mimi-kodheli-parlament

Kodheli: Po përmirësojmë kushtet e ushtarakëve. AISM larg emërimeve nepotike

Shumë shkurt, dy fjalë lidhur me projektvendimin që po diskutojmë. Me këtë ndryshim, amendim të njërit prej neneve të ligjit ekzistues për sigurimet shoqërore, ne thjesht dhe vetëm vëmë në vend një të drejtë e cila duhet të ishte vënë në vend kohë më përpara, që me ligjin 117 të vitit 2012, të miratuar asokohe nga qeveria e mëparshme. Ligj i cili, me thënë të drejtën, në nenin 52 të tij nuk u zbatua kurrë, për shkak të të gjithë mungesës së akteve nënligjore të mbetura pezull dhe të bëra kështu, në këtë mënyrë të pazbatueshme për sigurimet shoqërore.

Unë do kisha dashur shumë që realisht të fokusoheshim te rritja e sigurimeve shoqërore të këtyre njerëzve, që shërbejnë dhe punojnë në këtë agjensi. Por do ta nis këtë diskutim që ka të bëjë me “kush ka bërë çfarë dhe kush ka përdorur kë, në vitet që ka qenë më parë në qeverisje Partia Demokratike; dhe çfarë bëhet sot?”

Unë ju siguroj dhe i garantoj qytetarët shqiptarë që ka një diferencë shumë të madhe. Dhe padyshim që mund të jem këtu për t’iu përgjigjur kujtdo prej jush, i cili ka dëshirë ta bëjë këtë krahasim. Ajo çka dua të them sot është që në tre vite e pak të qeverisjes sonë, numri i punonjësve të shërbimit është ulur, sepse në gjykimin tonë numri ka qenë i ekzagjeruar për arsye të emërimeve nepotike që kanë qenë atje, apo të vendeve të punës të pamerituara që shumë njerëz jashtë profesionit kanë marrë. Dua thjesht dhe vetëm t’ju jap një shembull në periudhën e mëparshme në një strukturë, e cila është strukturë që konsiderohet si drejtori e Radiozbulimit. Aty punonin 162 punonjës, prej të cilëve 35 veta ishin civilë; sot kjo strukturë është reduktuar në 45 punonjës, prej të cilëve vetëm 10 janë civilë. Kjo thjesht dhe vetëm për faktin se racionaliteti dhe efiçenca me të cilën ne shpenzojmë paratë e taksapaguesve shqiptarë duke marrë të njëjtin produkt, mbase dhe një produkt më të mirë, është në qendër të vëmendjes sonë.

Sot që flasim, nga tetori i vitit 2013 deri më tani tek Agjencia janë emëruar vetëm 18 veta civilë dhe të tjerët janë ushtarakë dhe ish-ushtarakë që kanë pasur lidhje me këtë shërbim. Mosha mesatare e këtyre 18 vetave është 33.5 vjeç dhe kjo tregon se nuk kanë të bëjnë me veprimtari të tjera të mëparshme, sepse nuk e kanë pasur dot këtë mundësi. Gjithsesi, gojarisht mund të ndaj me ju fakte shumë domethënëse: Në qoftë se deri dje, ushtarakët apo civilët e rënë në detyrë të FA apo Ministrisë së Mbrojtjes kanë qenë të pasiguruar, sot ata janë të siguruar kudo që ata janë në misione. Ju kujtoj vetëm një detaj të thjeshtë, që ua rikthej në vëmendje të gjithë qytetarëve (se ndoshta kjo gjë ju ka shpëtuar dhe nuk ka qenë asnjëherë prezente), se me rënien në detyrë të kapiten Voglit në Afganistan (dëshmor i Atdheut) është marrë një Vendim i Këshillit të Ministrave, i cili i ka akorduar familjes një shumë prej 5 milionë lekësh. Sot nuk ka nevojë që kjo gjë të bëhet, se me një Vendim të Këshillit të Ministrave të disa kohëve të mëparshme, ushtarët tanë që janë në mision janë të siguruar në raste dëmtimesh, plagosjesh apo humbje jete. Ata përfitojnë 10 milionë lekë të reja. Për të mos thënë për detyra akoma më të vështira siç është detyra e pilotëve, nga sigurimi i të cilëve, pas humbjes së jetës së tyre, familjet e tyre kanë fituar 18 milionë lekë të reja për çdo familje. Kjo vetëm për të treguar rritjen e vëmendjes, të përkujdesjes ndaj këtyre njerëzve që ushtrojnë detyrë të vështirë. Është thjesht dhe vetëm ky amendim i ligjit që barazon sigurimet shoqërore, që paguhen për të gjithë punonjësit e tjerë në strukturat e tjera të Sigurisë apo të Inteligjencës, që bëjnë të njëjtën punë me atë të Agjencisë së Shërbimit Informativ Ushtarak. Ndaj do i ftoja miqësisht të gjithë kolegët, që ta miratojmë këtë ndryshim.  Ju faleminderit!

 

*Fjala e Ministres së Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, në Kuvend