Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › 30 qershori është një stacion me rëndësi historike!

Të reja

30 qershori është një stacion me rëndësi historike!

16 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit te Partisë Socialiste, Edi Rama në Pogradec:

Ne kemi marrë përsipër një mision historik, që ta ndryshojmë përfundimisht rrugën e Shqipërisë dhe në 30 qershor është shumë e qartë që është një nga ato stacione me një rëndësi të madhe historike, sepse jo thjesht do të zgjedhim kryetarët e bashkive, por kështu si erdhi puna, ose më saktë si kërkojnë t’ia sjellin ata punën Shqipërisë, në 30 qershor do të vendosim po ashtu se Shqipëria përfundimisht nuk kthehet më kurrë mbrapa.

Kjo është një fushatë që në një aspekt është shumë e thjeshtë, sepse është një fushatë zgjedhjesh vendore dhe si e tillë, për ne, kudo ku shkojmë, aty ku kemi qeverisur 4 vjet nuk kemi nevojë të themi shumë fjalë, se janë punët që flasin më shumë se të gjitha fjalët. Ndërkohë që kudo ku shkojmë aty ku të tjerët kanë qeverisur, si këtu në Pogradec, është vetë realitetit që flet për nevojën e madhe të ndryshimit që ju dhe të gjithë pogradecarët e pogradecaret do të sillni në 30 qershor, duke votuar Ilir Xhakollin.

Ne, pavarësisht se nuk kemi pasur drejtimin e bashkisë, kemi bërë aq sa kemi mundur për Pogradecin, nuk e kemi harruar, përkundrazi dhe si të thuash e kemi rrethuar me punët tona nga rruga shembullore, një model që vlen për të bërë qartë dallimin mes nesh dhe atyre që rrugët i lanë rrugëve, tek unaza e qytetit. Por në qytet brenda nuk jemi futur dot, se ky derdimeni që keni këtu ju e ka mendjen vetëm të bëjë pallate dhe asnjëherë nuk ka sjellë një projekt të vetëm serioz që ne të mund ta mbështesim.

Me Ilirin do të bëjmë të gjitha ato që janë të mundura, por ndërkohë që bashkia ka një sërë gjërash që duhet e do t’i bëjë vetë, ne sëbashku do të bëjmë projektin e madh të transformimit të Pogradecit me të gjithë lungogjolin dhe kush do të ketë një ide se çfarë ndryshimi do të ketë, mjafton të shikojë Vlorën me lungomaren, se si ishte dje dhe si është sot.

Nuk dua të zgjatem shumë me pjesën e zgjedhjeve vendore në sensin e punëve të qytetit, sepse ne socialistët kemi certifikatë, kemi licencë të kategorisë A për të na marrë në punë. Kush na merr në punë dhe na thotë ky është besimi ynë, kjo është vota jonë, punoni për ne, ne ia kthejmë me punë dhe me rezultate që kanë folur dhe flasin për ne, kështu që kjo dihet. Do të ndryshosh një qytet, merr një socialist. Do të bësh rrumpallë, ke një demokrat dhe vazhdo.

Sidoqoftë, këto zgjedhje do kishte qenë më e mira të ishin zgjedhje vendore dhe garë mes konkurrentësh, por ne konkurrentët nuk i kemi, madje i kemi në fakt, ishin rrugës kur po vinim këtu, një çetë e vogël atje, grupe të shpërndara nëpër rrugë, që dalin në rrugë dhe të kujtojnë ato grupet e dëshpëruar të enveristëve në vitin 1990 dhe në fillim të ’91-një, kur dilnin për të frenuar të pafrenueshmen, demokracinë. Sot, ata dalin për të frenuar të pafrenueshmen, drejtësinë. Nuk kanë për ta frenuar dot. Aq sa e frenuan ata atëherë, aq mund ta frenojnë dhe këta sot.

Unë dua që t’jua them shumë thjeshte, pse jemi në këtë situatë dhe ne nga ana jonë nuk lëshuam asnjë milimetër fill për ta dhe pse këmbëngulëm se zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor dhe nuk e luan as topi, as burri i fallxhores. Shumë njerëz fillimisht, tani gjithmonë e më pak, por deri në 30 qershor nuk do ketë fare, thonin pse mos shtyhen zgjedhjet. Pse tani të hyjmë në një histori me një kokëçarje të madhe, me sherr, me shamatë, ne tani kemi gjithë këtë mundësi me sezonin, me turizmin, duam qetësi, pastaj u lodhëm me këtë histori, merruni vesh dhe kaq.

Në fakt, po ta marrësh nga ana ime, - meqë jam unë ai që jam vënë në shënjestër si arsyeja kryesore e këmbënguljes në të kundërtën, - vendosuni për një moment në pozicionin tim, çfarë arsye do të kisha unë, po të ishte thjeshtë dhe vetëm personale për rehatin tim dhe për qetësinë time, që të mos i shtyja zgjedhjet? Unë jam kryeministër, qeverinë e kemi, shumicën në Parlament e kemi shumë solide, mbështetjen nga Parlamenti e kemi të palëkundur. Në nivelin vendor kemi 75% të territorit që i qeverisim ne socialistët, kemi thuajse të gjitha bashkitë kryesore. Atëherë çfarë problemi ka për ne, pse mos i shtynim zgjedhjet?

Mirë këto pyetje mund t’i bësh vetëm kur nuk ke parë filmin. Ky nuk është një film i ri. Ky është një film që ne e kemi parë. Kjo është një seri e re, por që të mos merrem me të gjitha seritë që kemi parë, po vij tek seria para kësaj.

Dy vjet më parë, po këta bënë po këtë, ikën nga Parlamenti, ngritën një bunker plasmasi poshtë dritares time, ku vinte Luli në mëngjes këndonte himnin dhe thoshte jo kurrë, me këtë kryeministër, me këtë qeveri nuk do hyjmë në zgjedhje, nuk do ketë zgjedhje, nuk do lëmë të bëhen zgjedhje dhe ndërkohë Shqipëria, shqiptarët prisnin votën për vettingun. Ikën sepse nuk donin të votonin vettingun, por sigurisht ikën për të krijuar një mundësi rrëmuje, një mundësi konfuzioni, një mundësi paqartësie dhe për të na lëkundur dhe mundësisht për të na gjunjëzuar që ne t’u hapnim rrugë atyre. Si përfundim, ju e mbani mend shumë mirë,  në fund fare i mori Luli të gjitha çfarë kërkoi dhe çfarë i kërkuam ne?

Voto vettingun, prano që kush fiton qeveris, kush humbet rri në opozitë dhe mos e shaj më Shqipërinë në gjuhë të huaj, - këto i kërkuam.

Vettingun e votoi se nuk kishte ku shkonte. Dy të tjerat i harroi dhe ja ku i keni prapë këtu, madje i keni këtu më keq se dy vjet më parë, sepse kanë djegur mandatet, kanë marrë molotovët, i kanë hipur kalit mbrapsht, për ta tërhequr Shqipërinë me vete në rrugën e frikës, në rrugën e ankthit, në rrugën e rrëmujës, sepse sa për zgjedhjet e kanë thënë vetë, Edi Ramën nuk e mundim dot me vota. Por zgjedhjet, që ta keni të qartë pse nuk shtyhen, tani nuk diskutohet më, por pse që në fillim, ne kemi qëndruar tek data, ata i kanë objektiv si peng, duan t’i marrin peng që të marrin peng Shqipërinë, sepse ata po bëjnë çmos që negociatat me BE të mos hapen, që të shpërndajnë nëpër Europë pamjet e shëmtuara me kazan plehrash që digjen, me njerëz me maska që i hidhen në fyt policisë dhe me sulme nëpër institucione, për të krijuar idenë që çfarë negociatash do hapim me këtë milet? Ky vend si mund të hapi negociata me Bashkimin Europian, ku populli është ngritur kundër një qeverie krimi dhe është e kotë të merremi me këta.

Kjo është ajo që ata duan të bëjnë. Edhe përgjimet që dolën, dolën nga valixhja e mbyllur. Në vend që të hetoheshin, në vend që të shkonin për gjykim dhe të ndëshkoheshin të gjithë ata, të cilët sipas përgjimeve duhet të ishte provuar kanë apo nuk kanë lidhje me çfarë thonë dhe si pason nga biseda në telefon në realitet prova, jo, ai prokurori famëkeq, i njohur botërisht si një shërbëtor i familjes së Sali Berishës, në vend se t’i gjykonte të gjitha ato përgjime dhe pasi t’i gjykonte në bazë provash, t’i çonte në gjykatë dhe të ngrinte akuza për këdo, sepse ne kemi treguar që ne kurrë nuk e shikojmë drejtësinë si një çështje partish politike, apo si një çështje që na ndan ne me njerëzit. Përkundrazi, për ne drejtësia duhet të jetë një dhe e barabartë për të gjithë dhe prandaj ne kemi qenë, jemi dhe do jemi deri në fund mbështetësit dhe garantët e vetëm të reformës në drejtësi.

Hapën valixhen, nxjerrin përgjime, i hedhin në Gjermani dhe duan ta bëjnë për budalla këtë popull që i zbuloi Gjermania. Zbuloi Gjermania përgjimet që janë bërë këtu, sekreti hetimor që është nxjerrë nga këtu, në vend se hetimet të përdoreshin vërtetë për drejtësinë, sepse këtë kanë bërë gjithmonë. Për ta drejtësia ka qenë gjithmonë një zgjatim, një bisht i pushtetit politik. Për ta drejtësia ka qenë gjithmonë një zgjatim, një bisht i interesave të tyre personale, i interesave të tyre familjare, i interesave të tyre partiake dhe asnjëherë një mekanizëm që duhet të funksionojë në rrugën e një vendi që bëhet shtet. Sot duan përsëri që populli t’u hapi rrugë atyre, siç dikush i hap rrugë budallait kur i shfaqet përballë, por një njeri i zakonshëm që është në punën e vet, apo një çift me një karrocë fëmijësh që është në punën e vet, apo dy pensionistë që janë në punën e vet mund t’i hapin rrugë njërit që bën budallain në mes të rrugës ngaqë është tapë, por populli t’i hapi rrugë një grupimi politik që sillet sikur është tapë, kjo është jashtë imagjinatës.

Nëse ne do të shtynim zgjedhjet, ne do t’i bënim Shqipërisë një të keqe shumë të madhe. Duke bërë zgjedhje pa kundërshtar, ne në fakt pranojmë këtë si të keqen më të vogël që nuk e kemi zgjedhur vetë, na e kanë imponuar ata. Ata kujtuan se po të ikin ata, ne nuk do bëjmë zgjedhje, do shkojmë pas tyre. Jo, ata e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për të vrarë veten politikisht. Nuk i ndalojmë dot, por Shqipërinë me vete ata nuk kanë për ta marrë dot. Imagjinoni që me shtyrjen e zgjedhjeve, kjo të kthehej në rregull, se këta janë ata që e mësuan popullin shqiptar që kush është politikan mëson hilet përpara rregullave dhe i shpëton të gjitha rregullave. 

Ndërkohë që, është koha që politikanët, përfundimisht jo vetëm që ti nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjit, siç duhet dhe i nënshtrohen në fakt njerëzit e zakonshëm, por duhet të jenë shembulli i nënshtrimit ndaj Kushtetutës dhe ligjit jo shembulli i kryengritjes ndaj kushtetutës dhe ligjit.

Çfarë shembulli i japin këta popullit, çfarë shembulli i japin këta të rejave dhe të rinjve kur nuk zbatojnë ligjin dhe kujtojnë se me forcën që në fakt nuk është e tyrja, është forca që ua kanë dhënë mandatet e njerëzve, ata mund të jenë mbi ligjin dhe arsyeja pse ata duan me çdo kusht ta bëjnë Shqipërinë zhele në sytë e Europës dhe duan me çdo kusht që Europa të thotë jo, ne nuk i hapim ne negociatat me këtë vend zhele është se ata e dinë se çfarë vjen.

Vettingun nuk e ndaluan dot. Vettingu po  pastron sistemin e drejtësisë nga gjykatës dhe prokurorë që e kthyen drejtësinë në një Pazar të madh, në një Pazar që drejtësinë e merrte kush paguante më shumë. Në një Pazar ku drejtësia i jepej vrasësit dhe vritej dy herë djali i një nëne që s’kishte fuqi.

Mirëpo nuk mjafton pastrimi sepse kur fillon negociatat, ulesh në tavolinë me Bashkimin Europian dhe në tavolinë ke dy kapitujt e parë të bisedimeve për t’u bërë anëtarë dhe Bashkimi Europian të thotë “urdhëro, kapitulli 23, kapitulli 24, kapitujt e drejtësisë.

Nuk më mjafton që ti ke Kushtetutën të votuar siç e votove, që ti ke ligjet siç i votove, që ti ke vettingun dhe po bën pastrimin, tani duhet të më tregosh, a je ti një vend, Shqipëri, anëtar i denjë i bashkimit Europian?

A je ti vendi ku drejtësia nuk do të dijë fare sa i gjatë je sepse nuk ka asnjë që është më lart se sa drejtësia dhe ku drejtësisë nuk i fshihesh dot sado i shkurtër të jesh. A je ti vendi ku drejtësia mund të të thërrasë dhe të ndëshkojë presidentë e kryeministra, e ish presidentë e ish kryeministra e ministra dhe ish ministra njësoj siç ndëshkon këdo që nuk e ka forcën që i buron nga politika apo nga paraja?

Ata e dinë shumë mirë këtë. Historia e vendeve që kanë hyrë në bashkimin Europian është kjo. Duhet të provojnë që janë shtete të së drejtës dhe e kanë provuar, duke dhënë provat që sistemi i drejtësisë funksionon, por ku e përballon dot Saliu këtë lloj situate? Si do e përballojë Saliu? Po Iliri si do e përballojë këtë? Po Lulzimi që ka nuk e di se sa vite që bën prokurorin live dhe tani nuk është i dyshuar është i akuzuar, si do e përballojë këtë? Prandaj fallxhorja punon ditë – natë që rruga të mbyllet. Tani, ne nuk kemi çfarë bëjmë. Ashtu sikundër, unë dua t’ju them se përpjekja e tyre për të futur frikën, për të krijuar sekëlldi, për të futur ankth, pasiguri tek çdo familje, në fakt ka bërë një dëm shumë të madh. Ka goditur sipërmarrjen e njerëzve të zakonshëm që jetojnë me biznes të vogël, me shitje, ka goditur turizmin, duke goditur të gjithë ata që kanë investuar për të pasur më shumë shtretër, për të pasur më shumë dhoma, për të pasur më shumë mundësi mikpritje dhe kërkon të godasë psikologjikisht gjithë popullin me frikën që do bëhet këtu ’97. Edhe vetë Ilir Meta del dhe thotë, duhet të shmangim këtu ’97. Po cilën ’97? Ku janë këtu kursimet e gjithë popullit që janë djegur me gjithë gjakun dhe me djersën e tyre. ku është këtu populli që është ngritur nëpër qytete në revoltë apo është ky djali i Faros me atë shokun e Gridës që ishin atje tek rruga me ca njerëz të lodhur apo janë ata që dolën në Librazhd edhe që sot morën dënim dhe është gjynah sepse ata në Librazhd që sot morën dënimin me burg nuk i nxori atje as babai, as mamaja, as halli i familjes, por i nxorën ata të cilët vazhdojnë flenë në shtëpitë e tyre.

Pashë këtë profesorin tim të dashur, Spahon. Profesor Spaho kishte dalë dhe thoshte këta janë të burgosur politikë. Profesor Spaho vajti atje që i nxori në rrugë. Profesor Spaho i nxori në rrugë dhe për vete kthehen në shtëpi sot, kurse ata në shtëpi nuk shkojnë dot sepse i kapi neni i pengimit të zgjedhjeve. Një deri në 5 vjet burg. Tani, më falni bëhet burg për profesor Spahon? Seriozisht se ju e keni pasur deputet këtej nga Pusteci. A bëhet burg për profesor Spahon? A shkohet në burg për një grup njerëzish që mbasi i morën popullin mandatin, i dogjën mandatet dhe thanë “ne jemi populli, do bëhemi populli” dhe në fakt çfarë bënë, u futën në mes turmës, gjetën ku i kishin më budallenjtë ose më të sinqertët dhe i hodhën mish për top dhe janë me dhjetëra që janë burgjeve sepse kanë shkelur ligjin për llogari të kujt? Për llogari të Saliut, të Ilirit, të Lulzimit, të fallxhores. Po mirë, më falni por çfarë janë këta? Po mirë, po kaq logjikë nuk kanë këta? Shkojnë futen në burg sot disa njerëz për profesor Spahon dhe profesor Spaho thotë janë të burgosur politikë dhe kur të vijë ne në pushtet do t’i shpërblejmë si të burgosur politikë. Këta kanë ikur të gjithë. E patë si kishte ikur Nertian Ceka? E patë Neritan Cekën si kishte ikur? Goxha burrë. Gjithë ai arkeolog ishte zhytër në filxhan dhe kishte dalë si xhind nga filxhani. Mallkonte, “haram qumështi atyre që shkojnë të votojnë në datë 30, haram kjo e haram ajo”. E thoshte bukur Zëeig, mirë u çmendën po pse të gjithë menjëherë? Se ky është halli më i madh. Mirë u çmendën, por pse të gjithë bashkë? Kur mendon që duan të bëjnë për budalla popullin më politikan në botë se shqiptarët janë populli që merret me politikë më shumë se të gjithë. Si gënjehen këta njerëz? Mirëpo prapë i gjejnë ca, i gjejnë ca që shkojnë dhe i bien murit me kokë. Një gjë e paimagjinueshme se si mund ti biesh murit me kokë dhe mbi të gjitha, këta që sot janë nëpër burgje, ose këta që hyjnë nëpër burgje për çështje të zgjedhjeve, këta mirë që do rrinë brenda, por këta kur të dalin nga brenda nuk do dalin dot jashtë. Këta nuk do shkojnë dot më as deri këtu në Shkup. As në Tetovë nuk do shkojnë dot më. Këta nuk e kalojnë dot më kufirin, lëre më pastaj Janine e Athinën apo Romën. Tani më falni, por a mundet njeriu të izolohet për gjithë jetën për llogari të Ilir Metës dhe të Sali Berishës?  Të Lulzim Bashës dhe të fallxhores? Mundet ti, ti mbyllësh vetes të gjithë rrugët jashtë shtetit se të thotë fallxhorja në filxhan “shiko se ke një rrugë këtu që duhet të shkosh ti biesh murit me kokë”?

Tani, meqë këtu është zona, desha, se këtu është zona e Bari Falliut kjo dhe doja që t’jua tregoja me filxhan në dorë se çfarë i thotë fallxhorja Bari Falliut. I thotë, “Faro, shoh një peshk të madh këtu, në formë F-je dhe lek i madh Faro i thotë, lek i madh”. Dhe Faro i thotë, “po kjo K-ja këtu afër çfarë është, koran”? Jo Faro i thotë, kjo K-ja këtu është Klevisi dhe i thotë Farua, po çfarë bën ky këtu? Po më ha lekët mua? Dhe fallxhorja thotë “Jo, ti ha Faro ti ha, por shiko këtu se si hapet rruga e gjolit këtu dhe ja ku e ke dhe del një “I” këtu që është Iliri dhe shikoje Faro si e bën Iliri zjarr. Zjarr gjithë gjoli bëhet tigan dhe K-ja bëhet ministër drejtësie. Tani, në këtë situatë mirë është dhe të qeshim pak me këta se këta ja ngrysën vetullat e ja ngrysën ballin këtij vendi, por mirë është të qeshim dhe pak me këta se këta janë për të qarë e për të qeshur në fakt. Për të qarë, i qamë. Tani të qeshim se është e paimagjinueshme vërtetë e gjitha kjo që ndodh, por ishte e shkruar ta kalonim dhe këtë. Do ta kalonim dhe këtë se nuk kishim çfarë bënim dhe e vërteta është që kur Iliri thotë kam frikë nga ’97, çdo shqiptar e kupton që nëse realisht ai është i shqetësuar, e zgjidh menjëherë. I thotë fallxhores, deri në datë 30 nuk do blejmë më kafe turke dhe mbaron. Nuk ka më asnjë problem. Saliu merr Lulin dhe i thotë, Luli në shtëpi me vrap, boll ndenje rrugëve. Me vrap në shpi dhe gjumë. Apo Luli për gjumë, fle deri me datë 31 qershor. Kështu që kjo është e gjitha një lojë e ulët që kur e mendon, nuk ka realisht asgjë për të qeshur sepse është dramatike që një grusht njerëzish të cilëve Shqipëria u dha shumë realisht, arritën deri në këtë pikë sa të bëjnë një plan të tillë për ta marrë peng Shqipërinë. Por, Shqipërinë peng ata nuk e marrin dot më kurrë dhe në 30 qershor kjo është vota. Vota në 30 qershor është një votë, është një thikë me dy presa. Njëra anë është për të thënë, këtu ne zgjedhim Ilir Xhakollin dhe ana tjetër është për të thënë, këtu ne këpusim përfundimisht zullumin e trashur të historisë së këtyre njerëzve që boll na kanë lodhur 30 vjet, tani këtu mbaron dhe 30 vitet që vijnë nuk do jenë si ato që shkuan.

Tani duhet ta themi, se e nisa me këtë e duhet ta them. Xhakolli është vërtetë me Zotin, ia mbylli fallxhorja, por shiu nuk ra Xhakoll. Kështu që në fund të ditës, maksimumi që mund të na bëjnë është të na e mbyllin qiellin, përkohësisht por çfarë kemi për t’i thënë i themi, çfarë kemi për të bërë do ti bëjmë sepse Shqipëria është e shqiptarëve.

Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm