërbimit për qytetarët në çdo drejtori dhe komisariat. Në të gjithë vendin 1,200 shërbime në ditë për qytetarët.

Për herë të parë në historinë e policisë u krijua komisariati dixhital, aplikacioni me mbi 60,000 shkarkime, ku në 5 muaj kemi marrë 30 mijë raportime, ose 200 të tilla në ditë.

Gjatë 8 viteve të qeverisjes së kaluar, pjesa më e madhe e punonjësve të policisë punonin nga zyrat, duke lënë jashtë kontrollit territore të tëra ku mbizotëroi kriminaliteti. Shqipëria kishte dy herë më pak policë për banorë sesa mesatarja europiane. Pas vitit 2013, policia u afrua tek qytetari. Nga 1,083 policë të rinj që u rekrutuan, gjysma ishin femra.

Investuam 3.7 milionë dollarë për blerjen e automjeteve të reja për Policinë e Shtetit, të cilat zëvendësuan makinat dhe furgonët e amortizuar të policisë, duke rritur efikasitetin në luftën kundër krimit.

Vetëm në vitin 2014 investimet u dyfishuan në raport me vitin 2012.
Janë ndërtuar 14 zyra të reja në shërbim të qytetarëve, si dhe komisariati i ndërhyrjes së shpejtë. Është rikonstruktuar reparti RENEA, dhe trupat policore në terren janë pajisur me mjete të reja komunikimi dhe kompjuterike, kamera në trup dhe në makinat e policisë.

U shlye borxhi i akumuluar që nga viti 2008 për shpërblimin e 120 mijë fëmijëve të sapolindur, prej afërsisht 6 milionë dollarë.

U dëmshpërblyen 970 familje të dëmtuara nga përmbytjet e viteve 1998-2013 në verilindje të Shqipërisë 5.34 milionë dollarë.

Arka e emergjencave civile ishte boshatisur për shkak të financimit të fushatës elektorale të Partisë Demokratike. U rimbush arka; u përgatit ligji “Për Mbrojtjen Civile”; u rikthyen në efiçencë të plotë strukturat e emergjencave civile, të cilat kanë dëshmuar gatishmëri në kohë reale për çdo rast emergjence.

Është rritur me 13% numri i punonjësve të policisë me arsim të lartë; ky numër do të rritet çdo vit. Ndërkohë që kanë nisur trajnimet dhe testimet fizike, profesionale e periodike, të cilat mungonin prej dekadash. U ngrit Akademia e Sigurisë për një nivel europian edukimi profesional të forcave policore.