Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Balla takim me deputetin francez Joachim Son-Forget: Brenda dhjetorit ngrihen tre institucionet kryesore të drejtësisë

Të reja

Balla takim me deputetin francez Joachim Son-Forget: Brenda dhjetorit ngrihen tre institucionet kryesore të drejtësisë

04 Dec 2018    

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla, takim me deputetin francez Joachim Son-Forget:

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla zhvilloi një takim me deputetin francez Joachim Son-Forget, i partisë së Presidentit francez Emanuel Macron, La République en Marche.

Zoti Balla duke uruar deputetin francez për rezultatet e tij zgjedhore, theksoi se ky është një lajm i mirë, sepse z. Son Forget është një njohës i mirë i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Duke nënvizuar se Shqipëria ka nisur tashmë procesin “screening” dhe ka përmbushur një sërë prej detyrave që ka ky proces, zoti Balla kërkoi mbështetjen e partisë La République en Marche në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Theksi i këtij takimi ishte Reforma në Drejtësi, ku deputeti Balla theksoi se brenda dhjetorit do të ngrihen të tre institucionet kryesore të drejtësisë: KLGJ, KLP dhe KED dhe se procesi i Vettingut tashmë është një sukses.

Për sa i përket një prej shqetësimeve kryesore që qeveria franceze ka pasur, atë të azilkërkuesve, gjatë takimit u bë e qartë se Shqipëria tashmë e ka zgjidhur këtë problem dhe se numri i shtetasve që kërkojnë azil është ulur në mënyrë drastike. E jo vetëm kaq, por Shqipëria tashmë është bërë vend pritës i emigrantëve që vijnë nga Siria dhe Iraku, duke e parë atë si rrugë kalimi për në vendet Europiane.

Nga ana e tij deputeti francez z. Son Forget siguroi se Shqipëria është në rrugën e duhur në përmbushjen e reformave, duke bërë një punë vërtetë të mirë për sa i përket luftës kundër  krimit të organizuar, korrupsionit dhe emigrimit të paligjshëm.  Si njohës i mirë i Rajonit të Ballkanit Perëndimor deputeti francez theksoi rëndësinë që ka integrimi i këtij rajoni në Bashkimin Evropian.  Joachim Son-Forget përgëzoi punën e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Rama për të gjitha hapat e ndërmarrë drejt rrugës evropiane të Shqipërisë.

Takimi u mbyll me ftesën nga ana e palës franceze për takime të Kryetarit të Grupit Balla në Francë në fund të janarit.

 

Në këtë takim zoti Balla shoqërohej nga zëvendësministrat Julian Hodaj,  Petro Koçi dhe Teuta Vodo, njëkohësisht Sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi    Artikulli i mëparshëm