Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Bypass-i Tepelenës, rrugë Europiane për Shqipërinë që duam!

Të reja

Bypass-i Tepelenës, rrugë Europiane për Shqipërinë që duam!

14 Jul 2018    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në nisjen e punimeve për Bypass-in e Tepelenës:

Përshëndetje të gjithëve!

Më vjen shumë mirë që sot finalizojmë një punë të nisur prej disa kohësh dhe çelim një kantier me një rëndësi strategjike për gjithë aksin kombëtar nga Fieri, në Gjirokastër, në Kakavijë, por edhe me një rëndësi strategjike për zhvillimin e mëtejshëm të Tepelenës.

Tepelena, siç mund ta dëshmojnë lehtësisht të gjithë banorët, por dhe vizitorët e saj, është në një proces transformimi rrënjësor dhe është në rrugën e kthimit të potencialeve të veta të jashtëzakonshme në burim zhvillimi ekonomik dhe social, pas dekadash të tëra harrese dhe braktisjeje, ku askush nuk ndalonte në Tepelenë e ku gjithkush donte vetëm të ike nga Tepelena.

Sot, ne çelim kantierin për Bypass-in, një vepër e përfolur dhe e premtuar për dekada të tëra dhe pjesë e historisë së trishtueshme të Bypass-eve, e cila mjafton për të ilustruar më së mirë sa shumë kohë dhe sa shumë energji, por dhe sa shumë para janë humbur më kot, për vite e vite të tëra, në përpjekjen e dështuar për të ndërtuar Bypass-et. E faktikisht, nëse i numërojmë, duke filluar nga dy plagë të mëdha të trashëguara, Bypass-i Fierit dhe i Vlorës, duke vazhduar me Bypass-et e premtuara të Tiranës e të Milotit, kemi përpara syve një pasqyrë dramatike të mungesës së plotë të përgjegjshmërisë në hartimin e projekteve, të mungesës së plotë të mungesë së përgjegjshmërisë në hartimin e kontratave, të mungesës së plotë të përgjegjshmërisë në monitorimin e proceseve të punës.

Bypass-i Fierit dhe i Vlorës, tanimë janë në procesin e rilidhjes së kontratave, pasi u detyruam t’i anulojmë kontratat abuzive të lidhura, pasi u detyruam të rishikojmë projektet të bëra krejtësisht pa logjikë dhe pasi në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim rimodeluam skemën e financimit të tyre.

Në fillim të gushtit hapen edhe ofertat dhe jemi besimplotë që brenda shtatorit dhe në rastin më të keq, për shkak të procedurave që asnjëherë nuk mund të parashikohen një për një, sepse mund të ketë edhe ankimime e reklamime, në tetor do të nisë puna, për të mos u ndalur më, e bypass-it të Fierit do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik, ai i Vlorës që është një vepër më komplekse dhe do të marrë edhe pak kohë më shumë sesa ai i Fierit.

Po ashtu ka nisur puna në ditët e shkuara për ndërtimin e Bypass-it të Milotit, që është një nyje e rëndësishme strategjike edhe në funksion të lëvizshmërisë në rrugën e Kombit, por dhe në funksion të lidhjes së re që ne do të bëjmë me fillimin e punës për rrugën e re Milot- Balldren.

Bypass-i Tepelenës ka një plan fillestar të vitit 1988, i cili parashikonte kalimin në anën e djathtë të lumit Drinos dhe Vjosë. Një zgjidhje që jo vetëm e shkurtonte me 11 kilometra të ashtuquajturin Bosht të Jugut, por shmangte edhe të gjithë rrezikshmërinë e gjurmës aktuale që është e ekspozuar vazhdimisht ndaj shkarjeve dhe që sjell hera herës bllokime me rrezik edhe për jetën e atyre që përdorin këtë segment. Megjithatë, pavarësisht se studimi ishte shumë i qartë, qeveria paraardhëse, ajo që i mori përsipër të gjitha rrugët e të gjitha rrugët i la rrugëve, e injoroi plotësisht atë studim dhe ndërtoi një aks pikërisht aty ku nuk duhej ndërtuar tani. Kjo na detyron të ndërhyjmë përsëri, siç jemi detyruar të ndërhymë përsëri në rrugën tanimë legjendare Tiranë – Elbasan, e cila u hap me një tunel njëkalimësh, me bujë të madhe dhe pastaj u ekspozua ndaj shkarjeve dhe shembjeve të vazhdueshme, duke na vënë në detyrimin që të ribëjmë komplet projektin që ishte bërë pa asnjë studim gjeologjik. Një gjë e pabesueshme dhe e pamendueshme, jo për një shtet, por dhe për një familje që bën një ndërtim shtëpie pa leje.

Sot jemi në kushtet kur projekti është realizuar dhe ku vrima e zezë ku shkarkohen të gjithë flukset, nga Levani në Tepelenë e pastaj Gjirokastër – Kakavijë, pa asnjë standard, që ngadalëson qarkullimin dhe është vazhdimisht e rrezikshme, do të eliminohet.

Kjo rrugë, kështu siç është konceptuar, merr parasysh dhe nevojat për zhvillimin afatgjatë të Tepelenës dhe të të gjithë qarkut, duke garantuar hyrje dhe dalje të përshtatshme, qoftë në qytet, qoftë në zonat rurale bashkëngjitur. Falë këtij Bypass-i do të realizohet një lidhje më e shkurtër, më e lehtë e më e sigurt, jo vetëm me qendrat urbane të qarkut, por dhe me 13 fshatrat e përzgjedhur për të qenë pjesë e programit tonë kombëtar të Rilindjes Rurale, programit që ka në boshtin e vet projektin e 100 fshatrave. E falë kësaj lidhjeje më të lehtë, që do të shoqërohet dhe me një investim të konsiderueshëm në rrugët rurale, zona të tëra, Dhoksati, Zulati, Antigona, Nivica, Lazarati, Peshtani, Labova e sipërme, Nepravishta, Kalivaçi, Kosina, Leusa, Sotira dhe Malshova, do ta kenë më të lehtë për t’u transformuar, ashtu siç ne e parashohim, në zona ku do të promovohet zhvillimi i turizmit rural. Agroturizmi do të marrë një vëmendje, por me siguri dhe një hov të veçantë, duke ndihmuar familje të tëra që të dalin përfundimisht nga varfëria e duke mundësuar për familje të tëra, por edhe për shumë emigrantë nga këto zona, të cilët duke investuar në shtëpitë e vjetra, duke investuar në asetet e mrekullueshme natyrore dhe historike përmes agroturizmit, të garantojnë edhe fitime shumë herë më të larta, sesa garanton cilado qoftë puna që bëjnë në emigracion.

Ky Bypass është një ndër dhjetëra projektet me rendësi strategjike të infrastrukturës që sapo ka nisur, ose do të nisin në muajt në vijim të zbatohen në Shqipëri. Kemi nisur rrugën e Arbrit, jemi në proces për rrugën Thumanë – Kashar, për rrugën Milot – Balldren, rrugën Delvinë – Kardhiq, rrugën Orikum – Llogara, rrugën Shëngjin – Velipojë, për unazën e Myzeqesë, rrugën e Thethit, rrugën Fier – Seman e me radhë deri tek Bypass-i i Tiranës dhe plotësimi i anës perëndimore të unazës së kryeqytetit.

Paralelisht me infrastrukturën rrugore, tanimë mund të themi se ëndrra dhe ambicia, e shprehur në mënyrë vulgare për vite e vite të tëra në fushata elektorale, për të fuqizuar infrastrukturën aeroportuale të Shqipërisë, është në rrugën e realizimit. Jemi në proces dhe së shpejti do të finalizojmë edhe kontratën për të çelur aeroportin e Kukësit, jemi në proces e së shpejti do të finalizojmë kontratën për të ndërtuar aeroportin e ri ndërkombëtar të Vlorës dhe kemi nisur procesin për të bërë të gjitha vlerësimet e nevojshme, për të ndërtuar edhe aeroportin turistik të Sarandës, që sigurisht, duke pasur parasysh edhe gjithë këtë transformim infrastrukturor në gjithë Qarkun e Gjirokastrës, do të jetë një shërbim i shpejtë e i drejtpërdrejtë për gjithë banorët e kësaj zone.

Ministri përmendi edhe impaktin e investimeve në infrastrukturë për Përmetin, po ashtu janë edhe të tjera projekte me impakt të rëndësishëm në këtë Qark dhe në Qarkun e Vlorës. Përmend Qarkun e Vlorës, sepse një nga rrugët e reja që do të ndërtohen është rruga që do të lidhë Tepelenën me bregdetin nga Gusmari në Kuç. Projekt që e kemi tanimë detajuar dhe që do ta kthejmë në realitet në këtë periudhë të mandatit tonë të dytë. Patjetër nuk e harrova qoftë rrugën e Salarisë, qoftë rrugët e tjera të rëndësishme për zhvillimin e brendshëm, për zhvillimin rural, që nga Dropulli deri në Libohovë, apo në Memaliaj, Përmeti pa diskutim, por çka mbetet për t’u thënë është një gjë, që ne nuk bëjmë inaugurime dhe nuk i biem daulleve elektorale, duke thënë se ja e filluam dhe një rrugë dhe pastaj duke ikur nga sytë këmbët e duke e lënë rrugën rrugëve. Këtu tani fillon puna e puna nuk do të ndalet deri në përfundimin me standarde ndërkombëtare të kësaj nyje të rëndësishëm të të gjithë zinxhirit të veprave me impakt strategjik për infrastrukturën tonë kombëtare.

Ne duam dhe do të ndërtojmë akse kombëtare me standarde europiane. Ne nuk do të lejojmë që paratë e taksapagueseve, energjitë e shpenzuara dhe koha, kaq gjatë, e shpenzuar për të pasur infrastrukturë dinjitoze, të shkojnë dëm, siç kanë shkuar deri dje dhe të ngarkojnë me borxhe të pamerituara qytetarët tanë.

Çdo qindarkë që do të investohet për rrugët tona kombëtare, për infrastrukturën tonë në tërësi, do të jetë një investim që do të kthehet në vlerë të shtuar për ekonominë, në vlerë të shtuar për shoqërinë, në lerë të shtuar për familjet, të cilat do të përfitojnë drejtpërdrejtë, jo thjesht nga krijimi i një shtegu për të lëvizur, por nga ndërtimi i një infrastrukture europiane që do të thithë shumë më tepër turistë në vitet në vijim dhe do të krijojë një imazh shumë më pozitiv dhe plotësisht të merituar, edhe pse për shumë e shumë vite të vonuar, për Shqipërinë që duam.

Shumë faleminderit!​

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm