taulant balla

Balla: Jashtë listave për deputetë gjyqtarët që nuk kalojnë në Vetting

Në parantezë të këtij komunikimi me median për një çështje që e vlerësoj shumë të rëndësishme, do doja të rikujtoja edhe një herë ftesën tonë për Partinë Demokratike, meqënëse Kuvendi i Shqipërisë e rizgjati mandatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ftojmë kolegët e Partisë Demokratike që Komisioni i Reformës të mblidhet sa më parë; nëse jo sot, nesër apo pasnesër me qëllim që të vijojmë punën për çështje shumë më të rëndësishme që burojnë nga raportet e vlerësimit të zgjedhjeve të OSBBE/ODHIR; dhe në këtë frymë, pikërisht në frymën e disa rregullimeve ligjore shumë të rëndësishme që mund të arrihet, të paraprijmë procesin zgjedhor të 18 qershorit. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, dua që të bëj një propozim konkret për disa rregullime në ligjin zgjedhor apo siç thuhet ndryshe kodi zgjedhor.

Në kuadër të këtyre propozimeve që po bëhen për ndryshime të Kodit Zgjedhor, në frymën e implementimit të plotë të Reformës në Drejtësi dhe rolit të rëndësishëm që ka Kuvendi jo vetëm në miratimin e akteve të tjera ligjore që pasojnë por dhe në monitorimin, një dimesion shumë i rëndësishëm i Kuvendit të Shqipërisë me qëllim parandalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje të kandidaturave që mund të vijnë nga sistemi i drejtësisë,  propozoj që çdo gjyqtar apo prokuror që nuk ka kaluar përmes procesit të Vettingut por është dorëhequr, apo që nuk e ka përfunduar procesin e vlerësimit sipas nenit 179/b të Kushtetutës nuk mund të përfshihet në listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 18 qershorit.

Çështja e ndalimit të kandidatëve që zgjidhen e rregullon kodin zgjedhor në nenin 63, si mëposhtë:

Propozojmë disa rregullime ligjore.

Çështjen e ndalimeve për kandidatët në zgjedhje e rregullon Kodi Zgjedhor në nenin 63, si mëposhtë:

Neni 63*

Subjektet zgjedhore dhe kandidatët  

Dhe këtu është përcaktuar kush janë subjektet që marrin pjesë në zgjedhje.  

  1. Subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë kandidatësh, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.
  2. Subjekt zgjedhor mund të jetë edhe një shtetas shqiptar me të drejtë vote, i cili propozohet si kandidat për deputet apo për organet e qeverisjes vendore nga një grup zgjedhësish, sipas përcaktimeve të bëra në këtë Kod.
  3. Kandidat është shtetasi që plotëson kushtet e parashikuara në nenet 45 dhe 69 të Kushtetutës dhe që regjistrohet si kandidat për deputet në KQZ, ose si kandidat për kryetarbashkie ose për këshillat vendorë në KZAZ.
  1. Përveç kushteve të parashikuara në pikën 3, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen pa hequr dorë më parë nga detyra:a) gjyqtarët, prokurorët;
    b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
    c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
    ç) përfaqësuesit diplomatikë;
    d) kryetarët e bashkive për zgjedhjet në kuvend;
    dh) deputetët, kur konkurrojnë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore;
    e) prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre për zgjedhjet në kuvend dhe për organet e qeverisjes vendore;   ë) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
    f) Presidenti i Republikës;
    g) zyrtarët e lartë të administratës shtetërore të përcaktuar me ligj.
  1. Në rast të zhvillimit të zgjedhjeve, për organet vendore apo organet qëndrore janë përcaktuar pikërisht kush janë ata persona që mund të mbajnë një detyrë të tillë dhe që nuk mund të kenë të bëjnë.

Me këtë qëllim, përveç kushteve të parashikuara në pikën 3, nuk mund të kandidojnë pa hequr dorë më parë nga detyra dhe:

  1. a) gjyqtarët, prokurorët

Duke shtuar të gjitha këto, ne propozojmë që do të konsiderohen në detyrë edhe ata që, pavarsisht dorëheqjes, nuk i janë nënshtruar procesit të rivlersimit. Pra e zëmë më qartë, propozimi që ne do të depozitojmë sot ka të bëjë me një shtesë në kodin zgjedhor që parandalon përfshirjen në listën e kandidatëve të gjithë atyre gjyqtarëve apo prokurorëve të cilët kanë dhënë dorëheqjen dhe nuk i janë nënshtruar procesit të Vettingut ose e kanë plotësuar formularin e vetëdeklarimit, por procesi i vlerësimit sipas parashikimit të nenit 179/b të Kushtetutës nuk ka përfunduar. Mendojmë që ky është një hap i rëndsishëm, sepse sikurse Kuvendi i Shqipërisë me kosensus ka miratuar edhe ligjin për parandalimin e personave me rekorde kriminale që të përfshihen në procesin zgjedhor, kështu edhe gjyqtarë apo prokurorë të cilët nuk kanë kaluar Vettingun apo nuk e kanë përfunduar procesin e vlerësimit, nuk mund të përfshihen në listat e zgjedhjeve.

Propozimi ligjor do të depozitohet nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste, në radhë të parë ne synojmë të merret në konsideratë dhe të diskutohet nga Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore. Në rast të kundërt, nëse Partia Demokratike do të vazhdojë të bojkotojë komisionin e reformës, ne do ta depozitojmë krahas propozimeve tjera; do ta depozitojmë pra në rrugët që përcakton Rregullorja e Kuvendit dhe Kushtetuta e Shqipërisë për amendamentet ligjore.

Zoti Balla, a ekziston koha e nevojshme që një prokuror apo gjyqtar që dëshiron të kandidojë në zgjedhje ta zhvillojë këtë proces të Vettingut dhe të marrë rezultatin përfundimtar të tij; pra, a ekziston hapësira kohore e mundshme? Dhe e dyta, përderisa komisioni është ngritur në lidhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, a ka ardhur ky rekomandim nga këto institucione apo nga partnerë të tjerë ndërkombtarë, apo është thjesht një propozim?

Atëherë, ky është një propozim që unë sot e bëj në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste; dhe besoj dhe mendoj që kjo është një nevojë që buron nga fryma e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Çdo gjyqtar dhe prokuror që nuk kalon përmes procesit të Vettingut, jep dorëheqje për shkak se nuk dëshiron të kalojë Vettingun. Unë besoj këtë dhe mendoj që nuk ka qytetar shqiptar që do të ishte i gatshëm të votojë një gjyqtar apo një prokuror që nuk ka bërë procesin e Vettingut. Kjo është një nevojë e vijimësisë së implementimit me seriozitet të Reformës në Drejtësi.

Kujtoj që Reforma në Drejtësi dhe Vettingu në radhë të parë ka synuar pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët e korruptuar, prokurorët e korruptuar; ka synuar pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarë dhe prokurorë me mangësi profesionale dhe ajo që është më e rëndësishmja me lidhje kriminale. Prandaj e theksova të gjithë kuadrin rregullator që është bërë në gjithë këto vite dhe kujtova këtu dhe ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen apo emërohen – pikërisht parandalimi i përfshirjes në parlamentin e ardhshëm jo vetëm të personave me lidhje kriminale, por edhe të personave që vijnë nga sistemi i drejtësisë, gjyqtarë dhe prokurorë të cilët nuk kanë kaluar le të themi skanerin më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri.

Sa kohë do marrë kjo?

Koha është e mjaftueshme për të garantuar implementimin e kësaj platforme. Ata gjyqtarë dhe prokurorë që kanë dhënë dorëheqjen dhe që synojnë që nga sistemi i drejtësisë të kalojë në Kuvend, koha është e mjaftueshme për parandalimin e përfshirjes së tyre në lista.

Mazhoranca do t’i bëjë e vetme këto ndryshime, nëse opozita nuk pranon? Kam këtu parasysh që të gjitha reformat zgjedhore kanë kaluar me konsensus të plotë.

Unë sot besoj dhe shpresoj që Partia Demokratike nuk do dalë kundër këtij propozimi që garanton mospërfshirjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk kanë bërë Vettingun, apo nuk e kanë përfunduar procesin e vlerësimit në listat e kandidatëve për deputetë.

Do të ishte një fyerje e rëndë për të gjithë qytetarët shqiptarë mosaprovimi i këtij propozimi.

Dhe  veprimi i çdo partie politike për mosaprovim do të jepte një mesazh shumë negativ në dëm të implementimit të plotë të Reformës në Drejtësi, duke përfshirë persona që vijnë nga sistemi i drejtësisë por që nuk kanë kaluar procesin e Vettingut.

Faleminderit.

* Deklaratë për media e bashkëkryetarit të Komisionit për Reformën Zgjedhore, Taulant Balla