Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Bashkëqeverisja me qytetarët është mënyra më e mirë për të rritur organikisht Partinë Socialiste

Të reja

Bashkëqeverisja me qytetarët është mënyra më e mirë për të rritur organikisht Partinë Socialiste

28 Apr 2018    

Fjala e Koordinatores Kombëtare për Bashkëqeverisjen, Elisa Spiropali:

I nderuar Kryetar,
Të dashur kolegë,
 
Platforma e Bashkëqeverisjes është një mjet. Qëllimi është qeverisja e mirë. Me njerëzit dhe për njerëzit.
Platforma është burokraci. Bashkëqeverisja është frymë.
Ne duhet ta përdorim këtë platformë si një armë për të shembur përfundimisht muret e shurdhëta dhe të verbëta që na ndajnë nga njerëzit.
Bashkëqeverisja është mënyra për të rritur organikisht Partinë Socialiste. Çdo kombinim tjetër matematikor do ishte fatal për misionin tonë për të ndërtuar një Shqipëri me më shumë drejtësi, liri, ekonomi.
 
Shihni ç’punojnë kundërshtarët tanë: i janë vënë Shqipërisë me bukë në trastë. E përgojojnë në çdo derë vendimmarrësi europian dhe dëgjojnë jehonën e bataresë së tyre. Gëzojnë si shejtan-budallenj kur lexojnë apo prodhojnë lajme për refuzime, kundërshtime, asgjësime të statusit. Shpërndajnë tituj, mbushin portale, bllokojnë banaqe dhe foltore, sepse vizioni i tyre është çadra dhe mjeti i tyre është çizmja. I kanë dhënë shenjat se nuk kanë aspak ndërmend të ndryshojnë strategji.
 
Përballë kësaj mësymje kemi vetëm një aleat. Bashkëqeverisje në çdo cep të territorit. Vërtetë platforma e bashkëqeverisjes ka marrë mbi 20 mijë klikime individuale, rreth 5500 ankesa të zgjidhura në hipoteka, ALUIZËM , OSSHE, tatime, drejtori arsimore, etj., interpelanca, nisma të linçuara; por janë pak, shumë pak në raport me potencialin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
 
Ne kemi ngritur zyra funksionale bashkëqeverisjeje në 54 bashki të vendit dhe 11 njësi të Tiranës, ku dy koordinatorë  për zyrë presin anëtarët dhe qytetarët për t’i regjistruar. U preka kur në Lushnje një qytetar m’u afrua dhe tregoi me lot në sy sesi i ishte drejtuar zyrës së Partisë Socialiste pa asnjë shpresë për zgjidhje; e kishin regjistruar dhe pas dhjetë ditësh i ishte dorëzuar hipoteka e shtëpisë pas vitesh të tëra kalvar nëpër zyra shteti; i dukej e pabesueshme dhe ndjeu nevojën të ma thoshte. Është shembull që vlen për të treguar se sa parazitë dhe grabitqarë kemi ende nëpër zyra, por edhe sa potencial zgjerimi ka koalicioni ynë me qytetarët për t’i shkulur me rrënjë këta shushunja. Sa për ilustrim: Nga rastet e parashtruara në platformë janë marrë dhe masa ndëshkuese për punonjësit të cilët kanë kryer shkelje:
 
o   66 largime nga detyra
 
o   42 vërejtje të dhëna
 
o   14 paralajmërime për përjashtim nga detyra
 
o   10 masa disiplinore, ndjekje penale
 
Ne presim të ngrihen zyrat e mbetura në Rrogozhinë, Shijak, Këlcyrë, Dropull, Himarë, Pustec, Skrapar, si dhe në ish-komunat e Tiranës.
Por ngritja e të gjitha zyrave, logjistikat, koordinatorët, as oraret e zgjatura nuk mjaftojnë, nëse nuk kuptohet dhe nuk përcillet fryma dhe qëllimi.
 Nga takimet që unë kam zhvilluar me Asambletë e pesë qarqeve, së bashku me drejtuesit e qarqeve,
 
•       2 mars - Takim me Asamblenë e Qarkut Elbasan
 
•       6 mars -Takim me Asamblenë e Qarkut Durrës
 
•       9 mars -  Takim me Asamblenë e Qarkut Vlorë
 
•       16 Mars -Takimi me Asamblenë e Qarkut Berat
 
•       6 Prill -   Takim me Asamblenë e Qarkut Korçë
 
kam konstatuar që disa prej kryetarëve të njësive janë ende të paqartë mbi qëllimet, objektivat dhe rëndësinë e Bashkëqeverisjes. Të jemi të qartë: ky nuk është një proces mekanik regjistrimi me detyrim i anëtarësisë, por krijimi i një rrjeti të gjallë i cili ndërvepron me strukturat shtetërore jo vetëm për halle vetjake, por edhe për nisma komunitare apo ligjore. Konstatoj me keqardhje se shumica e kryetarëve të PS të bashkive raportojnë në mënyrë fiktive mbi anëtarësimet në platformë.  Nuk është një regjistër formal ku duhet të plotësojmë normën, por një normë e re komunikimi dhe bashkëveprimi me qytetarët.
 
Ne duhet të nisim nga sot takime publike me të gjithë qytetaret aktivë, me ata që ndihen të përjashtuar nga vendimarrja: grupe interesi, studentë, fermerë, biznese të vogla, pedagogë, etj; për t’i bërë pjesë të diskutimeve dhe propozimeve mbi çështjet më të rëndësishme të qeverisjes që prekin jetët e tyre, nga taksat te shkollat, nga trashëgimia kulturore te mjedisi, e gjithçka midis. Ne duhet ta krijojmë këtë hapësirë ku të përballemi me të vërtetat e tyre, por dhe të kemi mundësi të shpjegojmë pa u lodhur të vërtetat tona. Ne duhet të jemi një forum i hapur për ide, kritika, propozime, ndryshime, në secilën bashki.
 
Përveç takimeve me Asamblenë në të 6 qarqet e mbetura, ku do vijmë së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, do hartojmë një kalendar takimesh të hapura për çdo bashki duke nisur nga këtu, nga Tirana, ku rreh edhe pulsi më i fortë civil,  por duke vazhduar me çdo bashki.  
 
Kjo është një punë që ju duhet ta bëni përditë për ta çarë rrethimin shpesh klaustrofobik të drejtuesve të partisë në çdo zonë dhe për t’i dhënë jetë një koalicioni më të madh, më të shëndetshëm dhe të pathyeshëm me shqiptarët kudo jetojnë. Këtë presin nga ne dhe nuk meritojnë asgjë më pak.
 
Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm