Shkodra lajm

18 Qershori, më shumë se kurrë një ditë për Shqipërinë që Duam

Mirë se ju gjeta dhe shumë faleminderit për mikpritjen e jashtëzakonshme!

E mbi të gjitha shumë faleminderit atyre që janë këtu përpara votimit të tyre të parë në 18 qershor!

Shumë faleminderit këtyre vajzave dhe djemve që janë këtu për të dëshmuar një dëshirë të madhe dhe për të dëshmuar edhe një nevojë të madhe, dëshirën që të ecim me hapin e  Europës që duam dhe nevojën që në 18 qershor ne të bëhemi të gjithë bashkë.

Në 18 qershor të bëhemi të gjithë bashkë pa dallim. Të bëhemi të gjithë bashkë, pa shkuar pas flamujve të partive.

Të bëhemi të gjithë bashkë për të mos u ndarë si tifozë të fanellave politike, po për të qenë të gjithë një trup i vetëm nën flamurin e  Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, nën flamurin kuq e zi që ne së bashku mund, duhet dhe do ta çojmë në oborrin e shtëpisë së familjes së bashkuar europiane.

Sot, isha në Tiranë dhe më thanë që Voltana më kishte marrë prapë nëpër gojë. Pyeta pse. Kishte thënë,  “Edi Rama mos e provoko Shkodrën”. Voltanës i duket provokim sa herë vij unë këtu në Shkodër. Por në fakt e vërteta është që vetëm kur vij unë në Shkodër Voltana  zgjohet nga  gjumi. Pastaj mora vesh që kishte ngritur një çadër për të penguar këtë takim. Edhe thoshte, “është çadra për ditën ndërkombëtare të familjes”. Shumë mirë! Tani pyetja ime është: Ku është çadra? Çadra nuk është pikërisht sepse ne nuk erdhëm të provokojmë njeri, u spostuam pak dhe dita ndërkombëtare e familjes nuk është më dita ndërkombëtare e familjes. Si shpjegohet kjo? Kështu tallet Voltana me Shkodrën! Kështu tallet Voltana me njerëzit! Kështu tallet Voltana edhe me ata që e kanë votuar, se për fat të mirë, unë vetë as se kam votuar dhe se votoj Voltanën. E ju siguroj, ja u them pas asnjë lloj ekzagjerimi, unë kam qenë kryetar bashkie e Voltanën nuk e merrja as për magazinere. Por, nuk ka rendësi Voltana.

Ka rëndësi ajo që tha Senida përpara meje, këtu nuk është punë “një grua, një burrë, dy gra, tre burra”. Këtu puna është se prej 27 vitesh Partia Demokratike qeveris Shkodrën dhe prej 27 vjetësh merr besimin  e shumicës së shkodranëve dhe shkodraneve si besim i dhënë gratis. E merr besimin e tyre duke vazhduar të luftojë me fantazmën e komunizmit dhe duke vazhduar të përfitojë nga një dasi që e mban hapur, jo për të ndihmuar Shkodrën, po thjesht për të mbajtur pushtetin mbi Shkodrën.

Ne kemi dashur të bëjmë shumë më tepër për Shkodrën. Nuk kemi bërë dot. Megjithatë të paktën besoj se dy simbolet e mëdha të Shkodrës, dinastinë e Marubëve dhe “Vllazninë” e Shkodrës i nderuam siç nuk i nderoi në 27 vjet, në çerek shekulli, Partia Demokratike.

Dhe tani po i vijmë rrotull Shkodrës aty ku s’na kap dot Voltana. Dhe unë i them që shumë shpejt, atë transformim të madh që ne po i bëjmë vijës bregdetare të Vlorës, Himarës dhe me radhë, do t’ia bëjmë vijës së liqenit të Shkodrës. Do ta kthejmë liqenin e Shkodrës në një zonë ku të gjithë familjarët, vajza, djem, çifte këtu nga Shkodra apo vizitorë dhe turistë, ta shijojnë të gjithë mrekullinë e asaj zone që është lënë pas dore për çerek shekulli e më shumë nga ata që Shkodrës i marrin votën dhe Shkodra asnjëherë deri sot nuk ia dha si duhet notën.

Po ashtu, ne shumë shpejt, brenda pak ditëve më në fund do fillojmë rindërtimin e rrugës Shkodër-Velipojë dhe do ta kthejmë atë rrugë, në një rrugë të vërtetë turistike, jo në një shteg dhish që bëhet i pakalueshëm gjatë sezonit të verës.

Tani unë një gjë dua t’ju them, jo vetëm shkodranëve që shikojnë flamurin e Partisë Demokratike, por gjithë shqiptarëve që shohim flamujt e partive. Partitë janë për të shërbyer. Partitë nuk janë skuadra futbolli që edhe po shkuan në kategorinë e shtatë duhet ti gjurmosh nga mbrapa. Partitë janë për të shërbyer! Nëse një parti shërben mirë meriton të vlerësohet, nëse nuk shërben mire meriton të ndëshkohet.

Dhe unë besoj se ka ardhur koha që këtu në Shkodër, Partia Demokratike të marrë ndëshkimin e merituar për gjithë harresën më shumë se çerek shekullore të Shkodrës.

Dhe nga ana tjetër unë iu them se pavarësisht se çdo bëjë, cilido këtu që është mësuar dhe shkon me sy mbyllur e voton Partinë Demokratike, ne do vazhdojmë t’i shërbejmë me përkushtim sa të mundemi, Shkodrës deri aty ku s’na del Voltana përpara, dhe ndërkohë transformimin e rëndësishëm që kemi nisur në Malësinë e Madhe do ta vazhdojmë edhe më shumë.

Transformimin e  rëndësishëm që kemi nisur në Pukë, do ta vazhdojmë edhe më shumë.

Transformimin e rëndësishëm që kemi nisur në Fushë-Arrëz do ta vazhdojmë edhe më shumë.

Dhe mos të më thotë njeri që ne mbështesim vetëm ata që janë kryetarë bashkish socialistë. Kjo është e pavërtetë!

Ne mbështesim edhe bashkinë e Vaut të Dejës sepse ne nuk i ndajmë komunitet në socialistë dhe demokratë dhe aty ku ne gjejmë partner për të zhvilluar komunitetin, për të zhvilluar infrastrukturën, për të zhvilluar zonat, ne bëjmë gjithçka mundemi. Aty ku nuk i gjejmë dot partnerët apo ku i gjejmë gjithmonë në gjumë si Voltana, ne realisht e  kemi shumë  të vështirë.

Tani dua po ashtu t’ju them se Shkodra, i gjithë ky qark ka një rëndësi themelore për zhvillimin e Shqipërisë që duam, sepse ka një potencial të jashtëzakonshëm  për t’u shfrytëzuar dhe që ta vëmë në shfrytëzim këtë potencial secili nuk duhet të mendojë se kush është më i  mirë ky apo ai, po secili duhet të mendojë se kush punon më mirë për të, për familjen e tij, për lagjen, për fshatin, për qytetin, për zonën e tij dhe për vendin e tij.

Partia Demokratike ka vendosur të arratiset nga fusha e betejës, ka vendosur të braktisë zgjedhjet dhe t’i lërë pa zgjedhje ata që janë mësuar ta votojnë.

E ka bërë këtë në radhë të parë për një arsye që tani e kanë marrë vesh edhe të gjithë krapat e Liqenit të Shkodrës:

E ka bërë sepse ka frikë nga drejtësia.

E ka bërë sepse nuk do të ndahet nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që ua kanë marrë shpirtin të gjithë shqiptarëve, pa bërë dallim socialistë, apo demokratë.

Nëse, po themi, Lulëzimi e rregullon me Gjykatën me një raport mjekësor, nuk ka qytetar të zakonshëm dhe familje demokratësh që të rregullojë gjë me Gjykatën pa para në dorë.

Nëse Saliu e rregullon me Gjykatën me një telefon, nuk ka familje të zakonshme demokratësh, socialistësh, shqiptarësh të thjeshtë që të mund të marrë në Gjykatë të drejtën që i takon, sepse gjykatat tona janë bërë pazari i gjësë së gjallë, ku e drejta shitet, e drejta blihet, por nuk merret dhe nuk jepet.

A mund të ma thotë kush, si mundet që një prind, dy prindër që votojnë Partinë Demokratike ta pranojnë që Partia për të cilën kanë votuar t’ju mohojë mundësinë atyre e fëmijëve të tyre që të jetojnë në një vend ku drejtësia është e barabartë për të gjithë!

Si mundet që një sipërmarrës që voton Partinë Demokratike ta pranojë që për shkak se ata që udhëheqin Partinë Demokratike janë të lidhur si mishi me thoin me ata që ia kanë marrë shpirtin këtij populli nëpër gjykata edhe ai, sipërmarrësi, të vazhdojë të jetë peng i vendimeve të korruptuara të gjykatësve!

Si mundet që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht simpative partiake, të mund ta pranojnë që Partia Demokratike të luftojë dhe të përpiqet ta dëmtojë sa më shumë Shqipërinë, duke dëmtuar zgjedhjet, duke dëmtuar rrugën tonë drejt Europës vetëm e vetëm që të mbajë në punë gjykatësit e prokurorët e korruptuar!

E pra, vota e 18 qershorit është shumë më tepër sesa një votë për Partinë Socialiste.

Unë nuk iu them atyre që janë mësuar të votojnë Partinë Demokratike: “Hajde, bëhuni anëtarë të Partisë Socialiste!”

Unë iu them që, “në 18 Qershor, bashkojeni votën tuaj me tonën, për të pushuar nga puna gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar në mënyrë që të kemi më shumë rritje ekonomike, të kemi shumë investime, të kemi më shumë punësim, të kemi një shoqëri ku puna, merita, fitimi nuk pengohen nga kthetrat e një sistemi të korruptuar drejtësie.

Aty ku drejtësia nuk është e drejtë, nuk mund të kemi zhvillimin që duam, as në ekonomi, as në shoqëri.

Aty ku drejtësia është mall që shitet e blihet, nuk mund të kemi mirëqenin që duam.

E pra, vota e 18 qershorit është një votë shumë më tepër sesa për Edi Ramën, sesa për Ditmir Bushatin, sesa për të gjithë skuadrën e deputetëve dhe deputeteve tona këtu në Shkodër:

Është një votë për vetveten. Më shumë se asnjëherë tjetër, për vetveten.

Është në votë për të marrë hak për të gjithë krimet që janë bërë me pronat në kurriz të familjeve të zakonshme; për të marrë hak për të gjithë krimet që nuk janë ndëshkuar, për vrasësit që janë liruar dhe kanë rivrarë, për përdhunuesit që janë liruar dhe kanë ripërdhunuar, për dhunuesit që kanë dhunuar dhe kanë ridhunuar.

Është një votë për t’i thënë njëherë e mirë lamtumirë një tranzicioni rraskapitës, ku ligji thotë një gjë dhe gjykatësi bën një gjë tjetër.

Në fund fare, është një votë për t’i dhënë fund një historie të shëmtuar, një historie barbare, ku politikanët vetëm shajnë dhe hedhin baltë mbi njëri-tjetrin, ku të gjithë duken njësoj, ku të gjithë i thonë njëri-tjetrit “hajdut”, “trafikant”, “kriminel”.

E pra, është momenti që kush është vërtet hajdut, trafikant, kriminel të shkojë të përgjigjet para drejtësisë, pasi në radhë të parë të jenë përgjigjur vetë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

Midis Partisë Demokratike, apo cilësdo partie dhe drejtësisë, çdo familje, çdo votues, çdo vajzë, çdo djalë, çdo burrë, çdo grua, çdo gjysh, çdo gjyshe zgjedh drejtësinë nuk zgjedh partinë që pengon drejtësinë.

Thonë dhe përpiqen t’ua hedhin trutë e gomarit, – aty ku gjejnë, kuptohet – se po kthehemi në diktaturë, se s’paska parlament po s’ishte Partia Demokratike në parlament.

Miqtë e mi, demokracia është mundësia e çdo individi dhe çdo partie për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të marrë votat që i jep populli. Por, demokracia nuk është plaçkë që merret peng as nga një individ, as nga një parti që thotë: “o të ikë qeveria, o s’ka zgjedhje pa mua!”

Demokracia është zgjedhje!

Në demokraci, të gjithë mund të paraqiten në zgjedhje, por asnjëri nuk është i detyruar të paraqitet dhe të tjerët nuk janë të detyruar të presin atë që s’do të paraqitet. Kështu që askush të mos mërzitet. Partia Demokratike vendosi të mos hyjë në zgjedhje. Është zgjedhja e atyre që janë në krye të saj. Nuk është zgjedhja e demokratëve që mendojnë si njerëz normalë.  Nuk është zgjedhja e demokratëve që shikojnë me sytë e tyre, jo me sytë e dylbive të bunkerit prej plastmasi.

Nuk është zgjedhja e demokratëve që dëgjojë me veshët e tyre, jo me veshët e bunkerit prej plastmasi. 18 qershori është më shumë se kurrë një ditë për Shqipërinë që duam, një ditë për Europën që duam.

As mos i dëgjoni fare kur ju thonë se, “po s’erdhi Partia Demokratike në zgjedhje ne nuk do hyjmë dot në Bashkimin Europian”.

Ju i keni dëgjuar të gjithë miqtë, të gjithë partnerët e Shqipërisë, edhe partnerët e Partisë Demokratike që e kanë thënë shumë qartë: “Shqipëria duhet të bëjë zgjedhjet. Shqipëria duhet të fillojë vettingun e gjykatësve dhe të prokurorëve të korruptuar. Shqipëria do fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.”

Unë dua t’ju them me shumë sinqeritet.

E di shumë mirë që në 3 vjet e gjysmë ne s’kemi bërë mrekullira.

E di shumë mirë që ka njerëz sa të duash që na kanë dhënë votën para 4 vjetësh dhe akoma nuk kanë parë asnjë ndryshim në fshatin ku janë, në lagjen ku janë, apo në ekonominë e tyre. E di shumë mirë që akoma ka shumë më tepër për të bërë për spitalet, për shkollat.

Ka shumë për të bërë për familjet në nevojë. Por, ama, një gjë, besoj se, ne e treguam shumë mirë në këto 3 vjet e gjysmë qeverisje që ne jemi garancia se ky vend mund të bëhet shtet; që ne jemi garancia se në këtë vend ne mund të ndërtojmë shërbime dhe institucione të denja për një shtet.

Mbi këtë bazë ne do vazhdojmë së bashku të ndërtojmë ngrehinën e Shqipërisë që duam.

Sot isha në Spitalin e Shkodrës. Spitali i Shkodrës as nuk krahasohet me si ishte 3 vjet e gjysmë përpara. Por, ju siguroj se spitali i Shkodrës, siç ne e duam, nuk krahasohet me këtë që kemi sot. E njëjta gjë vlen për të gjitha.

Shqipëria që kemi nuk krahasohet me atë që kishim 3 vjet e gjysmë më parë: e zhytur në borxhe, e kërcënuar nga kolapsi energjetik, e ndarë mes njerëzish të urtë që paguanin drita, paguanin taksa, respektonin rregullat e qarkullimit dhe njerëzish të fortë që të gjitha detyrimet ua hidhnin në kurriz të urtëve dhe vetë bënin si të donin.

Shqipëria që kemi është shumë më e mirë, por Shqipëria që duam është edhe shumë e shumë më e mirë se kjo që kemi.

Kjo vlen për Shkodrën, kjo vlen për Malësinë e Madhe, kjo vlen për Pukën, për Vaun e Dejës, për Fushë Arrzin.

Prandaj ne kemi vetëm një rrugë, nuk kemi dy.

Rruga jonë është të shkojmë drejt 18 qershorit dhe të përqafojmë njëri-tjetrin si shqiptarë! Të shkojmë drejt 18 qershorit dhe të bartim amanetin e atyre që dhanë jetën për këtë vend dhe që këtë vend e deshën një vend të denjë me një shtet të denjë në familjen e denjë të Europës.

Unë nuk besoj se ka shqiptar patriot dhe të arsyeshëm që, midis amanetit të Skënderbeut dhe llafeve të plakut dixhital, zgjedh plakun dixhital.

Unë nuk besoj se ka shqiptar patriot që midis amanetit të Ismail Qemalit dhe Republikës së Re të Lulëzimit zgjedh Republikën e Re, që është në fakt një fantazmë për t’i hedhur hi syve të njerëzve të zakonshëm.

Prandaj, miqtë e mi, ta shikojmë 18 qershorin me patriotizëm.

Ta shikojmë 18 qershorin me sytë e atyre që na i kanë lënë amanetet për Shqipërinë zonjë, për Shqipërinë që duam, për Shkodrën që duam, për Malësinë e Madhe që duam, për Pukën që duam për Vaun e Dejës që duam, për Fushë Arrzin që duam.

Të jeni të bindur se ka vetëm një garanci sot për sot për të bërë Shqipërinë që duam.

Kjo garanci është Partia Socialiste e Shqipërisë.

Rroftë Shkodra!

Rroftë Malësia e Madhe!

Rroftë Puka!

Rroftë Fushë Arrzi!

Rroftë Vau i Dejës!

Rroftë Shqipëria!

 

*Fjala e kryeministrit dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama me të rinjtë e Shkodrës, votues për herë të parë