Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Administratë publike në shërbim të qytetarit, eficente dhe të përgjegjshme

Të reja

Administratë publike në shërbim të qytetarit, eficente dhe të përgjegjshme

14 Jul 2017    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Durrës:

Besoj që ju i keni ndjekur qoftë edhe në distancë aktivitetet që po zhvillohen në të gjithë Shqipërisë. Të gjitha skuadrat e deputetëve të Partisë Socialiste, pas një fitoreje që ne e konsiderojmë seriozisht, e jo pse tingëllon bukur kur e thua, që është e Shqipërisë, është e shqiptarëve, janë në një tur për të dëgjuar sa më shumë njerëz të zakonshëm, sepse e jona është barra e rëndë e kësaj përgjegjësie.

Ajo që unë dua të nënvizoj përsëri sot është se edhe konceptin e një koalicioni të madh me njerëzit e zakonshëm, pa dallim, socialistë, demokratë apo pa parti, ne nuk e themi, sepse duket bukur apo tingëllon bukur kur e dëgjon, por sepse realisht unë besoj se në kohën e sotme, falë edhe teknologjisë së re të informacionit, mundësisë për të qenë të lidhur në kohë reale në platformat online, është plotësisht e mundur që ne të bëjmë një koalicion real me njerëzit e zakonshëm.

Nuk do të jetë një regjistrim formal, por do të jetë një regjistrim real dhe çdo anëtar i koalicionit, pra,  çdo qytetar apo qytetare që do të dojë të jetë anëtar apo anëtare e këtij koalicioni, do të jetë në një lidhje të drejtpërdrejtë me qeverinë dhe do të ketë mundësi të informohet në kohë reale për vendimmarrjet, projektet, të marrë pjesë drejtpërdrejtë në diskutimet e brendshme të qeverisë për të dhënë opinionin e vet dhe të bëhet zëdhënës, jo vetëm i vetes apo i familjes së vet, kur i ndodh diçka e papranueshme, apo e papëlqyeshme në marrëdhënie me shtetin, por edhe i komunitetit që përfaqëson.

Një gjë, ne duhet ta kthejmë në qëllimin tonë kryesor, që zyrat e shtetit kanë për detyrë t’i respektojnë njerëzit e pavarësisht, nëse një ankesë është e drejtë apo e padrejtë, një problem është i zgjidhshëm apo i pazgjidhshëm, çdo qytetar që kërkon përgjigje nga shteti duhet ta marrë përgjigjen në kohën e përcaktuar. Në të kundërt, kush nuk e kthen këtë përgjigje nuk ka vend në shtet.

Më vjen edhe për të qeshur nga reagimet komplet të disproporcionuara që kam ndjekur, pasi u botua në faqen time në Facebook, një raport mbi komentet e njerëzve për individë, të cilët përfaqësojnë shtetin në sektorë të ndryshëm e për të cilët komentues të ndryshëm kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. Nuk ka “listë të zezë” apo të asnjë lloj forme. Është thjesht një raport komentesh, për ata që janë të interesuar ta lexojnë raportin e komenteve e që janë pjesë e rrjetit të miqve në Facebook. E kush e interpreton këtë si një metodë të re e si instrumenti që ne do vikemi në lëvizje për të krijuar një klimë presioni, një klimë terrori, nuk ka kuptuar asgjë e nuk ka parë asgjë akoma. Ne nuk do bëjmë këtë gjë. Ne nuk do të shfrytëzojmë asnjë pakënaqësi apo ankesë të paargumentuar, apo të pabazuar, për t’i rënë në qafë askujt. Gjithçka do të bëhet në mënyrë ligjore, në mënyrë demokratike, transparente dhe mekanizmi është duke u ndërtuar. Nuk është çështje Facebook-u. Nuk është çështje qytetarësh dixhitalë. Nuk është çështje fletërrufesh dixhitale. Është çështje krejt tjetër, e strukturuar deri në detaje dhe kush është hedhur përpjetë, duke pretenduar që ka vënë re një shkelje të madhe të të drejtave të njeriut, thjesht nuk di çfarë thotë. Ato janë thjesht komente të bëra nga njerëzit. Aty ishin, thjesht janë përmbledhur bashkë me shumë aspekte të tjera të një raporti për ata që kanë marrë pjesë me një kontribut përmes komenteve të tyre dhe kaq.

Mekanizmi që ne do të ndërtojmë do të jetë shumë i strukturuar. Platforma e bashkëqeverisjes që ne po përgatisim, ku çdo anëtar i këtij koalicioni do të ketë akses në bashkëqeverisje nëpërmjet lidhjes online, nuk do të jetë thjesht një faqe ku njerëzit shfryjnë e ku njerëzit ankohen, por do të kenë mbrapa një ushtri të tërë, me persona që do bëjnë të gjithë punën verifikuese, të gjithë punën ballafaquese, të gjithë punën argumentuese ligjore, të gjithë punën që duhet për t’i çuar aty ku e kanë vendin, të gjithë ata zyrtarë, qofshin të cilitdo niveli, që do guxojnë të sillen me njeriun e zakonshëm dhe me hallin e tij si harbut. Jo thjesht në rastet kur kërkojnë ryshfet, që janë raste për burg, por dhe në rastet kur nuk dinë të thonë as “mirëmëngjes”, “faleminderit”, “ju lutem apo “mirupafshim”. Ky është vetëm njëri aspekt.

Këto dëgjesa nuk janë as formale, as për të humbur kohë, por është i domosdoshëm, sepse ne duam të hapim një faqe të re dhe kjo bashkëqeverisje për të cilën unë flas dhe besoj fort nuk është diçka e lehtë, apo diçka që bëhet thjesht me fjalë. Në këto dëgjesa, ne mbajmë shënime, marrim të gjithë informacionet e nevojshme për të kuptuar sa më mirë, jo për të marrë vesh gjëra që nuk i dimë, por për të kuptuar sa më mirë cilat duhet të jenë prioritetet kryesore, pasi nuk kemi mundësi t’i bëjmë të gjitha, njësoj si në një shtëpi. Çdonjëri nga ne ka një shtëpi, ka një familje, ka dëshira, ka ambicie, ka ëndrra, por ato realizohen sipas mundësive. Mundësitë rriten sipas aftësisë për të vendosur prioritete dhe për të planifikuar hapat në vijim.

Paralelisht me këto dëgjesa, ne kemi dy grupe të tjera: një grup që po punon për të identifikuar gjithë licencat, dokumentet, vërtetimet e panevojshme, që janë një mal dhe për të bërë një shkurtim drastik të zinxhirit të burokracisë që iu lidh njerëzve këmbë e duar për të marrë një shërbim. Ka shërbime që kërkojnë mbi 20 dokumente. Ka noterizime pafund. Për çfarë duhet t’i noterizojë çdo tre muaj e çdo gjashtë muaj dokumentet e invaliditetit! Gjëra të pakuptueshme! E ka plot të tilla. Ne do bëjmë një shkurtim drastik për të lehtësuar burokracinë. Njëkohësisht, ne do punojmë që brenda mandatit të ardhshëm të realizojmë atë që duket si e pamundur, por që është plotësisht e mundur, që njerëzve t’u kërkohen një sërë dokumentesh kur ato janë të domosdoshme, por, nëse këto dokumente i lëshon shteti, të mos i thuhet njeriut të zakonshëm, “ik merri ti”. Shteti vetë t’i marrë e t’i vendosë në dispozicion të sportelit ku jepet shërbimi. Nëse shkon tek ai sportel për të marrë një shërbim dhe sporteli kërkon “x” dokument, çdo dokument shtetëror duhet t’i vijë automatikisht sportelit, me kërkesë nga sporteli, për llogari të personit. Njerëzve iu mbetet vetëm që të sjellin dokumente që janë private, nëse duhet të sjellin dokumente nga një bankë, nga aktiviteti që kanë pasur jashtë vendit, apo një vërtetim nga puna e tyre në sektorin privat, por jo dokumente që i prodhon vetë shteti.

Grupi tjetër i punës po bën reduktimin drastik të zyrave të institucioneve, të agjencive e të inspektorateve të tepërta, që përsëri janë kosto e madhe, sepse mbahen me rrogë lloj-lloj parazitësh e individësh që janë aty si rezultat i përfitimeve nga tepsia e pushtetit dhe jo si rezultat i nevojës së shtetit. Nga ana tjetër ulim ndjeshëm, përveç kostove financiare, edhe kostot morale që këto lloj strukturash iu shkaktojnë njerëzve.

Të gjithë këto, ne po i përgatisim që në fillim të shtatorit të jemi gati, të paktën me blloqet e mëdha, se pastaj janë reforma që do duan punë. Duke filluar nga qeveria e re, që unë besoj se duhet të jetë më e vogël, më eficente dhe të ketë kapacitetin që të garantojë bashkëqeverisjen me njerëzit. Nuk duhet të ekzistojnë më ministri e agjenci që nuk begenisin as t’i lexojnë, jo më t’ju kthejnë përgjigje letrave dhe ankesave që bëjnë njerëzit.

E gjithë struktura e komunikimit me njerëzit do të jetë një strukturë e re dhe shumë e fuqishme, për të verifikuar çdo ankesë dhe për t’i dhënë përgjigje çdo kërkese. Nëse dikush shkon për të marrë hipotekën, nuk e merr dot dhe nga verifikimi del që mosmarrja e hipotekës është e paarsyeshme, kush është përgjegjës për vonesën nuk mund të punojë më në shtet dhe nuk mund t’i afrohet më shtetit. 

Ne do të punojmë për të vendosur një ligj, që ata që largohen nga shërbimi shtetëror për arsye mospërfilljeje të njerëzve nuk kanë të drejtë të kthehen në shërbim për një periudhë kohe 10 vjet. Në mënyrë që në fund të funksionojmë vërtetë si një shtëpi e përbashkët. Nuk e kanë problem, njerëzit e arsyeshëm, qofshin socialistë, qofshin demokratë, qofshin çfarëdo të kuptojnë kur u thua kaq i kemi mundësitë. Problemin e kanë kur iu thua që duhet t’i bëjmë gjërat me radhë, por radha është për ty, se për disa të tjerë nuk ka radhë.

Ne do kemi shumë rezistencë, do kemi shumë reaksion, sepse faktikisht do të marrim përsipër të bëjmë atë që nuk është bërë, të shembim murin e kështjellës së privilegjeve ku jeton një pjesë e vogël fare Shqipërie, në ato katundet e veta politike, mediatike, financiare etj..  Në këtë mision, sigurisht kemi votat dhe kjo është një gjë e mirë. Por përveç votave duhet mbështetja e popullit, sepse gjithë ajo luzma e asaj kështjelle privilegjesh do të bashkohet për të mbrojtur interesa për të cilat ata nuk flasin. Ata të gjithë flasin në emër të popullit, që nga ata të kazanit mediatik tek ata të kazanit politik, tek ata të tjerët që tanimë janë me shpatulla prej muri, sepse Vettingu ka filluar dhe shumë shpejt që Vettingu do të japë rezultate konkrete. Do bashkohen shumë më tepër saç mund të jenë  bashkuar në momente të caktuara dhe nuk do jetë më një bashkim disa në çadër, disa me çadrën, por jashtë çadrës, por do jetë një bashkim i fortë interesash. Është t’i lutesh Zotit “na ruaj mend e kokës” kur dëgjon kush ankohet për zgjedhjet, për oligarkinë, për tjetërsimin e votës. Ata që e shikojnë këtë kështjellë nga jashtë, shumë shpesh besojnë, por ne që e shikojmë nga brenda dhe e dimë nga brenda kush është kush, realisht po ju them, o Zot na ruaj mendjen, se këtu u bëmë vërtet si këmbët e dhisë!

Jam i bindur se ajo që kemi thënë, do të bëhet. Në këto 4 vite do të bëjmë për Durrësin 4-fishin e atyre që kemi bërë në 4 vitet e mandatit të parë, për Durrësin, për Shijakun, për Krujën, për gjithë qarkun. Jam i bindur që duke pasur tani një bazë shumë të mirë brendapërbrenda qytetit dhe 2-3 vepra të tjera të rëndësishme, përveç Velierës dhe hapësirën e re publike me godinat e reja publike në krahun tjetër, do kemi mundësi të shtrihemi më thellë në ish komunat, njësitë administrative dhe të merremi shumë seriozisht me zhvillimin e mëtejshëm të agroturizmit, duke marrë parasysh edhe disa shembuj shumë pozitive që janë krijuar në këtë qark nga vetë sipërmarrësit. 

Ne e kemi të domosdoshme të kemi sa më shumë anëtarë në koalicionin tonë. Është një koalicion me njerëzit e zakonshme që duan të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje, jo një rrjet miqsh në Facebook ku futet kush dëshiron, por një koalicion më anëtarë të regjistruar në platformën e bashkëqeverisjes që ne por përgatisim dhe do të jetë gati në momentin që qeveria e re do jetë gati. Ne do bëjmë disa evente, disa përpjekje të vazhdueshme për t’jua sqaruar mirë njerëzve se kjo është një gjë shumë serioze dhe ne e kemi shumë seriozisht dhe çdo anëtar i këtij koalicioni do të marrë në kohë reale vendimet e qeverisë, projektligjet, në telefonin a kompjuterin e vet,aty ku është i lidhur me platformën brenda e jashtë Shqipërisë dhe do ketë akses me kodin e tij, për të komunikuar drejtpërdrejtë me instancat më të larta dhe deri me anëtarët e kabinetit qeveritar, për të çuar shqetësimin apo sugjerimin.

Po ashtu, platforma do t’u japë mundësi të gjithë atyre që janë përfshirë në bashkëqeverisje, që të bëjnë me dije nismat e tyre. Mund të kenë nisma individuale për komunitetin, për shkollën, për universitetin, për shumëçka, që kërkojnë mbështetje dhe sigurisht, ne do të mbështesim maksimalisht këto nisma qytetare, që do të jenë pasqyra të bashkëqeverisjes në komunitet.

***

Për çështjen e legalizimeve, vërtet ne kemi bërë shumë, por nuk i kemi bërë të gjitha. Të gjithë duhet të na kuptojnë se nuk mundet t’i bënim të gjitha ato që nuk u bënë për aq shumë vite, por procesi do vazhdojë deri kur të legalizohet shtëpia e fundit e mbetur pa legalizuar, në komformitet me çfarë na lejon ligji, sepse ka edhe raste mbi monumente kulture, mbi kolektorë të rëndësishëm, që nuk mund të legalizohen. Ne do ta forcojmë shumë këtë krah të shtetit, sepse kemi filluar punën për t’i bashkuar të gjitha agjencitë që lidhen me pronën, për të shkurtuar hallkat. Do të ketë vetëm një Agjenci Kombëtare për titujt e pronësisë, për pronësinë publike, për pronësinë private dhe ajo Agjenci do t’i përgjigjet qytetarëve dhe nuk ka më histori.  Janë 40 mijë familje që e kanë marrë lejen e legalizimit dhe nuk kanë hipoteka. Nuk kanë as përgjigje. Këtë do ta adresojmë ashtu siç duhet.

Besimi që kemi marrë është i lidhur me çfarë njerëzit presin. Nga ana tjetër, edhe insistimi im dhe përpjekja jonë që t’ju themi njerëzve që tani është momenti këtë gjë ta bëjmë sëbashku, duke ndërtuar një koalicion real, duke i bërë qytetarët që duan të përfshihen anëtarë të koalicionit.

Ne do ta bëjmë këtë. Duke bërë këtë do të vendosim në pozita përgjegjësie shumë më të qarta, ata që paguhen për t’iu shërbyer njerëzve. Nëse ne e kemi këtë lidhje dhe nëse ne e garantojmë këtë bashkëqeverisje, ata do të rrinë në këmbë atje, madje do dalin tek dera të thonë “do ndonjëri ndonjë shërbim nga unë, se këtu jam”.

Natyrisht do jetë e vështirë. Natyrisht nuk do ndodhë menjëherë. Por ne jemi zgjedhur për këtë punë. Ajo që unë kuptoj qartë është që jemi zgjedhur për të bërë këtë detyrë. Nuk është se na është dhënë kupa e kampionëve dhe tani duhet t’i biem gjoksit, por përkundrazi na është dhënë një detyrë shumë e vështirë. Këtyre të tjerëve iu është dhënë një detyrë tjetër, detyra të bëjnë opozitën. Është puna e atyre sesi do e bëjnë opozitën. Ne realisht nuk kemi kohë për të humbur duke u marrë me opozitën, cilado të jetë ajo. Opozita ka detyrën e vet, ka ditën e vet në parlament dhe atë ditë do ballafaqohemi. Por ne kemi opozitë problemet e trashëguara, kemi opozitë çdo individ që paguhet nga shteti për t’iu shërbyer njerëzve dhe nuk bën shërbimin. Ai është kundërshtar real në rrugën tonë për të bërë shtet.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm