Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Braçe: Prokuroria te nise hetim te ri per "Gerdecin"

Të reja

Braçe: Prokuroria te nise hetim te ri per "Gerdecin"

23 Jun 2008    
Pas arrestimit të drejtorit të AEY, Efraim Diverol, i akuzuar nga shteti amerikan për mashtrim rreth fishekëve të blerë në Shqipëri ka reaguar menjëherë, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, i cili ka akuzuar qeverinë se është e përfshirë në këtë skandal, ndaj nuk ka dhënë deri më tani asnjë reagim për gjithë sa ka ndodhur. Sipas Braçes, heshtja nga ekzekutivi i Berishës është treguesi më i mirë për përfshirjen në këtë skandal.

Ai ka kërkuar në emër të PS-së hapjen e hetimit për trafikun e armëve dhe ka shtuar më tej se bashkë me këtë duhet të hidhet dritë mbi aferat e këtij trafiku, duke e cilësuar të frikshme dhe mjaft domethënëse heshtjen e qeverisë.

Gjatë një konference të posaçme për shtyp Braçe shprehet:

"Ne nuk i njohim vetes të drejta për të ndërhyrë dhe urdhëruar organin e Prokurorisë së Përgjithshme, në vëmendje të ekspertëve tanë dhe të gjithë sa ka ndodhur në raport me këtë krim. Ka ardhur momenti dhe ne kërkojmë me forcë që të regjistrohet nga prokuroria një procedim i ri penal dhe të zhvillohen hetime të mëtejshme, të plota, të gjithanshme, gjithëpërfshirëse dhe të pa penguar nga statusi politik i personave të përfshirë në krim. Për këtë krim të ri që hedh dritë për një tjetër aferë kriminale, ku është përfshirë Sali Berisha dhe qeveria e tij.

Sipas nënkryetarit të grupit të PS-së, Kryeministri Berisha ka pasur dijeni të plotë për këtë skandal dhe kjo identifikohet sipas tij nga miratimi me procedurë të përshpejtuar të ligjit për rieksportim të municioneve, që është bërë në të njëjtën kohë kur Efraim Diveroli kërkonte miratimin e qëndrimit të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes. Braçe ka theksuar se strukturat amerikane e hodhën poshtë këtë kërkesë, ndaj sipas tij ligji i miratuar me shpejtësi nuk u zbatua kurrë. "Ky krim ku është përfshirë Sali Berisha dhe familja e tij bën me turp Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Natyrisht, që Kryeministri i vendit zgjodhi dje të bënte karnavalin në Karnavalet e Korçës, në vend që të merrte përgjegjësinë dhe të reagonte me seriozitet lidhur me lajmet për implikimin e qeverisë së tij në komplot kundër SHBA-së, me qëllim përfitimin pasuror të kësaj bande kriminale.

Kryeministri është i lirë të flasë për korrupsionin e mjekut, për korrupsionin e kujtdo, por më parë duhet të flasë për korrupsionin ku është përfshirë ai vetë, familja e tij dhe qeveria e tij."
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm