Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › 30 qershori është një betejë për t’i dhënë fund një herë e mirë politikës së talljes me popullin, me njerëzit, me Kushtetutën, me ligjin, me rregullat

Të reja

30 qershori është një betejë për t’i dhënë fund një herë e mirë politikës së talljes me popullin, me njerëzit, me Kushtetutën, me ligjin, me rregullat

06 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, në Cërrik:

Qytetarë dhe qytetare të Cërrikut

Motra dhe vëllezër!  

U jam shumë mirënjohës për mikpritjen dhe patjetër edhe për mbështetjen që me këtë prani që për një qytet të vogël është goxha e madhe ju i jepni Andit, i cili jam i sigurtë që me mbështetjen time dhe të qeverisë tonë do të mund ta shumëfishojë energjinë pozitive për Cërrikun dhe patjetër në 4 vitet e ardhshme do të bëjmë shumë më tepër sesa në 4 vitet që po mbyllen të këtij mandati të qeverisjes vendore!

Gjëja e parë që më ra në sy kur po vinim ishte sahati. Është interesante, sepse tamam kështu e la edhe Luli sahatin e Tiranës para se të ikte. 4 vjet kryetar bashkie në Tiranë, Luli e kishte sahatin mbi zyrë, - ky nuk e di ku e ka zyrën, - po Luli e kishte mbi zyrë dhe 4 vjet Tirana ngeli pa orë, gjumë.

Ne këtu bëmë çmos ta mbështesim kryetarin e Bashkisë dhe fatmirësisht, së paku u bë transformimi i kësaj zone me programin e Rilindjes Urbane, por fatkeqësisht sapo u bashkuan me Lulin iu ngeli ora dhe duan tani që e gjithë Shqipëria të punojë me orën e tyre, një orë pa akrepa, një orë që tregon vetëm një kohë të shkuar, ku kurrë, askush, jo ata, por askush nuk e kthen dot më mbrapa Shqipërinë.

Të gjithë e kanë kuptuar, jo vetëm socialistët, por dhe demokratët me dy fije mend në kokë e kanë kuptuar që ata kanë frikë nga zgjedhjet, prandaj bërtasin rrugëve kundra zgjedhjeve. E kanë kuptuar që ata kanë frikë të dalin përpara popullit, të thonë çfarë kanë bërë, çfarë kanë në mendje të bëjnë dhe mbi të gjitha të tregojnë se sa të zotë janë për t’i bërë gjërat që thonë, sepse, për fat të mirë, shqiptarët i njohin, për fat të keq të tyre shqiptarët e dinë shumë mirë sa të zotë janë ata kur iu jep një punë për ta çuar deri në fund. Prandaj, në vend se të dalin para popullit edhe të thonë pse e kërkojnë votën, kërcënojnë përditë popullin se nuk do e lënë të votojë.

Ata kanë frikë të ballafaqohen në mënyrë demokratike dhe përbetohen rrugëve që do të na imponojnë të gjithëve një përplasje antidemokratike. Ata nuk kanë ide. Nuk dinë të logjikojnë me argumente. Prandaj kujtojnë se do imponojnë këtu logjikën e kapsollave dhe të molotovit.

Por, një gjë të gjithë duhet ta kenë të sigurte! Ata janë të lirë dhe në të drejtën e tyre që të vendosin për veten e tyre dhe nëse vendosin të vrasin veten politikisht ne nuk i pengojmë dot, por përtej kësaj, ata nuk vendosin dot asgjë tjetër për ne dhe për Shqipërinë.

Ka njerëz që me dashamirësi thonë, “po mirë po si mund të bëhen zgjedhjet pa ata, ata janë opozita kryesore”. E vërteta është që nëse shkaku i moshyrjes së tyre në zgjedhje nuk do ishin ata vetë, por do ishim ne, atëherë patjetër që zgjedhjet do ishin antidemokratike. Por kur ata kanë vendosur pa na pyetur ne fare që të mos hyjnë në zgjedhje, zgjedhjet pa ata nuk janë aspak jodemokratike.

Kush mendon se rruga më e urtë do të ishte që meqë ata kanë dalë mendsh, ne duhet të ecim me parimin “budallait hapi rrugë” dhe të mos bëjmë zgjedhje, duhet vetëm të imagjinojë për një moment se çfarë do të thotë kjo, se, vërtet në momentin e parë edhe mund të qetësohen, por kjo do të thotë që t’i hapësh rrugë një historie që nuk mbaron më. Sot e bëjnë ata. Nesër e bën dikush tjetër. Pasnesër dikush tjetër.

Kështu zgjedhjet kthehen nga e drejta e popullit për të gjykuar kur ia jep Kushtetuta, në të drejtën e partive për të luajtur me Kushtetutën si top lecke dhe me popullin si t’ju vijë atyre për mbarë.

Kjo nuk mund të bëhet dhe kjo nuk do të bëhet!

Zgjedhjet do bëhen në 30 qershor!

Imagjinoni edhe tjetrën!

Çfarë do ndodhte sikur ne të pranonim imponimin e logjikës së dhunës, forcës, kërcënimeve, pra të gjithçkaje që nuk është demokratike edhe të thoshim, “Ok, po i shtyjmë zgjedhjet”?

Kjo do të thoshte që po i hapim rrugë politikës destruktive që çdo parti që nuk do zgjedhje, çdo parti që është në opozitë dhe nuk e do qeverinë dhe normal s’ka pse ta dojë, por nuk ka durim dhe as tru në kokë që të presë kur vijnë zgjedhjet, por djeg mandatet, ikën nga Parlamenti, fillon kërcënimet, pastaj përshkallëzon dhunën, të merrte peng institucionin themelor të demokracisë, që është vota dhe faktikisht ta bënte të kotë çdo fushatë.

Si mund të vijmë ne pastaj e t’ju themi na jepni votën, se në këto 4 vjet do bëjmë kështu e do bëjmë ashtu, kur nuk varet më nga ju, nuk varet më nga ne, por varet nga kush e ka radhën që të çmendet dhe të bëjë pengmarrësin e procesit demokratik.

Kjo nuk është parë asgjëkund dhe nuk do shikohet as këtu!

Për më tepër, shqiptarët na njohin. Ne padiskutim që kemi gabimet tona. Ne padiskutim që kemi të metat tona. Ne padiskutim që kemi shumë e shumë gjëra për të bërë akoma, siç kemi dhe jo pak gjëra për të korrigjuar.

Padiskutim ne nuk jemi më të mirët e mundshëm në imagjinatë, por ama më të mirë se ne as ka pasur, as nuk ka.

Nga ana tjetër, shikojini vetë sa pak janë. Do jenë gjithmonë e më pak, çdo ditë, edhe pse mund të bëhen gjithmonë e më të dhunshëm duke qenë më pak, gjithmonë e më pak do jenë, se ata kanë edhe një problem tjetër, nuk rrinë dot pa dhunë dhe kur nuk i del kush përpara fillojnë rrahin njëri-tjetrin.

E patë si përfunduan në spital babë e bir që kishin dalë në protestë kundër qeverisë, njësoj si të tjerët dhe hëngrën një dajak me shufra hekuri kokës, kushedi se për çfarë arsyeje, por në thelb sepse ata nuk kanë asgjë tjetër për t’i ofruar këtij vendi përveç dhunës, presionit, shantazhit, kërcënimit.

Janë shumë të trembur dhe përveç kësaj janë të alarmuar nga Reforma në Drejtësi.

Kanë kaq frikë nga Reforma në Drejtësi sa janë kthyer njësoj si Beni që ecën vetë tek rruga në pyll natën që këndon që të dëgjojë zërin e vet edhe të nxjerrë frikën nga errësira.

Kur bërtasin dhe kur ulërijnë mos e harroni kurrë, e kanë nga frika, frika nga zgjedhjet, frika nga drejtësia dhe kanë hyrë në panik edhe në një rrugë qorre pa logjikë se të thuash pa vizion është e tepërt, se t’u kërkosh atyre vizion është kërkesë vërtet e ekzagjeruar.

Shikoni, 30 vjet!

Ju i keni parë edhe këtu në Cërrik, kanë drejtuar edhe Cërrikun, por i keni parë dhe në Elbasan afër, i keni parë edhe në të gjithë Shqipërinë.

Çfarë kanë bërë 30 vjet?

Sa herë iu ka ardhur mundësia të drejtojë një punë, kanë prishur.

Ndërkohë që ne sa herë kemi marrë përsipër një punë jemi munduar të rregullojmë.

Sa herë u kanë ardhur mundësia të kenë një gjë në dorë kanë bërë pis.

Ndërkohë që ne sa herë na është dhënë mundësia të bëjmë diçka jemi munduar të pastrojmë.

Sa herë e kanë pasur drejtimin e vendit, ose drejtimin e një qyteti ose të një komune, vetëm kanë hapur plagë.

Ndërsa ne gjithmonë jemi përpjekur të kurojmë plagët e hapura prej tyre.

Ata fut njerëzit nëpër piramida, shkatërro ekonominë, krijo borxhe, hap nga të katër anët kantiere rrugësh dhe lëri të gjitha rrugët rrugëve.

Ne sa herë na është dhënë besimi, fillojmë gjithmonë nga e para:

Të rregullojmë çfarë kanë prishur ata, të humbasim kohë dhe energji për të shlyer borxhet e krijuara nga ata, të shërojmë plagë të thelluara prej tyre.

Kjo histori nuk mund të vazhdojë më. 30 vjet janë boll dhe me 30 qershor vota nuk është thjesht se kush do jetë kryetari i Bashkisë, por është dhe për të thënë boll!

Stop!

Nuk ka më!

Kush nuk ka kurajën dhe respektin për popullin që të ecë në rrugën e demokracisë të ballafaqimit demokratik, të zgjedhjeve dhe preferon rrugën e rrugëve do mbetet rrugëve, sepse vetëm në rrugë meriton të mbetet.

Ja ku është Elbasani këtu afër, që mos shkojmë deri në Tiranë, a ju kujtohet si ishte Elbasani dhe a e keni parasysh se çfarë bëmë? Vetëm në 6 vite, 5 e gjysmë deri tani, të qeverisjes tonë, duke bashkuar forcat, Qazimi në Elbasan me Partinë Socialiste dhe ne në qeveri me Partinë Socialiste, transformim rrënjësor. Merrini të gjitha qytetet me radhë, mos lini asnjë dhe shikojini, ja ku e keni këtu, afër, Belshin, a i kishte shkuar mendja njeriut se do shkonin në Belsh nga Tirana për ditë të shtunë njerëzit? Unë kur kam shkuar në Belsh për herë të parë thashë se do humbja me ndonjë gropë rrugës dhe shyqyr që nuk ishte ndonjë si Erjoni apo si Bashkim Fino deputet se nuk do e kishim gjetur në rrugë. Ishin gropat si kanione.

Shikojeni Belshin sot, ka shumë akoma për të bërë në Blesh, do shkojmë pastaj e do tua themi, por ama ka ndryshuar dhe është kthyer shpresa dhe besimi dhe ata njerëz që qëndrojnë atje, mund të zhvillojnë një ekonomi të vogël familjare, me turizmin, në Belsh. Ndërkohë që rruga lidhëse mes Cërrikut dhe Belshit ishte premtim historik i të gjithëve. Kush vinte këtu, thoshte “do bëjmë rrugën”, kush shkonte atje, thoshte “do bëjmë rrugën”. Ja ku e kemi rrugën, është aty, e thamë, e bëmë.

Tani, patjetër që bashkitë nuk janë vetëm qytet, janë dhe fshat dhe mjafton të pyesim edhe këtu në Cërrik, rreth e rrotull, fermerët, ata që punojnë me tokën dhe do të na thonë, do t’ju thonë, çfarë ka ndodhur me problemin më të tmerrshëm të vite e vite të tëra, ujitjen dhe kullimin, ka akoma, por ama, janë 800 hektarë, që deri dje nuk prodhonin dot, përveçse për mbijetesë. Sot prodhojnë sepse janë të garantuara me ujitje dhe me kullim.

Ashtu sikundër, nga ana tjetër, janë edhe investime të tjera që janë bërë, nuk janë mjaft, unë nuk dua që askush këtu të mendojë se po ju them sa bukur, sa mirë, çdo gjë shkon mirë, jo fare. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë. Ka shumë plagë akoma për të kuruar, qoftë për komunitetin, qoftë për familje të veçanta, qoftë për njerëz të veçantë. E kam shumë të qartë që ka shumë njerëz që vuajnë akoma, nuk kanë punë, nuk kanë perspektivë, por miqtë e mi, kjo nuk është diçka që bëhet me magji. Me magji, ai që i bënte me magji, e mori në qafë Shqipërinë sa herë i erdhi mundësia të bënte magji. As me filxhan nuk bëhet. Bëhet me mund të madh, me durim të madh, me punë të madhe dhe me kohë, do kohën e vetë. Janë shumë vite të humbura që duhet t’i fitojmë, por nuk mund të bëhen gjërat sa hap e mbyll sytë. E për ta mbyllur me këtë pjesë, shikoni një simbol të paaftësisë dhe të dembelizmit të tyre, se janë dhe dembelë shumë. Po qeshja me Taulantin rrugës, se pamë një deklaratë a një muhabet bakllavaje, nuk e di ca ishte e kryetares së bashkisë së Shkodrës. Fliste për molotovin, sa shumë i pëlqente molotovi dhe sa shumë donte ta kishte një molotov në dorë. Si mund të flasë kështu një kryetar bashkie? 30 vjet Shkodrën e kanë pasur vetëm ata, 30 vjet.

Shikoni Shkodrën, 30 vjet nën drejtimin e tyre. Shikoni Vlorën vetëm në 4 vjet qenë përputhëm vizionin e qeverisë, programin kombëtar të zhvillimit të komunitetit dhe të zhvillimit urban nëpër bashki dhe fuqinë që kishim, duke pasur bashkinë. Ju them të gjithëve, mos e humbni rastin ta shikoni Shkodrën sot dhe këtu do jemi pas 4 vitesh çfarë ndryshimi do ketë bërë Shkodra me Partinë Socialiste, në qytetin e gjithë atyre rilindësve dhe gjithë atyre figurave historike dhe kulturore, vjen dita në shekullin e XXI, kur po vjen viti 2020, qytetari numër një që është dhe një grua, në vend t’i bëjë himn poezisë, t’i bëjë himn kulturës, t’i bëjë himn progresit, i bën himn molotovit. E kuptoni se në çfarë derexheje janë katandisur ata? Dhe nga ajo derexhe, ne nuk kemi as detyrë që t’i ndihmojmë të dalin dhe as qëllim që t’i ndihmojmë të dalin.

Së fundi, pa ju marrë më shumë kohë, kjo duket në pamje të parë sikur është një fushatë zgjedhjesh pa kundërshtar, por në fakt kjo është një betejë e madhe politike dhe historike me kundërshtarët e zgjedhjeve.

Kjo është një betejë për t’i dhënë fund një herë e mirë politikës së talljes me popullin, me njerëzit, me Kushtetutën, me ligjin, me rregullat. Armiqtë e Shqipërisë, duke filluar nga ato profesorët e fundshekullit të XIX e fillim shekullit të XX në Serbi  dhe më vonë dhe të tjerë, gjithmonë kanë thënë, shqiptarët nuk bëjnë dot shtet se janë njerëz me bisht. Shqiptarët nuk zbatojnë dot rregullat që vënë vet, jo më të bëjnë shtet e të jenë një komunitet serioz me shtet, kështu kanë thënë. Shikojini këta, fiks një përpjekje për të provuar pikërisht këtë. Imagjinoni se çfarë dëmi, imagjinoni se çfarë skandali, imagjinoni se çfarë turpi i ndodh Shqipërisë, i ndodh këtij flamuri, i ndodh çdo shqiptari që lëviz nëpër botë me pasaportën dhe me emër shqiptar, nëse ky vend hyn në histori, si i pari vend në historinë e Europës ku një palë nuk lë popullin të bëjë zgjedhje. Imagjinoni çfarë tmerri! Po ju them që një nga arsyet pse e bëjnë. Kurrë nuk më ka pëlqyer e kurrë nuk do bëhem si ata që na quanin ne antishqiptarë pse nuk ishim dakord me ata. Këta nuk janë antishqiptarë, këta janë më keq. Këta janë fushë, komplet dhe janë gati t’i bëjnë Shqipërisë çdo gjë. Një nga arsyet që e bëjnë këtë është për të hapur kudo namin e zi për Shqipërinë, për ta bërë Shqipërinë “dele të zezë” në momentet kur Shqipëria po pret të hapë derën për të filluar bisedimet për t’u bërë anëtare e familjes europiane.

Unë e di që ka shumë çuna në këtë qark që shkojnë e vijnë në Itali e nëpër Europë. Po ju them vetëm kaq, ne deri në fund do t’ju tregojmë të gjithëve ligjin, do t’ju themi me dashamirësi që të informohen se për çdo krim zgjedhor, që nga më i vogli deri tek më i madhi, për këdo që guxon që t’i dali përpara një qytetari të zakonshëm që do të shkojë të votojë, për këdo që guxon të futet në qendrat e votimit e të pengojë, lëre pastaj për këdo që guxon të shkojë t’i bjeri me kokë murit, ligji është shembullor. Por përveç se ligji të çon prapa hekurave këtu, ata nuk kanë për të dalë dot më nga Shqipëria, se nuk ka për t’i lënë më njeri të futen në kufijtë e Bashkimit Europian. Tani, a ka llogari kjo punë që të shkosh pas berihait e të përfundosh i izoluar për gjithë jetën e sa herë të shkosh në një check –in të të dali emri aty me atë pullën e kuqe, kthehu mbrapa se je kriminel? Bëhet kjo? Kjo nuk bëhet as për ideal, se i bie të tradhtosh vendin tënd e t’i biesh vetes. Kjo nuk bëhet as për para, sado para të të japin. Kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë, po flas për Europën, nuk po flas për Amerikën se atje jo vetë, por asnjë anëtar i familjes nuk shkel më, nëse ti klasifikohesh si kriminal zgjedhjesh për krime që i ka të përcaktuara Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, të cilat janë votuar me konsensus në kohën, kur këta ishin në qeveri dhe ne kemi dhënë votën tonë kur ishim në opozitë dhe kush nuk e beson këtë, le të informohet, aty e ka Saliun, t’i thotë a është e vërtetë që po nuk u solle mirë me vendin tënd, nuk shkel më atje me gjithë soj e sorollop? Ta pyesi.

Miqtë e mi,

Unë ju them vetëm kaq, shumë njerëz thonë çfarë do ndodhi? Çfarë do ndodhi në 30 qershor, çfarë do ndodhë në 1 korrik, çfarë do ndodhë më mbrapa, si do shkojë kjo punë? Kjo punë do shkojë ashtu si duhet të shkojë e secili do marrë atë që i takon. Kush si ne, se ne nuk jemi vetëm, ka plot të tjerë, ka marrë përsipër të dalë para popullit, do marrë çfarë populli do t’i japi dhe do nxjerri mësimet e veta sipas asaj që do kuptojë.

Ata do shkojnë vetëm teposhtë, nëse nuk i thërrasin mendjes sa nuk është vonë, do shkojnë vetëm teposhtë, por kjo nuk do të thotë që do shkatërrohet këtu demokracia, do bëhet një sistem një partiak e se çfarë thonë këto marrëzira, se shumë, do marri fund udhëheqja e Partisë Demokratike, por nuk do shterojnë demokratët, njerëzit normal që me të gjithë të drejtat e tyre e duan ndryshe qeverinë, duan tjetër qeveri, nuk duan fare që asnjë ditë ne të jemi këtu, është normale, është e drejta e tyre. Madje, ata do shpëtojnë dhe ata sepse do çlirohen më në fund nga një grusht njerëzish që i kanë marrë peng duke i kthyer në “mish për top”, duke e kthyer atë parti që lindi si partia e parë e pluralizmit në një lëvizje molotov kundër të gjitha parimeve të demokracisë e kundër shtetit të së drejtës e patjetër do dalin njerëz të tjerë. Por, po qe se nuk dolën dhe po qe se ajo parti do shuhet fare, nuk shuhet demokracia se parti të tjera ka, parti të tjera lindin, nevoja për opozitë, nevoja për progres, nevoja për kundërshti është ajo që nxjerr forcat, nxjerr liderat e rinj dhe e çon vendin përpara, ndërsa këmbëngula për të vazhduar në atë rrugë është ajo që fundos ata që e marrin atë rrugë përsipër, kaq.

Unë i uroj Andit që këtë ditë kur mbajti fjalën e tij të parë publike përpara kaq shumë njerëzve të mos e harrojë asnjëherë. Të gjithë këta njerëz që kanë ardhur këtu e të tjerë që nuk kanë mundur të vijnë, por që  e mbështesin e do ta mbështesin të mos i harrojë asnjëherë dhe të jetë çdo ditë në shërbim të tyre, duke mos harruar kurrë atë që thotë populli, “Hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj.”

Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm