Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Basha shkoi në vendin e krimit, Prokuroria t’i ndalojë largimin nga Shqipëria

Të reja

Basha shkoi në vendin e krimit, Prokuroria t’i ndalojë largimin nga Shqipëria

14 Dec 2017    

Fjala në seancën e sotme e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:

Për interes të qytetarëve që ndjekin Kuvendin: jemi në pikën e parë të rendit të ditës, ku diskutojmë aktin normativ për disa ndryshime në buxhetin e shtetit të vitit 2017.

Unë mendoj se opozita duhet ta votojë aktin normativ, nëse vërtetë, për tre çështjet që ka ardhur ky akt normativ, opozita e ka seriozisht bashkëpunimin për implementimin e plotë të Reformës në Drejtësi; nëse opozita e ka seriozisht shqetësimin për investime në kanalizime për të parandaluar përmbytjet; nëse Partia Demokratike, partia që ia ka shfrytëzuar pafund këto 27 vite besimin e dhënë me votë ish-të përndjekurve dhe ish të dënuarve politikë të kategorisë parësore, të cilët me akt normativ marrin të gjithë pagesën.

Tre arsye: implementimi i Reformës në Drejtësi, që ka të bëjë me strukturat e reja të Vettingut, Komisioni i Rivlerësimit kalimtar të magjistratëve, Komisioni i Apelimit dhe rivlerësimit kalimtar të komisionerëve publikë; e dyta, të përndjekurit; e treta, pagesa e TVSH-së.

Si ka mundësi që një parti, që ka qenë 13 vjet në pushtet, nuk di të bëjë diferencën e nuk di të marrë fjalën e të flasë për një gjë në interes të vendit e të shqiptarëve?

Kisha menduar që zëvendësimi i Lulit me zëvendësimin e Saliut sot mund të ishte rendimentar; do të kishte vlerë; do të bënte diferencën. Por më kot u munduat, e keni degdisur Lulin sot sepse nuk bëtë dot diferencën.

Zoti kryetar i Kuvendit,

Kolegë deputetë, majtas, djathtas, të qendrës, kudo qofshi,

Kuvendi i Shqipërisë dhe opinioni publik prej ditësh janë njohur me një fakt të rëndë: përfshirjen e një partie politike në një aferë të rëndë parash të pista, të përdorura për lobing politik.

E kërkova fjalën sot për një arsye tjetër të rëndë. Lulzim Basha nuk është sot këtu në Kuvendin e Shqipërisë, dhe pyetja është: ku është Lulzimi? Ku je Lul? E ke vënë emrin për të folur në seancë plenare, por ti nuk je në Shqipëri, je në Edinburg.

Sot Lulzim Basha është në Edinburg, në qytetin ku është bërë gjoja pagesa e 675 mijë dollarëve.

Ç’kërkon Lulzimi sot në Edinburg?  Vendin ku kompania “Biniatta Trade LP” ka rezidencën e vet.

Përse ka ikur Lulzimi në Edinburg? Është shumë e rëndësishme,- e kemi thënë prej ditës së parë,- dhe ende nuk kemi rezultate të para nga puna e Prokurorisë, por kemi një fakt të ri që Luli është gënjeshtar.

Nuk ka nevojë për fakte për të vërtetuar që Luli është gënjeshtar sepse, siç ka thënë edhe zonja Jozefinë, Luli të gënjen edhe kur e pyet se sa është ora.

Kam këtu tre dokumente zyrtare. I pari është procesverbali i Kuvendit të Shqipërisë, datë 30 nëntor 2017, ku Lulzim Basha thotë që të gjitha faturat e pagesave i kanë deklaruar në KQZ.

Po KQZ-ja, ç’thotë KQZ-ja me vendimin që mori dy ditë më parë? KQZ-ja thotë: “Nga shqyrtimi i raportit financiar të Partisë Demokratike, këto pagesa nuk rezultojnë të deklaruara”. 

Ku e keni Lulzimin? Ku është Lulzimi sot? Pse nuk është Lulzimi këtu, pikërisht dy ditë pasi KQZ-ja vërtetoi se Partia Demokratike ka paguar në total 875 mijë dollarë, fiks lobing. Po si?

Lobing kanë bërë të gjithë: ku 20 mijë, ku 10 mijë, ku 15 mijë dollarë, por 875 mijë nga të cilat 675 mijë janë të paguara nga një kompani guackë në Edinburg, atje ku është Lulzim Basha sot; dhe pronarë të kësaj kompanie guackë, 3 kompani të tjera me qendër në një mini-shtet në Amerikën Qendrore, në Belizë.

I rrëshqiti Saliut sot, sepse është edhe punë moshe, nuk mban më; dhe përmendi offshoret.

Partia Demokratike i detyrohet opinionit publik të japë një përgjigje për këtë pisllëk ku e ka përfshirë Lulzimi këtë subjekt politik. Partia Demokratike nuk është as e Saliut dhe as e Lulzimit, por është e demokratëve të thjeshtë.

Ndaj demokratëve të thjeshtë, por edhe atyre 400 mijë votuesve u detyroheni t’i jepni një përgjigje sesi është e mundur që e keni përfshirë këtë parti në një transaksion i cili, siç ju thashë, në mos ka filluar dhe besoj ka filluar, është pjesë e një hetimi ndërkombëtar nga byroja federale e hetimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

E keni futur Partinë Demokratike në listën e atyre që bëjnë transaksione financiare të dyshimta.

Siç jua kam thënë jo vetëm në legjislacionin ndërkombëtar por edhe në atë shqiptar për Lulzim Bashën, Prokuroria e vendit tonë, organet ligjzbatuese kanë detyrimin ta vendosin nën akuzë për një sërë çështjesh siç janë fshehja e të ardhurave, falsifikimi i dokumenteve, shpërdorimi i detyrës, pastrimi i produkteve të veprës penale, çelja e llogarive anonime, përvetësimi i mallrave dhe parave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtari penale.

Përpos kësaj, më e keqja është se ndaj subjektit politik, Partia Demokratike, për herë të parë në 27 vjet sipas legjislacionit shqiptar është i detyruar të fillojë hetimi për fshehje të ardhurash.

Nuk i ka deklaruar; nuk ka deklaruar Partia Demokratike ku i ka gjetur 675 mijë dollarët që ka bërë transaksionin nga Shqipëria në Belizë, nga Beliza në Edinburg dhe nga Edinburgu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falsifikimi i dokumenteve, pastrimi i produkteve të veprës penale, çelja e llogarive anonime në SHBA - është deklaruar që kjo pagesë është bërë nga Partia Demokratike.

Llogaria në Belizë mund të jetë ndoshta edhe llogari e shokut të shkollës së Lulzimit - një qytetar turk që është sot nën hetim ndërkombëtar nga FBI për 15 milionë dollarë pagesa të ngjashme si kjo e Lulzimit.

Mjafton kaq që i vendosuri nën hetim, Lulzim Xhelal Basha, të akuzohet për disa vepra penale.

Por fakti që sot i akuzuari ndodhet në vendin e krimit në Edinburg është një detyrim nga Prokuroria e vendit tonë që Lulzim Bashës, i cili është një shtetas i kallëzuar, duhet minimalisht t’i ndalohet largimi nga vendi.

Kolegë deputetë,

Mëngjesi i sotëm ishte një mëngjes i rëndësishëm për punën e Kuvendit, atë të kontrollit parlamentar. Meqenëse Partia Demokratike hezitoi të fliste për Balilin, do t’i them Lulzim Bashës dhe kujtdo prej jush: ia keni dhënë ju Balilit dhe familjes së tij hotelin e punëtorëve që sot quhet “Santa Quaranta”; për këtë ju nxjerr dokumentin që ka firmosur Lulzim Basha në 2010-ën për t’i dhënë hotelin Balilëve.

E paskemi ne apo e keni ju Balilin?

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm