Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › 30 qershori është për Shqipërinë që vjen pas 30 qershorit

Të reja

30 qershori është për Shqipërinë që vjen pas 30 qershorit

20 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Shkodër:

Shumë faleminderit për këtë mirëpritje dhe padyshim për mbështetjen  që ju të gjithë të pranishëm i jepni Valdrinit, i cili ju siguroi se do të jetë një kryetar  bashkie që do të nisë të shkruajë një kapitull të ri transformimi për Shkodrën. 

Dua t’ju them diçka, jo juve këtu, por edhe atyre që nuk janë këtu, jo vetëm socialisteve, por edhe demokratëve. Të gjithë atyre që jetojnë në Shkodër, apo që janë të lidhur në një mënyrë apo në një tjetër me Shkodrën. Katër vjet më parë iu thashë vlonjatëve se ishte koha për të hapur një kapitull transformimi dhe kushdo që e shikon Vlorën sot, krahasuar me katër vite më parë, e ka të vështirë ta njohë. Ndërsa sot u them gjithë shkodranëve që Shkodra e 4 viteve të ardhshme është ndër të tjera edhe sfida ime personale, për të bërë sëbashku me Valdrinin, më shumë se në të thuajse 30 vite të marra sëbashku, në drejtimin e atyre që sot kanë dalë në rrugë të madhe.

Kanë dalë në rrugë të madhe dhe nuk dinë se çfarë të ofrojnë tjetër, përveç kërcënimeve, shantazheve, molotovëve dhe kaos. Më vjen shumë keq  sinqerisht, që nuk na u dha mundësia që drejtuesit, - në këtë rast është drejtuese, - më të paaftë që është ulur ndonjëherë në karrigen e një kryetari  bashkie, të majtë apo të djathtë, në të gjitha vitet e shtetit shqiptar që nga koha kur për herë të parë është hapur zyra e një bashkie, apo komiteti ekzekutiv, apo komune, t’i jepnim një mësim të merituar me votë në një garë alternativash, kandidaturash dhe ballafaqimi demokratik. Kjo nuk është në dorën tonë, këtë nuk e zgjodhëm ne, këtë nuk e pamundësuam ne. Ky nuk ishte as plani dhe as qëllimi ynë.

Ata kapitulluan përpara fillimit të betejës zgjedhore, sepse plani i tyre është krejt tjetër. Plani i tyre nuk ka lidhje me Shkodrën, nuk ka lidhje me bashkitë e Shqipërisë, nuk ka lidhje me të ardhmen. Plani i tyre është plani i katër njerëzve në një hall shumë të madh me drejtësinë që po vjen dhe  i gjithë atyre rreth e rrotull, që verbërisht i ndjekin nga pas, pa ditur se as ku do të shkojnë dhe as se ku i nxjerr kjo rrugë qorre.

Nëse ne do të ishim, apo unë do të isha njeriu që ata përpiqen të pikturojnë, njeriu që i do të gjitha pushtete, edhe dy vjet më parë e kishim dhe e kisha mundësinë që të hynim në zgjedhje pa ata. Sepse dy vjet më parë u përsërit e njëjta histori dhe kush kthen kokën pas e kujton fare lehtë. Ikën nga Parlamenti sepse nuk donin të votonin vettingun dhe filluan të njëjtin avaz, “nuk hymë në zgjedhje”, “nuk ka zgjedhje me Edi Ramën”, “Rama ik” etj.. E mbajnë mend të gjithë, sesa shumë jam lutur Lulzim Bashës për t’u marrë vesh dhe në momentin kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian  u dorëzuan dhe thanë që nuk ka më shpresë të merresh vesh me këta, kështu që vazhdoni zgjedhjet, ato janë legjitime edhe të vetëm, unë përsëri, tamam si Romeo poshtë ballkonit të Zhulietës, vazhdoja t’i lutesha Lulzim Bashës.

Nëse do kisha bërë atë zgjedhje, sot do kishim 140 deputetët të PS-së në Parlament, edhe të Partisë Socialdemokrate që këtu në Shkodër e kemi parti aleate.

Pse nuk e bëra këtë? Sepse nuk u nisa nga interesi i ngushtë, nuk u nisa as duke pare një hap më tutje, por, siç përpiqem gjithmonë, të paktën tre hapa më tutje dhe mendova se ishte koha për të sprovuar historinë e dhimbshme, të ngatërruar, të pahijshme të konflikteve, për të bërë një marrëveshje për Shqipërinë, duke i ofruar PD-së dhe kryetarit të saj gjithçka që ai kërkoi, gjysmën e qeverisë dhe jo gjysmën më me pak peshë, por gjysmën më me peshë; Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Financave dhe me radhë, Drejtorinë e Burgjeve, se burgjet i duan ata gjithmonë, se kur ishin në pushtet, kriminelët i nxirrnin në fushatë me leje lindjeje. Kjo është e vërtetë, nuk është shaka, kanë ndodhur që i kanë nxjerrë edhe me leje lindjeje, për t’i çuar nëpër territore dhe për të terrorizuar gjithë miletin. Këta heronjtë e votës së lirë. Morën Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, - i cili është akoma aty,  shikojeni, është një monument kulture që mbrohet nga Fatmir Mediu, - dhe Avokatin e Popullit. Të gjitha.

Lulzim Basha, kur i mori të gjitha, tha po ti çfarë do? Unë i thashë dua që ti të kthehesh tani në Parlament dhe të votosh Vettingun. Pastaj kam edhe dy gjëra, e para, kush fiton, fiton, kush humbet, humbet. Ai që fiton, qeverinë, ai që humbet, qëndron në opozitë dhe nuk ka më llafe, jo po zgjedhjet kështu, jo po zgjedhjet ashtu. E dyta, nuk ka më të shahet Shqipëria në gjuhët të huajë. Çfarë kemi me njëri-tjetrin, shqip. Kur flasim me të huajt jemi shqiptarë, nuk jemi socialistë e as demokratë.  E di që e kam patur idenë e bukur, por ç’e do.

Mbaruan zgjedhjet, asnjë fjalë. Erdhi vera, normal ai pushimet i ka të shenjta, nuk i prish për asgjë. U kthye nga pushimet dhe filloi avazi dhe sot dy vite më pas është më keq se dy vjet më parë. A se u mësua keq, a se nuk bën dot ndryshe, por avazi është më keq se dy vite më parë dhe përsëri, lepuri fle në barkun e frikës nga drejtësia, njësoj. Që në sekondën e parë, kur ne dhe unë personalisht, e kemi mbështetur fillimin e reformës në drejtësi, ata kanë qenë kundër, bënë çmos për ta penguar, për të vonuar, për të bllokuar, deri sa erdhi dita te votimi më sureal në sallën e Kuvendit. Një grup me kartonin jeshil lart dhe me kokën poshtë, sikur ishin në pushkatim dhe sikur po jepnin votën për t’u pushkatuar vetë. Aq me zor e votuan atë reformë në drejtësi.

Sot, problemi është shumë i madh dhe  plani është shumë i qartë. Shqiptarët mund të kenë shumë gjëra ku janë mbrapa bote, por në botë, popull më politikan, që nuk ia hedh dot kush, janë shqiptarët. Kush i ka marrë për budallenj, ose kush i ka nënvlerësuar dhe i ka harruar, gjithmonë është dënuar. Dhe sot, çdo shqiptar i arsyeshëm, që mendon me mendjen e vet dhe që nuk e ka trurin në frigoriferin e SHQUPI-t, e di shumë mirë se kjo histori nuk është e rastësishme.

Nuk është rastësi që u bënë përgjime në vitin 2016 për krime elektorale dhe nuk u hetuan, por u mbyllën në valixhe dhe valixhja  i shkoi partisë. Partia e mbajti valixhen për ditë të zezë dhe dita e zezë është për ata, kur Shqipëria është në prag të çeljes së negociatave. Nuk është rastësi që ato muhabete, të cilat duhet të ishin hetuar, për të cilat duhet ishte parë nëse ka prova, apo nuk ka prova dhe në rast se ka prova, duhet të ishin ndëshkuar ata që kanë shkelur ligjin, nuk dolën këtu. Dolën mu në zemër të Europës, aty ku është qendra e gravitetit  të BE-së dhe aty ku merret vendimi, një nga vendet kryesore që merr vendimin për hapjen e negociatave, për të torollisur dhe për të çorodit mendjen e atyre që janë miq dhe për të ushqyer edhe me më shumë helm ndaj Shqipërisë,  ata që nuk e kanë me Shqipërinë, por që nuk duan t’ia dinë për zgjerimin me anëtarë të rinj të BE-së.

Nuk është rastësi që në Gjermani dalin këto përgjime para protestës së radhës dhe lajmërohen në fillim te SHQUP-i dhe pastaj dalin në Gjermani. Medemek, shqiptarët janë dele që e hanë si barin këtë lloj loje, që e zbuloi Gjermania përgjimet që u bënë këtu, për të krijuar konfuzion dhe çoroditje.

Nuk është rastësi që ka muaj të tërë që organizohen protesta me turistë politikë. Mbyllet bashkia këtu, mblidhen të gjithë punonjësit ku janë dhe ku s’janë , futen nëpër në autobusë e vijnë në Tiranë, gjenden edhe ca të rinj rrugëhumbur që vënë maka,  gjejnë edhe disa budallenj ose ca njerëz më të sinqertë, që kujtojnë me gjithë mend se u bë deti kos dhe ka edhe një lugë për ta, hidhen mbi institucionet molotovët, digjen kazanët e plehrave, bëjnë fotografi, bëjnë filmime dhe gjithë bota mbushet me imazhet e një vendi ku populli është ngritur në këmbë kundër një qeverie krimi, e një vendi që as nuk mund ta çosh nëpër mend që mund të hapësh negociata.

Dikush mund të thotë që kjo nuk duket shumë e besueshme.

Pse këta i kanë problem negociatat?

Duhet ta dinë të gjithë që hapja e negociatave në momentin kur BE thotë dakord, ju i keni plotësuar kushtet, kur ne të ulemi në tavolinë dhe të fillojmë të flasim si do bëheni anëtarë të kësaj familje, gjëja e parë që bën, është të vë përpara dy kapituj negociatash, që janë kapitujt e drejtësisë. Te kapitujt e drejtësisë vendi që kërkon të futet në atë familje nuk duhet thjeshtë të tregojë që ka kaluar ligje, ka pastruar kaq gjykatës e prokurorë, por duhet të tregojë se është një vend ku drejtësia nuk pyet më për asnjë, është një vend ku sado i gjatë që të jesh, drejtësia të ul në karrigen e të akuzuarit, nëse ke punë me drejtësinë, është një vend ku sado  i shkurtër të jesh, nuk fshihesh dot, se drejtësia të kap dhe ul atje, është një vend ku presidentë, ish presidentë, kryeministra, ish kryeministra, ministra e kushdo tjetër që këtu e 30 vjet kanë luajtur harush me drejtësinë, mund të hetohen, mund të dënohen, mund të ndëshkohen. Ky është momenti  i hapjes së negociatave.

Ju pasi të dëgjoni këtë, vetëm shikojini me sytë e mendjes dhe kujtojini se kush janë Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe fallxhorja. Katër persona që mjafton të kujtohesh dhe e kupton që janë në hall dhe për këtë hall janë gati ta bëjnë Shqipërinë çorap, janë gati ta nxjerrin Shqipërinë rrugëve, si një qenie që nuk meriton respekt, si një qenie ku s’ka asgjë tjetër, përveçse krim, drogë, si një qenie që nuk ka lidhje me Europën.

Sepse ta marrim përsëri nga ana ime, mendoni për një moment sikur të ishit ju në vendin tim dhe ta shikoni gjënë komplet interes të ngushtë, pa parë çfarë vjen pas. Thjesht sot kemi një dhimbje koke, i gjithë vendi sepse janë këta xhagajdurët që kanë vendosur të çmenden dhe gjithë duan normalisht një vend normal të qetë, jo një vend që ka tension. Shumë njerëz, gjithmonë e më pak në fakt, por në fillim thonin, “çfarë ka? Shtyjini zgjedhjet tani se çfarë kuptimi ka kjo? Të tjerët thonë, aman vetëm luftë mos bëhet, por punë e madhe zgjedhjet”. Të tjerë thonë, “po mirë mo, ky paska qenë taksirati jonë të paktën veshët mos na i çani, merruni vesh e bëni çfarë të doni”.

Dakord, po të ishte për mua personalisht, çfarë nevojë kam unë personalisht, - në mënyrë egoiste, - çfarë nevoje kam unë që të ndërmarr gjithë këtë fushatë dhe të hyj në të gjithë këtë betejë ku ka probleme, ku ka vështirësi, ku ka momente që duhet të përballesh me gjëra që janë absurde, siç ishte djegia e shkollës këtu, ndërkohë që unë e di shumë mirë, siç e dinë dhe ata që bëjnë këto protesta, as unë iki, as qeveria ikën se ata hidhen përpjetë.

Ata mund të hidhen komplet përpjetë, qeveria dhe unë jemi aty. Parlamenti është aty. Ikën, ju kujtohet kur lanë mandatet, e festuan sikur kanë çliruar Shqipërinë dhe tani janë kujtuar, por është vonë. Ikën me festë, pastaj vinin donin të hynin me zor. Mbështetjen në parlament e kemi. Bashkitë, 75% të pushtetit vendor, sot ne i drejtojmë. Thuajse të gjitha bashkitë kryesore përjashto Shkodrën, Kukësin e ndonjë tjetër i kemi ne.

Atëherë për çfarë duhet bërë kjo? Pse mos i biem shkurt?

Këtu është pika që të gjithë duhet ta kuptojmë, nëse i biem shkurt, kjo ne na nxjerr shumë gjatë. Nëse ne themi hajde ta shtyjmë nuk mbaron më historia, sepse ajo që ndodh me shtyrjen është shpërblimi i një pakice që do të imponohet me zor ndaj një shumice, nëse ky mësim ndodh kështu, atëherë nesër çohet tjetri, ose po këta, pasnesër një tjetër, një tjetër dhe çdo pakicë mund të thotë “jo, nuk dua”. Mbaruan zgjedhjet jam në minorancë, po ikim nga parlamenti po çmendem dhe diçka do ndodhë, unë nuk dua zgjedhje.

Si vazhdon kjo histori kështu? Sepse historia e këtyre thuajse 30 viteve ka treguar që politikanët shqiptarë hilet i mësojnë para rregullave dhe hilen e kthejnë në rregull. Kjo është historia. Këtu është momenti për ta ndarë dhe për të thënë, ok. Ti mund të çmendesh, por Shqipëria nuk është një vend ku budallait mund t’i hapet rrugë. Mund t’i hapësh rrugë budallait kur të del në trotuar dhe ti i hap rrugë, një çift i ri me një karrocë fëmijësh, del një budalla i hap rrugë, dy pensionistë i hapin një rrugë, por  jo një popull i tërë t’i hapë rrugë një tufe njerëzish që thonë, “o kështu si themi ne, o s’ka”.

Ku është parë kjo? Ku shkojmë ne kështu? Çfarë mësimi i japim ne më të rinjve? Çfarë i mësojmë ne studentëve? Çfarë iu mësojmë ne të rinjve, çfarë iu mësojmë ne mësuesve? Çfarë iu mësojmë ne të tjerëve si shembull, që çmenduni edhe jeta është më rehat. Kjo është e njëjta histori si vidhni energjinë jeta është më rehat, ndërtoni ku të mundeni, jeta është më rehat, shkelni ligjin, jeta është më rehat. Pse budallenj jemi? Bjeri shkurt.

Tjetra është që ata zgjedhjet nuk i duan. Nuk është se thonë shtyji dhe bëjmë ndonjë datë tjetër. Ata nuk duan fare. Ata zgjedhjet i duan si peng, për ta futur vendin komplet në rrugë pa krye dhe në tetor BE mblidhet për negociatat as mos e diskuto fare thonë, “çfarë negociata me shqiptarët?” D.m.th, këta janë haxhi qamilët e rinj të Shqipërisë që njësoj si Haxhi Qamili që me atë shpurën apo taborët e tij sfidojnë çdo rregull dhe ai atëherë thoshte “sa të kem Kavajën dhe Shijakun s’pyes për Anglinë”, kurse këta thonë sa të kemi Voltanën edhe gjejeni tjetër kush është, s’pyesim as për SHBA as për BE dhe vazhdojmë përpara.

Kjo është e pamundur!

Prandaj 30 qershori nuk është thjesht për kryetarin e Bashkisë. 30 qershori është për Shqipërinë që vjen pas 30 qershorit. Do jetë një vend ku, kush bën budallain shpërblehet, apo do jetë një vend ku përfundimisht të gjithë mësojnë një gjë, do të merresh me politikë, do votat e njerëzve, more mandatet e njerëzve, respekto njerëzit, respekto rregullin dhe koha e politikanëve që janë mbi ligjin merr fund në 30 qershor.

Koha e politikanëve që ligjet i miratojnë në Kuvend dhe pastaj vetë qëndrojnë mbi ligjin, merr fund në 30 qershor. Flasin gjithë ditën për Europën, flasin gjithë ditën për qytetarët, flasin gjithë ditën për fëmijë dhe që në fakt nuk kanë asnjë lidhje as me Europën, as me qytetarët dhe as me fëmijët e këtij vendi, merr fund në 30 qershor.

Sot që flasim aktualisht ka dy pika në planet ku ndodh kjo. Në Afganistan, talebanët kanë shpallur luftë kundër zgjedhjeve, është fakt, kërcënojnë popullin. Kush shkon të votojë do t’i presim kokën, sepse nuk duan zgjedhje. Mirë talebanët, po këta çfarë duan këta?

Ku janë këta? Në cilën vrimë të globit e dinë veten këta që mund të sillen me shqiptarët si talebanë?

Një fjalë kam për të gjithë demokratët më ekstremistë që mund të jenë, por me një kusht, demokratët ekstremistë që nuk hanë përsheshin e SHQUP-it por që fitojnë me punën e tyre, demokratët ekstremistë të Shkodrës që çohen në mëngjes hapin dyqanin, çohen në mëngjes hapin fabrikën, çohen në mëngjes hapin hotelin, çohen në mëngjes hapin hotelin, çohen në mëngjes shkojnë shesin  fruta, çohen në mëngjes janë të papunë, si të doni, por ama sidoqoftë bëjnë çmos që në fund të ditës ta ushqejnë familjen e tyre dhe ushqimi nuk i vjen as nga Luli, as nga Saliu, as nga Iliri, as nga fallxhorja.

Këtyre demokratëve unë iu them çfarë interesi keni ju që të ndodhë kjo që po ndodh?

Çfarë interesi keni ju në Shkodër që të shkoni dhe të hidheni në zjarr për Voltana Ademin?

Një stadium Shkodra sot e ka nga unë. Dhe më vjen turp kur vijnë të huajt edhe kthejnë kokën e shohin ato garazhet e Voltanës. 3 garazhe atje nuk i hoqën. Një projekt për vijën e liqenit. Ka qenë insistim i Ditmir Bushatit dhe mbështetja ime për t’i dhënë Shkodrës atë që i ka munguar dhe për ta bërë Shirokën atraksion turistik, jo vijë kalimi. Është i bllokuar projekti sepse Voltana nuk heq dy kioska, nuk pranon të bëjë shpronësime. Çfarë është kjo? Tani për këtë do shkoni në luftë ju? Për Voltanën? Çfarë do fitojë Shkodra nga kjo histori? Po ju çfarë fitoni?

Rruga e Velipojës, e kemi premtuar këtu me Ditmir Bushatin. E dini pse s’mbaron rruga e Velipojës? Sepse Voltana Ademi nuk bashkëpunon për të bërë pjesën e vet që ka të bëjë, jo me pagesën e shpronësimeve, por me dokumentet. Jam shumë kurioz, çfarë dokumentesh do zbulohen në muzeun e paaftësisë e në muzeun e injorancës që është në Bashkinë e Shkodrës, por kjo është temë tjetër.

Për të mos u zgjatur më shumë dua tu them vetëm diçka. Krijohet ideja sikur këtu gjithçka është një luftë deri në 30 qershor dhe pas 30 qershorit se di unë çfarë imagjinojnë këta. Kurse unë them ndryshe. Unë them që drejtësia do vazhdojë të kërkojë fajtorët e të gjithë kësaj situate edhe pas 30 qershorit, ata që janë punonjës bashkish, ata që janë punonjës policish bashkiake, që shkojnë i bien mirit me kokë duhet ta dinë që këtu do jenë përsëri.

Ata që nuk shkojnë të flenë në shtëpi se janë o më budallenjtë, o më të sinqertët që shkojnë pas tyre. Por a ja vlen të mos flesh në shtëpi për këta? Çfarë është kjo kauzë? Dhe nesër ja vlen që pasi të dalësh nga brenda, të mbetesh brenda dhe të mos dalësh dot jashtë shtetit për ta? Ore dhe për kaluar liqenin këtu, a falet kjo pjesa e liqenit për fallxhoren? A falet që mos ta shohësh më Monte Negron për hatër të fallxhores se i doli fallxhores në filxhan që do bëhet nami këtu? Për çfarë, për cilën arsye? Për cilin qytet që këta ndërtuan në 30 vjet. Ma tregoni ku është? Unë jua tregoj, ju them Tiranë, ju them Vlorën, ju them Durrësin, ju them Korçën, ju them Fierin, ju them Pukën, ju them Malësinë  e Madhe, ju them Fushë Arrëzin. Shkoni në Pukë dhe shihni Pukën. Është fakt. Çfarë ndryshimi ka, njerëz jemi të gjithë, por ka një ndryshim, sepse ne dimë të ndërtojnë, ata dinë vetëm të prishin, ky është ndryshimi.

Ne gabojmë, patjetër, kemi dhe ne kusuret tona, por gabojmë duke punuar. Ata gabojnë duke ndenjur. I punon mendja gabim. “E dashuroj unë molotovin” - thotë ajo. Keni dëgjuar ndonjë politikane që thotë “dashuroj molotovin” dhe i ndryshon dhe zëri sikur çfarë po sheh.

O shkodranë demokratë, i mbani mend enveristët në ‘91 - sepse ju e keni harruar që Saliu ka qene enverist, - i mbani mend që krijonin grupe nga 200-300 vetë dhe i dilnin përpara PD që sapo kishte lindur për ta penguar? Aq sa i penguan enveristët PD atëherë, aq do t’i pengojnë ata aty mbrapa, PS sot. Njësoj. Si mund të dali partia që lindi për të rrëzuar diktaturën, si mund të katandiset sot njësoj siç u katandis ajo partia e punës kur kishte marrë fund?! Për çfarë ju duhet ajo parti?! Ja të ma thonë, të dali me ekstremisti këtu, por që i punon truri. Ka plot që ju punon truri që ushqehen me punën e vet, jo ata që ushqehen nga SHQUP. Ata që ushqehen nga SHQUP mos i llogarisni fare. Ata nuk funksionojnë. Ata janë si ai i emisionit, që iku për emisionin, doli këtej dhe nuk dinte ku ishte. E kanë shumë të thjeshtë. Tani më thoni ju mua Sali Berisha, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Majlinda Bregu Genc Ruli, në pushtet, me polici me të gjitha çfarë kishin, ne i mundëm në 2013, kur ishim në opozitë. Tani në 2017 blemë vota për të mundur Lulin! Tani është më e lehtë të mundësh të gjithë ata në pushtet apo të mundësh Lulin me Gridën, Salianjin në opozitë?! Si është? Si ka mundësi që ne dolëm dhe blemë vota për të mundur këta?! Nuk ka mundësi! Thirrini mendjes!

Këtu jemi për Shkodrën dhe jemi për t’i dhënë Shkodrës një drejtim të ri. E të jeni të sigurt që do t’ia japim. Të jeni të sigurt që pas 4 vitesh Shkodra do të jetë ndryshe, thellësisht ndryshe edhe për demokratët dhe për socialistët, edhe për demokratët ekstremistë dhe për socialistët e flaktë dhe për ata që s’duan t’ia dinë fare, as për socialistë, as për demokratë. Do jetë ndryshe. Dhe është fillim i mbarë. Do ketë një kryetar bashkie që nuk e dashuron molotovin. Është fillim i mbarë më besoni!

Me dashurinë po e mbyllim.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe mos e harroni, frika që ata kërkojnë të mbjellin është frika e tyre. Ajo frikë ata do t’i tresë. Ata nuk kanë asgjë tjetër për të bërë, përveçse të kapen pas frikës së tyre dhe të bërtasin si Beni që ecte vetë, në pyll që ngrinte zërin për të trembur frikën e vet, por në fund të ditës në 30 qershor do të fillojë tretja nga frika e tyre. Ndërsa ne, nuk jemi as fare njerëz që nuk meritojnë kritika, nuk meritojnë të shara, jo nuk jemi absolutisht më të mirët që mund të imagjinohen, por më të mirë se ne nuk ka. Ne në këtë rast nuk është puna se jemi më të mirë se ata, ne jemi me të drejtën. E kush është me të drejtën duhet të qëndrojë tek e drejta dhe nga e drejta duhet të shpërblehet.

Ju faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm