Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Buxheti i vitit 2018 është buxheti më i përgjegjshëm në historinë e vendit tonë

Të reja

Buxheti i vitit 2018 është buxheti më i përgjegjshëm në historinë e vendit tonë

17 Nov 2017    

Fjala e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste në seancën e djeshme maratonë për miratimin e buxhetit 2018:

Së pari, besoj që në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste por edhe një pjese të mirë prej jush, në vetvete ndani të gjithë vlerësimin që ne duhet t’i shprehim përgëzimet më të mira kësaj qeverie, ministrit të Financave Ahmetaj dhe kryeministrit Rama, që Shqipëria në vitin 2018 ka një buxhet tërësisht të përgjegjshëm.

Si timonierë të vetëm të vendit, është përgjegjësia jonë që të prezantojmë një buxhet që afron Shqipërinë më pranë Bashkimit Europian; dhe të jeni të bindur që është pikërisht kjo ajo që po bëjmë.

Buxheti 2018 është buxheti jo vetëm më i madh, por edhe buxheti më i përgjegjshëm në historinë e vendit tonë.

Për herë të parë në historinë e këtij vendi, kemi një opozitë që ka hequr dorë tërësisht nga beteja politike kundër buxhetit dhe paraqitjes së disa propozimeve alternative ndaj buxhetit të propozuar nga qeveria. Është hera e parë, të paktën në 12 vite që unë jam në këtë sallë, që opozita nuk paraqet qoftë edhe një variant alternativ buxheti.

Në mesazhin e vet, opozita ka hequr dorë tërësisht nga beteja politike kundër pushtetit dhe e ka zëvendësuar atë me një përpjekje të çuditshme për të rrëzuar shtetin.

Do kishte qenë mirë që fjalimet tuaja të ngjanin me atë të Joridës. Por ndoshta Jorida është shumë më e përgjegjshme për shkak edhe të lidhjeve familjare me sektorin bankar; e që në fjalën e vet nuk përmendi aspak ato që i nisi Lulzimi e që i vazhduat të gjithë me radhë si një vjershë pa kuptim. 
Beteja në demokraci, - Lulzim, thirri mendjes, - është betejë mes dy partive, mes më shumë partive për të marrë shumicën, për të marrë pushtetin, por jo për të rrëzuar shtetin, Lulzim.

Por më shumë se prej disa ditësh, në gjithë fjalorin politik tuajin dëgjojmë vetëm këto togfjalësha: para droge, pastrim parash, banka mafioze, buxheti i krimit, e se gjoja qeveria do na pastroka apo laka para përmes buxhetit; e dokrra, e dokrra të tjera si këto. Kjo nuk është e rastësishme; nuk është aspak aksion i rastësishëm, e nuk lidhet vetëm me degradimin prej shumë kohësh të mesazhit politik të Lulzim Bashës si kryetar i emëruar i opozitës, por kjo lidhet më së shumti me një sjellje të papërgjegjshme, që tashmë ka prekur fundin dhe është shndërruar në një betejë kundër shtetit.
Një Don Kishot tipik i 2017!
Nuk jemi kundër negativizmit të Lulzimit apo kujtdo tjetër që e shikon Shqipërinë vetëm bardh e zi: “Këta janë tanët, këta janë të atyre”. Por jemi të shqetësuar për diçka tjetër. 
Këto ditë, për hesape të poshtra interesash poltike, pas dështimit në rezonancën që fjalosja juaj e përditshme ka me shqiptarët, Lulzimi dhe pak nga ju që e ndiqni, po përdorni disa elementë të cilët shkojnë përtej betejës politike. 
Është lufta kundër bankave, e padëgjuar, duke i akuzuar bankat si pastruese parash; inkriminimi i buxhetit të shtetit si buxhet që pastron para;e për pasojë, inkriminimi i investimeve që ka ky buxhet.

Po mirë, more Lulzim, po të marr vetëm një shembull: ja ku e kam deputetin e Dibrës Xhemal Gjumshin. Si mund t’i dalësh ti përballë popullit të Dibrës nëse ti je kundër fillimit të Rrugës së Arbërit, apo që i quan fondet e rrugës së Arbërit fonde droge.

Kjo nuk është politikë. Vetëm një donkishot si ty mund ta bëjë këtë.

Këtu duhet të ndalemi:

Së pari, tek mendimi se opozita është aq e dëshpëruar, sa tani të vetmen mundësi shikon marrjen e pushtetit për të rrëzuar shtetin.
Kjo është filozofia jote Lulzim, ndaj duhet të jesh më i sinqertë me kolegët e tu.

Shpresa jote është se duke folur përditë për drogë, krim, vrasje, pastrim parash, mafie ndërkombëtare e kombëtare, do të destabilizosh shtetin, do të shkatërrosh bankat dhe do fusësh vendin në kaos, nga i cili shpreson se ti mund të dalësh gjoja fitimitar. Turp!

Kjo është fiks çfarë mendoi dhe babai yt politik katër vite më parë. E kish lënë Shqipërinë të zhytur në borxhe dhe kujtoi se përmes borxhesh do shkatërronte shtetin, e përmes shkatërrimit të shtetit do të merrte pushtetin.

Njëlloj si katër vite më parë, kur një trupë hajdutësh të shtetit, të rrëzuar me votën e popullit, vendosën shpresat për rimarrjen e pushtetit tek rrëzimi i shtetit, nga rrënimi që kishit lënë pas.

Sigurisht, Luli apo ju nuk po thoni diçka që ngjit dhe për fat të mirë as nuk po merret seriozisht.

Të flasësh dy javë rresht që bankat pastrojnë para dhe të mos humbasin bankat asnjë depozitues, kjo është diçka pozitive; qoftë për faktin se populli nuk të merr fare seriozisht, qoftë për faktin se bankat tashmë janë institucione stabël, pas 20 vitesh që ti dhe Saliu shkatërruat Shqipërinë.

Nuk ngjit edhe për shkak të fytyrave dhe zërave që i thonë këto thagma. Janë disa fytyra dhe zëra në politikën shqiptare që sapo fillon të përmendet fjala“korrupsion” apo “vrasje”, njerëzit më shumë i identifikojnë me fytyrën e Lulit dhe Saliut sesa me ndonjë fytyrë tjetër.

Por vlen gjithashtu të shënohet se opozita ngjan po aq e dëshpëruar, sa tani mendon se e vetmja zgjidhje është t’i nxjerrësh ujë të zi këtij vendi.
T’u thuash bankave të huaja, që janë sot në Shqipëri, që “pastroni para”, do të thotë t’i bësh të gjithë ata bashkë kundër teje Lulëzim, për papërgjegjshmëri.


Të flasësh përditë për një Shqipëri të zhytur në drogë, krim e korrupsion, duke tejkaluar të vërtetat e prekshme, dhe të paralajmërosh revolucione vetëm të donkishotit të 2017-ës: kjo është qesharake!

Dua të ndaj me ju katër vlerësime të diskutimeve tuaja.

E para ka të bëjë me kryetarin tuaj të partisë, i cili në përpjekjen e mundimshme për të përballuar replikën me kryeministrin, replikat e tij i merr me sms. Kopje në 2017-ën, për të bërë debat në parlament, vetëm ti mund të bësh Lulëzim.

Së dyti, sonte debatit më të rëndësishëm të këtij viti parlamentar i mungoi Sali Berisha. Nuk më ka marrë malli as mua as kolegët e mi, por një arsye e mosardhjes së tij dihet: koncesionet.

Nuk mund të vinte sot Saliu të përballej me të vërtetat e mëdha që u thanë këtu për koncesionet; e që Sali Berisha është një prej njerëzve që ka konfliktin më të pastër për koncesionet që ka firmosur.

Së treti, ky është buxheti i parë pas 9 vitesh që e gjen LSI-në në opozitë, prandaj me të drejtë e keni të justifikuar votën kundër, se jeni lodhur duke votuar 8 vite rresht buxhete pro.

Së katërti, doktoresha Vokshi na u ankua se paska zbuluar skandalin më të madh të vitit, se 150 mijë vajza e gra të paraqitura për kontrollin shëndetësor nuk na paskan bërë analizat e prostatit. Faleminderit zonja Vokshi!

Vazhdoni kështu, se ju pa punë jeni.
Ne kemi detyrimin para shqiptarëve të mos humbim kohë me ju.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm