balla7

Balla: T’i japim Shqipërisë një President dinjitoz

Sigurisht që sqarimi i kryetarit të Kuvendit, z. Meta, për diskutimin e para-parafolësit ishte shterues për sa i përket një kërkese, që më shumë se sa një kërkesë procedurale si palë pjesëmarrëse në zgjedhje nga 2 partitë politike, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, është vullnet politik i mazhorancës aktuale për të mundësuar zhvillimin e zgjedhjeve në 18 qershor edhe me pjesëmarrjen e forcës më të madhe politike në opozitë, Partisë Demokratike.

Kur ka një vullnet politik të këtij niveli, të shprehur më pas dhe të shoqëruar brenda procedurës që KQZ-ja ka, unë nuk e kuptoj se përse u dashka ngritur kjo dallgë kaq e madhe kur të gjithë biem dakord që nuk ka asnjë lëvizje nga pozicioni ynë shumë i qartë,- edhe për një “partizë” të vogël si “partiza” e dy parafolësve,- që më 18 qershor do të zhvillohen zgjedhjet.

Zgjedhjet parlamentare zgjedhin deputetë; në zgjedhjet parlamentare paraqiten listat e kandidatëve për deputetë. Afati i regjistrimit të kandidatëve për deputetë është jo më vonë se 50 ditë nga dita e zgjedhjeve – ky është afati më i rëndësishëm procedural që kanë zgjedhjet.

Partitë politike janë regjistruar. Mos u viktimizo më në këtë sallë apo në çdo sallë tjetër ku të jesh. Nuk ka krijuar askush problem për regjistrimin e partisë tënde; je regjistruar ndër partitë e para. Shumë mirë ke bërë.

Por duhet të kuptoni shumë qartë që është dëshira jonë, vullneti ynë që edhe në tunelin e çadrës ku ka hyrë Partia Demokratike, t’i mundësohet një vrimë daljeje për t’u regjistruar në zgjedhje.

Po ju them: kush është marrë me zgjedhjet, kush është marrë me procedurat e zgjedhjeve e di fare mirë që KQZ, duke respektuar afatin limit sikurse është ai i regjistrimit të kandidatëve, i ka të gjitha mundësitë të mundësojë deri në datë 29 regjistrimin edhe të Partisë Demokratike, apo edhe të partive të tjera opozitare.

Është shumë e rëndësishme, gjithashtu, të themi dy fjalë për vajtimin që u bë në këtë foltore për sa i përket procedurës së zgjedhjes së Presidentit. Kështu ka qenë gjithmonë, por të na akuzosh seancë për seancë për arrogancë dhe ndërkohë sot të akuzosh përsëri që ne nuk po shfrytëzojmë mazhorancën e cilësuar që kemi në Kuvend pikërisht për të zgjedhur Presidentin e Republikës, kjo është mungesë vijueshmërie në mendim. Mund ta zgjidhnim ne Presidentin e Republikës që dje, mund ta zgjedhim pasi të ketë mbaruar kjo seancë. Se që ta dini edhe për procedurë, mbaron kjo seancë, është një seancë tjetër ajo që është procedurë për zgjedhjen e Presidentit.

Por ne kemi thënë prej fillimit,- qoftë Partia Socialiste, qoftë Lëvizja Socialiste për Integrim,- Shqipëria meriton një President dinjitoz. Shqipëria në një situatë si kjo meritonte të kishte një President i cili të ngrihej mbi palët dhe i cili të kishte paanshmëri. Në një situatë si kjo Shqipëria meritonte të kishte një President që të merrte kontakt të paanshëm, efikas me të gjitha palët për t’i ulur ato në tavolinë dhe për të gjetur një zgjidhje. Në rast se partia nga e cila vinte e kishte gabim, të dinte të mbante qëndrimin që është në interes të shqiptarëve, jo në interes të partisë prej nga vjen.

Prandaj po tregojmë durim, po tregojmë maturi, nuk po përdorim forcën e kartonit. Po si ka mundësi ju nuk po zgjidhni, nuk po bëni përpjekje për të gjetur një  President konsensual siç e meriton Shqipëria edhe në këtë kuadër, edhe në këtë situatë që ka.

Prandaj e theksoj që ne po përdorim këtë procedurë kaq demokratike, kushtetuese që ka procedura e zgjedhjes së Presidentit jo më kot. Ligjvënësi dhe më pas populli shqiptar, përmes miratimit të kësaj kushtetute, i ka dhënë autoritetin Kuvendit të Shqipërisë që në 3 raundet e para të bëhet një përpjekje për një zgjedhje konsensuale.

Por ne e kemi thënë: duam t’i japim Shqipërisë një President dinjitoz, një President që të dijë të jetë mbi palët dhe të jetë një çelës i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve siç është kjo aktuale. Unë e di që juve nuk ju intereson kjo situatë, por ndërkohë dua t’ju theksoj që pozicioni ynë është ky. Ne duam që këtë proces demokratik të zgjedhjes së Presidentit ta ushtrojmë si një çelës për të sjellë edhe Partinë Demokratike të vijë në nevojën që ka Shqipëria për të zgjedhur një  President konsensual. Nëse ata do të vazhdojnë rrugën e tyre të vetëvrasjes politike, është çështje e tyre.

KQZ-së nuk duhet t’i bëjë presion askush; qofshi ju një parti e vogël apo partitë e tjera pak më të mëdha se ju, apo dhe partia kryesore e opozitës, Partia Demokratike. KQZ është një institucion më përfaqësim politik, por është autoriteti i vetëm organizues i zgjedhjeve.  Shqipëria bën përjashtim nga shumë vende të tjera, ku qeveria nuk ka asnjë autoritet për organizimin e zgjedhjeve. KQZ është një institucion me paritet politik në të gjitha nivelet, nga KQZ te Komisionet Zonale të Zgjedhjeve dhe deri tek KQV-të. I takon KQZ që të shprehet për këtë çështje. Unë mendoj që KQZ-ja i ka të gjitha mundësitë që të bëjë një shpjegim. Sigurisht vendimi i saj është indipendent dhe duhet të respektohet nga të gjithë. Por është e pakuptueshme që institucionalisht të bëhet një kërkesë dhe pastaj palët e interesuara, sikurse është pala që sapo u shpreh, të bëjnë presion nga foltorja e Kuvendit mbi një vendimmarrje që i takon ekskluzivisht KQZ.

Më 18 qershor janë zgjedhjet. Kush paraqitet në zgjedhje merr vlerësimin e popullit; kush ka frikë të dalë para popullit le të vazhdojë qoftë në çadër apo kudo që ta ketë zgjedhur qëndrimin e vet. E rëndësishme është që ne të respektojmë institucionin.

E sigurt është që Partia Socialiste e Shqipërisë dëshiron që t’i japë Shqipërisë një President dinjitoz dhe sigurisht ka detyrën për të qeverisur vendin edhe në 4 vitet e ardhshme.

Faleminderit!