Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › DEKLARATE E PARTISE SOCIALISTE PER APLIKIMIN ZYRTAR TE SHQIPERISE NE BE

Të reja

DEKLARATE E PARTISE SOCIALISTE PER APLIKIMIN ZYRTAR TE SHQIPERISE NE BE

30 May 2008    
Partia Socialiste e Shqipërisë, duke e konsideruar anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian si një prioritet strategjik dhe përmbushje të vullnetit të shqiptarëve, ka bindjen që Shqipëria duhet të parashtrojë zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në BE në fillim të vjeshtës, duke pretenduar statusin e "vendit kandidat" garantuar Familjen Europiane për vendosmërinë tonë për të kryer të gjitha detyrimet që i takojnë në këtë proces.

Nisur nga fakti se Shqipëria ka humbur shumë kohë të vyer për shkak të një politike të vjetër dasish e konfliktesh me kosto të lartë për vendin;

Të vetëdijshëm se interesat e Shqipërisë qëndrojnë mbi palët e përtej cështjeve të ditës;

Të vendosur të mbyllim tranzicionin politik e ekonomik duke ndërtuar institucione demokratike dhe një ekonomi funksionale tregu, me synim konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në dobi të qytetarëve shqiptarë;

Të ndërgjegjshëm se vendi ynë duhet të marrë përsipër detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në BE dhe se qytetarët tanë duhet të gëzojnë liritë e të drejtat që u takojnë si qytetarë të Europës;

Të bindur se Shqipëria nuk mundet veçse të thellojë reformat dhe të ndërtojë të gjithë mekanizmat garantues për një zhvillim të qëndrueshëm, të vazhdueshëm e të pakthyeshëm demokratik, ekonomik e mjedisor;

Të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë faktorët politikë e shoqërorë për rezultate konkrete në pavarësimin funksional të sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në arritjen e standardeve europiane të lirive e të drejtave, nga zgjedhjet tek liria e lëvizjes së lirë për të gjithë;

Të palëkundur në mbajtjen gjithnjë lart të flamurit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit shumëplanësh në rajonin tonë;

Besimplotë në vullnetin konsensual e në angazhimin e gjithanshëm të shoqërisë shqiptare për përmbushjen e detyrave dhe përballimin e sfidave të jashtëzakonshme të procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian;

Partia Socialiste i kërkon me ngulm qeverisë shqiptare të kryejë me përpikmëri të gjitha detyrimet që burojnë nga roli i saj kushtetues në përmbushjen e kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, të përshpejtojë hapat për të realizuar procesin e prodhimit të pasaportave biometrike e të kartave të identitetit dhe të forcojë e modernizojë regjimin kufitar, duke kërkuar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, si domosdoshmëri drejt liberalizimit të plotë të vizave për qytetarët e qytetaret e Shqipërisë;

Si nismëtarë të procesit të diskutimit e bashkëpunimit për një reformë të thellë demokratizuese e modernizuese të sistemit të drejtësisë, Partia Socialiste kërkon mirëkuptimin e domosdoshëm të të gjitha forcave politike për ndërhyrje të studiuara e të debatuara gjerësisht, me të gjitha grupet e interesit e me publikun, në funksion të integrimit të sistemit të drejtësinë shqiptare në korpusin e Drejtësisë Europiane;

Partia Socialiste rishpreh vullnetin e plotë për të realizuar pa humbur kohë Reformën Elektorale, përmes hartimit të një Kodi Zgjedhor të ri e koherent me ambicien e qytetarëve të Shqipërisë për zgjedhje të standardeve europiane, duke kërkuar që të gjitha forcat politike të shprehin vullnet konstruktiv dhe të ofrojnë kontributin e tyre në përmbushjen e këtij detyrimi jo vetëm ndaj popullit shqiptar po edhe ndaj Familjes Europiane.

Duke parë nga e ardhmja e jo nga e shkuara, duke konsideruar si strategjike interesat kombëtare e jo interesat partiake, duke respektuar aspiratën legjitime të shqiptarëve e shqiptare për të qenë pjesë integrale e Familjes Europiane dhe programet e të gjitha forcave politike në Shqipëri për integrimin e plotë të atdheut tonë në Bashkimin Europian:

Partia Socialiste ngulmon që Qeveria Shqiptare të parashtrojë zyrtarisht aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian në fillim të vjeshtës së ardhshme.

Ky tekst është baza e projektrezolutës që grupi parlamentar socialist do t'i parashtrojë Kuvendit të Shqipërisë duke u bërë thirrje të gjitha partive parlamentare që ta miratojnë atë, si një akt të vullnetit të të gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, kudo që janë, për të mos humbur më kohë dhe për të mos ngurruar më tutje, për të kërkuar atë që Shqipëria dhe populli shqiptar kërkojnë me plot të drejtë dhe që të gjitha forcat politike sëbashku kanë për mision t'jua japin, vendin e anëtarit në familjen e Europës së bashkuar.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm