Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Anëtarësimet e reja, Rama: Është vërtet bukur të shikosh të gjithë këta njerëz që vijnë dhe shprehin dëshirën për të qenë pjesë e familjes tonë politike!

Të reja

Anëtarësimet e reja, Rama: Është vërtet bukur të shikosh të gjithë këta njerëz që vijnë dhe shprehin dëshirën për të qenë pjesë e familjes tonë politike!

23 Nov 2018    

Vijon fushata e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste:

Fjala e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë takimit me të rinj që anëtarësohen për herë të parë në Tiranë:

Shumë faleminderit Pandi për këtë surprizë, sepse jo se nuk e kishim lënë që do bënim këtë takim, por është vërtet surprizë e bukur të shikosh të gjithë këta njerëz që vijnë këtu dhe shprehin dëshirën për të qenë pjesë e familjes tonë politike. Ndërkohë që kudo rreth e rrotull dëgjohet e kundërta e kësaj që ne kërkojmë të bëjmë, pra, e përfshirjes së njerëzve në politikë, duke përsëritur e përsëritur që “ç’më duhet politika, të gjithë janë njësoj”. 1001 arsye dhe mosarsye për të thënë që s’merrem me politikë, s’dua të di për politikë.

Në fakt është një naivitet, sepse politika merret me ty, merresh s’merresh ti me politikën. Merresh, s’merresh me politikën, konteksti në të cilin ti jeton është një kontekst ku politika ka rolin kryesor në aspektet pozitive, apo në aspektet negative që lidhen me çfarë kemi trashëguar, çfarë duam të bëjmë dhe nëpër çfarë rrugësh kalojmë. Do, s’do ti; merresh, s’merresh ti, politika merret me ty, sepse politika merr vendime që ndikojnë drejtpërdrejtë tek ti.

Sigurisht që s’janë të gjithë njësoj, se askund nuk janë të gjithë njësoj. Edhe në pyll, kafshët s’janë njësoj, pemët s’janë njësoj, lulet s’janë njësoj, edhe njerëzit s’janë njësoj. Edhe në politikë s’janë të gjithë njësoj, se nuk ka si të jenë. Por një gjë është e sigurt, që ne, kjo familje politike, Partia Socialiste dhe të tjerët nuk jemi njësoj. Për këtë nuk ka nevojë të diskutojmë për persona; Është ky i mirë, apo është ai i keq? Është ky i ndershëm, apo është ky e kundërta? Por mjafton të shikojmë se çfarë bëjmë ne kur na jepet mundësia nga vota e njerëzve dhe çfarë bëjnë të tjerët, kur u jepet mundësia nga vota e njerëzve. Mjafton të shikojmë Tiranën. Që s’jemi njësoj, këtë e tregon historia e Tiranës. E tregon e djeshmja dhe e sotmja e Tiranës. E tregojnë fazat e zhvillimit të Tiranës, kur qeverisej nga ata dhe kur kemi qeverisur ne. Ata qeverisën në vitet ’90-të dhe edhe sot, ne paguajmë pasojat e asaj historie të rëndë.

Natyrisht nuk është e gjithë përgjegjësia, i gjithë faji i tyre, sepse ishte një moment historik jashtëzakonisht i veçantë dhe i vështirë me ndryshime demografike, me dyndje njerëzish, lëvizje, një shpërthim energjish nga një sistem komplet i mbyllur, komplet kolektivist, ku të gjithë ishin njësoj, duhet të ishin njësoj në kuptimin e uniformës, në një sistem ku të gjithë kërkonin pronën e tyre, reklamonin të drejtën e tyre për të pasur një pronë, për të pasur në kioskë, për të pasur një veturë. Sidoqoftë, Tirana që ata na lanë ishte një tmerr. Tirana që ne bëmë, ishte një qytet me probleme. Pastaj erdhën përsëri ata dhe e dini ju shumë mirë, - nëse periudhën e parë nuk e mbani mend se keni qenë shumica të vegjël, periudhën e dytë e mbani mend shumë mirë, - se kur e drejtuan ata Tiranën, çfarë bënë dhe tani e shikoni çdo ditë se çfarë po bëhet në Tiranë, që përsëri besimin e kemi marrë ne.  Kjo nuk është një çështje thjesht personash. Është çështje e një frymë, e një kulture marrëdhëniesh me shtetin, me publiken, me interesin publik.

Nëse doni, mund të shkojmë edhe më tutje, po të marrim historinë që nga momenti i ndryshimit deri më sot. E vetmja parti që s’është lëkundur asnjë moment në raport me interesin kombëtar është Partia Socialiste. E vetmja. Fatkeqësisht, Partia Demokratike ka pasur momente lëkundjeje shumë të forta në raport me interesin kombëtar, sepse është çështje e një vetëdije dhe e një kulture politike që i afekton njerëzit që janë pjesë e saj.

Pjesa tjetër që ka të bëjë me “pse duhet të merrem me politikën”, “politika merret me mua, unë çfarë mund të bëj?”, i vetëm s’mund të bësh dot shumë. I vetëm mund të bësh piktura, mund të bësh skulptura, mund të bësh sporte individuale, mund të bësh not, por i vetëm nuk mund të bësh dot shumë, në rast se do të ndryshosh diçka që i takon komunitetit. Ama, nëse bashkohesh me të tjerë që ndajnë me ty të njëjtat mendime, ti mund të influencosh. E në fund të fundit, Partia Socialiste është një forcë e madhe që influencon zhvillimin e vendit, sepse ka fuqinë e njerëzve që janë bërë bashkë. Nxënësit në një shkollë të vetëm nuk mund të bëjnë dot asgjë, në rast se duan të ndryshojnë diçka, në rast se duan të bëjnë diçka, apo duan të korrigjojnë diçka. Ama nëse bëhen bashkë, zëri i tyre dëgjohet, dhe influenca e tyre mund të bëjë që gjërat të korrigjohen, të ndryshohen, apo të bëhen. Në fund të fundit, politika për këtë ka lindur, që njerëzit sëbashku të bëjnë gjëra që nuk i bëjnë dot.

Politika ka bërë shumë dëme, por politika ka bërë mrekulli. Pa politikën, ne nuk do ishim sot këta që jemi, si njerëz, si shoqëri. Nuk flas për Shqipërinë, flas për botën. Pa politikën nuk do kishin lindur Shtetet e Bashkuara. Nuk do kishte lindur Bashkimi Europian. Pa politikën nuk do kishte lindur demokracia, nuk do kishte lindur e drejta e grave për të votuar, nuk do kishte lindur e drejta e abortit.

Shumë e shumë gjëra që i ka bërë politika. I kanë bërë njerëzit që janë bashkuar, kanë bërë numrat, kanë influencuar, janë vendosur dhe kanë transformuar një herë e përgjithmonë jetën e tyre dhe të brezave që vijnë.

Patjetër që pa politikën nuk do ishin ndërtuar kampet e përqendrimit, nuk do ishin ndërtuar sistemet që premtuan parajsën e pastaj ndërtuan ferrin, por sidoqoftë, siç ka njerëz të mirë dhe njerëz më pak të mirë, ka sisteme më të mira, sisteme më të këqija, e kështu me radhë. Në këtë sens, përfshirja në politikë, përfshirja në parti politikë nuk është që unë po futem dhe po bëhen politikan. Nuk ka lidhje. Disa mund të bëhen, siç ka qenë rasti i Pandit që është këtu, apo siç ka qenë në një mënyrë tjetër rasti im apo rasti i Blerinës, por shumë të tjerë nuk futen në një organizim politik për t’u bërë politikanë. Por futen për të qenë qytetarë.

Një njeri i mirë është ai që nuk bën asnjë dëm, por një qytetar i mirë është ai që bën më shumë se kaq, që është i interesuar përtej të qenit njeri i mirë që nuk bën asnjë dëm.

Të jesh njeri i mirë nuk mjafton për të qenë një qytetar i mirë dhe nuk është vetëm politika që të bën qytetar të mirë, përfshirja në politikë, përfshirja në një kauzë dhe rrugë të tjera të bëjnë një qytetar të mirë kur ti ngre zërin pastaj mund të kesh një kauzë të drejtë, mund të kesh një kauzë të gabuar, kjo pak rëndësi ka, por është një kontribut.

Shoh atë Lëvizjen për Universitetin. Lëvizja për Universitetin është një lëvizje njerëzish që duan të dëgjohet zëri i tyre, për një vizion që është komplet i gabuar, por ama janë të respektueshëm për faktin se ata e ndjekin atë vizion dhe duan që zëri i tyre të dëgjohet, pavarësisht se flasin absurditete, gjëra që janë komplet të parealizueshme dhe mbi të gjitha, nuk kanë lidhje me sistemin.

Në fund të fundit, gjëja që bëjmë, është të bëjmë zgjedhje dhe zgjidhje që nuk janë asnjëherë ideale, por mundohemi të jenë më të mirat e mundshme, në kohën ku jetojmë, me mundësitë që kemi. Duhet të krijojmë më shumë mundësi, por që të krijojmë më shumë mundësi duhet të mundohemi më shumë, njësoj si në një shtëpi.

Nuk po zgjatem më shumë, thjesht dua t’ju them që përfshirja në këtë proces është si ta marrësh. Në kuptimin që dikush e merr me shumë vrull, me shumë ambicie dhe një ditë arrin dhe bëhet politikan. Dikush tjetër merr më pak vrull, por me ambicien për të bërë të tjerët bashkë e për ta kaluar kohën e lirë si qytetar. Dikush tjetër fillon pastaj thotë, “nuk ishte gjë ajo punë, shkova atje, se ca na thanë, foli Pandi, u zgjat, thoshte po mbaroj e nuk mbaronte”.

Është normale fare, por ama, një gjë është e sigurt, që kjo që ne bëjmë e këtu besoj që Pandi dhe të tjerët ndajnë të njëjtin mendim me mua, është diçka që e bëjmë për pasion. Nuk e bëjmë për punë. Nuk është një punë.

Pra, nuk është se ne jemi këtu se kemi gjetur një punë dhe nuk bëjmë dot asnjë punë tjetër.

Kjo është pjesa që është shumë e rëndësishme për mua dhe për një pjesë të madhe tonën. Nuk po them të gjithë, por një pjesë e madhe e jona e bën këtë për pasion, sepse mua personalisht, kjo më bën të ndihem i dobishëm. Kaq.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm