Projekt -Statuti i FRESSH

STATUTI
I FORUMIT TE RINISE EUROSOCIALISTE TE SHQIPERISE

(PROJEKT)

 

 

PJESA E PARE
PARIMET DHE DOKUMENTET THEMELORE
TE FORUMIT TE RINISE EUROSOCIALISTE TE SHQIPERISE

PARIMET THEMELORE

Neni 1
Forumi i Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë

1. FRESSH është organizëm politik i pavarur dhe i hapur i cili është pjesë e strukturave të Partisë Socialiste.
2. FRESSH organizon mbi baza vullnetare shtetas të Republikës së Shqipërisë, brenda e jashtë vendit, të rinj e të reja të moshës nga 14 deri 30 vjeç.

Neni 2
Emri dhe programi

1. Organizata, veprimtaria e të cilës rregullohet me këtë Statut, quhet Forumi i Rinisë Eurosocialiste të Shqipërisë, me gërma nistore “FRESSH”.
2. Programi Politik shpreh vlerat themelore të FRESSH.
3. Programi dhe veprimtaria e FRESSH konvergojnë në përmbajtje me Programin, Statutin dhe veprimtarinë e Partisë Socialiste.

Neni 3
Simboli, stema, flamuri i FRESSH

1. Simboli i FRESSH paraqet një grusht të mbledhur, i cili mban një trëndafil të kuq. Simboli vendoset në vulën, stemën dhe flamurin e FRESSH.
2. Stema e FRESSH është në formë rrethi, në qendër vendoset simboli i FRESSH, ndërsa anash tij është shkruar me gërma kapitale të bardha FORUMI I RINISE EUROSOCIALISTE TE SHQIPERISE 1991 (Aneksi 1).
3. Flamuri i FRESSH është me ngjyrën e flamurit tw PSSH dhe me stemën e FRESSH në mes.
4. Të drejtën e përdorimit të stemës së FRESSH e kanë vetëm strukturat përfaqësuese të FRESSH në nivel qëndror e vendor.
5. Në çdo organizim publik të organizuar në emër të FRESSH është i detyrueshëm përdorimi i flamurit dhe simboleve të tij.

Neni 4
Regjistrimi anëtarësisë në FRESSH

1. Në FRESSH, Regjistri Kombëtar i Anëtarësisë pasqyron anëtarësinë e organizatës. Regjistri përmban listën e anëtarëve të FRESSH dhe të dhëna të tjera të nevojshme.
2. Lista e anëtarësisë verifikohet çdo vit.
4. Mënyra e mbajtjes së regjistrit, përditësimi, përdorimi nga strukturat e FRESSH dhe ruajtja e të dhënave personale të anëtarëve të FRESSH përcaktohen në një rregullore të posaçmem, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e FRESSH.

 

PJESA E DYTE

ANETARESIA DHE RREGULLAT E ANETARESIMIT

Neni 5
E drejta e anëtarësisë

1. Anëtarësia në FRESSH është vullnetare.
2. Anëtar/e i FRESSH mund të jetë çdo shtetas/e i Republikës së Shqipërisë pa dallim race, gjinie, gjuhe, kombësie, besimi fetar, etnie, gjendjeje ekonomike, pozite shoqërore, arsimimi, orientimi seksual dhe identiteti gjinor, aftësie të kufizuar që jeton brenda ose jashtë vendit, si dhe çdo shtetas i huaj me banim në Shqipëri, i cili:
• Eshtë nga grup mosha 14 deri 30 vjeç.
• Pranon Programin Politik dhe Statutin e FRESSH.
• Nuk është anëtar i ndonjë organizmi tjetër politik

Neni 6
Pranimi në FRESSH

1. Pranimi anëtarit/es i FRESSH bëhet individualisht. Kandidati/ja për anëtar/e të FRESSH plotëson formularin e anëtarësimit në FRESSH. Data e dorëzimit të formularit është data e pranimit të tij/saj në FRESSH dhe PSSH.
2. Modalitetet për pajisjen me formular anëtarësimi, administrimi i tyre pas plotësimit, regjistrimi i anëtarit/es të FRESSH dhe hartimi i listave e regjistrave të anëtarësisë në proçeset e zgjedhjeve në parti përcaktohen me rregullore të veçantë të Asamblesë Kombëtare të FRESSH.
3. Mbledhja, përpunimi, përdorimi i të dhënave personale për qëllime të ndryshme të FRESSH bëhet sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 7
Të drejtat e anëtarit të FRESSH

1. Anëtarët e FRESSH janë të barabartë pavarësisht funksioneve që mbajnë, gjendjes ekonomike e pozicionit shoqëror jashtë tij.
2. Anëtari/ja i FRESSH ka të drejtë:
• Të marrë pjesë në veprimtaritë e FRESSH.
• Të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet drejtuese të FRESSH
• Të njihet me veprimtarinë politike të forumit.
• Të jetë i/e pranishëm/e në organizatën e FRESSH kur diskutohen vërejtjet e propozimet që ai/ajo ka bërë
• Të ankohet në organet drejtuese të PSSH ose në Komisionin e Garancive Statutore dhe Etikës kur nuk është dakord me qëndrimin e mbajtur ndaj tij/saj nga ana e strukturave të FRESSH.
• Të largohet nga FRESSH me dëshirën e tij/saj dhe pa detyrim për të dhënë shpjegime.

Neni 8
Detyrat e anëtarit të FRESSH

Anëtari i FRESSH ka për detyrë:
• Të bëjë pjesë në një organizatë të FRESSH.
• Të pranojë Programin, Statutin e FRESSH.
• Të pranojë mendimin ndryshe dhe të shprehë lirisht mendimet e veta në forumet e FRESSH.
• Të respektojë vendimin e shumicës, vendimet e organeve më të larta të FRESSH dhe t’i zbatojë ato.
• Të respektojë rregullat e etikës në FRESSH
• Të punojë për rritjen e ndikimit të FRESSH në komunitet dhe shtimin e tij me anëtarë të rinj.
• Të marrë pjesë dhe të kryejë detyra konkrete në fushatat zgjedhore për pushtetin vendor e qendror.
• Të parashtrojë në FRESSH dhe Partinë Socialiste mendimet e propozimet e komunitetit për çdo çështje me interes të përbashkët.

Neni 9
Ndërprerja e përkohshme dhe e përhershme e anëtarësisë

1. Ndërprerja e anëtarësisë në FRESSH mund të jetë e përkohshme ose e përhershme.
2. Ndërprerja e përkohshme e anëtarësisë bëhet kur anëtari i FRESSH:
• Punësohet në sektorë në të cilët pjesëmarrja në organizime politike ndalohet me ligj.
• Merret vendim nga strukturat e FRESSH
Në secilin rast, OF bën heqjen e përkohshme nga lista të anëtarit të FRESSH. Nëse kushtet ndryshojnë, OF me kërkesën e të interesuarit bën përfshirjen e tij në listën e anëtarësisë.
3. Ndërprerja e përhershme e anëtarësisë bëhet kur anëtari i FRESSH:
• Largohet me vullnetin dhe kërkesën e tij.
• Dënohet me vendim penal të formës së prerë të organeve gjyqësore.
• Anëtari është mbi moshën 30 vjeç.
• Ndërron jetë.
Në secilin rast anëtari i FRESSH çregjistrohet nga regjistri i FRESSH.

Neni 10
Përkrahësi i FRESSH

1. Anëtari i FRESSH mund të mos jetë anëtar i PSSH. Ai në këtë rast është “Përkrahës” i FRESSH dhe PSSH.
2. Përkrahës i FRESSH është çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë si edhe çdo shtetas i huaj me banim në Shqipëri që pranon dhe mbështet programin dhe veprimtarinë politike të tij.
3. Përkrahësit i FRESSH pajiset me kartën “Përkrahës i FRESSH”. Kartën e “Përkrahësit të FRESSH” e jep kryetari i FRESSH të bashkisë, sipas kërkesës së të interesuarit dhe rekomandimit të OF.

RREGULLAT ETIKE TE FRESSH

Neni 11
Qëllimi i rregullave të etikës

1. Rregullat e etikës në FRESSH bazohen në diskutimin e mendimeve për alternativat e vendimarrjes. Pas votimit të vendimit, zbatohet vullneti i shumicës.
2. Rregullat e etikës garantojnë që anëtarët dhe drejtuesit e FRESSH të zbatojnë Statutin dhe rregullat e FRESSH.

Neni 12
Masat për shkeljet organizative

1. Masat organizative që merren ndaj anëtarit të FRESSH janë për këto arsye:
• Mungon pa arsye për më shumë se 6 muaj në mbledhjen e OF
• Shkel vendimet e forumeve dhe cënon rëndë etikën e sjelljes
• Kandidon për forcat e tjera politike ose kontribuon në favor të tyre në fushatat zgjedhore
• Deklaron publikisht qëndrimin kundër kandidadit përfaqësues të PS në fushatën zgjedhore.
• Anëtarësohet në parti të tjera politike shqiptare, brënda ose jashtë Republikës së Shqiperisë.
• Nuk merr pjesë në votime elektorale pa arsye të përligjura.

2. Masat organizative janë:
• Vërejtje me shkrim.
• Heqje e të drejtës së votimit në proçeset zgjedhore në FRESSH deri në 3 muaj.
• Pezullim prej ushtrimit të funksioneve për 6 muaj.
• Shkarkim nga organet e zgjedhura të forumit.
• Heqje e mbështetjes politike për cdo mandat përfaqësues.
• Përjashtim/çregjistrim nga FRESSH.

3. Vendimin për masën organizative ndaj anëtarit të FRESSH që ka kryer shkeljet e merret nga:
• Organizata e FRESSH përkatëse.
• Kryesia e FRESSH e bashkisë.
• Kryesia Kombëtare e FRESSH.

 

PJESA E TRETE
ORGANIZIMI I FRESSH

 

STRUKTURAT E FRESSH NË NIVEL VENDOR

Neni 13
Organizata FRESSH

1. Organizata FRESSH është njësia bazë organizative dhe elektorale e FRESSH.
2. Organizata FRESSH formohet nga jo më pak se 5 anëtarë të FRESSH
4. Organizata FRESSH ngrihet pranë organizatës së PSSH për cdo qendër votimi.
5. Organizata FRESSH mblidhet sipas problemeve që ka për shqyrtim ose atyre që i rekomandohen nga forumet më të larta të FRESSH. Organizata e FRESSH mblidhet me kërkesë të kryetarit/es të saj, 1/3 së anëtarëve, Kryetarit të FRESSH të njësisë administrative dhe kryetarit të FRESSH të bashkisë përkatëse.
6. Organizata FRESSH mblidhet të paktën një herë në 3 muaj.
7. Organizata FRESSH e zhvillon mbledhjen zgjedhore, si rregull, pas çdo fushate për zgjedhjet e përgjithëshme dhe vendore, por në çdo rast duke respektuar një periudhë jo më të gjatë se dy vjet.
8. Veprimtaria e organizatës FRESSH drejtohet nga kryetari. Kryetari i organizatës së FRESSH është kordinatori i FRESSH në organizatën e PSSH pranë cdo qëndre votimi

Neni 14
Detyrat kryesore të organizatës FRESSH

1. Organizata FRESSH kryen këto detyra:
• Ndjek e zbaton politikën e FRESSH dhe zgjeron ndikimin e saj në komunitetin ku vepron dhe në territorin e qendrës së votimit që mbulon.
• Mbron interesat e anëtarëve, përkrahësve, votuesve dhe të çdo individi ose grupimi shoqëror, kur e vlerëson të drejtë.
• Respekton mendimin e çdo individi, brënda dhe jashtë rradhëve të saj, në marrëdhëniet me të.
• Mban qëndrim dhe propozon masa disiplinore ndaj çdo anëtari të saj që kryen shkelje të parashikuara në Statutin e FRESSH.
• Diskuton dhe jep mendime për Programin dhe Statutin e FRESSH
• Organizon dhe mban përgjegjësi për ecurinë dhe rezultatin e fushates zgjedhore në territorin e qendrës së votimit që mbulon, veçanërisht për votuesit për herë të pare.
• Krijon aktivin elektoral në territorin e qendrës së votimit që mbulon dhe mban e zhvillon lidhjet me studentët dhe të rinjtë që votojnë në qendrën e votimit që mbulon.
• Propozon nga anëtarësia e FRESSH e bashkisë dhe e njësisë administrative kandidatët për kryetar të FRESSH të bashkisë dhe kandidatët për delegatë të Kongresit të FRESSH.
• Propozon përfaqësuesit e FRESSH për të kandiduar në zgjedhjet vendore
• Siguron pjesëmarrjen e anëtarëve të FRESSH në proçeset zgjedhore sipas parimit një anëtar një vote.

Neni 15
Zgjedhja e kryetarit të organizatës FRESSH

1. Kryetari/ja e organizatës të FRESSH zgjidhet nga mbledhja e anëtarëve të organizatës FRESSH me votim të fshehtë dhe me kandidatura alternative. Kandidatura për kryetar/e të organizatës, si rregull, duhet të jetë të paktën 6 muaj anëtar i FRESSH.
2. Mandati i kryetarit të organizatës FRESSH është 4 vjet. Mandati ndërpritet në mënyrë të parakohshme nëse jep dorëheqjen ose humbet besimin e anëtarëve të organizatës së FRESSH dhe shkarkohet prej tyre

Neni 16
Asambleja e FRESSH të Njësisë Administrative

1. Asambleja e FRESSH e Njësisë Administrative është strukturë koordinuese e organizimit dhe veprimtarisë së FRESSH në njësinë përkatëse administrative.
2. Asambleja e FRESSH e njësisë administrative përbëhet nga:
• Kryetarët e organizatave të FRESSH të njësisë administrative,
• Delegatët e Kongresit të FRESSH
• Këshilltarët e FRESSH të bashkisë të asaj njësie,
3. Kryetari/ja e Asamblesë së FRESSH të Njësisë Administrative zgjidhet nga përbërja e anëtarëve të tij. Kandidaturat e propozuara për kryetar duhet të kenë të paktën 1 vit si anëtar i/e FRESSH.
4. Asambleja e FRESSH e Njësisë Administrative, si rregull, mblidhet një herë në 6 muaj, me kërkesë të kryetarit të Asamblesë të FRESSH të njësisë administrative, të kryetarit të FRESSH të Bashkisë ose të deleguarit të organeve qëndrore të FRESSH.

Neni 17

Asambleja e FRESSH të Njësisë Administrative kryen këto detyra:
• Koordinon veprimtarinë e të organizatave FRESSH në njësinë administrative
• Koordinon punën e FRESSH në njësinë administrative për përgatitjen dhe ecurinë e fushatave elektorale
• Propozon kandidatura për këshilltar në përfaqësimin e PSSH në këshillin e bashkisë.
• Propozon kandidatura për delegatë të Kongresit të FRESSH.
• Merr masa teknike e organizative sipas kërkesave të Kodit të Zgjedhjeve në FRESSH për proçesin e zgjedhjeve sipas parimit një anëtar një votë.
• Mbledh të dhënat për regjistrin e anëtarësisë së FRESSH të njësisë administrative.

Neni 17
Kryetari i Asamblesë të FRESSH të Njësisë Administrative

Kryetari/ja i Asamblesë të FRESSH i/e Njësisë Administrative ushtron këto detyra e funksione:
• Koordinon punën e Asamblesë së FRESSH të njësisë administrative.
• Informon dhe raporton në forumet e FRESSH të Bashkisë.
• Përgatit dhe drejton mbledhjen e Këshillit FRESSH të njësisë administrative.
• Ndjek pranimet e reja në organizatat FRESSH.
• Eshtë përgjegjës për organizimin elektoral të FRESSH në Njësinë Administrative

Neni 18
Asambleja e FRESSH të Bashkisë

1. Asambleja FRESSH e bashkisë është organi më i lartë vendimarrës i FRESSH në Bashki.
2. Në përbërje të Asamblesë FRESSH të Bashkisë bëjnë pjesë Kryetarët e organizatave të FRESSH në Bashki, delegatët e Kongresit të FRESSH të Bashkisë, kryetarët e Asambleve të FRESSH të Njësive Administrative, dhe këshilltarët eurosocialistë të Bashkisë.
3. Asambleja FRESSH e bashkisë mblidhet si rregull një herë në 6 muaj nga kryetari i FRESSH i Bashkisë. Ajo thirret edhe me kërkesë të 1/3 së anëtarëve të saj dhe kur çmohet e nevojshme thirret edhe nga i deleguari i caktuar nga forumet qendrore të FRESSH.
4. Asambleja e FRESSH e Bashkisë zgjedh me votim të fshehtë Kryetarin, dy nënkryetarë dhe Kryesinë. Numri i anëtarëve të Kryesisë përcaktohet nga Asambleja e FRESSH e bashkisë. Një nga nënkryetarët duhet të jetë gjimnazist.
5. Organizimi i Asamblesë FRESSH të Bashkisë së Tiranës rregullohet me një udhëzim të veçantë të Asamblesë Kombëtare të FRESSH.

Neni 19
Detyrat e Asamblesë FRESSH të Bashkisë

Asambleja e FRESSH të Bashkisë ka këto detyra kryesore:
• Drejton, udhëzon dhe kontrollon veprimtarinë e organizatave e FRESSH në bashki dhe mban lidhjet me organet drejtuese të FRESSH.
• Punon e përgjigjet për zbatimin e Programit dhe Statutit të FRESSH si dhe të vendimeve të forumeve qëndrore të FRESSH.
• Bashkërendon veprimtarinë politike, organizative e elektorale të Asambleve të FRESSH të Njësive Administrative në përbërje të Bashkisë.
• Organizon e drejton punën e strukturave të FRESSH për përgatitjen e menaxhimin e fushatave elektorale për pushtetin vendor e qendror në territorin e bashkisë, siguron angazhimin e anëtarëve të saj me detyra elektorale dhe përgjigjet për rezultatin elektoral.
• Organizon veprimin politik të FRESSH dhe të përfaqësuesve të saj në qeverisjen vendore me përfaqësuesit e PSSH në pushtetin vendor dhe çështje të tjera me interes për komunitetin.
• Propozon kandidatura për këshilltarë në Këshillin e Bashkisë.
• Administron dhe përgjigjet për dokumentacionin e FRESSH të antarësisë së FRESSH të Bashkisë.
• Merr masat organizative e teknike sipas kërkesave të Kodit të Zgjedhjeve në PSSH për proçesin e zgjedhjeve sipas parimit një anëtar një votë dhe menaxhon mbarëvajtjen e proçesit.

Neni 20
Kryetari i FRESSH i Bashkisë

1. Kryetari i FRESSH i Bashkisë zgjidhet me votim të fshehtë nga Asambleja e FRESSH të Bashkisë. Kandidatët për kryetar/e të FRESSH të Bashkisë duhet të jenë anëtarë të FRESSH prej një periudhe jo më pak se dy vjet.
2. Kryetari i FRESSH i Bashkisë ka këto detyra kryesore:
• Përgatit e drejton mbledhjen e Asamblesë të FRESSH të Bashkisë dhe mban lidhjet me organet e larta të FRESSH.
• Drejton e koordinon veprimtarinë politike e organizative të Asamblesë të FRESSH të Bashkisë, ndjek veprimtarinë e përditëshme të Asambleve të FRESSH të Njësive Administrative dhe të organizatave të FRESSH.
• Drejton organizimin e strukturave të FRESSH në bashki në fushatat elektorale dhe përgjigjet për rezultatin elektoral në nivel bashkie.
• U rekomandon organizatave të FRESSH zëvendësimin e drejtuesve të tyre për arsye të dobësive të theksuara në punë ose arsye të tjera të argumentuara.
• Ndjek pranimet e reja në organizatat e FRESSH.
• Administron dhe përgjigjet për dokumentacionin e strukturave të FRESSH
• Raporton për veprimtarinë e tij në Asamblenë e FRESSH të bashkisë dhe në strukturat e FRESSH në nivel qendror.
• Përfaqëson FRESSH në marrëdhëniet me forcat e tjera politike e shoqërinë civile në bashki në shërbim të komunitetit.
• Mandati i Kryetarit të FRESSH, si rregull, është katër vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:
Jep dorëheqjen.
Nuk fiton votëbesimin e zhvilluar për të.
3. Kryetari i FRESSH i Bashkisë është anëtar i Asamblesë Kombëtare të FRESSH

 

ORGANET DREJTUESE QENDRORE

Neni 21
Strukturat kombëtare drejtuese të FRESSH

Organet drejtuese të FRESSH janë:

1. Kongresi i FRESSH
2. Asambleja Kombëtare e FRESSH
3. Kryesia e FRESSH
4. Kryetari i FRESSH

Neni 22
Kongresi i FRESSH

1. Kongresi është organi më i lartë vendimmarrës i FRESSH. Kongresi, përveç atij zgjedhor, si rregull, mblidhet një herë dy vjet. Mbledhja e Kongresit dhe rendi i ditës lajmërohen jo më vonë se 30 ditë më parë nga data e mbajtjes së tij. Data dhe rendi i ditës së Kongresit përcaktohen nga Asambleja Kombëtare e FRESSH.
2. Kongresi Zgjedhor mblidhet një herë në katër vjet kur përfundon mandatin e tij. Ai mund të mblidhet jashtë rradhe me kërkesë të Asamblesë Kombëtare, me kërkesë të jo më pak se 1/3 së delegatëve të Kongresit.
3. Kongresi i Jashtëzakonshëm thirret me vendim të Asamblesë Kombëtare të FRESSH, jo më vonë se një muaj nga data e marrjes së vendimit.

Neni 23
Delegatët e Kongresit të FRESSH

1. Delegatët e Kongresit të FRESSH përbëhen nga delegatët e zgjedhur nga anëtarësia dhe delegatët ex officio. Numri i delegatëve të Kongresit të zgjedhur nga anëtarësia duhet të jetë më i madh se numri i delegatëve që janë të tillë për shkak të statusit të tyre (ex officio).
2. Delegatët e zgjedhur votohen nga anëtarësia e partisë, sipas parimit një anëtar një votë dhe bazuar në normën e përfaqësimit të miratuar nga Asambleja Kombëtare për çdo njësi administrative. Lista e kandidatëve për t’u votuar dhe lista e fituesve si delegatë duhet të sigurojë një përfaqësim të barbartë prej 50% për të dy gjinitë.
3. Delegatët e Kongresit ex-officio janë : Kryetari i FRESSH, anëtarët e Asamblesë Kombëtare të FRESSH, kryetarët e Asambleve të FRESSH të Njësive Administrative dhe këshilltarët eurosocialistë të bashkive.
5. Delegatë të zgjedhur mund të jenë anëtarët e FRESSH, të cilët:
• Janë banorë në territorin e organizatës të FRESSH ku zgjidhen.
• Janë anëtarë të FRESSH prej jo më pak se 6 muaj para datës së zgjedhjes.
• Nuk janë të dënuar me vendim penal të formës së prerë të organeve gjyqësore me heqje të lirisë.
6. Mandati i delegatit të Kongresit është katër vjet. Mandati i delegatit ndërpritet para kohe kur jep dorëheqjen, çrregjistrohet ose largohet nga FRESSH.

Neni 24
Kompetencat e Kongresit të FRESSH

1. Kongresi miraton Programin dhe Statutin e FRESSH dhe bën ndryshime e përmirësime në to si dhe miraton rezoluta e dokumenta të tjera që çmohen prej tij.
2. Kongresi analizon veprimtarinë e FRESSH gjatë periudhës ndërmjet dy kongreseve dhe përcakton objektivat kryesore për të ardhmen.
3. Kongresi zgjedh Kryetarin e FRESSH me votim të fshehtë. Përfaqësia e Kongresit administron kandidaturat për Kryetar të FRESSH, shoqëruar me platformat për drejtimin e FRESSH.
4. Përfaqësia është organ i Kongresit që merret me administrimin e mbarëvajtjes së Kongresit. Ajo përbëhet nga delegatët e Kongresit dhe drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm. Përfaqësia mblidhet të paktën një javë para Kongresit për përcaktimin e proçedurës së punës së Kongresit, drejtimin e punimeve të tij, proçedurën e paraqitjes së dokumentave dhe kandidaturave që do tʼi paraqiten Kongresit dhe organizimin e punës. Përfaqësia mblidhet gjatë punimeve të Kongresit sa herë që çmohet e nevojshme për funksionimin e punimeve të Kongresit. Asambleja Kombëtare miraton normën përkatëse për zgjedhjen e përfaqësisë nga delegatët e qarqeve, numrin e kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare për çdo qark si dhe rregulloren e punës së përfaqësisë.
5. Votimi prej delegatëve të Kongresit i raporteve, rezolutave dhe dokumenteve të tjera bëhet i hapur, duke ngritur dorën ose duke ngritur mandatin.

Neni 25
Kryetari i FRESSH

1. Kryetari i FRESSH është drejtuesi më i lartë politik i FRESSH.
2. Kryetari i FRESSH ka këto kompetenca kryesore:
• Është përgjegjës kryesor për drejtimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë së përditshme të FRESSH në zbatim të Programit, të linjës politike të miratuar nga Kongresi dhe forumet drejtuese të FRESSH, të Statutit dhe të rregulloreve.
• Përfaqëson FRESSH në marrëdhëniet me forumet e tjera të rinisë apo organizata të tjera.
• Propozon në Kryesinë e FRESSH masa të veçanta në zbatim të Programit dhe Statutit të FRESSH.
• Drejton dhe bashkërendon Kryesinë e FRESSH në bashkëpunim me Sekretarin e Përgjithshëm dhe nënkryetarët e FRESSH.
• Ka të drejtën e kërkesës për rishqyrtim të vendimeve të Kryesisë së FRESSH në Asamblenë Kombëtare, kur e gjykon të nevojshme. Kërkesa miratohet në Asamblenë Kombëtare me shumicë të thjeshtë të votave të pjesëmarrësve në votim.
• Drejton proçesin për propozimin e kandidatëve të FRESSH në zgjedhjet legjislative e vendore në përputhje me rregullat e miratuara nga Asambleja Kombëtare e PSSH.
• Raporton në Kryesinë dhe Asamblenë Kombëtare të PSSH për veprimtarinë e FRESSH

Neni 26

1. Mandati i Kryetarit të FRESSH është katër vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur:
• Jep dorëheqjen.
• Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3 e delegatëve të Kongresit të FRESSH.
2. Kur krijohet vakanca në funksionin e Kryetarit të FRESSH, kompetencat e tij përkohësisht ushtrohen nga Sekretari i Përgjithshëm deri në zgjedhjen e Kryetarit të ri. Në çdo rast zgjedhja e Kryetarit të ri bëhet jo më vonë se tre muaj nga vakanca e krijuar.

Neni 27
Asambleja Kombëtare e FRESSH

1. Asambleja Kombëtare përbëhet nga anëtarët e zgjedhur me votim nga Kongresi, dhe anëtarët që janë drejtpërdrejt në përbërje të saj për shkak të statusit të tyre (ex-officio). Ajo ka 140 anëtarë.
2. Anëtarë ex-officio të Asamblesë Kombëtare janë kryetarët e FRESSH të Bashkive.
3. Anëtarët e zgjedhur të Asamblesë Kombëtare zgjidhen prej Kongresit të FRESSH me kandidatura alternative dhe votim të fshehtë e individual.Përfaqësia e Kongresit bën vlerësimin e plotësimit të kushteve dhe kritereve të meritës për kandidatët dhe përcakton listën përkatëse alfabetike të cdo qarku nga e cila bëhet votimi për anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Lista e kandidatëve për tu votuar dhe lista fituese për Asamblenë Kombëtare duhet të sigurojë një përfaqësim jo më pak se 50% të secilës gjini. Votimi për çdo gjini bëhet me listë të veçantë.
4. Anëtar i Asamblesë Kombëtare të FRESSH mund ai/ajo që plotëson kushtet e mëposhtëme:
Të ketë si rregull jo më pak se një vit si anëtar i FRESSH;
Të ketë një veprimtari të spikatur politike në rradhët e FRESSH
Të plotësojë kushtet e integritetit moral e ligjor sipas kërkesave të këtij Statuti;
Të mos jetë nënpunës i shërbimit civil.
5. Asambleja Kombëtare mblidhet jo më rrallë se një herë në 12 muaj. Mbledhja e Asamblesë Kombëtare thirret sipas programit vjetor politik të miratuar nga Asambleja Kombëtare ose edhe me kërkesë të Kryesisë, të Kryetarit të FRESSH, ose të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të saj.
6.Me propozim të Kryesisë së FRESSH, Asambleja Kombëtare ka të drejtën e kooptimit të anëtarëve të rinj, nëse në përbërje të saj ka ose krijohen mungesa si dhe për arsye të tjera të argumentuara.

Neni 28
Asambleja Kombëtare e FRESSH

Asambleja Kombëtare, midis dy Kongreseve të FRESSH, ushtron këto detyra:
• Organizon dhe drejton punën në veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale të FRESSH gjatë periudhës midis dy kongreseve.
• Shqyrton dhe miraton dokumentat për qëndrimet politike të FRESSH.
• Miraton dhe propozon programin elektoral të PSSH për rininë dhe fusha të tjera të interesit të saj, projektet për ndryshimet në Statutin dhe Programin e FRESSH.
• Zgjedh Kryesinë, Sekretarin e Përgjithshëm, dy nënkryetarët, Komisionin e Zgjedhjeve dhe Kryefinancierin. Proçedurat e votimit të forumeve drejtuese që zgjedh Asambleja Kombëtare përcaktohen me vendim të veçantë të saj.
• Vendos për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme e të zgjedhjeve vendore në FRESSH. Rregullat dhe proçedurat e zgjedhjeve në strukturat e FRESSH, procedurat e votimit, ngritja dhe funksionimi i organizmave për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve përcaktohen në Kodin e Zgjedhjeve që miratohet prej saj.
• Asambleja Kombëtare miraton Librin e Rregullave të FRESSH me rregullore, udhëzime, kritere dhe norma lidhur me organizimin, regjistrin, drejtimin dhe funksionimin e strukturave drejtuese të FRESSH në njësitë administrative, bashki dhe në nivel qendror.
• Vendos për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturave elektorale në bazë territori në përputhje me funksionet elektorale.
• Asambleja Kombëtare e FRESSH zhvillon punimet dhe funksionon në bazë të Rregullores, e cila miratohet me shumicë të cilësuar prej saj.

Neni 29
Kryesia e FRESSH

1. Kryesia është organi politik drejtues i veprimtarisë së FRESSH. Ajo përbëhet nga 19 anëtarë.
2. Kryesia organizon dhe drejton veprimtarinë e FRESSH në periudhën midis mbledhjeve të Asamblesë Kombëtare.
3. Kryesia e FRESSH përbëhet nga Kryetari i FRESSH, Sekretari i Përgjithshëm, dy nënkryetarët dhe anëtarët e Kryesisë të zgjedhur nga rradhët e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Një nga nënkryetarët e FRESSH duhet të jetë student/e.
4. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare kanë të drejtën e propozimit të kandidaturave shtesë për anëtarë të Kryesisë.
5. Anëtarët e Kryesisë duhet të jenë anëtarë të Asamblesë Kombëtare.
6. Anëtarët e Kryesisë zgjidhen me kandidatura alternative dhe votim të fshehtë.
7. Lista e kandidatëve për t’u votuar dhe fituesve për anëtarë të Kryesisë së FRESSH duhet të sigurojë një përfaqësim 50% për të dy gjinitë. Votimi për kandidaturat sipas gjinive bëhet me listë të veçantë.
8. Kryesia e FRESSH, si rregull, mblidhet një herë në tre muaj. Mbledhja e Kryesisë thirret nga Kryetari i FRESSH, sipas axhendës vjetore politike të miratuar nga Asambleja Kombëtare ose edhe me kërkesë të jo më pak se 1/3 të anëtarëve të saj.
9. Sekretari/ja për Rininë i/e PSSH mund të marrin pjesë në mbledhjen e Kryesisë e FRESSH pa të drejtë vote.

Neni 30
Detyrat e Kryesisë së FRESSH

1. Kryesia ka këto detyra kryesore:
• Zbaton Programin e FRESSH dhe vendimet e organeve drejtuese qendrore.
• Përpunon qëndrimet politike të FRESSH për interesat e rinisë dhe më gjerë
• I paraqet Asamblesë Kombëtare për shqyrtim e miratim dokumentat për qëndrimet politike, projektprogramet, projektstatutet, projektaktet e ndryshme pjesë të Librit të Rregullave të FRESSH.
• Me propozim të Kryetarit të FRESSH dërgon propozimet e veta në Kryesinë e PSSH për kandidaturat për deputetë dhe këshilltarë në këshillat bashkiakë.
• Ndihmon dhe kontrollon organet drejtuese të strukturave vendore të FRESSH për zbatimin e vendimeve të organeve qendrore të FRESSH si dhe miraton programet e trajnimeve dhe aftësimin e të zgjedhurve në to.
• Pezullon vendime të Asamblesë të FRESSH të bashkisë, kur ato bien ndesh me Statutin dhe Programin e FRESSH, vendos rishqyrtimin prej tyre të vendimeve të marra.
• Ka të drejtën e shkarkimit nga detyra të kryetarit të FRESSH të bashkisë dhe brenda dy muajve i rekomandon Asamblesë FRESSH përkatëse zëvendësimin e tij ose të drejtuesve të tjerë për dobësi në punë ose për arsye të tjera të argumentuara. Në rastet kur Asambleja FRESSH e Bashkisë vendos ndryshe, problemi shtrohet për shqyrtim e votim në mbledhjen e rradhës të Asamblesë Kombëtare.
• Nxjerr udhëzime në përputhje me Statutin e FRESSH në zbatim të vendimeve që merren në Kongres dhe në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.
• Miraton e kontrollon shpërndarjen e mjeteve materiale e financiare për FRESSH
2. Anëtarët e Kryesisë të FRESSH marrin përgjegjësi tematike dhe territori, ose kombinim të tyre sipas problematikës dhe aftësive.

Neni 31
Sekretari i Përgjithshëm i FRESSH

1. Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet nga Asambleja Kombëtare e FRESSH dhe është përgjegjës për funksionimin organizativ të FRESSH.
2. Sekretari i Përgjithshëm ka këto detyra kryesore:
• Drejton mbledhjet e Asamblesë Kombëtare.
• Ndjek dhe përgjigjet për zbatimin e Statutit, vendimeve të miratuara nga Kongresi dhe rregulloreve e udhëzimeve të forumeve drejtuese të FRESSH.
• Ndihmon dhe kontrollon organet drejtuese të strukturave vendore të FRES për zbatimin e vendimeve të organeve qendrore të forumit si dhe miraton programet e trajnimeve dhe aftësimin e të zgjedhurve në to.
• Parashtron kërkesën për pezullimin e vendimeve të Asamblesë FRESSH të bashkisë, kur ato bien ndesh me Statutin dhe Programin e FRESSH.
• Kryen funksionet e Kryetarit të FRESSH për periudhën kur vendi i tij mbetet vakant.
3. Kandidatët për Sekretar të Përgjithshëm të FRESSH duhet të jenë mbi 2 vjet anëtarë të FRESSH.
4. Kandidatët për Sekretar të Përgjithshëm FRESSH propozohen nga Kryetari i FRESSH, ose edhe nga një grup prej 10 përqind e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të FRESSH
5. Nëse Sekretari i Përgjithshëm i FRESSH jep dorëheqjen nga funksioni para përfundimit të mandatit të tij, Asambleja Kombëtare zgjedh një Sekretar të Përgjithshëm të ri për pjesën e mbetur të mandatit.

Neni 32
Nënkryetarët e FRESSH

Nënkryetarët e FRESSH kryejnë detyrat dhe kompetencat me rregullore të veçantë të miratuar nga Kryesia e FRESSH.

 

PJESA E KATERT
DEMOKRACIA E BRENDESHME NE FRESSH

 

RREGULLAT E FUNKSIONIMIT TË FRESSH

Neni 33
Marrja e vendimit

1. FRESSH është organizatë e lirisë së mendimit. Çdo vendim në organet dhe forumet e saj i nënshtrohet një diskutimi konstruktiv.
2. Vendimi merret me votim ose me konsensus.
3.Vendimi i miratuar me shumicë votash është i detyrueshëm për të gjithë pjesëtarët e strukturës që e merr dhe për ata të cilëve u referohet ai brenda FRESSH.
4. Pakica që ka votuar kundër, ka të drejtë të shfaqë pikëpamjet e saj në mbledhje dhe të kërkojë rishqyrtimin e problemeve në organin drejtues më të lartë të FRESSH.

Neni 34
Zbatimi i vendimit

1. Sistemi i vendimmarrjes, i përcaktuar nëpërmjet këtij Statuti dhe rregulloreve të miratuara nga forumet drejtuese të FRESSH, është detyrimisht i zbatueshëm për të gjitha nivelet e strukturave të FRESSH.
2. Vendimi i organeve drejtuese vendore zbatohet nga organizatat e FRESSH. Ai kundërshtohet dhe nuk zbatohet nga ana e tyre kur çmohet se është në kundërshtim me Programin dhe Statutin e FRESSH. Kundërshtimi duhet të argumentohet pranë organit drejtues vendor që e ka marrë atë vendim ose pranë Kryesisë së FRESSH. 3. Vendimi i organeve drejtuese qendrore zbatohet nga organizatat e FRESSH dhe organet drejtuese vendore. Në rast mospajtimi me të ato kanë të drejtën e ankimimit pranë organit qendror vendimmarrës të FRESSH.

Neni 35
Proçedurat e kundërshtimit të zbatimit të vendimit

1. Vendimin për arsye të përligjura e anullon vetëm struktura organizative e FRESSH që e ka marrë.
2. Vendimi i organizatës të FRESSH anulohet nga organet drejtuese vendore, kur çmohet se është në kundërshtim me Programin dhe Statutin e FRESSH. Organet drejtuese vendore detyrohen që, në rast mospajtimi me vendimin e organizatës FRESSH, të argumentojnë pranë saj domosdoshmërinë e ndryshimit të tij.
3. Vendimi i organeve drejtuese vendore zbatohet nga organizatat e FRESSH. Ai kundërshtohet dhe nuk zbatohet prej tyre kur vlerësohet se është në kundërshtim me Programin dhe Statutin e FRESSH. Kundërshtimi duhet të argumentohet pranë organit drejtues vendor që e ka marrë atë vendim.
4. Vendimi i organeve drejtuese qendrore zbatohet nga organizatat e FRESSH dhe organet drejtuese vendore. Në rast mospajtimi me të ato kanë të drejtën e ankimimit pranë organit qendror vendimmarrës.

 

ZGJEDHJA DHE KONKURIMI

Neni 36
Zgjedhja ndërmjet kandidatëve

1. Zgjedhja ndërmjet individëve kandidatë bëhet me vullnet të lirë dhe në mënyrë të fshehtë.
2. Anëtari i FRESSH, personalisht ose në cilësinë e delegatit, ka të drejtë të propozojë kandidatë ose të kërkojë heqjen e kandidatëve të paraqitur.
3. Kandidatët për anëtarë forumesh drejtuese të FRESSH për të gjitha nivelet i paraqiten me të dhëna të plota individuale e politike në mbledhjen që do të zgjedhë ndërmjet tyre.
4. Vlerësimi për çdo kandidat dhe vendimi për zgjedhjen ose moszgjedhjen e tij janë e drejtë ekskluzive e pacënueshme e zgjedhësit.
5. Kandidatëve u krijohen mundësi të barabarta për t’u shprehur e paraqitur në mjedisin përkatës. Anëtari i FRESSH ka të drejtë të mos pranojë kandidaturën e vet.

Neni 37
Shmangia e konfliktit të interesave

1. Në zgjedhjen e drejtuesve, përfaqësuesve dhe vendimmarrjet e FRESSH në të gjitha nivelet zbatohet parimi i shmangjes së konfliktit të interesave dhe nepotizmit.

 

PJESA E PESTE

 

VOTIMI DHE VOTËBESIMI

Neni 38
Votimi

1. Votimi në FRESSH është vetiak. E drejta e votës nuk mund të delegohet.
2. Votimi për zgjedhjen midis kandidatëve për anëtarë forumesh drejtuese të FRESSH si rregull është i fshehtë dhe presupozon:
• Të paktën më shumë se një kandidat mbi numrin e vendeve.
• Kushte materiale që sigurojnë fshehtësi për votim individual.
• Komision të posaçëm të përbërë nga anëtarë të FRESSH
• Përsëritje të zgjedhjeve për çdo shkelje të konstatuar në çast ose brenda një afati të arsyeshëm
• Ruajtjen e proçesverbaleve të zgjedhjeve
• Ruajtjen e fletëve të votimit për një afat kohor prej tre muaj, përveç rasteve kur ka proçes ankimimi.
• Zgjedhjet konsiderohen të vlefshme kur në to marrin pjesë jo më pak se 50 përqind plus një të anëtarëve të mbledhjes zgjedhore. I zgjedhur konsiderohet kandidati që ka marrë më shumë vota, por jo më pak se 50 përqind plus një të votave të vlefshme. Zgjedhja e kandidatëve në listat shumë-emërore që paraqiten për votim në forumet vendore e qendrore bëhet me shumicë të thjeshtë të votave.
• Rregullat për mënyrën dhe proçedurat e votimit në të gjitha strukturat drejtuese i miraton Asambleja Kombëtare FRESSH.

Neni 39
Votëbesimi

1. Të zgjedhurit në të gjitha nivelet e forumeve drejtuese të FRESSH i nënshtrohen votëbesimit të zgjedhësve të tyre.
2. Të drejtën e inisiativës për mocion mosbesimi e ka përkatësisht 1/3 e anëtarëve të organizatës e FRESSH, Asamblesë së FRESSH në Njesinë Administrative, Asamblesë FRESSH të Bashkisë, Asamblesë Kombëtare dhe delegatëve të Kongresit të FRESSH.
3. Mocioni i mosbesimit ndaj drejtuesve në nivel vendor iniciohet në rastet kur:
Me vendim të KGS provohet se në veprimtarinë e tyre ka shkelje të rënda të Statutit të FRESSH.
Dëmton rëndë me veprime e qëndrime imazhin e FRESSH.
4. Kërkesa për votëbesim në organizatën e FRESSH dhe Asamblenë e FRESSH të bashkisë shqyrtohet dhe bëhet ekzekutive brënda 30 ditëve; në Asamblenë Kombëtare shqyrtohet dhe bëhet ekzekutive në mbledhjen e rradhës, ndërsa në Kongres shqyrtohet dhe bëhet ekzekutive brënda tre muajve nga dita e paraqitjes së saj me shkrim. Për shqyrtimin dhe marrjen e vendimit për votëbesim respektohen proçedurat sipas të cilave është bërë edhe zgjedhja.
5. I votëbesuar quhet ai ose ajo që merr më shumë se 50% plus një të votave të vlefshme të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
6. Mocioni i mosbesimit bëhet me shkrim. Votimi për mocionet bëhet i hapur, me përjashtim të rasteve të cilësuara kur Statuti parashikon ndryshe.
6. Gjashtë muaj para zgjedhjeve vendore ose zgjedhjeve të përgjithëshme dhe tre muaj para Kongresit nuk paraqiten mocione mosbesimi dhe nuk zhvillohen votëbesime.
7. Modalitetet për paraqitjen e mocioneve të mosbesimit dhe për votëbesim përcaktohen me rregullore të veçantë që miratohet nga Asambleja Kombëtare e FRESSH.

Neni 40
Zhvillimi i mbledhjeve në FRESSH

1. Mbledhjet e FRESSH u krijojnë mundësi anëtarëve të diskutojnë për çështjet politike dhe ato me interes të përbashkët të forcojnë kontaktet midis tyre dhe të vendosin objektiva të reja për veprimtarinë e tyre në FRESSH.
2. Mbledhjet e FRESSH zhvillohen në një frymë miqësore, jashtë presioneve dhe diskriminimit të të gjitha llojeve, dhe nxisin pjesëmarrjen e sa më shumë anëtarëve legjitimë. Vendi dhe ora e mbledhjes duhet të jenë të aksesueshëm për të gjithë pjesëmarrësit.

MARREDHENIET ME ORGANIZATAT POLITIKE E SHOQERORE

Neni 41
Bashkëpunimi me organizata të tjera

1. FRESSH mund të bashkëpunojë me organizata të rinisë, shoqata, sindikata, fondacione dhe forma të tjera organizimi, të cilat i shërbejnë Programit Politik të tij dhe respektojnë rregullat statutore të FRESSH.
2. Proçedurat dhe marrëdhënia politike ndiqet nga Kryesia e FRESSH.

Neni 42
Bashkëpunimi me institucionet që promovojnë dijen dhe kulturën

FRESSH vendos marrëdhënie pune me universitete, institute, qendra kërkimore, institucione akademike, fondacione, shoqata kulturore jo-fitimprurëse, etj në të mirë të rritjes së formimit arsimor, kulturor dhe politik të anëtarëve të saj, dhe duke garantuar e respektuar autonominë e tyre.

BURIMET FINANCIARE E MATERIALE

Neni 43
Burimet financiare e materiale

1. Të ardhurat financiare të FRESSH përbëhen nga burimet prej buxhetit të Partisë Socialiste, ndihmat e anëtarëve, përkrahësve dhe dhurata të ndryshme të ligjshme.
2. Sipas rregulla të miratuara nga Asambleja Kombëtare e PSSH, alokohen periodikisht burimet e nevojshme për aktivitetet politike dhe elektorale të organizatave të FRESSH.

Neni 44
Kuota e anëtarësimit

1. Anëtarët e FRESSH që janë anëtarë të partisë paguajnë kuotën e anëtarësimit. Masa e kuotës së anëtarësimit përcaktohet nga Asambleja Kombëtare e PSSH sipas propozimeve të Kryesisë së FRESSH.
2. Pagesa e paplotë ose mospagesa e kontributit që kërkohet nga anëtarët e FRESSH, anëtar partie, sipas masës së kuotës së vendosur nga organet përkatëse të partisë, është shkak për marrjen e masave disiplinore sipas këtij Statuti.

Neni 45
Raporti vjetor financiar

1. Kryefinanciari FRESSH harton çdo vit raportin vjetor financiar, i cili shqyrtohet dhe miratohet nga Kryesia e FRESSH..
2. Raporti vjetor përbëhet nga një llogari e të ardhurave dhe shpenzimeve, bilanci dhe pjesa shpjeguese.
3. Raporti vjetor financiar ndërtohet edhe mbi bazën e raporteve vjetore të organizatës së FRESSH të Bashkisë.
4. Raporti vjetor i miratuar nga Kryesia e FRESSH i paraqitet Kryesisë së PSSH jo më vonë se data 15 shkurt e vitit të ardhshëm, për shqyrtim dhe miratim.

Neni 46
Zgjedhja e Kryefinancierit të FRESSH

1. Kryefinancieri i FRESSH zgjidhet nga Asambleja Kombëtare.
2. Kryefinancieri i FRESSH duhet të plotësojë kriteret e mëposhtëme:
• Të jetë në profesion financier.
• Të jetë anëtar i FRESSH
• Të ketë jo më pak se 2 vjet përvojë pune në fushën e financave
• Të mos ketë qenë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë me heqje lirie.
3. Kryefinancieri i FRESSH propozohet nga Kryetari i FRESSH. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare kanë të drejtë të propozojnë kandidatura shtesë. Kandidaturat shtesë që të përfshihen në listë duhet të marrin mbështetjen e jo më pak se 10% të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare.
4. Kryefinancieri shërben për 2 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
5. Në rast se, për çfarëdo arsye, Kryefinancieri le detyrën përpara afatit, Asambleja Kombëtare emëron një Kryefinancier të ri.

 

PJESA E GJASHTE

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 47
Hyrja në fuqi

Ky Statut hyn në fuqi ditën e miratimit nga Kongresi i FRESSH.

Neni 48
Rregulloret e zbatimit

Brenda gjashtë muajve pas ndryshimit të Statutit, Asambleja Kombëtare e FRESSH miraton udhëzimet e rregullat për zbatimin e tij.