Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Bojkoti i parlamentit do të vazhdojë

Të reja

Bojkoti i parlamentit do të vazhdojë

27 Jan 2010    

Intervista e Kryetarit të PSSH Edi Rama, dhënë për Zërin e Amerikës.


 


Zëri i Amerikës - Z. Rama, po e filloj intervistën me një zhvillim të fundit në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese  ka marrë një vendim lidhur me marrëveshjen ujore të Shqipërisë me Greqinë. Sipas njoftimeve të para të shtypit, marrëveshja është rrëzuar, por ende nuk dihen argumentat e Gjykatës. Do të ishim të interesuar për regimin tuaj lidhur me këtë ...?

Reagimi i parë që vjen ndër mend është keqardhja e thellë për katandisjen e qeverisjes në Shqipëri në një instrument të errët, i cili vepron për fat të keq në kundërshtim me interesat e publikut, dhe në këtë rast me interesa akoma më të mëdha. Arsyeja pse ne iu adresuam Gjykatës Kushtetuese ishte për t'i dhënë mundësi mendimit të lirë, të bazuar në një ekspertizë të thellë, dhe për t'a larguar këtë çështje shumë të nxehtë që me të drejtë provokoi ndjeshmërinë e mbarë publikut shqiptarë  nga tryeza e debatit politikë, të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një marrëveshje e cila duhet mes Shqipërisë dhe Greqisë, marrëveshje mes dy vendesh jo vetëm fqinje, por dhe vendesh mike, por njëkohësisht dhe shumë të shqetësuar për faktin se ky instrument i domosdoshëm për mbarëvajtjen e punëve mes dy vendeve, rezultonte nga shqetësimet e ngritura si një instrument jashtë kontrollit të Kushtetutës dhe ligjit.

Zëri i Amerikës – Zoti Rama, le të ndalemi tek qëndrimi i Partisë Socialiste që pas zgjedhjeve. Po bëhen gati 5 muaj që socialistët po bojkotojnë parlamentin. Cili është vlerësimi juaja, a mendoni se bojkoti i ka realizuar apo po i realizon synimet e tij?
Bojkoti i parlamentit nga ana jonë nuk është asgjë tjetër veçse  shprehja e një krize të thellë të demokracisë.


 


Ne kemi zgjedhur që t'a bojkotojmë parlamentin, jo si shprehje e një dëshire  apo një vizioni për të bërë politikë, por si të vetmen rrugë për të mbajtur fokusin tek çështja e transparencës së zgjedhjeve, pa të cilën askush në Shqipëri nuk ka garanci se zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë një kopie akoma më e shëmtuar madje e zgjedhjeve të shkuara të cilat në këndvështrimin tonë ishin jashtë standarteve që meriton populli shqiptar për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e tij dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të përsëriten

Zëri i Amerikës – Z. Rama, ju jeni shprehur se Partia Socialiste e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve por nga ana tjetër ajo konteston legjitimitetin e tyre. Kjo thënie tingëllon si kontradiktore...


 


Aspak...

Zëri i Amerikës -  A mund të na e sqaroni këtë...?

Aspak ! Kjo është thjesht shprehje e një të vërtetete që ka të bëjë nga një anë me faktin se pavarësisht se ne kemi qenë dhe jemi të bindur për padrejtësinë e vendimit të gjykatës, vendimi i gjykatës është një vendim i cili nuk mund të rrëzohet përveçse përmes gjykatës, dhe në kushtet kur proçesi në rrugë gjyqësore është ezauruar, rezultati i zgjedhjeve është legal. Pra ne e pranojmë si të tillë, sepse kemi pranuar sistemin demokratik si të vetmin sistem ku ne mund të jetojmë por nga ana tjetër ne jemi absolutisht të bindur se është i domosdoshëm një hetim i gjithë proçesit zgjedhor jo për të ndryshuar rezultatin, as për të rrëzuar vendimin e gjykatës i cili po e përsëris merret si i mirqënë, por për t'i prerë rrugën përsëritjes së farsës së zgjedhjve të 28 qershorit, në proçesin e ardhshëm zgjedhor, kurdo që të jetë ai. Transparenca e plotë e proçesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e kutive të votimit, për të nxjerë në dritën e diellit gjithçka kanë ato kuti, si dhe vërtetësinë e këtij proçesi, është një parakusht për të garantuar fundin e një tradite të shëmtuar zgjedhjesh të deformuara dhe të kontestuara...

Zëri i Amerikës – Sa pritet të vazhdojë bojkoti...?

Deri kur të realizohen qëllimet që na kanë shtyrë të refuzojmë të marrim pjesë në një parlamenti i cili sipas nesh duhet të rifitojë legjitimitetin duke u rikthyer në arenën e ballafaqimit politik përpara syve të gjykatësit popull i cili me votë vendos se kush fiton,  kush duhet të qeverisë, kush humbë dhe kush duhet të qëndrojë në opozitë.  Në rast se vota e popullit humbet vlerën, vetë parlamenti nuk ka asnjë vlerë.

Zëri i Amerikës -  Ju keni thënë se mandatet e deputetëve socialistë nuk do të digjen. A ekziston mundësia e hyrjes së Partisë Socialiste në parlament për të bërë betimin..? Teorikisht a ekziston kjo mundësi..? E përjashtoni ju nga skema juaj e mosdjegies së mandateve...?

Unë kam thënë se mandatet nuk do të digjen, dhe se si kjo do të ndodhë ka pak rëndësi, rëndësi ka që bojkoti i parlamentit nuk do të ndërpritet deri në realizimin e qëllimeve tona dhe në arritjen e objektivit madhor, që Shqipëria të mos ketë më zgjedhje  maskaradë si ato të 28 Qershorit.

Zëri i Amerikës – Z. Rama, në rast të ngërçeve apo bllokimeve politike, ka gjithmonë një palë e cila hedh hapin e parë drejt konsensusit dhe përgjithësisht kjo palë fiton në planin moral. A jeni ju i pregatitur të hidhni hapin e parë...? Për të arritur konsensusin, pra që Partia Socialiste të kthehet në parlament....

Ne në planin moral kemi qenë dhe mbetemi të fituar, sepse gjithmonë kemi vënë interesat e vendit dhe cilësinë e demokracisë në Shqipëri, mbi interesat e pjesshme të forcës politike apo llogaritë personale të ditës. Në këtë aspekt dëshiroj t'a rithkesoj që megjithëse jemi të pazgjedhur edhe pse  i kemi fitura zgjedhjet, për shkak të manipulimit elektoral, megjithëse e konsiderojmë mos hapjen e kutive të votimit një shkelje flagrante të një ligji të votuar konsensualisht pasi është shkruar konsensualisht, megjithëse e konsiderojmë vendimin e gjykatës së padrejtë, ne kemi pranuar se rezultati i zgjedhjeve është ai që ka dhënë gjykata, dhe e kemi hedhur hapin tonë duke thënë : " ...dakort zotërinj, edhe pse populli nuk iu ka dhënë votën për të qeverisur, qeverisni,  sepse proçesi ligjor në fund iu dha mandatet për të qeverisur, plus mashtrimi i madh publik i Ilir Metës e plotësoi këtë farsë, por nga ana tjetër ne refuzojmë t'i nënshtrohemi logjikës që ju kërkoni të impononi sipas së cilës në Shqipëri do të fitojë ai që numëron, dhe jo ai që voton, pra vullneti i popullit"....

Zëri i Amerikës – Dua t'iu pyes në lidhje me hapjen e kutive të votimit, si e parashikoni ju, në çfarë hapash do të kalojë ky proçes. Në fund të fundit, kush do t'i hapë këto kuti, cilat kuti do të hapen, a do të përcaktoni ju se cilat duhet të hapen....?


Nuk asnjë rëndësi! Rëndësi ka parimi i garantimit të transparencës në funksion të një hetimi i cili si çdo hetim parlamentar duhet të na japë dy konkluzione: a ka pasur apo jo deformim të proçesit dhe shkelje të ligjit, dhe në rast se po i kalohet organeve kopetente për shqyrtim kjo shkelje, dhe nga ana tjetër çfarë masash duhen marrë për t'a përmirësuar proçesin legjislativ. Këto janë dy gjërat që ne duam të arrijmë. Pra një autopsi e zgjedhjeve të vdekura, për mos të lejuar që zgjedhjet e ardhshme të vdesin nga e njëjta sëmundje.

Zëri i Amerikës – A mund t'i arrini këtë synime dhe këto kërkesa, përmes negociatave?

Ne e kemi thënë dhe e përsërisim që për ne dialogu është instrumenti i politikës së mirëkuptimit. Por për sa kohë nuk ka vullnet për dialog dhe mirkuptim atëherë me patjetër ka edhe të tjerë instrumenta që demokracia i njeh, ndër të cilët është dhe instrumenti i protestës popullore që në javët e ardhme do të njohi përshkallëzime të reja për faktin se një popull i tërë nuk mund t'i nënshtrohet arbitraritetit, shkeljes së ligjit dhe deformimit të vullnetit të tij për një periudhë madje të pacaktuar siç është periudha që kemi përpara ku na presin të tjera zgjedhje dhe ku nuk kemi më asnjë garanci se ajo që shkruhet në ligj zbatohet në realitet.

Zëri i Amerikës – Në qoftë se më lejoni t'iu sjell në vëmendje një shembull nga Shtetet e Bashkuara, në një rast po kaq të kontestuar elektoral që ndodhi këtu në vitin 2000. Gjykata e Lartë amerikane mori vedimin e saj sipas së cilit, kandidati i atëhershëm Al Gore u tërhoq, pranoi rezultatin, dhe kandidati tjetër z. Bush, u bë president. Më pas, votat e kontestuara në Florida u hapën dhe u gjykuan nga shtypi, shoqëria civile për efekte transprence në bazë të lirisë së informacionit...

Madje ai proçes, nxori edhe dy rezultate. Në rast se do të ishin hapur vetëm kutitë që kërkonte kandidati Al Gor, do të kishte fituar presidenti Bush, në rast se do të ishin hapur të gjitha kutitë, do të kishte fituar kandidati Al Gor. Asgjë nuk ndryshoi në kuptimin e rezultatit, por shumçka ndryshoi në proçesin legjislativ për përmirësimin e kushteve për bërjen e zgjedhjeve në Florida dhe përtej Floridës. Ky është shembulli tipik që tregon pse nuk asnjë kundërshti të brendshme në kërkesën tonë. Ne rezultatin e konsiderojmë si shprehje të një proçesi legal, pra nuk kërkojmë marrjen e pushtetit në tavolinë, as rishpërndarje të mandateve nga ky proçes transparence, por kërkojmë transparencë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të ardhshme.

Zëri i Amerikës – Po transparencën nuk mund t'a kërkoni t'a bëni ju që jeni palë në zgjedhje, por një palë e tretë, siç ndodhi në Shtetet e Bashkuara...

Ne këtë transparencë kërkojmë t'a bëjmë duke qenë palë, por jo e vetmja palë, sëbashku me palën tjetër në qeveri, sëbashku me shoqërinë civile nëse është e interesuar që të marri pjesë, dhe nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës – Këtu futeni në një rreth vicioz. Ju kërkoni që t'a bëni këtë, por në parlament nuk shkoni. Si mund të dilet nga ky ngërç...?

Ne jemi gati të shkojmë në parlament, qysh nesër, në rast se qeveria është e gatshme të pranojë publikisht se nuk ka ndërmend t'a kufizojë objektin e hetimit. Pra se është e gatshme të përfshijë edhe hapjen e kutive në këtë objekt të hetimit. Kërkojmë një marrëveshje të negociuar paraprakisht me dialog, për t'i hapur rrugë një proçesi transparence nga i cili do të fitojë në rradhë të parë, populli shqiptarë dhe pastaj pa dyshim do të fitojë ligji dhe do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme pavarësisht se kush do të jetë fituesi në fund të tyre.

Zëri i Amerikës -  Do t'i kthehem dhe një herë fjalës tuaj për mosdjegien e mandateve. Si do t'i përgjigjeshit ju atyre deputetëve socialistë që kanë gjithë këto muaj që nuk po marrin rrogën. A do t'a pranonit ju dhe një herë teorikisht, bërjen e betimit dhe bojkoti mund të vazhdojë dhe duke bërë betmin, apo jo...?

Kjo nuk ka pasur nevojë për pëgjigje sepse deputetët socialistë kanë marrë përsipër një përgjegjësi e cila është një përgjegjësi morale dhe qytetare, për të përfaqësuar gjithë atë popull opozitar i cili erdhi në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në një masë 100 mijëshe dhe do të dalë përsëri në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", e ndoshta dhe më i shumtë në numër, dhe sigurisht nga ana tjetër këtu kemi të bëjmë përsëri me një telenovelë e cila është inspiruar dhe sponsorizuar nga Sali Berisha, me ndihmën e Ilir Metës, me ndihmën e Fatos Nanos nga mbrapa kuintave, me ndihmën e një pjese dërrmuese të organeve të shtypit që e kanë bastarduar misionin e tyre, për t'a kthyer këtë histori, në një histori u dogjën - s'u dogjën mandatet, ndërkohë që çështja e mandateve është një çështje e cila në rradhë të parë nuk ka të bëjë fare me vullnete jashtë vullnetit të popullit opozitar, ato janë mandatet e popullit opozitar, nuk janë më shumë por janë më pak çfarë populli i ka dhënë me votë Partisë Socialiste, ato mandate nuk do të digjen, modalitetet janë një çështje krejt e parëndësishme, ndërkohë që ajo që mbetet e rëndësishme është thelbi i çështjes.


Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm