Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › 30 Qershori është një datë historike për Shqipërinë!

Të reja

30 Qershori është një datë historike për Shqipërinë!

15 Jun 2019    

Fjala e drejtuesit politik të Qarkut Korçë,  Niko Peleshi:

Të dashur qytetarë të Korçës, 


të dashur banorë të fshatrave përreth, 


të dashur qytetarë të Maliqit që na jeni bashkuar sot këtu, të Devollit, të Kolonjës.


30 Qershori dhe vetëm 30 Qershori, asnjë datë tjetër nuk mund të ketë për të festuar fitoren përfundimtare të demokracisë mbi anti-demokracinë. 
30 Qershori është një datë historike për Korçën, Maliqin, Devollin, Pogradecin, Pustecin, Kolonjën, sepse në 30 Qershor ne do të votojmë për kryetarët e bashkive tona të këtij qarku të mrekullueshëm.
Këtu në Korçë në këto vite kemi bërë histori. Korça është bërë modeli i transformimit, Korça është një qytet që ndryshon çdo ditë, Korça është një qytet që inspiron që i jep frymëzim të gjithë Shqipërisë. 
Në 30 Qershor ne do të fillojmë një mandat ri për programin e dytë të madh të ndryshimit të  Korçës. 
Ne kemi ngjyer gjithmonë penën e programit tek fuqia juaj, tek qytetarët tanë, tek banorët e fshatrave të mrekullueshëm të kësaj zone. Ne po ecim përkrah jush për të shkruar faqe të historisë sonë.
Në 30 Qershor fillon programi i dytë i madh i transformimit ekonomik të kësaj zone.
Me Sotiraq Filon prej vitesh punojmë krah për krah, me mbështetjen e jashtëzakonshme të njeriut që ka transformuar çdo ditë me punën e tij Shqipërinë, Edi Rama.
Kemi ecur së bashku dhe kemi jetësuar një program, që ka hedhur themele të forta, që ka ndërtuar infrastrukturë të jashtëzakonshme, të mrekullueshme, moderne këtu në Korçë. Infrastrukturë mbitokësore e nëntokësore, parqe, muzeume, qendra historike, pazari i Korçës, zona pedonale që kam përpara, qendra sportive e qytetit. Të gjitha këto janë diamante mbi trupin e këtij qyteti, që çdo ditë u thotë qytetarëve të vet, se e nesërmja do jetë më e mirë. Ky është misioni ynë. Ndaj jemi mbledhur sot këtu që ti themi të gjithë Shqipërisë, fëmijëve tanë, se e nesërmja do të jetë më e mirë. 
Nuk mund të ketë një të nesërme ndryshe për Shqipërinë. Shqipëria nuk mund të ecë mbrapa, Shqipëria do të ecë vetëm përpara.
30 Qershori nuk është një datë historike vetëm për Korçën, por është një datë historike për Shqipërinë, sepse mbas 30 Qershorit politika shqiptare do të jetë një gjë tjetër. Mbas 30 Qershorit do të ndahet “shapi nga sheqeri”. Mbas 30 Qershorit do të fitojë përfundimisht demokracia. Mbas 30 Qershorit Shqipëria nuk do të jetë më një shtet që përpëlitet për të vendosur sundimin e ligjit, por do të jetë një vend ku sundimi i ligjit do të bëhet një realitet me Reformën në Drejtësi.
Mbas 30 Qershorit klasa politike shqiptare do të ketë kaluar një provim të vështirë dhe do të jetë futur në rrugën e modernizimit për ta marrë Shqipërinë drejt Bashkimit Europian përpara pa kthim prapa.
Sa herë historia e ka kërkuar Korça është vendosur në pararojë të lokomotivës së historisë.
Në këtë bulevard kanë ndodhur ngjarje të mëdha për Shqipërinë, jo vetëm për Korçën.
Në këtë bulevard Korça i dha Shqipërisë të parën mësonjëtore shqipe, në këtë bulevard Korça shpalli pavarësinë në betejën e Luftës së Parë Botërore dhe ngriti flamurin kombëtar duke e mbrojtur këtë copë Shqipërie nga gjithë kanosja e rrymave të kohës. Në këtë bulevard në shkurt të vitit 1991 Korça përfundimisht hoqi simbolet e diktaturës dhe vendosi përsëri simbolet e demokracisë.
Në këtë bulevard jemi mbledhur ne sot për ti thënë Partisë Socialiste, Edi Ramës, progresistëve shqiptarë, gjithë qytetarëve të mirë shqiptarë, të majtë e të djathtë, se nuk mund të ketë kthim prapa dhe se ne si gjithmonë në histori do bëhemi bashkë. Ashtu sikurse kemi votuar për programet e bashkisë të majtë e të djathtë, do të votojmë në 30 Qershor. 
Nuk bëhet më fjalë për ndarje partish, nuk bëhet më fjalë për flamuj partish, por bëhet fjalë për  flamurin e Shqipërisë, për flamurin e demokracisë.
Dua ti jap fjalën një miku të ngushtë, një qytetari të urtë, një qytetari të mençur, një qytetari punëtor, atij që është në krye të ndryshimeve të përditshme në Korçë kryetarit të Bashkisë, Sotiraq Filo.
Le ti urojmë me një brohoritje të madhe Sotiraq Filos suksese për mandatin tjetër që do të fillojë në 30 Qershor. 
Suksese dhe fitore!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm