Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Askush nuk na ndalon dot që të ecim përpara!

Të reja

Askush nuk na ndalon dot që të ecim përpara!

13 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit, njëherësh kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në Prrenjas:

shumë faleminderit për mikpritjen në një orë jo dhe aq të përshtatshme, me temperaturën që është rritur, por sidoqoftë besoj që prania juaj këtu dhe mbështetja që ju i tregoni sot, me këtë prani, mikut tim dhe mikut tuaj, Nuri Belbës është e merituar, sepse Nuriu është një burrë i ndershëm, punëtor, fjalëpakë, shumë korrekt. Jam i bindur që bashkë me Nuriun dhe me ndihmën e paçmuar të Taulantit, ne padisktuim do të bëjmë për Bashkinë e Përrenjasit në 4 vitet e mandatit të ri shumë më tepër se në 4 vitet që po mbyllen.

E kemi një fushatë që nga pikëpamja e zgjedhjeve vendore është më e lehta që unë kam bërë si fushatë, sepse kudo ku shkojmë, mund të flasin punët tona, mund të flasë përpjekja e mishëruar në punë dhe në vepra të prekshme për komunitetet kudo ku ne kemi drejtuar bashkitë, ashtu sikundër mund të flasë edhe krahasimi mes bashkive të drejtuara prej nesh dhe bashkive të drejtuara prej atyre që u arratisën nga zgjedhjet, sepse kanë frikë të përballen, kanë frikë të ndeshen, kanë frikë të ballafaqohen dhe faktikisht nuk kanë asgjë për të ofruar, përveç asaj që po përpiqen paturpësisht të bëjnë përditë, të mbjellin frikë, të mbjellin shqetësim, të mbjellin pasiguri.

Më vjen keq që këtu në Përrenjas, gjërat qëndrojnë midis njërës dhe tjetrës. Pra, nuk jemi në një bashki si bashkitë tona, si modelet tona, por nuk jemi as në një bashki që është ku thërret kiameti nga pikëpamja e punës dhe e mbështetjes, siç janë bashkitë e drejtuara prej tyre, një pjesë e madhe, se ka ndonjë tek-tuk që me thënë të drejtën ka bërë gjëra të mira dhe mbështetja jonë ia ka vlejtur, siç është p.sh., Bashkia e Tropojës. Këtu jemi në një bashki ku ne kemi bërë maksimumin për të mbështetur, mirëpo vlerat e financuara nuk janë kthyer në cilësi, ashtu siç duhet, të projekteve të realizuara.

Nuk dua të bëj këtu asnjë polemikë me kryetaren e bashkisë, por dua të them që në 30 qershor, ju me mbështetjen tuaj për Nuriun dhe ne pastaj me të gjithë mbështetjen për ju do të hapim një faqe të re.

I keni dëgjuar këto ditë palët, fjalimet, shpjegimet, por sidoqoftë ia vlen që të përsëriten për t’u dëgjuar dhe për t’u kuptuar deri në fund, arsyet pse ne sot jemi në këtë situatë jo të lehtë, të krijuar artificialisht nga ata, të cilët ikën nga Parlamenti, dogjën mandatet e dhëna nga populli për të përfaqësuar kundërshtarët e qeverisë, kundërshtarët politikë në Parlament, morën kapsollat, fishekzjarrët, molotovët dhe filluan të bëjnë një zhurmë të madhe, për të shpërndarë në të 4 anët e vendit panik, duke përsëritur “‘97-ta”, “‘97-ta” dhe duke shpërndarë nëpër botë imazhe që e dëmtojnë Shqipërinë, që krijojnë një ide të gabuar, sikur Shqipëria është në një situatë revoltash, përmbysjesh e me radhë. Sepse ata në fakt zgjedhjet duan t’i marrin peng, për të marrë peng drejtësinë, duke shkaktuar një zallamahi aq të madhe, sa miqtë dhe partnerët tanë europianë thonë jo, në këtë vend nuk hapen negociatat, me këtë vend, ne nuk mund të ulemi në bisedime për anëtarësim në BE, sepse shikojeni, ky vend është rrëmujë dhe duke mos u hapur negociatat, nuk hapen dy kapitujt e parë të bashkëbisedimit, që janë kapitujt e drejtësisë.

Historia e integrimit tregon që kapitujt e drejtësisë, kur vendosen në tryezë të negociatave mes një vendi që do të bëhet anëtar i BE dhe BE-së nuk janë thjesht çështje ligjesh në letër, por janë çështje funksionimi i sistemit dhe duke çelur kapitujt e drejtësisë me hapjen e negociatave, ne kalojmë në fazën kur reforma në drejtësi dhe procesi i pastrimit që ka sjellë vettingu duhet të përkthehet në gjykime dhe në ndëshkime që nga më i gjati deri tek më i shkurtri, që nga më i madhi deri te më i vogli, pa dallim, për të realizuar synimin tonë më madhor, vendosjen e barazisë përpara ligjit dhe funksionimin e drejtësisë si e barabartë me të gjithë, që nga presidenti i republikës deri te qytetari më i zakonshëm në fshatin më të largët.

Po vinim me Taulantin dhe më tha se Presidenti kishte nxjerrë disa ekspertë që paskëshin thënë që ai po shikon mundësinë e një date tjetër dhe deri kur ai të vendosë datën tjetër, kryetarët e bashkive do rrinë nëpër zyra, një tjetër pjellë e një imagjinate të dalë nga kontrolli, për të çuar vijën e konfliktit matanë 30 qershorit, sepse 30 qershori është vulosur përfundimisht dhe nuk e ndalon dot as Iliri, as Saliu dhe artisti me fallxhoren jo e jo.

4 aventurierë të bashkuar dhe një tufë qorrash në udhëheqjen e atij grupimi politik, të lidhur nga halli i madh dhe nga paniku i reformës në drejtësi, nuk na ndalojmë dot që të ecim drejt përpara dhe pavarësisht se na pengojnë, pavarësisht se shqetësojnë njerëzit, pavarësisht se nuk kanë lënë dhe nuk do lënë dy gurë bashkë, ata jo vetëm që nuk djegin dot Shqipërinë, por do digjen në sytë e shqiptarëve, siç e kanë merituar dhe po e meritojnë në çdo hap që hedhin, në çdo gjë që bëjnë, në çdo fjalë që nxjerrin, duke mos e fshehur dot se në fakt nuk e kanë me mua, nuk e kanë me ne, e kanë me Shqipërinë në BE.

Në mbyllje dua t’i them Ilirit, sot e filluam me të, po vazhdojmë me të që ta lexojë me qetësi dhe me kthjelltësi rezolutën e miratuar sot me 100 vota në Kuvendin e Shqipërisë, të reflektojë mbi opinionin e përfaqësisë më të lartë të popullit sovran, që është Kuvendi i Shqipërisë dhe të mos e trashë më tutje zullumin që është këputur përsa na takon dhe përsa i takon popullit shqiptar, sepse populli shqiptar dhe ne që thjesht po bëjmë detyrën, duke u paraqitur përpara popullit, për të marrë atë që populli do të na japë, nuk ka shans të merren peng.

E di që ai është në pozitë të vështirë, por nuk është as burrëri, nuk është as trimëri dhe nuk është as zgjuarsi që të mos reflektojë dhe të kërkojë edhe ndjesë, sepse, pavarësisht se nuk ka bërë një gabim, ka bërë një faj ndaj Shqipërisë dhe pavarësisht se ndjesa nuk e lan dot një faj aq të madh, sidoqoftë ndjesa normalizon raportin e tij me fajin. E nuk është pak. Çdo hap më tej alla Sali nuk ndihmon dhe në radhë të parë ngarkon edhe më shumë atë vetë dhe ngarkon edhe më shumë një situatë që e kanë shkaktuar ata me qëllim dhe nga e cila, ne të jeni të sigurt do dalim jo pa vështirësi, sepse të bësh zgjedhje ku kundërshtarët nuk vijnë përballë, por përpiqen gjatë gjithë kohës të krijojnë situata të vështira, s’është e lehtë. Ata i bërtasin frikës së tyre. Duan të trembin frikën që i ka marrë peng. Nga frika e tyre, ata do të treten dhe do t’i shikoni vetë pas 30 qershorit, ato koka boshe të lidhura në fillin e tespiheve të plakut Sali sesi do të shpërndahen kokrra-kokrra, njësoj si tespihet e plakut Mere. Kush nga më të rriturit ka pranë një të ri t’ia tregojë se kush ishte plaku Mere.

Shumë faleminderit të gjithëve për mbështetjen, por duke qenë se kemi një takim tjetër në Librazhd, Taulanti mu lut, fjalën më të gjatë ruaje për Librazhdin, sepse në Përrenjas ka ardhur koha t’i presim drutë shkurt dhe ta mbyllim në 30 qershor, një kapitull që nuk ka qenë i suksesshëm.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm