Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Anëtarësimi në BE është interesi më i madh kombëtar i Shqipërisë si alternativa e vetme dhe më e mirë për një demokraci të qëndrueshme

Të reja

Anëtarësimi në BE është interesi më i madh kombëtar i Shqipërisë si alternativa e vetme dhe më e mirë për një demokraci të qëndrueshme

21 Nov 2017    
Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar Socialist, z. Taulant Balla, në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, në prani të përfaqësuesve të Parlamentit Europian, Bruksel, 21 nëntor 2017:
 
Roli i Parlamentit në procesin e integrimit në BE 
 
 
I nderuar Z. McAllister, 
 
Dua t'ju falenderoj në emër të të gjashtë delegacioneve, përfaqësuese të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, për angazhimin tuaj personal dhe vëmendjen ndaj rajonit tonë së bashku me kolegët tuaj Fleckenstein, Kukan, Picula, Bostinaru etj.
 
Anëtarësimi në BE është interesi më i madh kombëtar i Shqipërisë dhe qëllimi i saj strategjik, i cili bazohet në një konsensus të gjerë politik dhe mbarëkombëtar.
 
Integrimi i plotë i Shqipërisë në familjen europiane konsiderohet si alternativa e vetme dhe më e mirë për një demokraci të qëndrueshme, për një shoqëri moderne, për një ekonomi të zhvilluar dhe për më tepër siguri. 
 
Parlamenti shqiptar ka marrë masa konkrete për adresimin e rekomandimeve të Raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitet 2015/2016, të cilat lidhen edhe me kushtet për hapjen e negociatave të pranimit në BE. 
Ne kemi miratuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian. Ky plan veprimi përcakton 5 objektiva dhe masat e tyre përkatëse.
 
Parlamenti i Shqipërisë, në kuadër të reformës në drejtësi, themelore për ecurinë tonë të shpejtë me agjendën europiane, ka miratuar unanimisht 7 ligje prioritare që shoqërojnë amendamentet kushtetuese, duke përfshirë edhe ligjin e Vettingut; ka miratuar 13 ligje nga 27 projektligjet për reformën në drejtësi; dhe gjithashtu vazhdon punën për hartimin e 14 projektligjeve të tjera të kësaj pakete ligjore.
 
Konsolidimi i mëtejshëm i dialogut politik dhe konstruktiv mes shumicës parlamentare dhe opozitës vazhdon të mbetet prioritet i Parlamentit shqiptar. Ky dialog u materializua në marrëveshjen e 17 Majit 2017, e cila solli përmirësimin e klimës politike në vend dhe ktheu opozitën në parlament.
 
Kjo marrëveshje i mundësoi Shqipërisë që zgjedhjet e 18 Qershorit 2017 të ishin paqësore, të lira dhe demokratike, të pranuara nga i gjithë spektri politik dhe të vlerësuara pozitivisht nga raportet e OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Europës.
Parlamenti miratoi me konsensus tre institucione të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, duke përmbushur kështu një nga detyrimet kryesore të Shqipërisë në këtë fazë të procesit të integrimit në BE.
 
Përmes konsensusit mes dy partive më të mëdha në vend, Parlamenti shqiptar miratoi ligjin për pakicat etnike, një ligj që do të ishte gjithashtu një model për vendet e tjera të Ballkanit.
 
Është bërë progres në konsolidimin e mëtejshëm të rolit legjislativ të Parlamentit dhe në kontrollin parlamentar mbi ekzekutivin; kemi rritje të transparencës parlamentare dhe zgjerim të mëtejshëm të kapaciteteve administrative parlamentare. 
Siç mund edhe mund ta shihni, përtej polarizimit të debatit politik, ne kemi arritur të ndërtojmë një konsensus në lidhje me përparësitë kryesore të integrimit në BE.
 
Këshilli i Stabilizim-Asociimit, zhvilluar javën e kaluar, vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon si një partner pro-aktiv dhe konstruktiv. Këshilli i SA vlerësoi pjesëmarrjen e vazhdueshme të Shqipërisë në iniciativat dhe strukturat rajonale të Europës Juglindore, në marrëdhëniet e mira fqinjësore, si dhe në qëndrimin konstruktiv rajonal. BE ritheksoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe stabiliteti rajonal janë elemente thelbësore të procesit të Stabilizim-Asociimit.
Shqipëria i është përkushtuar bashkëpunimit konstruktiv me fqinjët rajonalë, duke përfshirë “Berlin Process” dhe iniciativat rajonale.
 
Shqipëria po luan një rol të rëndësishëm në zbatimin e dy iniciativave të reja dhe të rëndësishme të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë selitë e tyre në Tiranë - Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor. Këto dy iniciativa synojnë përmirësimin e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes shteteve pjesëmarrëse, rritjen e mobilitetit rajonal dhe rritjen e kontakteve mes njerëzve, sidomos mes të rinjve; ato synojnë të kenë një ndikim të fortë pozitiv, sidomos në pjesëmarrjen e shoqërisë civile për zbatimin e agjendës së bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
 
Shqipëria ka kontribuar në konsolidimin e pronësisë rajonale të planit për Zonën Ekonomike Rajonale, nëpërmjet iniciativës së saj për një samit pasues të Ballkanit Perëndimor në Durrës.
 
 
Të dashur kolegë,
 
Dua të theksoj se në Shqipëri ka ndodhur një ndryshim rrënjësor: nga një shtet kaotik post-komunist i 27 viteve më parë, ajo është kthyer në një komb të rregullt, ligjshmërisht të qëndrueshëm dhe aktiv, gjë që sot vihet re dukshëm. 
 
Ne i detyrohemi shumë BE-së, për ndihmën teknike dhe ekonomike që na ka ofruar. Por i detyrohemi edhe më shumë aspiratave të njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë sonë për t'u angazhuar dhe për të qenë pjesë e komunitetit të kombeve të BE-së, duke ndarë vlerat dhe respektin e tyre për demokracinë dhe mbizotërimin e ligjit. Duke folur përmes votës, qytetarët shqiptarë e kanë thënë qartë se kjo është ajo që ata dëshirojnë.
 
Zbatimi i reformës më të fortë në drejtësi midis vendeve të tjera të Ballkanit, e cila shërben si shembull për t'u ndjekur, po ecën përpara. Rezultatet e para të procesit të verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të publikohen së shpejti.
 
 
Të dashur kolegë,
 
Ne besojmë në mbështetjen tuaj për të kaluar në fazën tjetër të procesit të anëtarësimit të plotë në familjen evropiane.
 
Faleminderit!
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm