Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Brace: Per 14 keshilltare te kryeministrit kemi harxhuar per vitin 07, 211 milione leke rroga

Të reja

Brace: Per 14 keshilltare te kryeministrit kemi harxhuar per vitin 07, 211 milione leke rroga

05 Jun 2008    
Për 14 këshilltarë të kryeministrit kemi harxhuar për vitin 2007, 211 milionë lekë rroga dhe pjesëmarrje nëpër borde, që janë të barabarta më 2782.3 pensione qyteti, me 5564.6 pensione fshati. Ky është korrupsioni pra. Kryeministri Sali Berisha nuk ka se pse ta kërkojë korrupsionin në Gramsh, por të shkojë dhe ta kërkojë korrupsionin në zyrat e tij dhe në qeverinë e tij.

Korrupsioni dhe antikorrupsioni këto ditë po mundohet të vajisë mendjen e ndryshkur të kryeministrit Berisha. Dje në një takim apo panel të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe rrjeti parlamentar i Bankës Botërore për Europën e Rajonin e Azisë Qëndrore, kryeministri i vendit ka thënë: “Ne i treguam shqiptarëve se do të fillojmë të luftojmë korrupsionin nga vetja nga zyrat tona, duke vendosur këto standarde duke treguar se nuk mund të përdoren paratë publike për motive personale. Ne arritëm të ulim shpenzimet e administratës etj..

Kam marrë me vete sot 14 deklarimet e pasurisë së 14 këshilltarëve të kryeministrit dhe të dy familjarëve të tij. Do të doja t'ju lexoja pak gjëra:

Deklarimi i parë, Pjerin Marku këshilltar i kryeministrit 12 milionë lekë të përfituara për vitin 2007

Petraq Milo, këshilltar i kryeministrit, Kryetar i Bordit të INSIG-ut, pra përveç rrogës 13 milionë lekë si këshilltar, i shtohen 7.5 milionë lekë si kryetar i Bordit të INSIG. Si dhe 7200 Euro si kryetar i Bordit të INSIG-ut në Maqedoni. Gjithashtu pastaj për veprimtari jashtë punës së qeverisë i shtohen edhe 39860 Euro të tjera. Pra gjithsej ky zotëri i merr shtetit 29 milionë lekë gjatë vitit 2007.

Myqerem Tafaj, Këshilltar i kryeministrit. Anëtar i Këshillit të Arsimit të Lartë, anëtar, anëtar i Komisionit të kualifikimit shkencor dhe pastaj merr para edhe nga Universiteti i “Hohenhemit, në Shtutgard të Gjermanisë. Gjithsej ky këshilltar i kryeministrit për përfshirjen edhe në borde i merr vendit 13 milionë lekë për vitin 2007.

Flamur Kuçi, këshilltar i kryeministrit përveç rrogës prej 14 milionë lekësh, i merr vendit si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Entit Kombëtar të Banesave dhe si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare 15 milionë lekë për vitin 2007.

Për të vazhduar me Ylli Asllanin, këshilltar i kryeministrit veç rogës prej 15 milionë lekësh për vitin 2007, i merr shtetit si kryetar i Këshillit mbikëqyrës Lushnjë - Fshat dhe si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës së Portit të Sarandës edhe rreth 6 milionë lekët të tjera, duke vajtur për vitin 2007 në 20 milionë lekë.

Për të vazhduar me Suzana Guxhollin, këshilltare e kryeministrit përveç rrogës prej 13 milionë lekësh i merr shtetit para edhe si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Posta Sh.A në Shqipëri dhe pastaj i merr edhe si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës së Albtelekomit, pastaj edhe si anëtare e Bordit të Albinvestit dhe gjithsej kjo zonjë i kushton shtetit 19 milionë lekë në vitin 2007.

Për të vazhduar me Selami Xhepën, këshilltar i kryeministrit edhe ky kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Albtelekomit i merr shtetit për vitin 2007, 17 milionë lekë të tjera.

Për të vazhduar me më interesantin që është Glori Nusi, Këshilltar koordinator i integrimit në NATO, i merr shtetit veç 16 milionë lekë të rrogës edhe lekë të tjera si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellësit në Delvinë dhe pastaj edhe si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellësit në Orikum.

Për të vazhduar më të tjerë si Fatbardh Kadilli, këshilltar i kryeministrit 16 milionë lekë jo vetëm nga rroga por edhe si anëtar i këshillit Mbikëqyrës të ARMO-s.

Dhe i fundit Neritan Sejamini me 16 milionë lekë të tjera jo vetëm nga rroga por edhe si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Albtelekom dhe Eagle Mobile.

Pra do të doja t'u thoja që për 14 këshilltarë të kryeministrit kemi harxhuar për vitin 2007, 211 milionë lekë rroga dhe pjesëmarrje nëpër borde që janë të barabarta më 2782.3 pensione qyteti, me 5564.6 pensione fshati.

Dhe do të doja t'ju thoja që në një muaj vetëm për këshilltarët e kryeministrit, për pjesëmarrjen e tyre nëpër borde të ndërmarrjeve të ndryshme:

Harxhojmë 17 milionë lekë në muaj;

harxhojmë 3.5 milionë lekë në një ditë pune;

harxhojmë 440 mijë lekë për një orë pune;

dhe harxhojmë 7340 lekë për një minutë pune.

Pra do të doja tu thoja që kjo listë nuk mbaron këtu sepse kryeministri ynë mendon edhe për familjen e tij. Do të doja të sillja në vëmendjen tuaj faktin se kunata e kryeministrit merr 24 milionë lekë nga rroga dhe veç kësaj si anëtare e këshillit Mbikëqyrës financiar merr dhe 2.4 milionë lekë të tjera. Dhe nuk mjafton kaq por edhe burri i saj si anëtar i autoritetit Portual të Durrësit merr dhe ai 1.1 milionë lekë.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm