unnamed (1)

Bëni në 18 qershor betejën e jetës për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste

Fjala e kryetarit të FRESSH, Eljo Hyska:
Përshëndetje Kukësi, Hasi , Tropoja!

Pak vite më parë, pak kush e mendonte që FRESSH-i do të arrinte të angazhonte kaq shumë të rinj në qarkun e Kukësit. Por, ja ku jemi: disa qindra, disa mijëra që mbështesim Partinë Socialiste dhe FRESSH-in për Shqipërinë që duam. Kjo nuk do të ishte e mundur pa ekipin fantastik të FRESSH-it. Prandaj dua një duartrokitje për ekipin e Tropojës, të Hasit dhe të Kukësit.
Sot jemi me votuesit për herë të parë; dhe si votues për herë të parë keni shumë arsye për të votuar në 18 qershor një qeverisje që për herë të parë ka bërë reforma në shëndetësi, ka bërë reformë në arsim. Për herë të parë ka formalizuar tregun e punës.  Për herë të parë është kujdesur për arsimin profesional. Për herë të parë ka bërë shumë gjëra, që nuk janë bërë në 25 vite.  Por mbi të gjitha, për herë të parë kemi një qeverisje dhe një parti që po lufton për Reformën në Drejtësi. Prandaj ju kërkoj sot juve, të gjithë FRESSH-istëve, të gjithë të rinjve të qarkut të Kukësit, kaq shumë sa jeni të luftoni çdo ditë, deri në 18 qershor, për të afruar të tjerë të rinj dhe për t’i bindur që të punojnë dhe të votojnë që të kemi Shqipërinë që duam.

Një duartrokitje për ekipin e mrekullueshëm dhe dua të ftoj këtu mikeshën  e rinisë, sekretaren Elisa Spiropali.

 

 

Fjala e Sekretares për Rininë, Elisa Spiropali:

Përshëndetje të gjithëve!

Ku i kam hasianët, ku janë tropojanët, po kuksianët ku janë?

Është një kënaqësi e veçantë të jesh këtu sot në Kukës me të gjithë ju. Do ju tregoj një histori të vogël: Para 6 vitesh isha në Has dhe në një nga takimet kështu, jo kaq plot sa sot por pak më i vogël, në të dalë takova një moshatarin tuaj dhe e pyeta: Hë mo, ç’bëhet këtej? Kështu ka qenë, tha, kështu do jetë sa të ketë jetë.
Jo, mos lejoni askënd t’ju thotë që Shqipëria nuk bëhet, sepse Shqipëria bëhet. Shqipëria do bëhet për inat të atyre që nuk e duan dhe do bëhet për kënaqësinë e pafundme të ne që e duam me gjithë shpirt; për kënaqësi të të gjithë tropojanëve, të hasianëve, të kuksianëve.

Miq të dashur,

Ju do votoni për herë të parë në 18 qershor, mos lejoni askënd t’ju thotë ju se vota juaj nuk vlen, se ju jeni një turmë, se s’ka asnjë vlerë, shkoni zgjidhni njërin apo tjetrin se të gjithë njësoj janë.
Nuk janë të gjithë njësoj. Ju jeni vendimtarë dhe do jeni vendimtarë në 18 qershor, sepse ju, 127 mijë votuesit për herë të parë dhe 5 mijë votuesit për herë të parë në Kukës do bëjnë ndryshimin për Shqipërinë që duam, me Edi Ramën dhe me Partinë Socialiste.

Shumë është bërë. Është bërë shumë për shtetin ligjor, për rendin, për shkollat, për rilindjen urbane, për reformën në arsim, për shëndetësinë; por aq mjaftueshëm jo, sidomos këtu në Kukës. Ka ende shumë prindër që nuk dinë dhe janë të vuajtur për fatin e fëmijëve të tyre; ka ende shumë të rinj që janë të papunë edhe pse kanë një diplomë; ka ende shumë gjyshër që nuk gjejnë dot shërim në sistemin tonë shëndetësor; ka ende njerëz pafund që vuajnë dhe duan të ikin, por ne u themi atyre që ka një shpresë për këtë vend dhe ky është 18 qershori dhe Shqipëria që duam.

Ne do ta bëjmë, kemi bërë shumë, ka ende shumë për të bërë, por kemi shumë e shumë për të humbur nëse kthehemi pas. Ku do kthehemi pas, tek një lider i dobët që është fshehur në çadër? Nuk e pranojmë atë lider, kemi liderin tonë Edi Ramën. Edi Rama është lideri jonë jo sepse është Kryetari i Partisë Socialiste, por sepse ka treguar me vepra, me vendosmëri, me forcë, me energji që sado që të jenë kundërshtarët e Shqipërisë që duam, ai e do Shqipërinë në vizionin europian; ai e do Shqipërinë një shtet të fortë, prandaj kemi  ndërmarrë disa nga reformat më thelbësore të cilat po japin rezultat tani. Kemi shumë për të bërë sëbashku dhe nuk do kthehemi mbrapa asnjëherë. Për më shumë punë, më shumë mirëqenie, për një shtet të fortë shqiptar në rajon dhe në Europë, një shtet europian më së fundmi.

Shqipëria pret ne, pret ju që ta bëni. Jeni shumë, kini besim te vetja dhe ju them: bëni në 18 Qershor betejën e jetës për Edi Ramën dhe për Partinë Socialiste, sepse nuk do zhgënjeheni asnjëherë. Do vazhdojmë përpara. Reforma në drejtësi, ta dinë mirë ata që janë fshehur, do bëhet. Gjykatësit dhe prokurorët do pushohen nga puna dhe ne do kemi më në fund një shtet që vlen. Reforma në Drejtësi padyshim që do sjellë më shumë investime, më shumë investime në Shqipëri nga Europa apo nga vende të tjera; më shumë punë, më shumë mirëqenie; do i hapë rrugën më në fund Shqipërisë si një shtet normal.

Bravo të gjithë, forca! Për Shqipërinë që duam me Edi Ramën dhe me Partinë Socialiste.
Faleminderit!

 

 

Fjala e drejtuesit politik të Qarkut Kukës, Ilir Beqaj në takimin me votuesit për herë të parë:  

Praktikisht tregon që kjo sallë nuk i mban dot vajzat dhe djemtë që votojnë për herë të parë nga qarku i Kukësit. Sot, ju që votoni për herë të parë duhet të pyesni edhe ata që votuan për herë të parë para katër vjetësh. Ndoshta jo ata që votuan për herë të parë para katër vjetësh e kishin besuar, por sot janë të bindur se qendra e Kukësit, qendra e Bajram Currit dhe qendra e Krumës janë ndryshuar edhe pse nuk kishin vënë dorë për 25 vjet. Ne ju kërkojmë juve që votoni sot për herë të parë, me angazhimin se siç ndryshuam Bajram Currin do të ndryshojmë dhe kemi detyrim të ndryshojmë edhe Tropojën e vjetër, edhe Fierzën. Siç ndryshuam Krumën kemi detyrimin të ndryshojmë edhe Kolajn, siç ndryshuam Kukësin kemi detyrim të ndryshojmë edhe Shfigjnin dhe të gjitha qendrat e njësive administrative. Kush votoi për herë të parë para katër vjetësh, ndoshta kishte dyshimin se pasi të mbaronte shkollën e lartë do t’ia zinte vendin e punës dikush që e kishte blerë diplomën. Sot, ju keni sigurinë që kur të mbaroni studimet e larta do të fitoni vendin e punës vetëm sipas meritës, sepse proceset e punësimit që ne kemi krijuar, ju krijojnë sigurinë që të merrni mundin tuaj të studimeve dhe investimin që kanë bërë prindërit duke ju financuar studimet në shkollën e lartë. Para katër vjetësh kishte nga ju që ndoshta nuk shkonin dot në shkollë, sepse duhet të fillonin punë para kohe sepse kishin një prind të sëmurë, i cili ishte i pasiguruar dhe duhet të paguante për shëndetësinë. Sot pas katër vjetësh ju keni sigurinë, që në fund të fundit prindërit tuaj nëse janë të sëmurë, të siguruar apo jo, e kanë mundësinë që të marrin kujdes shëndetësor falas.

Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm që sfida e qeverisë sot është punësimi. Është në radhë të parë punësimi juaj, që kur të mbaroni studimet apo shkollën e mesme të mund të keni një profesion, të mund të keni një zanat, që të keni mundësi me punë të ndershme të mund të jetoni dhe të krijoni familje.

Para katër vjetësh, ata që votuan për herë të parë vinin nga familje ku mundi i prindërve apo i familjarëve të tyre në emigracion kishin bërë ndërtime, por ajo nuk ishte një pronë me letra zyrtarisht. Sot, të paktën 130 mijë familje në gjithë Shqipërinë, 1200 familje vetëm këtu në Kukës jetojnë me shtëpi, bashkë me lejen e legalizimit: mundësi që prindërit tuaj këtë pronë mund ta përdorin bashkë me ju, me një biznes të ri apo për të marrë një kredi diku në një bankë.

Djem dhe vajza, në 18 qershor ju keni mundësinë që për herë të parë duke votuar, të bëni zgjedhjen e drejtë. Ne ju themi: kemi punuar katër vjet dhe ju përsërisim me të njëjtin seriozitet, me të njëjtën vendosmëri dhe me angazhimin e Kryeministrit Edi Rama do të punojmë njëherazi edhe për punësim, për të patur mirëqenie në familjet tuaja dhe sigurisht për të patur një shtet ku gjithsecili merr të drejtën e tij.
Unë nuk dua të zgjatem më shumë, por kam kënaqësinë dhe privilegjin të ftoj Kryeministrin e sotëm dhe atë të pas 18 qershorit, Edi Rama.
Faleminderit!