Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Afera CEZ nuk mund të mbyllet pa u marrë në pyetje personat e përfshirë në të!

Të reja

Afera CEZ nuk mund të mbyllet pa u marrë në pyetje personat e përfshirë në të!

07 Feb 2020    

Deklarata për mediat e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Jam sot këtu para jush, në cilësinë e përfaqësuesit të Kuvendit dhe cilësinë e mëparshme të kryetarit të Komisionit Hetimor, t’ju njoftoj dhe deklaroj se, kam paraqitur para Gjykatës së Apelit kërkesën për ta rishqyrtuar vendimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila nuk ka kryer asnjë prej veprimeve të domosdoshme hetimore përpara se të arrinte në këtë vendim.

Akti i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është i pambështetur në ligjin procedural dhe materialet në zbatim të afateve procedurale të depozituara në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Dua ta sqaroj opinionin publik se dosja CEZ është një prej dosjeve më të rëndësishme, por edhe më të zeza të korrupsionit në Shqipëri në këto 30 vite.

Do të doja të ftoja këdo që ka sadopak njohuri juridike, ta lexojë me vëmendje vendimin e Gjykatës.

Gjykata mund të ketë bërë një dizertacion për shpjegimin e termave apo veprave penale, por në asnjë moment nuk ka analizuar faktet.

Nga faqja 10 e vendimit e deri në fund, gjyqtari ka shpjeguar vetëm çfarë nënkuptojnë termat, çfarë nënkuptojnë emërtesat e veprave penale, por në asnjë rast nuk është bazuar në fakte.

Për t’ua shpjeguar qartësisht qytetarëve shqiptarë: privatizimi i kompanisë shtetërore OSSH, që ka qenë objekti i Komisionit Hetimor, në vlerësimin tonë është bërë në kundërshtim të plotë me ligjin. Kjo për arsye se është nxjerrë për privatizim një shoqëri, e sapo krijuar, me rëndësi strategjike për interesat e vendit, e cila nuk kishte kryer asnjë bilanc energjetik të saj pa asnjë eksperiencë për të operuar në tregun e energjisë.

Prej vitit 2005 në materialin referuar Prokurorisë, kemi identifikuar të gjithë hapat dhe të gjitha bisedat e negociatat përmes së cilave kjo kompani shkoi tek blerësi CEZ. Kujtoj këtu që edhe në tenderin ndërkombëtar ka qenë vetëm një blerës i paraqitur.

Është nxjerrë në privatizim një shoqëri e sapo krijuar, e cila ka pasur rëndësi strategjike për interesat e vendit dhe që nuk kishte kryer asnjë bilanc energjetik dhe nuk kishte eksperiencë për të operuar në tregun e energjisë, nuk kishte asete të përcaktuara, duke paraqitur OSSH si funksionale, me qëllim privatizimin më shpejtësi në favor të CEZ.

Janë ndryshuar tregues specifikë në deklaratat rregullatore duke ushtruar ndikim të paligjshëm dhe imponuar ERE-n në vendimmarrje të kundraligjshme.

Është kualifikuar dhe shpallur fitues ofertuesi CEZ në shkelje të hapur të kushteve minimale të performancës teknike në shkelje të VKM-së nr. 835, datë 11/06/2008.

Është negociuar me CEZ për nivelin e borxhit të keq, që do të pranohej në llogaritjen e të ardhurave të kërkuara nga kompania në kundërshtim e në kapërcim të kushteve të procedurës konkurruese të përcaktuar më parë.

Me anë të negocimit për treguesin e humbjeve totale, si tregues i kushteve minimale të performancës teknike i panegociueshëm.

Duke pranuar, gjatë negocimeve të kryera, të gjitha kërkesat e ofertuesit, të bëra gjatë paraqitjes së ofertës teknike nga mosnjohja e situatës, si pasojë e mosfunksionimit real të OSSH-së dhe mosqenies së saj e gatshme për privatizim.

Asnjë prej kërkesave të ofertuesit nuk është refuzuar nga qeveria edhe pse me vetëdije të plotë të gjitha këto kërkesa, veçse thellonin deficitin në dëm të interesit të vendit dhe dobi të ofertuesit.

Mosvazhdimi i procesit të rivlerësimit të çmimit të shitjes, para, gjatë dhe pas procesit të privatizimit deri në prishjen e kontratës.

Siç, kemi gjetur në Komisionin Hetimor, këto veprime i kanë kushtuar aso kohe interesave të ligjshme të shtetit shqiptar dhe publikut, shumën prej 57. 931. 041.292 lekë, thënë ndryshe 414 mln euro.

Dua t’ju them se pasi e kemi lexuar të plotë dosjen, qoftë Prokuroria e Tiranës, qoftë gjyqtari Llazër Sollaku, nuk kanë bërë qoftë edhe një analizë minimale të fakteve.

Madje në vendimin e Gjykatës nënvizohet se objekti i punës së Kuvendit të Shqipërisë nuk përmban zyrtarë me imunitet.

Mirëpo, në kallëzimin penal të bërë nga Kuvendi i Shqipërisë personat e kallëzuar nga Kuvendi fillojnë me ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili qoftë në momentin e ushtrimit të kësaj detyre, qoftë dhe në momentin e kallëzimit ndaj tij ka qenë një person me imunitet.

Madje gjyqtari është kujdesur aq shumë që ky person, Sali Berisha, të përjashtohet nga çdo lloj hetimi apo marrje në pyetje.

Dua t’ju informoj se kallëzimi penal i kryer nga ana jonë rezulton të mos jetë përfshirë fare nga ana e gjyqtarit. Nuk është kryer asnjë hetim për kallëzimin penal të bërë nga Komisioni Hetimor.

Siç do ta lexoni edhe vetë, ne vendimin e Gjykatës rezulton qartë se personi Nuel Nik Kalaj ka marrë kontakte me të gjithë hierarkinë shtetërore të asaj kohe përfshirë kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha dhe djalin e tij Shkëlzen Berisha.

Nga përmbajtja e e-maile-ve, jepen informacione në lidhje me përmbajtjen e marrëveshjes dhe në tërësi objektin e saj, si në lidhje me borxhin, huatë, nënshkrimin e marrëveshjes etj.

Nëse doni mund t’ju rilexoj edhe një herë të gjithë komunikimet e z. Nuel Nik Kalaj ku në njërin prej tyre thuhet: Në njërin nga e-email-et thuhet se ka shtrënguar duart më kryeministrin dhe se ai është i kënaqur të presë shtetasin Tomas Pleskash. Ky takim, siç del ,është kryer në një takim me investitorët. Ky pohim nuk shoqërohet me asnjë të dhënë tjetër që të nënkuptojë se tek ai është ushtruar ndikim për të kryer një gjë të tillë.

Si mund të arrihet në këtë përfundim kur as shtetasi Nuel Nik Kalaj dhe as shtetasi Sali Berisha nuk janë marrë në pyetje?

Në përmbajtjen e tyre ai flet për probabilitet në kryerjen e veprimeve nga ana e qeverisë shqiptare, por në asnjë rast nuk flitet për premtime konkrete, realizim “negociatash” ose e thënë ndryshe, bisedimesh mes tij dhe personave që kryejnë ndikim dhe marrim përsipër kryerje të ndikimit.

Në njërin nga e-email-et thuhet se ka shtrënguar duart më kryeministrin dhe se ai është i kënaqur të presë shtetasin Tomas Pleskash. Ky takim siç del është kryer në një takim me investitorët. Ky pohim nuk shoqërohet me asnjë të dhënë tjetër që të nënkuptojë se tek ai është ushtruar ndikim për të kryer një gjë të tillë.

Si mund të arrihet në këtë përfundim kur as shtetasi Nuel Nik Kalaj dhe as shtetasi Sali Berisha nuk janë marrë në pyetje?

Nga përmbajtja e e-mail-it rezulton se takimi me të birin do të kryhej një ditë më pas, çka nënkupton se në momentin që Kryeministri ka shfaqur kënaqësinë për takimin, takimi me këtyre personave nuk ishte realizuar.

Ne me të drejtë kemi ngritur pretendimin se në periudhën janar 2008 deri më qershor të vitit 2009 kompania “CEZ group” a.s. nëpërmjet një banke të nivelit të dytë ka kryer transaksione parash në favor të shtetasit Nuel Kalaj shuma prej 6.854.248 (gjashtë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e katërmijë e dyqind e dyzetë e tetë) Euro, në datën  12.06.2009, pa dokumentacion justifikues nga banka.

Në fakt, po gjyqtari thotë në një faqe tjetër se vërtetohet që nga përmbajtja e kërkesës së autoriteteve të lartpërmendura rezulton se shoqëria CEZ i ka dorëzuar autoriteteve të policisë 2 fatura të printuara nga personi Nuel Kalaj, e konkretisht faturë me numër 4600280490, me datë 29.05.2009, me emërtimin e pagesës SUCCESS FEE ACCORDING TO THE CONSULTING AGREEMENT (tarifë suksesi lidhur me marrëveshjen e konsulencës) me emër të Nuel Kalaj, me shumën me vlerë 5.000.000 Euro dhe një faturë me numër 2012000012350806, me datë 29.05.2009, me emërtimin e pagesës SUCCESS FEE ACORDING TO THE CONSULTING AGREEMENT me emër të Nuel Kalaj, me shumën me vlerë 1.854.400 Euro.

Nëse i mbledhim këto dy shifra, shuma shkon në 6.845.400 Euro, fiks shuma që ka tërhequr z. Nuel Kalaj në një ditë të vetme.

Pra, vërtetohet se nga Çekia në llogarinë e z.Nuel Kalaj ka ardhur shuma përkatëse, por gjyqtari për habi, një faqe më tej, thotë se nuk vërtetohet që kjo shumë ka ardhur.

Madje shkon më tej kur thotë se nuk vërtetohet për çfarë janë përdorur këto para.

Gjyqtari thotë se nuk arritëm ta merrnim në pyetje z. Nuel Kalaj, sepse nga komunikimi me organet ligjzbatuese të Kosovës rezulton se ky shtetas nuk është gjendur në banesën e tij në Prizren. Mirëpo është bërë publike prej mediave në Shqipëri, se ky person ushtron edhe aktivitet politik, duke qenë pjesë e listës për Këshillin Komunal të Prizrenit.

Për më tepër, në çdo rast të ngjashëm si ky, Prokuroria nuk duhet të kishte konkluduar në mbylljen e hetimeve për sa kohë personat e akuzuar për këtë vepër penale nuk është marrë në pyetje. Duhej që Prokuroria minimalisht të kishte zgjatur hetimet.

Prokuroria e Rrethit Tiranë duhet të kishte transferuar këtë dosje në SPAK, sepse është jashtë kompetencës së saj.

 Nxitimi i personave të interesuar për këtë çështje, padyshim është një sjellje prej KÇK-je.

Është një sjellje si ajo e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, të cilët mundohen të mbyllin një dosje, e cila nuk mund të mbyllet pa u hetuar plotësisht.

Kjo dosje tregon se si në këtë vend janë privatizuar, shpërdoruar asetet dhe fondet publike në këto njëzet e ca vite.

Të vetëdijshëm për rëndësinë që ka kjo dosje, me besimin në drejtësinë e re që po lind, dua t’ju them se ajo do të ankimohet në Gjykatën e Apelit dhe në çdo shkallë tjetër.

Është e papranueshme që gjyqtari dhe prokurori të mbyllin çështje kur është provuar shumë qartë që tarifa e korrupsionit ka mbërritur në Shqipëri.

Është e papranueshme të mbyllet një çështje kur personat e akuzuar nuk merren në pyetje. Nuk mund të mbyllet kjo çështje pa u marrë në pyetje drejtuesit më të lartë të kompanisë CEZ.

Dua t’ju siguroj ju dhe opinionit publik se kjo çështje nuk mund të mbyllet. Ajo është e pa hetuar tërësisht nga ana e Prokurorisë. Është tejet e qartë se personat e përfshirë në këtë çështje duhet të hetohen.

Unë nuk di se si në një vend të bësh një kallëzim penal dhe Prokuroria të mos ftojë institucionin që bën kallëzimin.

Prej vitit 2002 ka pasur Komisione Hetimore në Kuvendin e Shqipërisë, por ky është i vetmi Komision Hetimor që ka dalë me një raport përfundimtar, i cili është miratuar nga Kuvendi.

Faleminderit!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm