Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Basha duhet të japë llogari për skandalin e transferimit të 1 milionë dollarëve, nga kompani “off-shore”

Të reja

Basha duhet të japë llogari për skandalin e transferimit të 1 milionë dollarëve, nga kompani “off-shore”

24 Nov 2017    

Daklarata për media e deputetes së Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti:

Edhe një herë më shumë, ditën e enjte, Lulzim Basha doli përballë publikut për të vjellë vrer, me “fake news” e tij të përditshme kundër qeverisë.

Qëllimisht, ai nuk tha asnjë fjalë për skandalin e transferimit të pothuajse 1 milionë dollarëve, nga kompani “off-shore”, në llogaritë e kompanive amerikane të lobimit.

Basha nuk mund t’i shpëtojë këtij skandali duke bërë atë që di të bëjë më mirë, të hedhë baltë, me shpresën se do të largojë vëmendjen nga vetja e tij. 

Janë një milionë dollarë, të vërtetuara jo nga ne, por nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, që Partia Demokratike ka paguar vetëm gjatë vitit 2017.

Kush i pagoi këto para?

Nga erdhën këto para? 

Cili është burimi i tyre? 

Përse Prokuroria nuk nis hetimet? 

Në mos Basha ka bindjen se edhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë është i kapur nga krimi, ai sot duhet të dalë përpara publikut dhe të japë përgjigje.

Ai duhet të shpjegojë se çfarë bëri gjatë vizitës së tij në Uashington në 22 mars, kur firmosi një kontratë me vlerë qindra mijëra dollar, me “Stonington Strategies”. Të gjitha këto para të paguara nga llogari fantazmë.

Janë mbi 500 mijë dollarë, të kaluara sërish nga llogaritë fantazmë, tek një tjetër kompani lobiste, me qëllim krijimin e “farsës” se Uashingtoni mbështeste bojkotimin e zgjedhjeve dhe dhunën e propoganduar nga çadra.

Në total, shpenzimet e Partisë Demokratike për lobistët në Uashington për peridhën mars-qershor kapin vlerën e 825 mijë USD, më e lartë se të ardhurat totale që Partia Demokratike deklaroi në KQZ.


Sot, jemi në kushtet e rënda të shkeljes së ligjit nga ana e Partisë Demokratike. Në deklaratën e shpenzimeve që Partia Demokratike ka depozituar në KQZ nuk figurojnë fare të raportuara këto shpenzime.

Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.

Dhe për transparencë të publikut, shpenzimet e PD për fushatën zgjedhore të 25 qershorit raportohen vetëm 500 mijë dollarë, dy herë më pak sesa shpenzimet e kryera për këto pagesa për kompani lobingu.

Për mbarë opinionin publik, për ne, për mediat, për KQZ, për prokurorinë, duhet që menjëherë Lulzim Basha të sqarojë:

1.  Ku i ka gjetur Partia Demokratike dhe Lulzim Basha këto shuma marramendëse parash? 1 milion dollarë? Këta që flasin për ditë për para të pista, e vota të blera, ku i kanë gjetur 1 milionë dollarë?

2.  Pse Partia Demokratike e Shqipërisë ka përdorur llogaritë e një kompanie off-shore për të bërë pagesa në emër të Partisë Demokratike?

3.  Cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë ‘Biniatta Trade LP,’ e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.

4.  Në emër të kujt është e rregjistruar kjo kompani në Belizë?

5.  A ka dijeni Lulzim Basha se kush janë personat nga Shqipëria që kanë tranferuar para në llogaritë e kompanive off-shore në Belizë, dhe më pas tek Binniatta Trade, për të përfunduar në pagesa për llogari të Partisë Demokratike?

6.  Kush janë lidhjet e Lulzim Bashës me këto persona?

7.  A është financuar Partia Demokratike nga para të pista nga persona të dyshuar për veprimtari kriminale?

Të gjitha kontratat e nënshkruara me kompanitë lobuese, mbajnë emrin, mbiemrin dhe firmën e Lulzim Bashës. Ndaj, ai sot nuk mund të fshihet, por duhet të dalë dhe t’i përgjigjet seciles prej këtyre pyetjeve. 

Partia Socialiste, nga ana e saj, i bën thirrje organeve të drejtësisë, që të hetojnë deri në fund të gjithë këtë skandal, pasi ka ardhur koha që politika të ndahet një herë e përgjithmonë nga lidhjet e saj me krimin.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm