Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Afera Durrës-Kukës nuk është mbyllur dhe s’ka për t’u mbyllur derisa të zbardhet e vërteta

Të reja

Afera Durrës-Kukës nuk është mbyllur dhe s’ka për t’u mbyllur derisa të zbardhet e vërteta

29 Mar 2018    

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në seancën e sotme parlamentare:

 Faleminderit Kryetar!

Së pari, dy fjalë për këtë marrëveshje kaq të rëndësishme me Austrinë që është vijimi i një procesi të rëndësishëm, të nisur pas vitit 2013, e që ka të bëjë me ndryshimin e qasjes së qeverisë shqiptare ndaj gjithë atyre motrave e vëllezërve që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë; e për të cilët në gjithë këto vite përveç se ekonomia jonë, familjet tona kanë përfituar nga remitancat, që kanë dërguar e kanë mbajtur në këmbë ekonominë në këto 25 vite, duhet ta pranojmë që kurrë më parë asnjëra prej qeverive nuk kishte bërë diçka.

Sot do të kisha mirëpritur nga opozita që të thoshte qoftë edhe një fjalë të vetme, se si 2000 shqiptarë që jetojnë në Austri janë përfitues të kësaj marrëveshjeje. E ky është një proces domino, vazhdues për të arritur që edhe me dy vende të tjera, më të rëndësishmet në fakt për sa i përket numrit të shqiptarëve, siç është Greqia dhe Italia, për shkak edhe të mekanizmit që Komisioni Europian ka , që BE ka, ne të arrijmë të kemi edhe me ta marrëveshjen për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore.

Përpjekja jonë për t’i dhënë shqiptarëve jashtë territorit mbështetjen dhe dorën mbështetëse të shtetit shqiptar ka filluar. Për herë të parë në këto 27 vite kemi dhe një ministër të dedikuar tërësisht përkundrejt shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit, shqiptarëve në diasporë.

E megjithëse do doja që të gjitha këto 20 minuta t’ua dedikoja pikërisht shqiptarëve që jetojnë territorit, të cilët preken nga marrëveshjet për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore, nuk do t’i shpëtoj as unë qasjes për të prekur disa prej çështjeve që u prekën sot në këtë debat në Kuvendin e Shqipërisë.

Që Sali Berisha nuk e ka për turp të gënjejë, ky nuk është më lajm; që Luli ia kalon edhe Saliut në gënjeshtra, ky as që ka bërë ndonjëherë lajm. Meqenëse pas meje do flasë z. Noka, i cili ka qenë prezent në datën 14.12.2011, në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar në orën 11:00, ku është firmosur nga Sali Berisha vendimi për “Përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit, të mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe operimit të autostradës Milot-Morinë”, Këshilli i Ministrave vendosi: “Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore për dhënien me koncesion të shërbimit dhe operimit të autostradës Milot-Morinë është Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Koncesioni do të jetë i formës BOT: ndërtim, shfrytëzim dhe transferim në pronësi. Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohet Ministria e Punëve Publike dhe Transportit”.

Nuk është material sekret diskutimi i bërë në mbledhjen e qeverisë; ka qenë Saliu, z. Noka dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, kur ministri i Transporteve të asaj kohe, z. Olldashi, informon mbledhjen e qeverisë dhe thotë që: “Tarifat do të variojnë nga 2-5.5 euro.” Informacion në mbledhje të qeverisë; një mbledhje qeverie që ka miratuar këtë vendim të firmosur nga Sali Berisha. Është një proces i cili e inicioi, ndërsa Saliu tha: “Unë e ndërpreva”.

Saliu e nisi, por meqenëse po afronte 2013 - këtu jemi në dhjetor, gjatë 2012 u bë gjithë ky proces, u paraqitën ofertuesit – 8 kompani ofertuese - për Sali Berishën prevaloi mashtrimi përkundrejt popullit të zonës së Kukësit. Ai tha: “Unë nuk do ta bëj këtë koncesion para zgjedhjeve të vitit 2013.” Që në fakt i funksionoi, po të kemi parasysh rezultatin zgjedhor të 2013 në Kukës: 3-1 në favor të PD-së. Sipas Saliut, nëse vazhdonte ky koncesion, i prishte punë politikisht. Por askush prej jush nuk mund ta mohojë këtë vendim qeverie.

Diskutimi për Rrugën e Kombit, rrugën Durrës-Kukës, për Lulzim Bashën është si për një person që kthehet në vendin e krimit. Diskutimi për këtë çështje është pikërisht rikthim në vendin e krimit. Meqenëse paska shkelje, Lulzim, hajde bëje kallëzim penal në Prokurori, se kjo çështje nuk është mbyllur. Afera Durrës-Kukës nuk është mbyllur dhe s’ka për t’u mbyllur asnjëherë.

Që të jemi korrektë edhe me shifrat, se ju nuk e keni problem të shtoni zero, të hiqni zero, të shtoni dhjetëshe, të zbrisni dhjetëshe: është 229.87 milionë dollarë dëmi në rrugën Durrës-Kukës, i vërtetuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. 

Por ç’thoshte Lulzimi në 2006, kur ishte ministër i Transporteve?

Në Kuvendin e Shqipërisë, seancë plenare 25.07.2006, ora 10:00, drejton seancën Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, Lulzim Basha thotë: “Kjo është një rrugë me një vlerë jo më pak se 400 milionë dollarë. Ndërtimi i kësaj vepre parashikohet të përfundojë para sezonit turistik në vitin 2009. Sigurisht mirëmbajtja e kësaj rruge do të bëhet përmes procesit së koncesionimit.“

Lulzimi në 2006 - kur rruga ishte ende pa projekt, pa studim gjeologjik, e pafilluar – thoshte që kjo rrugë do të jetë 400 milionë dollarë. Rruga shkoi 1.3 miliardë dollarë dhe nuk mbaroi. Tani për ta mbaruar duhen edhe 200 të tjera. Bëhuni të sinqertë! Këtë diskutim e kemi bërë para një viti, kur ne ishim në qeveri bashkë me ish-miqtë tanë të LSI dhe kur ju ishit prapë në opozitë, siç jeni edhe sot, të gjithë e kemi ditur që kjo rrugë do të jetë kështu.

Unë dhe Erjon Braçe në 2012 kemi thërritur në interpelancë ish-ministrin, të ndjerin Sokol Olldashi. Në interpelancën e Kuvendit të Shqipërisë, në 2012, ish-ministri i asaj kohe - gënjeu Saliu – ka thënë pikërisht se ky do të jetë një proces koncesionimi me tarifim, me toll, ku tarifa maksimale do të variojë në varësi të tipit të automjetit.

Që kësaj partisë këtu i është dëmtuar rëndë shtylla kurrizore, kjo nuk ka më dyshim. Por që të hidhni hi syve me firmën, me zërin, me shkresat që i keni miratuar vetë, kjo sigurisht nuk ju bën nder.

Pikërisht, sa herë që flitet për rrugën Durrës-Kukës do të kujtohet edhe dëmi ekonomik që i ka shkaktuar papërgjegjshmëria e Lulzim Bashës, i cili në këtë Kuvend deklaronte se: “Lidhjen e kontratës për ndërtimin e segmentit Kalimash-Morinë nuk e kemi bërë sipas ligjit shqiptar, por e kemi bërë sipas ligjit anglez.” Ky, juristi i madh holandez, i cili mori në qafë edhe kosovarët kur bënte përkthimet gabim për çështjet dhe dosjet e Kosovës.

 

Një çështje tjetër që u prek këtu dhe ka interesin publik. Më në fund Luli u mundua të përqasë, të shprehë ndonjë ide të vetën për sa i përket skandalit më të rëndë që ka prekur një parti politike shqiptare në këto 27 vite.

Dëgjova Saliun që për herë të parë të ndjehet keq e të fillojë të bëjë kundërsulmin e radhës, se gjoja në 2013 paskësh qenë sponsorizuar një parti politike në Shqipëri nga burime të dyshimta ruse. Edhe Saliu vetë qeshte kur e thoshte, se e dinte që gënjen.

Provat janë sot të pakundërshtueshme që Partia Demokratike ka përfituar shërbime lobingu nga një kompani, pronarët fundorë të të cilës janë katër shtetas rusë, ky nuk është më dyshim por është provë.

Në Departamentin Amerikan të Drejtësisë janë depozituara këto dokumente, të cilat janë zyrtare. Hyni në faqen ëeb të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe shikoni që ka një kontratë të regjistruar në emër të regjistruesit Muzin Capitol Partners dhe subjektit të huaj, Partia Demokratike e Shqipërisë (Democratic Party of Albania). Në pikën shtatë tregohet se si Biniatta Trade LP, kompania që ka katër pronarë rusë nga mbrapa, e që trafiku i parave kalon përmes ishullit Belize në Amerikën Qendrore, një offshore shumë i njohur, ka paguar në shërbim të Partisë Demokratike të paktën 150 mijë dollarë, kësti i parë për shërbime në interes të Partisë Demokratike.

Këto nuk janë gojëdhëna, nuk i kam nxjerrë as unë, as Edi Rama, as ndonjë deputet i Partisë Socialiste, këto janë dokumente zyrtare në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Mund të hyni tani përmes celularëve tuaj për të verifikuar këtë që po ju them. Kjo është provë!

Ky është një hetim që, unë kam besim, në Prokurorinë shqiptare po vijon! Jam shumë i sigurt që në organet partnere të shtetit respektiv po vijon.

Këshillën që ju dha kryeministri, po jua them dhe unë: të paktën kur flitet për këtë çështje mos qeshni. Jam i sigurt që grupi i Saliut duhet të qeshë por jo grupi i Lulit, sepse kjo është një çështje që e ka zhytur rëndë Partinë Demokratike. Unë ndaj të njëjtin vlerësim: që këtu nuk është Partia Demokratike e vërtetë, ajo e demokratëve të thjeshtë e të ndershëm, por këtu është lidershipi momental i Partisë Demokratike, Lulzim Basha personalisht, i përfshirë në një aferë të turpshme e cila ka dëmtuar dhe sigurinë Kombëtare të vendit, po të kemi parasysh dyshimet se edhe fushata 3-mujore e Çadrës është mbështetur nga të njëjtat fonde të dyshimta. Një fushatë e cila u ngrit pikërisht për të sabotuar Reformën në Drejtësi, një fushatë e cila donte të bllokonte Vettingun.

Sot jemi gjashtë ditë nga momenti i parë i konkludimit të një hetimi të plotë të Vettingut, ku ende Partia Demokratike e Shqipërisë, partia që në 8 dhjetor të ‘90 merrte udhë për ta bërë Shqipërinë si Europa, nuk ka një deklaratë zyrtare për të përshëndetur procesin historik të Vettingut, që ishte edhe kushti i fundit për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Nëse merret për zyrtare ajo që tha sot Sali Berisha në emër të PD, ky është një turp që ju kritikoni procesin e Vettingut.

Sikurse nuk mund ta fsheh, ma rrit dyshimin për Lulzim Bashën dhe për sponsorizimin rus fakti që ka katër ditë sot nga ku Shqipëria tregoi se është një aleat i besueshëm i SHBA, në kuadër të NATO-s dhe jo vetëm, që iu bashkëngjit edhe 14 vendeve të tjera të BE dhe të NATO-së për ekspulzimin e diplomatëve të Rusisë lidhur me një çështje tashmë të bërë publike, ku ende nga Partia Demokratike nuk ka asnjë qëndrim zyrtar për të përshëndetur këtë veprim të qeverisë shqiptare.

Ju që na kërkuat dhe interpelancë apo mocion me debat për votimin në OKB për çështjen e Jeruzalemit. Dilni këtu dhe përshëndesni vendimin e qeverisë shqiptare për të qenë bashkë me SHBA, bashkë me Britaninë e Madhe, bashkë me Gjermaninë, bashkë me Çekinë, bashkë me Rumaninë, bashkë me Poloninë dhe vende të tjera. Kështu duhet të bëni ju, të paktën ju të tjerët, jo Luli, Luli ka hesape të tjera që do e ketë të vështirë t’i sqarojë. 

Si kryetar i grupit, i kam kërkuar z. Hyseni të sqarojë në mbledhjen e Grupit Parlamentar; dhe e ka sqaruar nga A-ja ke Zh-ja pozicionin e tij.

Së pari, i gjithë sulmi ndaj z. Hyseni është një larje hesapesh brenda jush, sepse keni një anëtar kryesie i cili mbulon pronat në Partinë Demokratike, ai quhet Genti Malko – anëtar i Kryesisë së PD-së, drejtues i Departamentit të Pronave. Ky zotëria është një ndër blerësit, sikurse edhe z. Hyseni, të pronës aty.

Që ky z. Malko qenka renditur në grupin “anti-Basha” brenda Partisë Demokratike, është puna juaj,  nuk më intereson fare. Por ju, që gjoja vendosni standarde për këtë çështje, merreni e pyeteni drejtorin e Departamentit të Pronave në Partinë Demokratike.

Këtu kemi të bëjmë me një konflikt kunat me kunat, të cilin duhet ta sqarojë gjykata. Çfarë provash të keni dërgojini në Prokurori. Bëni siç bëmë ne me z. Hyseni, që në mbledhjen e Grupit Parlamentar i kërkuam shpjegime dhe na ka paraqitur gjithë dokumentacionin dhe është i gatshëm ta bëjë me këdo.  Unë kam besim që gjithçka na ka thënë është e vërtetë.

Bëje dhe ti Lulzim me këto letrat që të jap unë “me Lulin për fondet ruse”. Bëje edhe me atë Genti Malkon, thirre meqë e ke anëtar të kryesisë të Partisë Demokratike, sepse në të njëjtën çështje por më i përfshirë është z. Malko. Ndërkohë që zotëria në fjalë (Alket Hyseni) ka shkuar si një qytetar me të ardhura të deklaruara nga A-ja te Zh-ja. Të hetohet kushdo por jo me dy standarde.

Një gjë mos e harroni, sa i përket çështjes së pronave, unë mezi pres një Komision Hetimor për çështjen e pronave në bregdet në Shqipëri, ku sigurisht Saliu nuk do jetë dakord, për këtë të jeni të sigurt, as Luli.

Nuk dua të merrem sot me Saliun, sepse kam këtu një listë pafund pronash të familjarëve të tij të regjistruar në emër të elementëve me precedent kriminalë, por nuk po merrem. Mjafton të bëhet publik fakti se si vjehrri i Lulzim Bashës na doli pronar mbi majën e një cope shkëmbi.

Mbi majën e shkëmbit na doli pastaj një terren 834 metra katror, në të cilin më pas u ndërtua pallati e për të cilin fituam edhe gjyqin, për të cilin duhet të bëjmë pak opozitë të fortë që të bindim qeverinë që të marrim lekët nga vendimi i Strasburgut dhe me kaq kënaqet Luli.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm