Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Bashkëqeverisje me qytetarët për ndërtimin e një administrate në shërbim të publikut

Të reja

Bashkëqeverisje me qytetarët për ndërtimin e një administrate në shërbim të publikut

20 Jul 2017    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Lezhë:

Çështjet e përgjithshme që u thanë nuk janë shumë të ndryshme nga ato që dëgjohen kudo në këto dëgjesa.

Ka vetëm një mundësi që ne ta bëjmë administratën e shtetit që t’i shërbejë njerëzve, nëse mes qeverisë së re dhe njerëzve krijohet një koalicion. E këtë nuk e them se duket bukur, por sepse është e vetmja mënyrë që njerëzit e zakonshëm të bëhen pjesë e bashkëqeverisjes, në kuptimin më të vërtetë të fjalës. Kjo do të ishte e pamundur vite më parë, por sot falë teknologjisë, falë faktit që shumëkush ka një akses në internet përmes telefonit apo kompjuterit, kjo është e mundur.

Është e mundur që ky komunikim që bëjmë në këto dëgjesa, të kthehen në një komunikim të përditshëm dhe problemet e njerëzve në zyrat e shtetit të shkojnë në moment më lart, kur ngec cilido qoftë në nivelin më poshtë. Për këtë, ne po ndërtojmë një platformë bashkëqeverisjeje dhe do të jetë e hapur sapo të krijohet qeveria e re. Kushdo që bëhet pjesë e këtij koalicioni do mund të regjistrohet në atë platformë, pa dallim partish, për të marrë pjesë aktive në procesin e bashkëqeverisjes, jo vetëm përsa i takon ankesave konkrete personale, apo të komunitetit, por edhe për proceset e politikëbërjes, apo për problematika më të gjëra.

Njësoj, siç për anëtaret e qeverisë vihen në dispozicion materialet përpara mbledhjes dhe pastaj merren vendimet e qeverisë, ashtu do të ndodhë edhe për të gjithë anëtarët e këtij koalicioni, që do ta marrin online informacionin, nëpërmjet adresës së tyre, për politikat, vendimet, projektligjet e me radhë.

Platforma nuk do jetë vetëm një ekran, por pas ekranit ne po ndërtojmë një ushtri të tërë njerëzish që do merren me çdo problem. Ka raste kur njerëzit kanë shumë të drejtë, siç ka dhe raste kur nuk kanë të drejtë. Këto zgjidhen duke ndjekur rrugën e duhur dhe duke bërë verifikimet e duhura ligjore, që do ta bëjë pikërisht kjo ushtri njerëzish prapa ekranit. Në fund, përgjigja do të jetë për qytetarin. Në rast se qytetarit i takon, ata që e kanë vonuar, nuk kanë më punë në zyrën e shtetit.

Vetëm kështu, ne mund të krijojmë një situatë presioni të vazhdueshëm për administratën, për të gjithë ata që i shërbejnë publikut, në radhë të parë, në mënyrë që kur dikush i shkon në sportel, ai që është tek sporteli dhe është mësuar t’ia përplasë derën në fytyrë, ta mendojë 7 herë përpara se të sillet keq, sepse mund t’i ndodhë që personi që ka përballë është një anëtar i koalicionit.

Sidomos këta ekspertët e kazanit në Tiranë, disa thonë të Enver Hoxhës, disa thonë të Mao Ce Dunit, por në fakt ajo që s’kuptojnë ata është që kjo është, as më shumë e as më pak, por vendosja e shtetit, vendosja e qeverisë në pozitën që të mos t’i përcjellë njerëzit nga dera në derë.

Në Kryeministri, shumë njerëz ankohen dhe Kryeministria jep gjithmonë përgjigje, i përcjell tek instancat e duhura. Në atë moment mbaron puna me Kryeministrinë dhe instanca e duhur duhet të zgjidhë problemin. Por në atë moment, qytetari ngec, sepse instanca e duhur mund të mos përgjigjet. Këtë boshllëk që krijohet, ne duhet ta mbushim dhe mund ta mbushim pikërisht me këtë urë komunikimi të përditshëm, përmes platformës ku secili do hyjë me identitetin, adresën dhe numrin e vet të telefonit dhe i del për zot asaj që thotë me fakte dhe është i gatshëm të ballafaqohet, nëse duhet të bëjë një ballafaqim me “x” zyrtar.

Më shkruante sot një djalë nga Shkodra. “Shkova në 02:00 të natës në spital. Kisha babain në urgjencë dhe mu desh të paguaja jo një, por disa,” – thoshte. Kur i thashë nëse vjen me mua në spital, mi tregon kush janë ata që të kanë kërkuar lekë, më tha “po t’i tregova, unë s’duhet të jetoj më në Shkodër”, se  do thotë e gjithë Shkodra, “ja ky spiuni!”

Në vendet që ne i shohim me zili nuk ia bën dot njeri një qytetari, atë që mund  t’i ndodhë këtu në çdo zyrë. Jo se ata janë spiunë, por se e konsiderojnë shtetin shërbëtor. Një shërbëtori që mund t’iu kërkojë lekë, ata, jo leket që nuk ia japin, por nuk i ndahen. Vetëm kështu të tjerët marrin mësimin që kjo punë nuk bëhet.

Po shikoja raportin e dëgjesave të Lezhës dhe natyrisht ka shumë probleme. Problemi i furnizimit me ujë të pijshëm është kryesor. Natyrisht, ne nuk mund ta zgjidhim çdo gjë, që jo nuk është zgjidhur, por që është bërë mbrapsht, apo që është shkatërruar për çerekshekulli, sa hap e mbyll sytë. Por ama ne nuk mund të lejojmë më, që uji i pijshëm të jetë mall pa zot, sepse nga shpërdorimi masiv i ujit të pijshëm, nga lidhjet e paligjshme, ne jo vetëm shpërdorojmë një pasuri të madhe, por një pjesë e njerëzve nuk e marrin atë që iu takon. Është e njëjta histori si me energjinë elektrike. Disa paguajnë, disa bëjnë një lidhje të paligjshme dhe e shpërdorojnë ujin te dera e dyqanit për t’u freskuar. Kjo s’mund të vazhdojë. Po ashtu, edhe mënyra sesi është administruar sistemi i ujit të pijshëm duhet të ndryshojë. Edhe mënyra se si është investuar në sistem duhet të ndryshojë.

Po ashtu është e vërtetë që ka ende shumë probleme me ujitjen e kullimin, por është po aq e vërtetë që në Lezhë është rritur ndjeshëm sipërfaqja që sot ujitet, në krahasim me qershorin e vitit 2013. Nuk mjafton! Duhet bërë më shumë! Për të bërë më shumë, jo vetëm për ujitjen dhe kullimin, por për të gjithë sektorin e bujqësisë, ne do të thërrasim “nën armë” të gjithë ata që janë ekspertë të vërtetë të bujqësisë.

Nuk mundet të trajtohen Drejtoritë e Bujqësisë, apo strukturat e bujqësisë si vende pune për lloj-lloj njerëzish, që mund të kenë të gjitha të mirat, por nuk janë fare specialistë të fushës. Drejtor Bujqësie masazhator! E solla thjesht si një shembull ekstrem të diferencës mes nevojës që ka një sektor dhe njerëzve, pasi kemi 27 vjet që iu gjejmë punë njerëzve, por nuk i gjejmë punës njeriun. Nëse nuk i gjejmë punës njeriun, rregullojmë në punë një njeri, por i prishim punë mijëra e mijëra njerëzve të tjerë. Në vend që të mendojmë për ata mijëra e mijëra, kemi menduar, si t’i gjemë punë këtij e atij, se ky ka disa vota këtu e disa vota atje. Këto janë tema që i kemi diskutuar në fushatë dhe shqiptarët i kuptuan si duhet dhe na dhanë neve një besim shumë të madh.

Ajo që është e rëndësishme për ne, është që të kuptojmë që kjo është përgjegjësi më e madhe. 4 vjet kalojnë shumë shpejt. Kështu që 4 vjet duhet të bëjmë natën-ditë, që t’i adresojmë si duhet këto probleme dhe nëse arrijmë sëbashku që ta vendosim administratën e shtetit, duke filluar nga zyrat e shërbimeve për publikun, në pozitën normale, shumë gjëra të tjera përmirësohen për rrjedhojë. Sepse, po të mendosh vetëm energjinë negative që prodhon marrëdhënia me administratën, sa shumë njerëz dëshpërohen, sa shumë njerëz inatosen, sa shumë njerëz sfiliten dhe nuk e kanë mendjen të bëjnë punë tjetër, nuk e kanë mendjen që të shohin për gjëra të tjera, imagjino sesa shumë energji i merr shteti popullit çdo ditë, vetëm nëpërmjet marrëdhënieve mizerabël të zyrtareve të shtetit me njerëzit. Sa shumë njerëz dalin nga shtëpia dhe shkojnë për të marrë një shërbim dhe kur kthehen nga zyra e shtetit, s’kanë më asnjë dëshirë të bëjnë asnjë gjë! Vetëm shfryjnë, shajnë dhe thonë të iki fare nga ky vend, se më ka ardhur në majë të hundës.    

Kjo është një re e madhe mbi kokat e njerëzve që ne sëbashku mund ta tresim. Jo menjëherë, por hap pas hapi. Ama kushti është që njerëzit duhet të marrin pjesë. Nuk e bën dot një qeveri, po të rrijë lart atje dhe në mes të qeverisë e njerëzve të jenë gjithë këta parazitë e grabitqarë që vazhdojnë punën e vetë, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Punë e madhe shumë se unë bashkë me të tjerët që u zgjodhën duam t’i bëjmë gjërat si duhen. Ata nuk pyesin. Ata vazhdojnë sikur nuk ka ndodhur asnjë gjë. Nuk duan të dinë fare!

Po të shikosh sesi i marrin njerëzit në punë me libër shtëpi, pra, kushëri e krushq; Po të shikosh pastaj se si shumëkush paguhet me rrogë për të bërë një punë e në fakt nuk është fare aty, mund të jetë në një qytet tjetër duke bërë biznes, janë gjëra të paimagjinueshme.

Ne duhet ta bëjmë bashkërisht këtë pastrim se vetëm nuk bëhet. Deputetët mund të duan të bëjnë shumë gjëra të mira, por po nuk patën komunikimin dhe informacionin e vazhdueshëm nga qytetarët, shumë gjëra nuk arrijnë dot t’i marrin vesh që ndodhin e jo më pastaj të mund të arrijnë t’i bëjnë.

Përsa i përket temave të tjera, janë të qarta për ne dhe besoj që jo të gjitha, por një pjesë e atyre gjërave kryesore, ne do t’i bëjmë. Sigurisht që ne nuk jemi bashkia, se jam shumë dakord që edhe kazanët e plehrave në Barbullo janë të rëndësishëm, por nuk janë punët e qeverisë. Vërtet ata kanë votuar për mua dhe për Partinë Socialiste për të qeverisur, por kanë votuar edhe për Franin për të qeverisur bashkinë. Besoj që me këtë rezultat do kemi marrëdhënie dhe më të mira me bashkitë, se edhe kryetarët e bashkive që kanë qenë pak më hezitues, do kuptojnë tani që, nëse duan të bëjnë punën, do bashkëpunojnë me ne.

Ajo që ne duam të bëjmë është të fillojmë një orë e më parë punën për të vazhduar aksin kryesor rrugor Milot - Lezhë, për ta shmangur këtë xhepin fals këtu, ku futen të gjithë në një vrimë për të ikur në Shkodër dhe për të lidhur Shëngjinin me Velipojën e për të dalë lart në Mal të Zi. Kjo është një domosdoshmëri, për t’i dhënë një impuls të madh ekonomisë.

Qasja jonë në bujqësi do jetë komplet e re. Ajo që ka munguar vazhdimisht, që është mungesa e një marrëdhënieje me fermerët, që të ketë informacion fermeri sesa shumë gjëra mund të bëhen bashkërisht, do të jetë në fokus për ne. Është koha që fermerët të kuptojnë që nuk mund të rrinë e të presin çdo gjë nga shteti, me thjesht sa lekë do më japë shteti. Ne kemi krijuar një fond garancie kombëtare për të financuar iniciativa të fermerëve, të grupeve të fermerëve e për t’i dhënë mundësi që të ndërtojnë pika grumbullimi, pika përpunimi, ku do mundohemi të tërheqim edhe bashkitë si partnere me fermerët, në mënyrë që kostoja e këtyre iniciativave të jetë shumë e ulët dhe përfitimi afatgjatë të jetë maksimal për çdo fermer. Mund të flasim për vreshtat e rrushit, për çfarë të duam, por që t’i bëjmë realitet duhet të kemi një qasje biznesi e jo një qasje prit sa të vijë shteti të të hedhë ndonjë lëmosh apo subvencion. Sigurisht, ne do vazhdojmë dhe me subvencionet, por ajo që është kryesore është se ne duhet ta kthejmë gjithë përpjekjen e fermerëve në fshat në sipërmarrje, në biznes, jo thjesht në mbijetesë. Janë bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe unë e kam thënë dhe e përsëris, ne kemi qeverisur në koalicion. Koalicioni ka pasur halle dhe kusure të vetat, por ka bërë punë goxha të mira. E unë as nuk i harroj e as nuk i mohoj tani që ne jemi vetëm në qeveri dhe të tjerët janë në opozitë, pavarësish se partnerët tanë të derisotëm kanë zgjedhur një qasje tjetër, që është puna e tyre.

Ne nuk kemi luftë, apo betejë me opozitën politike. Ne betejën e kemi me parazitët e me grabitqarët që marrin lekët e taksave si rroga dhe rrinë çdo ditë nëpër zyra si nëpër “prita” për të marrë nga njerëzit pikën e fundit të gjakut, mundësisht. Me ata e kemi luftën. Ata janë dhe do të jenë në katër vitet e ardhshme, armiku publik numër një i qeverisë tonë. Kush nuk e meriton rrogën që merr dhe rri atje me lekët e taksave dhe i bie në qafë njerëzve, me ata e kemi ne luftën.

Opozita politike ka punën e vet, ne kemi punën tonë. Siç thoshte dikur një shprehje e famshme e Loro Boriçit, kur shkoi në Kinë t’u mësonte futboll kinezëve dhe ata nuk kishin idenë se çfarë ishte futbolli, duke bërë stërvitje filloi shiu e ata ikën me vrap. Ku shkoni, u tha. Filloi shiu, - thanë. Shiu ka punën e vet, - u tha, - ne kemi punën tonë, vazhdoni stërvitjen. Kështu është dhe raporti që ne kemi me opozitën politike dhe që duhet të kemi. Ata kanë punën e vet, kanë marrë një detyrë, ne kemi marrë një detyrë. Ata kanë marrë detyrën të rrinë atje dhe të na bëjnë opozitë neve, ne kemi marrë detyrën të bëjmë punët për të cilat njerëzit na kanë votuar e nuk kemi asnjë minutë për të humbur as me sherre, as me ulërima, as me përplasje, përkundrazi, e kemi dorën e do ta kemi dorën të shtrirë si kurrë më parë për opozitën politike, për çdo gjë që i shërben njerëzve. Duan të na bashkohen, nderi i tyre. Nuk duan të na bashkohen, e drejta e tyre. Për çdo gjë që është për Shqipërinë, dora jonë për opozitën do të jetë e shtrirë. Besoj që edhe Parlamenti do kthehet në binarë, pas katër vitesh rrumpallhane dhe secili do ketë kohën e vet të thotë fjalët e veta, të bëjë detyrën e vet karshi njerëzve dhe njerëzit të vlerësojnë kush e bën e kush nuk e bën. Është një përgjegjësi shumë e madhe, është një e përpjetë shumë e lartë.

Unë kam shumë besim që ne mund t’ia dalim e do t’ia dalim me të vetmin kusht, që ne të jemi në gjendje të ndërtojmë koalicionin më të madh që është bërë ndonjëherë, jo me parti të ndryshme, por me njerëzit. Me sa më shumë njerëz, pa dallim.

Ne kemi kërkuar votë kuqezi dhe qeverisja jonë do jetë kuqezi. Nuk do t’i shohim njerëzit i kujt është, por, nëse është njeriu i duhur për punën, do bëjë punën, qoftë i kujt të dojë! Sepse, nëse ti bën punë, rregullohet puna e mijëra e mijëra të tjerëve. Nëse unë nisem me “i kujt është” dhe marr atë që medemek është i imi dhe punën nuk di ta bëjë, prishet puna e të tërëve. Kjo është pak, por e sigurt. Nuk është e lehtë, por ama që në çdo bashki, në Lezhë, Tropojë, Sarandë, Berat e kë të doni, ka aq njerëz sa duhen, që e kanë dhe profesionalizmin dhe integritetin për t’i shërbyer këtij populli, unë këtë nuk e vë në dyshim. Puna është t’i gjejmë e t’i mbështesim. Ata që janë specialistë të vërtetë bujqësie ta kenë një shans që të merren në konsideratë. Pastaj, ata mund të jenë më shumë sesa duhen për punën, do zgjidhen disa, të tjerët nuk do zgjidhen. Por ama nuk mundet dot që një specialist bujqësie të rrijë pa punë dhe atje të jetë një gomist, ose një masazhator.

Ju falenderoj shumë! Besoj që sa më shumë ne të jemi me këmbë në tokë dhe për këtë na ndihmon pikërisht mbajtja e këtyre lidhjeve, të krijuara më parë edhe gjatë fushatës, aq më shumë kemi një shans që të bëjmë sukses. Nuk është se Lindita, Pjerini dhe gjithë këta të tjerët që janë këtu me mua, kishin energji të tepërta dhe nuk ishin lodhur në gjithë atë fushatë shumë të lodhshme që u bë këtu në Lezhë e që përfundoi me një rezultat fantastik për PS-në e praktikisht nuk bëmë asnjë ditë pushim, por vazhduam të takoheshim me njerëzit. E  vërteta e thjeshtë është që kjo që kemi marrë në 25 qershor është një barrë shumë e rëndë dhe nuk ka asnjë minutë për të humbur e nuk mundet dot të mbahet me metodën e vjetër që kalova lumin, tani kali është i imi, shalën mbaje vetë.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm